Nga Hamid Dabashi

Terrorizmi paraqitet i lidhur kaq ngushtë me Islamin saqë përdorimi i tij për krimet e të bardhëve shkel realitetin e kulturës perëndimore.

“Mediat ngurruan ta “klasifikojnë ngjarjen në Charleston si terrorizëm, pavarësisht se sa shumë evokon historinë e terrorizmit të vendit tonë”, shkruan Brit Bennet për New York Times. Terrorizmi amerikan nisi si një përpjekje për të penguar lëvizjen dhe lirinë e zezakëve amerikanë të sapo liruar, të cilët për herë të parë filluan të bëhen një element i pushtetit politik.”

“Nëse ky nuk është terrorizëm, atëherë duhet ta rishikojmë edhe njëherë termin.”

Bennet është një ndër komentuesit dhe mendimtarët e shumtë të cilët argumentojnë se masakrimi i nëntë afrikano-amerikanëve në një kishë historike në Charleston duhet të klasifikohet si akt “terrorist”.

Në një artikull tjetër te New York Times, Charles M. Blow, duke ju referuar dëshmisë së vrasësit, këmbëngul se “[Dylann] Roof ishte një i ri i radikalizuar me urrejtje racore, i cili – siç raportohet – donte të niste një luftë racore, e për këtë vrau nëntë njerëz të pafajshëm si pikënisje e kësaj. Nëse ky nuk është terrorizëm, atëherë duhet ta rishikojmë edhe njëherë termin.”

“Ligji amerikan anti-terror, e ka origjinën në Aktin e Ku Klux Klan-it të vitit 1871, çka e fuqizoi presidentin Ulysse S. Grant  që të ndiqte penalisht anëtarët e Klanit për shfuqizimin e ligjeve federale në lidhje me të drejtat e zezakëve.” vë në dukje Jelani Cobb,

Dëshmi të qarta

Akoma më domethënës është fakti se sipas një raporti të fundit, “që prej 11 Shtatorit 2001, janë vrarë afërsisht dy herë më shumë njerëz nga supremacistët e bardhë, fanatikët anti-qeveritarë dhe ekstremistë të tjerë jo-muslimanë se sa nga muslimanë radikalë.”

Për momentin le të lëmë mënjanë faktin se, sipas një llogarie, që prej vitit 1980 Shtetet e Bashkuara kanë “pushtuar apo bombarduar” jo më pak se 14 vende muslimane, si dhe kanë shkaktuar me qindra mijëra viktima (në fakt bëhet fjalë për miliona viktima të shkaktuara nga ndërhyrjet amerikane që prej viteve ’80 dhe jo vetëm disa qindra mijëra. Shënim i redaktorit) e me miliona refugjatë. Le të shpërfillim për momentin masakrimin e palestinezëve të shumtë (muslimanë dhe jomuslimanë) dhe refugjatët e pastrehë si pasojë e armatimit dhe e mbështetjes amerikane për Izraelin.

Me të gjitha këto prova, si ka mundësi që liderët politikanë amerikanë, zyrtarët e forcave të policisë dhe gazetarë të rëndësishëm refuzojnë ta emërtojnë këtë krim të tmerrshëm si akt terrorizmi?

I njëjti grup nuk do të ngurronte ta identifikonte – me prova minimale- të njëjtin akt të kryer nga një musliman si një akt “terrorist”, apo ta përshkruante çdo akt dhune të kryer nga nja afrikano-amerikan si “të lidhur me ndonjë bandë”.

Philip Bump shpjegoi te Washington Post pse Roof nuk mund të quhet terrorist: “Thjeshtë sepse ai është i bardhë.”

“Shumica e amerikanëve janë të bardhë dhe ne i shohim ata si veten tonë,” shkruan ai. Kur shoh Dylann Roof-in më vjen ndërmend kur isha edhe unë një i bardhë në moshën e tij, afër adoleshencës, i mbushur me zemërim të pazakontë në një kohë të vështirë… mund të identifikohemi shumë me lehtë me atë që ai është. Kur [senatori Lindsey] Graham shikon Roof-in, ai nuk sheh një terrorist me një emër të çuditshëm dhe me lidhje nga jashtë. Ai sheh thjeshtë një djalosh i cili ishte në një klasë me mbesën e tij, në kuptimin e plotë të fjalës.”

Vetëm për muslimanët

Bump dëshiron të dalë diku. Siç e tregon edhe eseja e tij, termi “terrorist” është bërë në mënyrë kategorike sinonim i të qenit musliman (jo vetëm për ata që mund të kryejnë krime, por për çdo musliman), saqë përdorimi i këtij termi për një person të bardhë shpërbën të gjithë leksikografinë e kulturës politike amerikane (dhe izraelite).

Pikërisht kjo leksikografi lëkundët nga themelet sa herë që një terrorist hebre shkon me inat në Hebron apo diku gjetkë në Palestinë, apo kur një amerikan masakron disa njerëz të pafajshëm në Charleston apo diku gjetkë në Shtetet e Bashkuara.

Për amerikanët e bardhë, kategorizimi i aktit të Roof-it si një akt terrorist do të nënkuptonte pranimin e realitetit të terrorit që kanë kryer historikisht mbi afrikano-amerikanët, aziatikët, latinët, apo së fundmi ndaj muslimanëve me prejardhje të ndryshme.

Kjo ekspozon një damar ksenofobie te disa amerikanë, i cili e ka origjinën nga koha e hershme e kolonëve të bardhë në tokën e amerikanëve vendas, në mendjen e të cilëve – që nga periudha e skllavërisë deri në ditët e sotme – çdo kush tjetër në mesin e tyre shihet si një krah pune i lirë, një skllav, një i huaj apo një terrorist.

Me këtë kontekst historik në mendje, kur njerëzit të shikojnë në fytyrat e Geert Wilders, Pamela Geller, Bill Maher, apo Sam Harris e të shohin shenjat e qarta të fanatizmit që bie mbi kokat e afrikano-amerikanëve, latinëve, aziatikëve dhe muslimanëve, vetëm atëherë do të ekspozohet padrejtësia e termit “terrorizëm” për atë që është në të vërtetë: një term racist i menduar nga supremacistët e bardhë në Shtetet e Bashkuara dhe Izrael, për të diskredituar, jo thjeshtë për të dënuar, dhunën e çdo lloji, por gjithashtu edhe rezistencën paqësore të njerëzve të shtypur.

Efekti tampon

Afrikano-amerikanët akoma po vajtonin masakrën e Charleston kur termi terrorizëm u kthye në qarkullim gjatë raportimit të incidentit të fundit në Tunizi, Francë dhe Kuvajt.

Kjo na ofron edhe njëherë më shumë prova se termi “terrorizëm” përdoret ekskluzivisht për muslimanët e për askënd tjetër.

Kam treguar tashmë se Islami dhe muslimanët janë kthyer në metaforë për terrorizmin dhe barbarinë në ditët e sotme. Madje, edhe perëndimorët më “progresistë” përdorin terma të tillë si “xhihad”, “xhihadist”, apo “fetva” kur duan t’i referohen “fanatikëve” të tyre (të krishterë apo hebrenjë), sikur të mos gjendej në gjuhën angleze apo ato europiane ndonjë term tjetër për të emërtuar rastet e tyre të terrorizmit.

Por, problemi më i madh me këtë është fakti se ajo është kthyer në një fjalë tampon. Ajo thith një spektër të gjerë të problemeve shoqërore me shkaqe të shumëfishta dhe i skedon ato vetëm si akte islamike dhe muslimane.

Tre sulmet, ai në Kuvajt, France dhe Tunizi kanë shkaqe dhe motivime të ndryshme, që janë specifike për rrethanat e secilit vend. Por fjala tampon “terrorizëm” pengon çdo përpjekje për të kuptuar shkaqet thelbësore, duke i lidhur ato me një karakteristikë të lindur të cilën e kanë vetëm muslimanët, e askush tjetër: thjeshtë për faktin e të qenit muslimanë.

Hamid Dabashi është profesor në Universitetin e Columbia-s në New York.
Observer.al

(Nuk lejohet ripublikimi i këtij artikulli pa lejen paraprake të Observer.al)

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.