Autor-Khaled A BeydounNga Khaled A Beydoun

I veshur me një bluzë me logon e NASA-s, i riu Ahmed Muhamed në klasën e nëntë, hyri të hënë në mëngjes në klasën e tij, duke mbajtur me krenari orën që e bërë në shtëpi me plot pasion. Nxënësi musliman amerikan 14-vjjecar, me një zell të madh në montimin, çmontimin dhe rregullimin e radiove, kompiuterave dhe makinave go-kart shpresonte të mahniste mësuesin  e tij. Por në vend të kësaj, u lajmërua policia e Dallasit; Ahmedit iu vunë prangat dhe nxënësi i tronditur i shkollës së mesme u largua nga godina.

Zakonisht, shkolla i shpërblen risitë, krijimtarinë dhe punën e palodhshme. Megjithatë, Muhamedi ishte musliman! Kjo  bëri që mësuesit e tij dhe administratorët e shkollës, së pari; ta shihnin si bombë orën dixhitale të bërë në shtëpi dhe së dyti; ta lidhnin aftësinë e tij për elektronikën me ndonjë aktivitet (të mundshëm-sh.p.) terrorist.

Rasti i Ahmedit, më shumë se sa një rast i fanatizmit ndaj një individi dhe neglizhencës institucionale, manifeston përhapjen e fanatizmit anti-musliman, apo “Islamofobisë”, në hapësirat më të brishta dhe formuese; shkollat.

Islamofobia është një psikozë në mesin e amerikanëve, e cila ndikon në pikëpamjet e popullit dhe politikat zyrtare. Por duhet të kuptohet edhe si një formë racizmi që po depërton në shkollat amerikane, duke vënë në rrezik të rinjtë amerikanë muslimanë në të vetmen hapësirë ku personaliteti, intelekti dhe zgjuarsia e tyre duhet të ushqehet, e jo të ndëshkohet.

Kriminalizimi i të rinjve muslimanë

Përsonat muslimanë – si politikisht ashtu edhe në diskursin e përditshëm –paraqiten shpesh si të lidhur me terrorizmin. Kërcënimi që vjen nga muslimanët, edhe kur ata angazhohen në aktivitetet të parrezikshme, nxit frikë ose dyshim për sigurinë kombëtare. Themelimi i programeve për mbajtjen nën kontroll, duke i shtuar kësaj edhe nismën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (CVE), tregon qartë se Islamofobia nuk është thjeshtë një perceptim i gabuar i popullit ndaj muslimanëve, por është edhe një mjet në duart e zyrtarëve lokalë gjithashtu.

Rinia amerikane muslimane nuk i ka shpëtuar Islamofobisë dhe rrjetës së mbajtjes nën kontroll. Pavarësisht se Ahmedi ishte një nxënës i shkëlqyer, pa asnjë rast mosbindjeje, ai u veçua menjëherë si kërcënim për shkak të sfondit të tij musliman. Realiteti u nxit nga imazhi i kërcënimit terrorist të shkollës, duke e shndërruar një student të dashur në një radikal të perceptuar. Ahmedi është gjithashtu edhe sudanez amerikan, çka rrit gjasat se racizmi kundër të zinjve bashkë me Islamofobinë kanë bërë që ai të etiketohej si i dyshimtë dhe kërcënues.

Është e sigurt se nëse një nxënës jomusliman, i pasionuar pas elektronikës po të ishte paraqitur para mësuesit të tij me një orë të bërë në shtëpi nuk do të kishte përfunduar i prangosur. Megjithatë, realiteti nuk është më realitet për një nxënës musliman, personi, talenti dhe kurioziteti i të cilit është i brishtë përballë frikës irracionale të vetë atyre njerëzve të ngarkuar me zhvillimin e tyre intelektual dhe personal.

Ndërmjet frikës dhe bulizmit

Përveç mbajtjes nën kontroll dhe profilizimit nga administratorët e shkollave, studentët amerikanë muslimanë po kthehen gjithnjë e më shumë në shënjestra të bulizmit. Idetë dhe imazhet që i lidhin muslimanët me “terroristët,” “ekstremistët,” dhe “armiqtë” po lejohen edhe përtej mureve të shkollës, duke i ushqyer studentët direkt me tagji urrejtjeje ndaj shokëve të tyre muslimanë.

Përveç stereotipeve të dëmshme të shfaqura në media dhe filma, rinia dhe adoleshentët po i konsumojnë ato në një nivel edhe më të lartë nëpërmjet mediave sociale. Tek e fundit, ka një arsye pse të rinjtë janë quajtur “gjenerata e mediave sociale”.

Në një sondazh të bërë në vitin 2013, 50 për qind e studentëve amerikanë muslimanë të anketuar pohojnë se kanë qenë viktima të bulizmit “për shkak të fesë së tyre.” Rreziku nga bulizmi ishte më i madh për ata studentë amerikanë muslimanë të cilët e shfaqin besimin e tyre haptas, në mënyrë të veçantë vajzat e reja që mbajnë hixhab (shami). Megjithatë, 35 për qind e studentëve të anketuar thonë se denoncimi i bulizmit (tek administratorët e shkollës) ka ndihmuar, “pak, aspak, shumë rrallë ose ndonjëherë”. Vetëm 17 për qind deklaruan se kjo ka ndihmuar “shpesh” ose “shumë shpesh”. Kjo tregon një nivel të ulët besueshmërie, e më shumë gjasa, bindjen në mesin e studentëve muslimanë se edhe vetë administratorët e shkollave i kanë këto pikëpamje islamofobe.

Midis bulizmit të shokëve të klasës dhe dyshimeve të administratorëve, studentët muslimanë gjenden të mbërthyer midis dy zjarreve. Mbajtja nën kontroll dhe bulizmi po ndodhin në të vetmin vend ku studentët supozohet se duhet të zhvillojnë aftësitë dhe perspektivat që i drejtojnë ata drejt moshës së rritur. Disa orë pas incidentit, Presidenti Barak Obama ndërhyri, duke konfirmuar këtë mision bazë të edukimit.

Mësimi i inferioritetit

Dëmi i shkaktuar ndaj studentëve muslimanë nga të dyja palët, ndikon në rritjen e tyre në terma afatshkurtër. Por gjithashtu, siç tregohet nga “Studimi i Doll”, i bërë i njohur nga Bordi Brown për Edukimin në rastin Topeka, i cili i dha fund veçimit në shkollat amerikane, e institucionalizon racizmin nëpër shkolla, duke ushqyer kompleksitetin e inferioritetit dhe duke brendësuar racizmin tek studentët e tjerë.

Kjo është e vërtetë sidomos në rastin e studentëve muslimanë në ditët e sotme, të cilët janë të ekspozuar nga përfaqësimi i keq i besimit të tyre, familjeve dhe pamja e jashtme në çdo moment. Dëmi më i madh shkaktohet brenda mureve të klasës, ku respekti për veten dhe vetëbesimi janë po aq të rëndësishme sa edhe leximi apo matematika.

Nëse administratorëve të shkollave dhe shokëve të klasës u mësohet se duhet t’i urrejnë muslimanët, atëherë kjo pedagogji shoqërore gradualisht mund t’i çojë edhe vetë nxënësit amerikanë muslimanë që të kenë frikë dhe ta urrejnë veten.

Autori është asistent-profesor i Juridikut në Barry University Dwayne O Andreas School of Law. Ka lindur në qytetin amerikan të Detroit.

Observer.al


(Nuk lejohet publikimi i këtij materiali pa lejen paraprake të Observer.al)

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.