Sebastjan ZonjaNga Sebastian Zonja

Unë i dënoj rëndë sulmet terroriste të Brukselit. Janë sulme jo vetëm ndaj Brukselit, por ndaj tërë njerëzimit. Terrorizmi ka vetëm një fytyrë, dhe ajo është fytyra e krimit, e marrjes së jetëve të njerëzve.

“Atentatet e 11 shtatorit të 2001, lufta në Afganistan, Irak, Libi dhe Siri kanë krijuar realitete të reja ndërkombëtare e sidomos mes Perëndimit dhe Islamit.”

Shumë e vërtetë. Edhe S. Huntington tek vepra e tij “Përplasja e qytetërimeve” flet  për një pikëpamje të tillë. Sapo fillon të lexosh paragrafin më poshtë e kupton që ajo më sipër është thjesht një kopje, ose copy – paste në Google, sepse ajo e thënë më sipër mohon atë më poshtë. Realitetet e reja të krijuara i shërbyen shkëmbimeve më të mëdha politike, ekonomike. Cila është lidhja e realiteteve të reja ndërkombëtare, me rritjen e shkëmbimeve?!…

Por ne arrijmë ta kuptojmë atë që autori kërkon të thotë, thjesht nga termi dy botë që citon. Unë vetëm teorinë e tri botëve di, se kur e përdor shprehjen “Botë tjetër” zakonisht e kam për ato që kanë ikur nga fiqiri, ose janë larguar nga jeta.

Pra, në një mënyrë të holluar, ajo që mund të aludojmë është se qëllimi është t’i fryjmë më shumë politikave identitare ndarëse. Një qasje sektare shumë e rrezikshme, që kur e ve në pah, nuk duhet thjesht ta artikulosh, por edhe të argumentosh për ta kundërshtuar atë për nga rrezikshmëria që paraqet. Por autori e lë me aq. Mjaftohet me një fjali të tipit: dëshirë për integrim reciprok social. Se çfarë është “integrimi reciprok social”, këtë vetëm autori e di.

Tipike si “Krenaria e Mllefit” kjo aksiomë e autorit.

Më poshtë kur do të flasë për botën islame dhe atë perëndimore, shkruan një fjali si kulturolog: Myslimanët në dallim me perëndimorët, flasin thuajse të gjithë një gjuhë, falen njëlloj dhe në të njëjtën kohë.

Po mirë, ç’të keqe ka këtu?!… Edhe katolikët shkojnë ne kishë për meshë, edhe budistët në manastire, edhe hebrenjtë në sinagoga etj.

Sipas kësaj optike i bie që të gjithë muslimanët janë terroristë, sepse i shohin ngjarjet njësoj. A ka mundësi të jetë e logjikshme një gjë e këtillë?

Pse vetëm me këtë aspekt, aspektin teologjik, shpjegohet konflikti? Ky mund të jetë një nga shkaqet, por jo kryesori.

Europa është pasive në transformimet e botës islamike? Ç’lidhje ka Europa me transformimet e botës islamike, përderisa ajo është çështje e brendshme e vetë atyre vendeve. A mund t’iu imponosh vendeve islamike demokracinë liberale europiane, vetëm dhe vetëm pse autori e kërkon një gjë të tillë si pikëpamje hegjemoniste kulturore-politike ndaj “Atyre”.

Po ashtu Europa duhet të jetë nismëtare për të fuqizuar qeveritë aktuale të vendeve arabe, të cilat nuk e përfaqësojnë terrorizmin islamik e vazhdojnë të kenë probleme edhe të brendshme nga ky fenomen.

Pra, autori e di se cilat janë vendet arabe terroriste? Kush qenkan këto vende? Pse të mos i hapim luftë këtyre vendeve dhe e mbyllim këtë problem kanceroz një herë e mirë.

“Terrorizmi i sotëm sfidon modelin e shtetit nacional-komb e për këtë arsye tenton të ndryshoi komplet sistemin dhe rendin botëror…”, por pak më sipër ne flasim për një Europë federaliste. Si mund të ngatërrojmë dy koncepte kaq bazike, shtetin nacional me federalizmin europian?!… Bashkimi Europian dhe multikulturalizmi janë dy gjëra që po dekonstruktojnë pikërisht fenomenin e shtetit-komb, dhe ne si Shqipëri e Kosovë po kërkojmë me ngulm të aderojmë në Bashkimin Europian.

Unë vërej një gabim të madh në optikën e autorit. Kjo vjen si rezultat se ai nuk e ndien veten shtetas të Shqipërisë, ndoshta as të Europës, por thjesht një vizitor në këto anët tona. Më qartë këtë e shpreh edhe në shkrimin e tij me receta bombastike: “Shqipëria e parë nga jashtë: mbeturina e fundit e Perandorisë Osmane”.

Kur historiani anglez Bernard Lewis shtjellon pyetjen e tij “Ku u gabua” thotë në një paragraf:

Arabët mund t’ua hidhnin fajin për problemet e tyre turqve, që i kishin mbajtur nën sundim prej shekujsh. Nga ana e tyre, turqit mund t’ua hidhnin fajin për stanjacionin e qytetërimit të tyre peshës së vdekur të së kaluarës arabe, në të cilën kishin mbetur të paralizuara energjitë krijuese të popullit turk. Persët mund t’ia hidhnin fajin për humbjen e lavdisë së tyre të lashtë arabëve, turqve dhe pjesërisht mongolëve.

Edhe Albani, pasi i zgjidhi problemet tona me Perandorinë Osmane, tani merret me problemet e BE-së, shërbimin e unifikuar të inteligjencës europiane, aleancat BE-Rusi dhe BE-SHBA etj. E harroi fare se për çfarë u nis artikulli. Autori është gjithnjë një hap para koncepteve bazë të politikave ndërkombëtare.

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.