Në foto: pamje nga kopertina e Raportit mbi Islamofobinë në Europe 2020. Ilustrimi tregon Presidentin Frances Emanuel Macron.

Islamofobia në Evropë është “përkeqësuar, në mos ka arritur pikën kulminante”, thuhet në Raportin e Islamofobisë në Europë (EIR) të publikuar të mërkurën. Raporti nënvizon faktin se lëvizjet politike qendrore kryesore në kontinent legjitimojnë shënjestrimin e muslimanëve me justifikimin e luftimit të ekstremizmit.

Raporti prej 886 faqesh publikohet nga Enes Bayraklı, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Turko-Gjerman me qendër në Stamboll dhe Farid Hafez, një shkencëtar politik i Universitetit të Georgetown.

“Duke parë pas në gjashtë vitet e fundit, shumë vëzhgues do të bien dakord njëzëri se gjendja e islamofobisë në Evropë jo vetëm që nuk është përmirësuar, por është përkeqësuar, në mos ka arritur kulmin”, shkruajnë autorët në raportin vjetor që publikohet që prej vitit 2015.

Kjo ishte një nga arsyet pse një imazh i një politikani u zgjodh për ballinën e edicionit të këtij viti, shpjeguan redaktorët, duke iu referuar presidentit francez Emmanuel Macron, një politikan për të cilin ata thanë se “konsiderohet gjerësisht si përfaqësues kryesor i një levizjeje politike të qendrës”.

“Ky fakt shërben si një zbulim i mëtejshëm se qendra është bërë më ekstreme në lidhje me islamofobinë. Muslimanët francezë dhe austriakë janë lënë në duart e dhunës brutale shtetërore që është legjitimuar në emër të ligjeve kundër terrorizmit,” pohuan ata.

Mbyllja e organit francez të monitorimit Collectif contre l’islamophobie en France (CCIF, Kolektivi kundër Islamofobisë në Francë), thanë ata, parqet një shembull se “sa është zhvilluar islamofobia shtetërore”.

Ndërkohë, një panel diskutimi online i titulluar “Islamofobia dhe sulmi ndaj lirive civile në Evropë” u mbajt për të shënuar publikimin e raportit.

Diskutimi u moderua nga Bayraklı dhe morën pjesë Hafez, Amani Hassani nga Universiteti Keele në Mbretërinë e Bashkuar dhe Amina Smits nga Universiteti 29 Mayıs i Stambollit.

Bayrakli i bëri jehonë raportit, duke deklaruar se politikat e Macron-it bënë që ta vendosnin atë në kopertinën e raportit. Ai i referohej një ligji kundër separatizmit në Francë, për të cilin qeveria pretendon se synon të forcojë sistemin laik të Francës, megjithëse kritikët argumentojnë se ai kufizon liritë fetare dhe margjinalizon muslimanët.

Në janar, një komision i posaçëm në Asamblenë Kombëtare Franceze miratoi “kartën e vlerave republikane” të Islamit që u prezantua vitin e kaluar nga Macron si pjesë e luftës kundër “separatizmit”, duke zemëruar komunitetin musliman.

Legjislacioni është kritikuar duke synuar komunitetin musliman të Francës – më i madhi në Evropë, prej 3.35 milionë – dhe vendosjen e kufizimeve në shumë aspekte të jetës së tyre. Ligji i lejon zyrtarët të ndërhyjnë në xhami dhe shoqata përgjegjëse për administrimin e tyre, si dhe të kontrollojnë financat e shoqatave dhe organizatave joqeveritare (OJQ) të lidhura me myslimanët.

Së fundmi, Franca urdhëroi mbylljen e një xhamie tjetër në veri të vendit si pjesë e goditjes së Parisit ndaj popullsisë së saj myslimane me pretekstin e “luftës kundër ekstremizmit”.

Franca vitin e kaluar u përfshi në një grindje të ashpër me vendet myslimane, përfshirë Turqinë, mbi deklaratat dhe politikat e bëra nga zyrtarët e lartë francezë pas ripublikimit të karikaturave fyese të Profetit Muhamed. Myslimanët në mbarë botën denoncuan vendimin e revistës satirike franceze Charlie Hebdo për të ribotuar karikaturat që nuk respektojnë fenë dhe profetin.

Situata e Islamofobisë në Shqipëri

Raporti Europian mbi Islamofobinë përmban dhe një kapitull mbi Shqipërinë të përgatitur nga studjuesja dhe gazetarja Denada Dosti.

Reporti thekson se gjatë vitit të kaluar, islamofobia në Shqipëri u drejtua kryesisht kundër muslimanëve vendas të cilët kanë një zë dhe një ndikim në shoqëri. Gjithashtu janë shënuar raste të gjuhës së urrejtjes apo talljes kundër imamëve nga gazetarë dhe opinionistë.

Platforma të ndryshme në internet, përfshirë portalet e lajmeve dhe rrjetet sociale, mbeten mënyra kryesore për promovimin e gjuhës së urrejtjes anti-muslimane. Platforma të cilat përdoren nga gazetarë, figura publike dhe qytetarë për të përhapur ndjenja anti-muslimane.

‘Islamofobia e institucionalizuar’

Hafez, nga ana e tij, preku edhe islamofobinë në Francë, Gjermani dhe Austri.

“Gjermania ka dokumentuar në përgjithësi më shumë se 31,000 raste të krimeve të urrejtjes, duke përfshirë 901 krime të urrejtjes kundër myslimanëve,” tha ai, duke vënë në dukje se Franca ka regjistruar vetëm 1,142 krime të urrejtjes në total, me 235 incidente kundër muslimanëve.

“Pra, në vend që të sugjerohet se krimet e urrejtjes kundër muslimanëve ndodhin më shumë në Gjermani sesa në Francë, dikush është më i prirur të pyesë se sa seriozisht autoritetet e policisë franceze i dokumentojnë krimet e urrejtjes në përgjithësi,” tha ai.

Duke u rikthyer te kopertina e raportit, Hafez shpjegoi pse ata zgjodhën një person të vetëm kur pandemia e koronavirusit pati një ndikim kaq të qëndrueshëm në vitin 2020. Ai theksoi se zgjedhja u bë sepse, në sytë e tyre, viti pa një “epokë të re në institucionalizimin e islamofobisë shtetërore”.

Numri i këtij viti mblodhi së bashku 37 studiues vendas, ekspertë dhe aktivistë të shoqërisë civile të specializuar në racizmin dhe të drejtat e njeriut, duke përdorur 31 raporte të vendeve, përfshirë dhe Shqipërinë, për të hetuar në detaje dinamikat themelore që mbështesin drejtpërdrejt ose indirekt rritjen e racizmit të drejtuar ndaj muslimanëve në Evropë në vitin 2020.

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.