Këshilli Pontifik i Vatikanit për Dialogun Ndër-fetar ka publikuar një mesazh urimi drejtuar muslimanëve me rastin e Ramazanit dhe Fiter Bajramit me titull: “Të krishterë dhe muslimanë: sëbashku kundër dhunës  në emër të fesë.”

Por përmbajtja e mesazhit ka shkuar shumë larg. Thirrja që muslimanët dhe të krishterët të jenë “sëbashku” ka humbur vetëm pak rreshta pas fillimit të mesazhit. Teksi në fjalë është shndërruar në një seri të gjatë akuzash dhe leksionesh nga lidershipi i krishterë drejtuar muslimanëve. Autorët e tekstit me sa duket kanë harruar se ky mesazh nuk u drejtohet një bande ekstremistash, të cilët kryejnë krime të tmerrshme në emër të Islamit, por u drejtohet miliarda muslimanëve në te gjithë botën, të cilët e duan Zotin dhe e denojnë terrorizmin. Muslimanët po vuajnë nga ekstremistët me shumë se kushdo tjetër. Mesazhi nuk ishte aspak një urim.

Gjuha e përdorur në këtë mesazh drejtuar muslimanëve, të cilët gjatë këtij muaji po përpiqën të arrijnë kënaqësinë e Zotit, të bëjnë bamirësi ndaj njerëzve dhe të ndajnë eksperiencen e tyre të agjerimit me njerëz të tjerë duke shtruar iftare, është thjeshtë i papranueshëm dhe fyes.

Vetë Papa Françesku pati deklaruar gjatë vizitës së tij në Shqipëri se i ndante ekstremistët nga muslimanët e tjerë. Ai e pati quajtur si “të çmuar” respektin e ndërsjelltë midis muslimanëve dhe të krishterëve në këtë vend. “Në një kohë kur shpirti autentik i fesë po dëmtohet nga grupet esktremiste dhe ku ndryshimet fetare po shtrembërohen,” tha ai. Ndërkohë, gjatë vizitës së tij në Turqi tha se barazimi i Islamit me dhunën ishte diçka e gabuar dhe u bëri thirrje liderëve muslimanë që të dënojnë terrorizmin në mënyrë që të largojnë stereotipet e krijuara.

(Këtu mund ta lexoni tekstin e mesazhit të Vatikanit drejtuar muslimanëve me rastin e muajit të Ramazanit dhe Fiter Bajramit)

Ndërkohë, mesazhi i Vatikanit nuk është pritur mirë as nga vetë të krishterët dhe njerëzit e angazhuar në dialogun ndërfetar.

Më poshtë po ju sjellim reagimin e Scott C. Alexander, profesor i asociuar në studimet ndërfetare në Universitetin e Kolumbias (Columbia University, NY) në New York:

Jam i bindur se shumica e muslimanëve nuk do të ketë ndonjë vështirësi të  kuptojnë pse është kaq ofendues ky mesazh. Jam i sigurt se shumë prej tyre do ta shohin si tepër ofendues (duke pasur parasysh edhe sa i papërshtatshëm është një urim për Ramazanin). Unë u ndjeva shumë i ofenduar. Gjithashtu jam i bindur se shumë jo muslimanë, sidomos ata që janë të angazhuar në dialogun ndër-fetar, do ta kuptojnë për çfarë e kam fjalën.

Por, për të gjithë ata të krishterë, hebrenj dhe të tjerë njerëz me vullnet të mirë, të cilët mund të mos e kuptojnë pse kjo letër është kaq fyese me lejoni t’i vendos gjërat në përspektivë duke përdorur analogjinë.

Çfarë do të mendonin shumica e të krishterëve për një mesazh urimi me rastin e Krishtlindjeve nga “Vatikani” musliman (po të kishte një të tillë), ku thelbi i të cilit të mos ishte urimi për Krishtlindjet apo shprehja e solidaritetit për misionin me të cilin Jezusi erdhi në këtë botë? Në vend të kësaj, le të imagjinojmë se një mesazh i tillë do të ishte një thirrje e drejtpërdrejtë drejtuar të krishterëve që të ndihmonin në ndalimin e dhunës së sponsorizuar nga shteti, e sanksionuar nga demokracitë me popullsi me shumicë të krishterë? Me fjalë të tjera: “Gëzuar Krishtlindjet të gjithë ju të krishterë që nuk po bëni mjaftueshëm për të jetuar sipas parimeve të besimit tuaj.” A do të ishte ndopak e vlefshme një letër e tillë kur vjen puna për ndjekës të mundshëm të Krishtit, që të bëjnë më shumë për paqen duke ndryshuar politikën e jashtme të vendeve të tyre përkatëse? Sigurisht që po! Por nëse letra do të dështonte të pranonte se shumë të krishterë janë mbrojtës të mëdhenj të paqes në shoqëritë e tyre, nëse ajo në mënyrë të drejtëpërdrejtë do të justifikonte – siç bën letra e Tauranit (sek. 4) – veprimet e dhunshme të muslimanëve si akte “të pafajshme” “vetmbrojtjeje”, besoj se do të ishte vërtetë e papërshtatshme, apo jo?

Çfarë do të mendonin shumica e hebrenjve për urimet e “Yom Kippurit” nga Vatikani, thelbi i të cilave të ishte për të treguar se pushtimi i Bregut Perëndimor  dhe bllokada e Gazës janë diçka që populli hebre duhet t’i jap fund menjëherë nëse me të vërtetë dëshiron të jetojnë sipas vlerave të hebraizmit? Nuk ma merr mendja se është nevoja ta shtjelloj më tej këtë.

E vërteta është se Vatikani nuk do të ëndërronte kurrë – për një mori arsyesh të kuptueshme – që të dërgonte një mesazh kaq fyes me rastin e njërës prej ditëve më të shenjta të kalendarit hebraik.

Për një moment, ta lëmë mënjanë faktin se sezoni i mesazheve të tilla nuk duhet të jetë asnjëherë rast për një komunitet fetar që të “marrë në llogari” një komunitet tjetër fetar. Le ta pyesim veten se si ky mesazh mund të kishte qenë më i efektshëm.

Për shembull, por sikur Kardinali Tauran të kishte përmendur se sa shpesh Islami shihet sikur ka një “problem të veçantë” me dhunën, kur ne e dimë se kjo nuk është e vërtetë (këtë e ka thënë vetë Papa Françesku!). Po sikur Kardinali Tauran të kishte thënë se dhuna në emër të “interesave kombëtare” sekulare dhe hegjemonisë ekonomike e politike ka pasur pasoja shumë herë më të rënda në mirëqenien e familjes njerëzore – sidomos tek të varfërit (përsëri Papa Françesku!) se sa dhuna e të ashtuquajturit “terrorizmi” islamik? Po sikur të kishte thënë se sa i ka bërë përshtypje fakti se Ramazani është muaji ku muslimanët i përkushtohen vetëkontrollit dhe jo dhunës? Po sikur të kishte thënë se sa mirënjohës ishte për ata miliona muslimanë në të gjithë botën, të cilët janë dëshmitarë të parimeve të paqës në këtë muaj të shenjtë? Por sikur më pas të kishte thënë, “Me keqardhje, por e gjitha kjo nuk është e mjaftueshme”? Po sikur të kishte thënë se të krishterët dhe muslimanët, sëbashku me të gjithë njerëzit vullnetmirë, kanë nevojë ta vulosin këtë muaj me një rezolutë shpirtërore më të thellë, në mënyrë që ti bëjnë ballë çdo lloj dhune në familjen njerëzore si dhe të përkushtoheshin për pajtim dhe shërim?

Ndiej vërtetë turp për këtë mesazh. Me shqetëson fakti se sa lehtë mund të kishte qenë shumë ndryshe dhe më tepër i efektshëm. A ka qarkulluar ky mesazh në mënyrë konfidenciale te muslimanët të cilët marrin pjesë në dialogun katoliko-musliman në Vatikan? Nëse po, a janë bërë vërejtje dhe kundërshtime? Nëse nuk ka qarkulluar, pse ka ndodhur një gjë e tillë? Është një koment i trishtë në këtë dialog të nivelit të lartë, nëse niveli i të vërtetës nuk është aty ku duhet, në mënyrë që të lehtësojë një konsultim të tillë për një dokument kaq të rëndësishëm?

Si një katolik romak, i cili ia ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës personale dhe profesionale dialogut katoliko-musliman, dua t’i kërkoj falje të gjithë muslimanëve nëpër botë për këtë përmbajtje. Dhe lutëm, që një ditë, arroganca shpirtërore e politikës dhe triumfalizmit të mos infektojnë më dialogun mes katolikëve dhe muslimanëve.

Scott C. Alexander, Ph.D. është Profesor i asociuar i studimeve islame dhe drejtor i studimeve katoliko-muslimane.

Observer.al


(Nuk lejohet ripublikimi i këtij artikulli pa lejen paraprake të Observer.al)

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.