Pse sulmohet Elvis Naçi?

Në qarqet e gazetarëve, siç duket së fundmi, ka një padurim ndaj personit të Elvis Naçit, imamit të Xhamisë së Tabakëve në Tiranë.

0

Si imam, Elvisi është sulmuar edhe herë të tjera në publik, ku mund të përmendim debatin e nxitur nga një gazetare show biz rreth përmbajtjes së njërës prej ligjeratave të tij publike. Themi sulmuar sepse gazetarja në fjalë e risolli këtë debat, edhe pse të dekontekstualizuar, kohë pasi vetë besimtarë dhe aktivistë të ndryshëm kishin kritikuar publikisht pjesën problematike të kësaj ligjërate. Kjo në fakt është dëshmia më e mirë e kostove publike që duhet të paguaj çdo personazh publik në epokën e komunikimeve përmes rrjeteve sociale.

Edhe pse një çështje mund të jetë trajtuar dhe debatuar në kontekstin specifik social-kulturor, dikush mund të thërrasë në ndonjë cep “eureka”, dhe duke e risjellë mesazhin dhe imazhet e duhura, rihap pas njëfarë kohe, kësaj radhe për audiencën e gjerë, temën përkatëse me gjithë zhurmën që detyrimisht prodhon lajmi. Pikërisht këtë gjë bëri para një muaji Mustafa Nano. Themi thjeshtë Mustafa Nano sepse nuk dihet saktësisht se çfarë është ai, megjithatë kjo është temë tjetër.

Mustafa Nano, risjell një ligjeratë në video të imamit dhe fillon dhe ridikulizon mesazhin dhe veprimet e ligjëruesit. Për Mustafain është e jashtëzakonshme dhe e pasinqertë nëse dikush flet diçka në arabisht dhe pastaj përlotet. Ngaqë nuk është i sinqertë, por bash e kundërta, përpara se të llomotistë tinëzisht, Mustafai duhet të thellohej disi për të kuptuar vetë ai, ose edhe për t’ia shpjeguar publikut të tij, se njerëzit shpesh përloten nga emocionet të ndryshme që prekin ndjenjat. Por ai zgjodhi të tallej edhe më tej kur nisi kinse të qaj, si demostrim i kotësisë së qarjes emocionale në publik.

Më pas Mustafai ia kaloi temën Rudina Xhungës, të cilën e kishte të ftuar në studion e tij. Rudina bëri gjetjen: Elvis Naçi do të bëhet një Albin Kurt në Shqipëri! Siç duket e shastisur nga fitorja e Vetvendosjes në Kosovë, duke dëshmuar varfërinë e saj analitike, Rudina tha se në Shqipëri nuk ka “humus” për të triumfuar një Albin Kurt, por terreni është i përshtatshëm për bamirës si Elvis Naçi. Është pikërisht ky dimension i veprimtarisë së Elvis Naçit që ngacmoi Rudinën. Gjetja tjetër e Rudinës është që Elvis Naçi ka zëvendësuar shtetin! Siç mund të merret me mend, për Rudinën mbase është e papranueshme që dikush të kryej një funksion lehtësues social, siç është bamirësia. Rudina na thotë që shteti duhet të merret edhe me bamirësi. Se çfarë ndodh në botë rreth këtyre temave, dhe se si janë praktikat atje, pak rëndësi ka për Rudinën.

Ndërkohë një tjetër portal arrin të bëjë një tjetër “zbulim” dhe të ndezë edhe një herë kërshërinë për imamin. Elvis Naçi ka blerë me euro një klinikë! Sërisht pyetja që shtron redaksia e portalit “Dosja”, është se me paratë e mbledhura për bamirësi, Naçi blen një spital. Në mënyrë të trashë aludohet se tashmë Imam Naçi ka një spital në pronësi, ku do të nisë të “zhvasë” qytetarët. Më pas stafeta kalon tek një gazetare tjetër e quajtur Kostana Morava, që pikërisht thekson “rrjepjen për së gjalli” të qytetarëve nga spitali privat.

Dashje padashje, kjo lloj gazetarie ngacmon subkoshiencën e lexuesit mesatar, i cili nuk përballon financiarisht tarifat e klinikave private, dhe rrjedhimisht reagon me skepticizëm ndaj lajmeve të tilla, sidomos kur në mes është një person publik. Por këtu loja bëhet më interesante. Sipas tyre, duke pasur një mision human si bamirësia, tashmë si biznesmen Elvisi me një dorë të jep, e me tjetrën dorë të rrjep. Ky është mesazhi kryesor i kësaj lloj gazetarie investigativo-spekulative. Nëse do të donin të ishin seriozë në zanatin e tyre në interes të publikut, duhet të kryenin të gjitha etapat e një gazetarie të ndershme, për të përmbushur misionin. Por si mundet të jetë misionare ndaj interesit publik kjo specie gazetarësh, që në mënyrë selektive përzgjedh një klinikë private nga shumë të tilla, dhe e etiketon “rrjepse për së gjalli”?!

Megjithatë halli duket ashiqare që është diku tjetër. Është halli i përbashkët që e bashkëndajnë me Mustafain. Mustafai në një tiradë më të hershme ndaj imamit e akuzonte atë për “hipokrit”, domethënë mysliman jo i sinqertë, vetëm sepse ky i fundit mohonte që myslimanët të kenë qasje diskriminuese ndaj grave, të krishterëve etj. Në të njëjtën linjë është edhe kjo Kostana e cila e akuzon imamin për “predikim të idiotësisë në xhami”. Për të lëshuar këto lloj linçimesh publike, kjo gazetarja më parë pohon se nuk ka asnjë gjë kundër islamit, krishtërimit, madje edhe kundër judaizmit! Halli kryesor i saj është autoriteti që ka imami. Këtë thotë edhe Rudina e çuditur tek Mustafai:

Kjo më bën çudi. Si ka mundësi, një vend në dukje laik si Shqipëria ku duken sikur myslimanët e organizuar nuk të shqetësojnë nuk të krijojnë frikë, po nxjerr Elvis Naçin si yll të politikës së ardhshme”.  

Përmendet frika, myslimanët e organizuar, laiciteti, dhe sigurisht politika. Paranojat e Rudinës janë të pajustifikuara, por të kuptueshmë, përderisa gjithë ekzistenca e saj i është përkushtuar politikes, edhe pse pa ndonjë sukses të dukshëm. Qasja e saj ndaj politikës është si puna e çekiçit që godet gjithçka, përderisa çdo gjë i duket gozhdë.

Alarmi i këtij mosdurimi dhe i fyerjeve ndaj një personi publik është vetëm fakti që imami dhe aktivisti social ka arritur sukses dhe audiencë. Edhe pse mund të ketë aspekte problematike në komunikimin publik të dikujt, kjo sjellje rrugaçërore nuk e justifikon linçimin, fyerjen dhe përqeshjen e tjetrit. Edhe pse në veprimtarinë e tij, Elvis Naçi është përpjekur sa mundet ta mbaj larg punën e imamit nga ajo e një aktivisti social, qartësisht një sjellje sekulare kjo, siç do t’i kishte ardhur përshtat shumëkujt që nuk e do përfshirjen e fesë në publik, shumëkush i nisur nga qëllime të ulta, krijon insituata apo interpretime të ndryshme të pamoralshme dhe të patolerueshme.

Artikulli është publikuar më parë te ezani.com me titull “Luftë” ndaj Elvis Naçit.

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.