Falsiteti i konceptit të “despotizmit oriental” bëhet akoma më i qartë nëse shtrojmë pyetjen: Cilat ishin fuqitë dhe funksionet e sultanizmit ekzekutiv?

Nga Wael B. Hallaq

Konceptit të despotizmit oriental iu shtua peshë nga një transmetim profetik i rrejshëm sipas së cilit “Gjashtëdhjetë vjet tirani janë më të mira se sa një ditë luftë civile”. Kjo u mor si provë se “Orientalët” janë qenësisht të nënshtruar dhe kësisoj zotërojnë një kapacitet natyror për të duruar tiranitë dhe shtypjen (është panevojshme të theksohet se një qasje e tillë ishte e domosdoshme për të përligjur çdo lloj kolonizimi, qoftë të së kaluarës apo të tashmes). Ndërsa transmetimi profetik në fjalë nuk pasqyron një kuptim të saktë që myslimanët kanë për sistemet dhe praktikat e tyre politiko-ligjore, interpretimi orientalist i këtij transmetimi është krejtësisht i gabuar. Këtu, termat kyç janë “tirani” dhe “luftë civile”. 

Nëse termi tirani përkufizohet në bazë të starndarteve evropiane të para shekullit të nëntëmbëdhjetë, periudhë në të cilën koncepti i despotizmit oriental u formua, atëherë bëhet e qartë se këtu kemi të bëjmë me një projektim në kontekst Islam të konceptit evropian të monarkut – i cili ishte absolutist dhe një legjislator dhe ekzekutues arbitrar. Një projektim i tillë është i pajustifikuar sepse “tirania orientale” në shkallën e saj më të lartë nuk mund të përmbushte dy objektiva që monarku evropian i kishte arrirë në mëyrë të lehtë dhe të suksesshme. D.m.th. (1) Sulltanët dhe mbretërit (myslimanë) nuk mundën asnjëherë t’i depërtojnë shoqëritë që sunduan, por mundën t’i qeverisnin ato vetëm për së “jashtmi” dhe me e rëndësishmja (2) këta sundimtarë ishin tejmase të kufizuar nga një ligj (d.m.th. Sheriatin) që ata nuk e kishin krijuar dhe që ishte gjerësisht jashtë kontrollit të tyre. Kësisoj, çfarëdolloj tiranie të kenë praktikuar, si normë ajo nuk mund të ketë prekur integritetin e bashkësive që ata sundonin. Bashkësi të cilat ishin baza dhe parametrat përkufizuese të jetës. 

Në përkufizimin orientalist, mjetet dhe shtrirja e “tiranisë” janë amplifikuar jashtëzakonisht tej mase, ndërsa rëndësia supreme e “luftës civile” ku bashkësia kaq e rëndësishme copëzohet, është çtheksuar dramatikisht. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh natyrën e organizimit konstitucional islam, konceptimi mysliman preferon bashkësinë si djepin e jetës dhe qendrën e një të jetuari kuptimplotë, duke e konsideruar tiraninë dhe burimin e tij politik dhe sulltanesk si relativisht shumë më pak të dëmshëm se homologu i tij evropian. 

Falsiteti i konceptit të “despotizmit oriental” bëhet akoma më i qartë nëse shtrojmë pyetjen: Cilat ishin fuqitë dhe funksionet e sultanizmit ekzekutiv? Së pari, sulltani nuk zotëronte asnjë sovranitet real. Ndonëse duke kontrolluar kryesisht mjetet e dhunës, ai nuk përfaqësonte asnjë vullnet popullor përtej legjitimitetit që juristët (dhe deri në një farë mase sufistët) i akordonin atij në emër të popullatës. Ai nuk ishte burimi i ligjit dhe për pasojë nuk kishte asnjë vullnet ligjor domethënës. I pëlqente apo jo, ai i shërbente “Sheriatit të përnderuar”. 

Kushtet e marrëveshjes ishin jashtëzakonisht të qarta: Sulltani mblidhte taksa në shkëmbim të legjitimit që juristët i akordoninatij, një legjitimitet i cili nuk jepej nëse ai nuk zbatonte udhëresat e Sheriatit, përfshi edhe mirëmbajtjen e harmonisë sociale dhe komunitare (një koncept i shenjtë ky në Islam). Sovraniteti i përkiste gjithnjë Zotit, ashtu siç përfaqësohej nga Sheriati.

Siç e pamë, në kontrast me këtë, vullneti sovran i shtetit modern përfaqësohet nga vullneti ligjor i tij dhe për pasojë në ligjet e shtetit. Nuk ekziston asnjë shtet-komb modern që nuk ka ligjin e tij. Në terma konstitucional, sundimtari mysliman nuk zotëronte vullnet sovran që të përfaqësohej qenësisht nga ligji i tij. Ai ishte nën obligimin për të garantuar zbatimin e Sheriatit i cili nuk ishte krijim i tij. Në fakt, në një botë ku dinasti të ndryshme mund të ekzistonin njëkohësisht në tokat myslimane, të gjithë sundimtarët duhej të zbatonin të njëjtin ligj, d.m.th. Sheriatin. Kësisoj, Sheriati, në kapacitetin e tij ekstraterritorial, ishte ligji i përbashkët i të gjitha këtyre perandorive dinastike.

Kjo pjesë është fragment i shkëputur nga Wael B. Hallaq, “The Impossible State: Islam, Politics, and Modernity’s Moral Predicament” (Columbia University Press, 2014), 50-51.

Përktheu: Rezart Beka

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.