Nga Mustafë Bajrami

Nuk e kam zakon të bëjë replika që ngrenë pluhur. Disa herë jam kritikuar nga miqtë e mij përse jam i tillë dhe përse nuk reagoj me gjuhën që duhet reaguar. E si frikacak që jam, për nga natyra, miqve të mij u them se tani më jetojmë në kohë paqeje.

Megjithatë, Blerim Latifi, i vetëshpalluri filozof i Kosovës, nuk të lë të qetë as në ditë Ramazani. Ky njeri, për të cilin thuhet se është një dështak i regjur, ku tenton t’i fus hundët gjithandej, ky pra do një trajtim krejtësisht tjetër. Tek rasti në fjalë, puna është serioze dhe kemi të bëjmë me një të ashtuquajtur profesor universiteti, me një person ekstravagant për kah qasjet e tij ndaj temave të ndjeshme. Këtu më nuk bën të mbetemi vetëm spektatorë e të kalojmë si kah “vorret e shkijeve”! Këtu seriozisht duhet reaguar.  

Në këto ditë kur po shfaqet filmi rus me përmbajtje anti-UÇK e deri në palcë kundër vlerave të luftës sonë për liri, në këtë kohë ky i vetëshpallur filozof i del në mbrojtje njeriut i cili e shan më fjalët më të ndyra figurën më emblematike të UÇK-së. Blerim Latifi i del në mbështetje Anton Zefit, i cili shan dhe fyen Adem Jasharin. Që e fyen si mos më keq edhe fenë islame, edhe shqiptarët muslimanë. Në Ramazan.

Është mjaft e qartë përse Blerim Latifi e mbron Anton Zefin pikërisht në kohën kur Rusia po bënë fushatë të egër anti-shqiptare dhe anti-UÇK, sidomos nëpërmes atij filmi.

Ka kohë që kam kërkuar të mbrohen me ligj figurat e ndritshme të kombit shqiptar, pa dallim përkatësie fetare. Kam bërë thirrje nga studiot e RTK-së dhe kam shkruar se me patjetër duhet të mbrohen vlerat tona kombëtare. Për më tepër, Adem Jasharit i kisha bërë një shkrim dhe i kisha folur me gjuhën e zëmrës. “Pranë varrit të Adem Jasharit” është biseda ime që e kisha bërë me Heroin e Gjallë nga Drenica, për t’ia treguar gjithë ato që i kisha parë duke “bredhur” nga cepi më jugor i Shqipërisë e deri tek cepi më verior i Kosovës. Adem Jasharin e kisha përgëzuar për faktin se ai i shkoi Allahut si besimtar i thellë dhe i sinqertë në Zotin. Dhe, aty i kisha thënë, të mjerët ne si po sillemi me emanetin e tij që na la pas. Sikur që sot i them, të mjerët shqiptarët që kanë njerëz si këta të dy; njëri që e sha Adem Jasharin, e tjetri që i del në mbrojtje ofenduesit makabër të Adem Jasharit.  

I vetëshpalluri filozof, në shkrimin e tij skandaloz i quan “vehabistë” të gjithë ata që reaguan ndaj një videoje skandaloze. Atij i djeg si në sy përse shqiptarët reaguan ndaj videos së Anton Zefit. Blerim Latifi “zbulon” se vehabistët e paskëshin paguar Anton Zefin të shajë Adem Jasharin. Sipas tij, si një “ekspert” i video-montazheve, e gjithë kjo paska ndodhur për ta mbuluar një skandal tjetër. Thotë: “Montimi i videos dhe mesazhi i paguar i saj shihet nga aeroplani. Edhe titulli i shpërndarë në media është po ashtu në funksion të gjithë kësaj”.

Lloji i këtij profesori, pa dashje apo me mburrje e nxjerr jashtë atë që e ka në bark. Duke dashur ta relativizojë skandalin e asaj videoje, ai thotë: ‘Por, i gjithë ky mundim del të jetë i kotë, sepse vetë termi ‘katolik radikal’ është term bosh. Nuk ekziston sot diçka si ‘radikalizmi katolik’ apo ‘ekstremizmi katolik’. Të shqiptarët jo se jo, por as në botë, përgjithësisht. Ka shekuj që katolicizmi e ka pranu shoqërinë laike dhe parimin e përshtatjes me ndryshimet e shoqërisë moderne”!!

Ky profesor universitar, imagjinoni, profesor universitar, mendon se radikalizmi është radikalizëm vetëm kur shpallet si i tillë nga qarqe politike, e jo edhe kur fjalët, veprimet apo aksionet e dikujt si individ e si grup, janë radikale. Videon skandaloze e quan “të paguar nga vehabistët muslimanë”, ndërsa mosntrës Anton Zefi i del në mbrojtje. I tillë është Blerim Latifi.   

Çfarë t’i thuhet këtij njeriu që për fatin tonë të keq, fëmijëve tanë ua mëson filozofinë në Universitetin e Prishtinës?! A duhet t’ia rikujtojmë luftën dhjetëra vjeçare në Irlandën e Veriut, sikur edhe të tjera, apo, duhet të heshti pikërisht sepse ndjej për obligim moral e njerëzor ta kursej (një) fe, edhe nëse nuk është feja ime islame. Përkundër llojit të këtij profesori, i cili e shpreh haptas armiqësinë e tij kundër Zotit dhe besimtarëve në Zotin.

Në fund të artikullit të tij mbështetës për njeriun që e shan Adem Jasharin dhe na fyen të gjithë ne, profesori universitar e tregon injorancën e tij të thellë edhe në lidhje me nacionalizmin si fenomen dhe mënyrë jetese. Ai e përdhos Rilindjen Shqiptare kur thotë: “Nacionalizmi shqiptar ka lindë për të qëndruar mbi religjionet. Adem Jashari është figurë emblematike e këtij nacionalizmi…, feja e shqiptarit është shqiptaria, thotë Rilindja jonë kombëtare. Adem Jashari ka qenë, është, e do të mbetet përgjithmonë martir i vetëm kësaj feje”!

A e shihni citatin shpifës të këtij “filozofi” si dezinformon me të? Si mashtron e si manipulon me emrin dhe në emër të Rilindjes Kombëtare. Ky, me vetëdije e paraqet këtë Lëvizje të ndritur kombëtare si Lëvizje anti-fetare, anti-islame. Sepse kjo i nevojitet pikëpamjes së tij ateiste. Ai, duke shfrytëzuar një varg nga një poezi e Vaso Pashë Shkodranit, që ishte Vali i Perandorisë Osmane në Libanin e atëhershëm, qëllimshëm, errët, mashtrueshëm dhe në mënyrë tendencioze tenton ta paraqesë ateizmin si një platformë të përgjithshme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai jo që nuk e din, por nuk don ta pranojë faktin se Rilindasit ishin besimtarë të sinqertë në Zotin. Ishin të përkushtuar ndaj fesë së tyre. Rilindasit këtë e shprehnin nëpërmes poezive të tyre, nëpërmes shkrimeve dhe në jetën e tyre. Njëjtë sikur Adem Jashari që e shprehu besimin e tij të sinqertë në Zotin, edhe sa ishte gjallë me namazet dhe me agjërimin e tij, edhe në momentet e rënies duke mbrojtur pragun e shtëpisë, familjen e tij, Drenicën, Kosovën dhe gjithë shqiptarinë.

Adem Jashari gjatë gjithë jetës së tij jetoi si besimtar i sinqertë, vdiq si besimtar i vërtetë, u varros si besimtar dhe i shkoi Allahut si besimtar i vërtetë. Si besimtar musliman. E jo si njeri që e luftoi fenë apo si figurë emblematike mbi fenë, siç tenton t’i mashtrojë shqiptarët ky farë Blerim Latifi.

P.S: Këtu nuk është me rëndësi nëse Anton Zefi është Anton Zefi, apo quhet Luigj Marku apo ka ndonjë ndonjë emër tjetër.

Publikuar më parë te portali Mejdani.com

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.