Nga Ian Buruma | Project Syndicate

Ka shumë mënyra për të shkuar drejt një politike shkatërrimtare: lakmia, arroganca, karizma e demagogëve, e ndoshta – më e rrezikshmja nga të gjitha – frika. Kur njerëzit i kap paniku, ata bëhen histerikë. E histeria shpeshherë çon në dhunë masive. Kur politikanët arrijnë ta bindin popullin se po përballen me një betejë jetë a vdekje – se mbijetesa do të thotë “ne ose ata” – çdo gjë mund të ndodh.

Trump-i ka promovuar hapur lakminë duke u mburrur me pasurinë e tij. Në një farë mënyrë ai e ka ndërthurur arrogancën dhe qëndrimet e tij kontradiktore me një formë karizme  të çuditshme. Nga njëra anë, ai ka premtuar se do t’i zgjidhë të gjitha problemet e botës, duke i treguar Kinës, Rusisë dhe Shtetit Islamik se kush është shefi. Nga ana tjetër, ai pretendon se vendi i tij i madh e i fuqishëm nuk mund të pranojë refugjatët e dëshpëruar nga Siria, pasi, paralajmëron ai, azilkërkuesit muslimanë mund të ndërmarrin “një nga grushtet e shtetit më të mëdha të të gjitha kohërave.”Adolf Hitleri i kishte kombinuar të gjitha elementët politikës shkatërrimtare: arrogancën, karizmën, lakminë dhe idenë se “arjanët” dhe hebrenjtë gjenden në një luftë për mbijetesë. Sigurisht, asnjë nga demagogët e sotëm në Perëndim – që nga Donald Trump­-i  në SHBA e deri te Marin Le Pen, apo Geert Wilders në Europë – nuk mund të krahasohen me Hitlerin. Asnjëri prej tyre nuk ka bërë thirrje për diktaturë, e aq më pak për vrasje në masë. Por, pa dyshim ata po përdorin dhe nxisin politikën e frikës.

Kolegët e Trump­-it në garën për president të SHBA-ve, si Ted Cruz, Ben Carson dhe Marco Rubito, kanë përhapur një frikë të ngjashme në lidhje me refugjatët. Madje, Cruz dhe Jeb Bushi që supozohet të jetë më i moderuari, sugjeruan që vetëm të krishterët të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Mbi 10 mijë vetë vriten çdo vit nga dhuna e armëve në Shtetet e Bashkuara – për arsye të cilat nuk kanë të bëjnë fare me Islamin. Megjithatë, të gjithë kandidatët republikanë mburren me kundërshtimin e masave për të kontrolluar armët; ata nuk e kanë problem që njerëzit të shkojnë të armatosur në shkollë apo në ndonjë lokal. Por edhe një grup i vogël refugjatësh me sa duket është më i rrezikshëm (për ta). Kjo jo për të thënë se akte të tmerrshme të “terrorizmit islamik” nuk mund të ndodhin në SHBA, apo diku tjetër. Kanë ndodhur, e mbase do të ketë të tjera, për aq kohë sa Lindja e Mesme të jetë e trazuar dhe “Islami revolucionar” të tërheqë të rinjtë europianë të zhgënjyer. Por nuk mund të thuhet se përbën rrezik ekzistencial.

Një miku im amerikan hodhi dyshimin se “mund të kemi ndonjë akt terrorist përpara presidencës së Trump-it.” Një vrasje spektakolare nga islamistët mund t’i shtyjë amerikanët që të votojnë për njeriun më frikë-nxitës që kemi njohur. Gjithçka është e mundur. Por nuk besoj se votuesit amerikanë do të jenë aq budallenj.

Megjithatë, frika më e madhe është se  demagogët do të nxisin edhe politikanët me emër që t’i bashkohen kampit të tyre. Që prej sulmit terrorist në Paris më 13 nëntor, François Hollande, presidenti francez jo shumë popullor, por i ndjeshëm, ka pasur aq frikë se mos etiketohet si i dobët nga politikanët e krahut të djathtë dhe të djathtës ekstreme saqë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme – dhe luftë ndaj Shtetit Islamik (ISIS).

Për sa kohë të zgjasë gjendja e jashtëzakonshme në Francë, policia mund të arrestojë njerëz pa asnjë paralajmërim, të bastisë shtëpi dhe rezidenca private në mes të natës, të marr nën kontroll restorante dhe vende të tjera publike me forcën e armëve dhe të sillet si një agjent në një shtet policor. Qytetarët francez janë aq të frikësuar tani nga sulmet e islamikëve saqë masa të tilla po mbështetën gjerësisht. Por padyshim ato janë kundër produktive.

Udhëheqësi i një shteti mund t’i shpallë luftë një shteti tjetër, por jo një rrjeti revolucionarësh. ISIS-i, pavarësisht pretendimeve të tij, nuk është shtet dhe Hollande duhet ta trajtojë si të tillë. Pastaj, edhe nëse bombardimi i bastioneve të ISIS-it në Irak dhe Siri mund të ketë kuptim nga ana ushtarake, ato nuk do ta thyejnë “magjinë” e revolucionit islamist tek të rinjë e mërzitur e të margjinalizuar nëpër lagjet e varfra franceze.

Përkundrazi, liderët dinakë të ISIS-it mbajnë shpresa në një pikëpamje apokaliptike të botës të ndarë në “ne ose ata”. Shumica absolute e muslimanëve nuk janë revolucionarë të dhunshëm që pranojnë apo admirojnë dhunën masive. ISIS-i përpiqet të zgjerojë mbështetjen e vet, sidomos në mesin e rinisë muslimane duke i bindur se muslmanët e vërtetë janë në një luftë ekzistenciale me Perëndimin – se pa besimtarët janë armiqtë e tyre të përjetshëm.

Për ata, ashtu si edhe për Trump-in, frika është arma më e fuqishme.

Prandaj, sa më shumë q; qeveritë perëndimore t; lejojnë që policët e tyre të poshtërojnë muslimanët në emër të sigurisë, aq më shumë rekrutë nga Europa do të fitojë ISIS-i. E vetmja mënyrë për të munduar dhunën e “revolucionarëve islamistë” është që muslimanët të fitojnë besim në zbatimin e ligjit në Perëndim.

Mbase nuk do të jetë e lehtë, por arrestimet arbitrare janë padyshim rruga e gabuar.

Po ashtu, kur vjen puna të lufta civile në Lindjen e Mesme, përmbajtja e Perëndimit është zakonisht strategji më e mirë se sa ndërhyrjet ushtarake të pamenduara të nxitura nga frika e sigurisë së brendshme. Kandidatët republikanë në SHBA kanë filluar t’i përdorin vrasjet e fundit në Paris për të fajësuar presidentin Barak Obama dhe çdo kandidat demokrat të ardhshëm si të dobët. Trump-i ka premtuar se “do ta bombardojë ISIS-in me të gjitha forcat”.

Kjo armiqësi e ka detyruar Hillary Clinton-in, kandidaten favorite të demokratëve në zgjedhjet presidenciale, që të distancohet nga Obama. Ashtu si Hollande, edhe ajo është përpjekur të zbus frikën e publikut duke folur ashpër e duke premtuar më shumë veprime ushtarake.

Obama i ka rezistuar vazhdimisht tundimit për më shumë luftëra. Politikat e tij nganjëherë kanë qenë kontradiktore dhe të paefektshme. Por, përpjekja e tij për të mos rënë pre e panikut dhe frikës ka qenë një akt shumë herë më i guximshëm se sa fjalëmëdhenjtë që e akuzojnë atë si të dobët dhe frikacak.

Autori është profesor i Demokracisë, të Drejtave të Njeriut, dhe gazetarisë në Bard College. Ai është autor i shumë librave, përfshirë “Vrasje në Amsterdam: Vdekja e Theo Van Gogh dhe kufijtë e tolerancës dhe Vitit Zero: Një histori e vitit 1945”.

Përktheu dhe pështati në shqip Observer.al


Opinionet janë të autorit e nuk përfaqësojnë politikën redaksionale të Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.