Në foton ilustruese: Udhëheqësja e Mianmarit, Daw Aung San Suu Kyi dhe pamje nga muslimanët rohinga kundër të cilëve po kryhet gjenocid nga nacionalistët budistë

Njësia Hetuese e televizionit Al-Xhazira ka zbuluar “prova të forta” të asaj që, sipas Shkollës Ligjore të Universitetit të Yale, pa frikë mund të konsiderohet një gjenocid i koordinuar nga qeveria e Mianmarit kundër popullsisë (muslimane) Rohinga.

Klinika e Lowenstein-it ka kaluar tetë muaj duke analizuar dëshmi nga Mianmari, përfshirë dokumente dhe dëshmi të siguruara nga Al-Xhazira dhe grupi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Forty Rights.

“Duke parë shkallën e mizorive dhe mënyrën se si politikanët flasin për Rohingat, ne mendojmë se është e pamundur të mos arrijmë në përfundimin se ekziston qëllimi [për të kryer gjenocid],” përfundoi klinika.

Dëshmi ekskluzive të siguruara nga Njësia Hetuese e Al-Xhaziras dhe Fortify Rights tregojnë se qeveria ka kryer dhunë të vazhdueshme për qëllime politike duke nxitur trazira anti-muslimane, duke përdorur gjuhë urrejtjeje dhe duke i dhënë para grupeve budiste të vijës së ashpër – të cilët mbështesin lidershipin vendas – në mënyrë që të nxisin frikë nga muslimanët në mesin e banorëve të Mianmarit.

Me afrimin e zgjedhjeve  të përgjithshme më 25 nëntor, dëshmitarët okularë dhe dokumentet sekrete të siguruara nga Al-Xhazira tregojnë se partia në pushtet Partia për Unitet dhe Zhvillim (USDP), e mbështetur nga ushtria, është përpjekur të margjinalizojë muslimanët dhe të vërë në shënjestër popullsinë Rohinga.

Al-Xhazira i ka kërkuar disa komente zyrës së presidentit të Mianmarit  dhe zëdhënësit të qeverisë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Axhenda gjenocidiale

Hetimi, i paraqitur në një dokumentar të titulluar “Axhenda Gjenociadiale”, ka konsultuar avokatë dhe ekspertë të diplomacisë për të parë nëse fushata e qeverisë arrin shkallën e një shfarosjeje sistematike.

Profesoresa Penny Green e Universitetit të Londrës, drejtoreshë e Iniciativës për Krimet Shtetërore Ndërkombëtare (ISCI) thotë: “Presidenti Thein Sein [i USDP] është i përgatitur të përdorë gjuhën e urrejtjes për qëllimet e qeverisë (së tij), duke përfshirë margjinalizimin, izolimin dhe pakësimin e popullsisë muslimane në Burma.”

“Është pjesë e një procesi gjenocidial.”

Një raportim i pavarur i ISCI-së arriti në përfundimin se trazirat që shpërthyen në vitin 2012, ku pati konflikte midis budistëve me etni Rakhine dhe muslimanëve Rohinga, ishin të planifikuara më herët. Si pasojë e dhunës që shpërtheu u vranë shumë veta, me dhjetra e mijëra u shpërngulën dhe me mijëra shtëpi u dogjën.

Nuk ishte një dhunë e zakonshme,” tha Green. “Ishte dhunë e planifikuar. U organizuan autobusa të posaçëm për të sjellë nga zona të largëta budistët Rakhinë që të merrnin pjesë në sulm.

U shërbyen pije freskuese dhe ushqime,” tha ai. “Dikush i paguan këto (ushqime). Kjo na tregon se e gjithë kjo ishte e planifikuar me kujdes.”

Ndërkohë, ish-raportuesi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Mianmar, Tomas Ojea Qiuntana, bëri thirrje që presidenti Thein Sein i USDP-së dhe ministrat e punëve të brendshme dhe emigracionit të hetohen për gjenocid.

Nxitja e urrejtjes

Programi hulumtues Axhenda Gjenocidiale paraqet prova ku tregohet se agjentë të qeverisë së Mianmarit ishin të përfshirë në nxitjen e trazirave kundër muslimanëve.

Një dokument zyrtar ushtarak, një kopje e të cilit është siguruar nga Al-Xhazira, tregon se është përdorur gjuha e urrejtjes, duke pretenduar se populli i Mianmarit ka rrezik të “përpihet” nga muslimanët.

Al-Xhazira i ka paraqitur këto dokumente të shoqëruara me përkthim në dokumentarin e realizuar prej saj.

Hetimi ka zbuluar gjithashtu mënyrën si i përdor qeveria banditët për të ndezur urrejtjen.

Një ish-anëtare e shërbimit famëkeq të Inteligjencës Ushtarake të Mianmarit ka përshkruar se si ka parë me sytë e saj agjentë provokues të ushtrisë që krijonin problem me muslimanët.

“Ushtria i ka kontrolluar këto ngjarje pas perdes. Nuk janë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë,” tha ajo, duke folur në kushtet e anonimatit. “Ata paguajnë njerëz nga jashtë.”

Mes gjetjeve është edhe një dokument sekret ku paralajmërohet për “trazira të përgjithshme mbarëkombëtare”. Ky dokument iu dërgua me qëllim fshatrave në mënyrë që të nxisin frikë ndaj muslimanëve.

Prova të mëtejshme nga burimet në Sangha, tregon se murgjve që sfiduan sundimin e ushtrisë në Revolucionin Saffron të vitit 2007 u janë ofruar para për t’iu bashkuar grupeve pro-qeveritare anti-muslimane.

Ndërkohë që ka pasur prova se udhëheqësit ushtarakë të Mianmarit kanë provokuar me dashje trazira gjatë viteve të diktaturës, deri më tani nuk ka pasur asnjë provë që të tregojë se kjo gjë po vazhdonte edhe pas tranzicionit drejt një demokracie të pjesshme.

Matt Smith, themeluesit i grupit mbrojtës Fortify Rights, tha se duke e parë situatën të tërësi, provat tregojnë se kjo prirje po rishfaqet.

“Në rastin e popullsisë Rohinga, në rastin e Shtetit Rakhine, kjo mund të arrijë shkallën e gjenocidit,” tha Smith. “Një numër i madh i njerëzve të fuqishëm në vend duhet t’i nënshtrohen hetimeve ndërkombëtare duke parë situatën në Shtetin Rakhine.”

Heqja e të drejtës së votës për muslimanët

Në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor, USDP-ja garon kundër disa partive të ndryshme, etnike, etj., por kryesisht kundër Ligës Kombëtare për Demokraci (NLD), e drejtuar nga Aung San Suu Kyi.

Votimi shihet si një fazë vendimtare për hapat drejt një demokracie të plotë.

Reformat kanë nisur që prej vitit 2010 kur pushteti ushtarak u zëvendësua me një qeveri civile e mbështetur nga ushtria.

Por, që kur junta ushtarake u zmbraps në vitin 2011, grupe budiste të vijës së ashpër kanë përfituar nga liberalizimi për të fituar ndikimin në politikën e vendit.

Kandidatët muslimanë janë përjashtuar në masë të madhe nga gara në zgjedhjet e ardhshme, çka shihet si një përpjekje për të “qetësuar” ekstremistët.

Me qindra e mijëra muslimanëve Rohinga u është hequr e drejta e votës në fillim të këtij viti kur qeveria hodhi poshtë vlefshmërinë e kartave të përkohshme të nënshtetësisë, të cilat u lejonin atyre të votonin. 

Observer.al


(Ndalohet ripublikimi i këtij artikulli pa lejen paraprake të Observer.al)

1 KOMENT

  1. Ky artikull eshte shume i bute ne krahasim me torturat maabre qe perdoren atje kundra muslimaneve. Jane djegur muslimane per se gjalli. Femijet janr hedhur ne zjarr ne sy te nenave te tyre. Shume i kane varrosur te gjalle e sa e sa tortura te tjera. Allahu i ndihmofte

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.