Në foto: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

OKIObservatori Kombëtar Kundër Islamofobisë shpreh shqetësimin dhe indinjatën për gjuhën aspak korrekte të Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama në një shkrim të tijin në lidhje me rrezikun e terrorizmit. Përdorimi i metaforave me ngjyrime fetare si simbole të së keqes mendojmë se nuk janë zgjedhja stilistike më e duhur.

Përdorimi i perçes islame si metaforë e burgosjes, errësirës shpirtërore dhe frikës është krejt e pavend. Tregon mungesë ndjeshmërie dhe respekti ndaj një pjese të popullsisë. Pak rëndësi ka nëse janë shumicë apo jo. Z. Rama ka përdorur një gjuhë ambigue me ngjyrime islamofobe dhe ksenofobe edhe në raste të tjera, si në rastin e letrës drejtuar ministrave të tij ku u kërkonte “të vrisnin turkun brenda tyre”.

Për më tepër, shkrimin e z. Rama e shohim pa ndonjë vlerë informative. Vjen si një përsëritje e pohimeve dhe tezave të thëna e stërthëna nga të tjerët. Ndoshta e reja këtu është vetëm përpjekja e Kryeministrit për të barazuar Shqipërinë me Europën përballë rrezikut të terrorizmit. Paçka se realiteti politik është krejt i ndryshëm. Duke i hequr terrorizmit arsyet politike, e duke e thjeshtëzuar në një ideologji me baza fetare, Kryeministri Rama më shumë se sa t’u japë zemër shqiptarëve, ai duket se kërkon t’i frikësojë ata.

Rimarrja e tezave dhe retorikës gazetareske se terrorizmi në rradhë të parë ka në shënjestër “botën e lirë” dhe të qytetëruar, pra Perëndimin, përbën fyerje për dhjetëra mijëra viktimat muslimane të shkaktuara nga ISIS-i në Lindjen e Mesme. Kushdo qe e njeh ideologjinë e ISIS-it, dhe realitetin atje, e din se armiqtë kryesorë të IS-it janë në rradhë të parë muslimanët, apo siç i konsideron ai “armiqtë e afërt”. Sulmet në Paris, përveç tragjedisë njerëzore që prodhuan, ato ishin njëkohësisht një goditje e rëndë edhe për gati 2 miliard muslimanët në botë, e në mënyrë të veçantë për ata dhjetëra miliona muslimanë që jetojnë në Perëndim, të cilët nuk i bashkon asgjë më ISIS-in, por që më shumë gjasa do t’i vuajnë në kurriz politikat diskriminuese të qeverive Perëndimore si dhe mendësinë ksenofobe të partive ekstremiste, të cilat do ta shfrytëzojnë këtë situatë për të çuar përpara axhendat e tyre politike.

Rendja pas tezave për rrezikun e terrorizmit në Shqipëri nuk do t’ia lehtësoje qeverisë barrën e rëndë të korrupsionit e as nuk do ta pakësojë krimin që ka përfshirë elitën politike, e cila i ka sjellë këtij populli vetëm vuajtje e mjerim. E as nuk do ta ndihmojë Kryeministrin të blejë kohë për mbijetesë politike, pasi nuk është as Hollande, as Cameron e as Obama.

Pavarësisht se jetojmë në një botë që preket kollaj nga zhvillimet globale, e nuk mund të vëmë dorën në zjarr për askënd, ne nuk shohim se ekziston rrezik real që Shqipëria të preket nga ndonjë valë terrorizmi e as nuk e shohim të arsyeshme që Kryeministri të barazojë Shqipërinë me Europën përballë terrorizmit. Shqipëria nuk është as Franca, as Anglia e as Amerika.

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.