Në foton e kopërtinës: Peter Handke gjatë ceremonisë së marrjes së Çmimit Nobel.

Fondacioni për Hulumtime Politike, Ekonomike dhe Shoqërore në Turqi (SETA), një nga think-tanket më të rëndësishme në vend, ka publikuar raportin vjetor mbi Islamofobinë në Europë për vitin 2019 të quajtur European Islamophobia Report 2019 (EIR). Raporti sjell të dhëna mbi gjëndjen e Islamofobisë në 32 vende europiane, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Raporti i Islamofobisë për Shqipërinë për 2019, me autorë Edmond Neza dhe Nada Dostin, thekson se ekziston një tendencë në mesin e disa portaleve dhe figurave mediatike në lidhje me Islamin dhe muslimanët ku mbizotërojnë stereotipet negative dhe ndjenjat anti-islame. 

Raporti vë në dukje po ashtu se muslimanët në Shqipëri vazhdojnë të përballen me vështirësi në tregun e punës, dhe shpesh përjetojnë diskriminime gjatë intervistave për punë. Por shumica e të disktiminuarve preferojnë të mos i bëjnë publike rastet e tyre nga frika e pasojave. 

Gjatë vitit 2019 janë raportuar incidente të ndryshme islamofobe dhe ksenofobe, përfshirë sulme fizike ndaj objekteve, siç është vandalizimi i “Memorialit Turk” në Tiranë kushtuar dëshmorëve që humbën jetën në 15 korrik 2016 gjatë tentativës për grusht-shteti në Turqi. Ky incident pason incidente të ngjashme provokuese që kanë ndodhur vitet e fundit gjatë festimit të Bajramit në Shqipëri.

Gjithashtu, ka pasur postime të panumërta në mediat sociale nga gazetarë, drejtues programesh televizive, si dhe faqe islamofobe në Facebook të mbushura me gjuhë urrejtjeje. 

Po ashtu, periudha pas tërmetit shkatërrues më 26 nëntor 2019 në Shqipëri, u pasuan nga një valë gjuhe urrejtjeje dhe ndjenjash anti-muslimane në rrjetet sociale pasi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama postoi një numër citatesh fetare, të quajtura “Fjalët e Shenjta”. 

Raporti vëren se, përkundër natyrës identitare të islamofobisë në Shqipëri, incidentet islamofobe janë të kufizuara kryesisht në një grup ekskluziv individësh, mediash dhe politikanësh, të cilët e konsiderojnë identitetin shqiptar si të lidhur pazgjidhshmërisht me Evropën, ndërsa Islamin dhe muslimanët i shohin si “një trup i huaj” që nuk ka vend në shoqërinë shqiptare. 

Po ashtu, raporti vazhdon më tej duke vënë në dukje se islamofobia dhe turkofobia në Shqipëri janë të lidhura ngushtë, ku kjo e fundit është vetëm një dimension i ndjenjave të përgjithshme anti-muslimane të promovuara veçanërisht nga disa elita intelektuale në vend. Turqit, arabët, iranianët apo kombet e tjera myslimane konsiderohen pjesë e “Orientit Islamik”, i cili shihen në kundërshtim me perëndimorizimin e shqiptarëve. 

Incidentet e përfshira në këtë raport paraqesin vetëm një pjesë të problemit real të islamofobisë në Shqipëri. Prandaj, mund të themi se  islamofobia në Shqipëri është shumë më e përhapur nga sa sugjerojnë të dhënat në dispozicion.

Raporti i Islamofobisë për Kosovën për 2019, me autor Adem Ferizaj, thekson se Islamofobia në Kosovë, një vend me shumicë myslimane, mund të konsiderohet paradoksale. 

Nga njëra anë, elitat politike të shqiptarëve (të Kosovës) kanë tendencë të paraqesin veten si ‘mysliman të mirë europian’ (në krahasim me ‘myslimanët e këqinjë jo-europianë’) ndaj homologëve të tyre. Nga ana tjetër, islamofobia është një praktikë diskriminuese që kërcënon vetë ekzistencën e Kosovës si shtet në një nivel global politik.

Në këtë vit, kthimi i 110 qytetarëve të Kosovës nga Siria ishte një nga temat kryesore politike. 

Përderisa dënimi i pjesëmarrjes së kosovarëve në ISIS është i domosdoshëm, qarqet më të larta politike të vendit u përqendruan në konsiderimin e  këtyre shtetasve si një kërcënim i mundshëm për ambiciet euro-atlantike të Kosovës, në vend që t’i shohin ata si një problem të shoqërisë. 

Prandaj, mund të argumentohet  se elitat politike të vendit ishin më të interesuar të vërtetonin imazhin e tyre si ‘mysliman të mirë europian’ sesa të merreshin me problemin në vetvete. Trajtimi mediatik i kësaj teme jo vetëm që përforcoi binaritetin midis Islamit ‘paqësor’ të paraluftës dhe Islamit ‘radikal’ të pasluftës, gjithashtu ndërthuri dhunën me bazë gjinore, ekstremizmin dhe terrorizmin me Islamin. 

Për më tepër, një xhami historike (xhamia e Namazgjahut) u vandalizua në Prizren në 2019-n.

Në vitin 2019, shkrimtari austriak Peter Handke, i cili mohoi gjenocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë, fitoi çmimin Nobel në Letërsi. Kjo ngjarje ka provokuar indinjatë dhe kritikë në Kosovë. Fakti që çmimi letrar më i rëndësishëm iu dha një shkrimtari të tillë paraqet një rast të përshtatshëm për normalizimin e sulmeve islamofobe kundër të drejtës së ekzistencës së Kosovës nga figura të famshme të  djathtës ekstreme në Europë. Për shembull, Eric Zemmour, Marion Maréchal (nga  Franca) dhe Thilo Sarrazin (nga Gjermania) u cituan se kishin përdorur Kosovën për vizionet e tyre Islamfobe për shoqëritë përkatëse (Great Replacement theory) në vitin 2019. 

Për më tepër, ‘racializimi’ i forcës punëtore kosovare u konfirmua në kuadër të  debatit gjerman për mungesën e infermierëve në këtë vit.

Raporti i Islamofobisë për Maqedoninë e Veritut për 2019, me autor Orhan Cekën, thekson se megjithëse viti 2019 ishte vit zgjedhor për Zgjedhjet Presidenciale, incidentet etnike dhe fetare si rezultat i fushatave zgjedhore nuk u raportuan, dhe një maqedonas etnik u mbështet dhe u promovua si kandidat presidencial nga partitë politike maqedonase dhe shqiptare (LSDM dhe BDI) si kandidat i përbashkët. Si rrjedhojë, ai fitoi zgjedhjet me një kombinim të votave maqedonase dhe shqiptare. 

Kjo vjen si një ndryshim sepse zakonisht rreth zgjedhjeve numri i incidenteve me bazë etnike dhe fetare rritej jashtëzakonisht, dhe e gjithë kjo ishte një mënyrë që partia politike qeverisëse në atë kohë VMRO-ДПМE (deri në 2016) të nxiste urrejtje dhe të përçajë më tej vendin dhe të jep një imazh të jotolerancës në mesin e komuniteteve që jetojnë në vend.

Jotoleranca fetare në vend, edhe pse në rënie krahasuar me disa vite më parë kur jotoleranca dhe urrejtja etnike dhe fetare shkonin krah për krah, është akoma e pranishme në forma të reja dhe më të sofistikuara. Në krahasim me një vit më parë kur kishte djegie të xhamive, në vitin 2019 incidente të tilla nuk janë raportuar. 

Sidoqoftë, përkatësia fetare dhe etnike kanë qenë shkaqe të nxitjes së disa sulmeve verbale islamofobike dhe kanë qenë baza për diskriminim në disa nivele të jetës publike.

Edhe pse numri mund te mos jetë i madh, disa incidente shumë të dukshme kanë ndodhur gjatë vitit 2019 siç është posti islamofobik i një anëtareje të ushtrisë lidhur me të shtënat në Zelandën e Re; reagimet plot urrejtje ndaj hapjes së xhamisë Alipasha, një xhami e epokës osmane në Ohër; peticion i banorëve jo-muslimanë në Strumicë për të ulur zërin e ezanit; reagimet e shumta të ashpra dhe islamofobike të një gazetari dhe një politikani të majtë për angazhimin politik të një aktivisteje me shami/hixhab brenda partisë politike në pushtet, LSDM; dhe diskriminimi i vazhdueshëm ndaj studentëve të shkollave të mesme fetare islamike, medreseve, të cilëve ende nuk u lejohet të vazhdojnë arsimin e tyre universitar në universitetet publike ose private, përveç Fakultetit të Shkencave Islame.

Ngjashëm me vitin e kaluar kur një grua me hixhab nuk lejohej të hynte në një restorant në Shkup, një shqiptari etnik dhe myslimani i‘u refuzua shërbimi në një restorant në Prilep. Komisioni për Anti-diskriminim dhe Zyra e Avokatit të Popullit nuk kanë publikuar ende ndonjë raport që lidhet me këtë dhe raste të tjera të incidenteve islamofobike.

Disa OJQ lokale të së drejtës së njeriut në vend kanë qenë pioniere në luftën kundër diskriminimit në baza fetare dhe kanë qenë të zëshme në raportimin e rasteve të gjuhës së urrejtjes bazuar në përkatësinë fetare, gjegjësisht besimin islam. 

Fatkeqësisht, organizatat muslimane në përgjithësi dhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut nuk e kanë pozicionuar veten si mbrojtës të të drejtave të myslimanëve në vend. 

Raportin e plotë në gjuhën angleze mbi Islamofobinë në Europë 2019  mund ta gjeni duke vizituar Islamophobiaeurope.com

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.