Ankaraja i ka dhënë rëndësi pritshmerive të popullit turk, jo pritshmerive të qeverive të vendeve të tjera. Me fjalë të tjera, rihapja e Aja Sofias për adhurim është një çështje kombëtare, e jo çështje e politikës së jashtme. Nuk ka për qëllim kufizimin e të drejtave të jomuslimanëve në vend.  

Nga Muhittin Ataman

Aja Sofia u shndërrua në xhami pas pushtimit të Stambollit në 1453 nga Sultani Mehmet II si simbol i pushtetit osman mbi qytetin. Shërbeu si xhami deri në 1934, kur u shndërrua në muze. Shumë hapa të tjerë u morën gjatë dy dekadave të para të Republikës turke, të cilat përforcuan shkëputjen e regjimit të ri nga e kaluara dhe u panë si hapa të nevojshëm për njohjen nga komuniteti ndërkombëtarë. Jo vetëm muslimanëve, por edhe jomuslimanëve iu hoqën shumë të drejta fetare. Për shembull, shumë prona që u përkisnin fondacioneve humanitare jomuslimane u përvetësuan nga qeveria.

Qeveritë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partisë AK) kanë ndërmarrë hapa të shumtë për të zgjeruar të drejtat e komuniteteve fetare, përfshirë muslimanët dhe jomuslimanët. Ndër to, është hequr ndalesa ndaj grave muslimane që mbanin mbulesën islame. Po ashtu, qeveria u ka rikthyer pronat fondacioneve humanitare jomuslimane. Hapja e Xhamisë së Madhe të Aja Sofias është hapi më i fundit i marrë për zgjerimin e lirive fetare në vend. Prandaj, ky është një hap i mëtejshëm i ndërmarrë drejt normalizimit të politikës turke. Qeveria turke filloi t’i normalizojë marrëdhëniet e saj me kulturën, qytetërimin dhe trashëgiminë historike. Pra, domethënia e parë e rikthimit të Aja Sofias në Xhami është tregues i qëllimit të qeverisë për të gjetur paqe me të kaluarën e për të rregulluar një anomali.

Domethënia  e dytë është konsolidimi i demokracisë turke. Për dekada, miliona njerëz kanë pritur dhe ëndërruar të falen në Aja Sofia. Shumë parti politike të mëparshme i kanë premtuar zgjedhësve të tyre se do ta hapnin Aja Sofian për adhurim. Nga ana tjetër, shumë intelektualë, shkrimtarë dhe artistë turq e kanë mbajtur gjallë për dekada shpirtin e Xhamisë së Aja Sofias. Presidenti Recep Tayyip Erdoğan thjeshtë ka plotësuar pritshmerinë e popullit turk. 

Hapja e Aja Sofias është tregues i përpjekjeve të vazhdueshme turke për pavarësi si në politikën e saj të brendshme ashtu edhe në politikën e jashtme. Ngjashëm me fuqitë e mëdha, Turqia ka filluar të sillet si një shtet-komb sovran me vetëbesim duke ndjekur politika që i japin përparësi interesave të saj kombëtare. Qeveria turke ka treguar se, kur është e nevojshme ndërmerr hapa të njëanshme, të cilat mund të kërkojnë të injorohet presioni ndërkombëtar dhe pritshmeritë e shteteve të tjera kombe në mënyrë që të mbrojë interesat e saj kombëtare. Ankaraja i ka dhënë rëndësi pritshmerive të popullit turk, jo pritshmerive të qeverive të vendeve të tjera. Me fjalë të tjera, rihapja e Aja Sofias për adhurim është një çështje kombëtare, e jo çështje e politikës së jashtme. Nuk ka për qëllim kufizimin e të drejtave të jomuslimanëve në vend.  

Shndërrimi i Aja Sofias në xhami në 1453 ishte simbol i marrjes së Stambollit; ndërsa rikthimi i saj i tanishëm është simbol i normalizimit të shtetit turk dhe pavarësimit të tij politik. Rikthimi i Aja Sofias është një lëvizje strategjike drejt konsolidimit të shtetit turk dhe politikave turke, e jo një lëvizje ideologjike për të provokuar popujt apo shtetet e tjera. Prandaj, kjo lëvizje reflekton vullnetin e lirë të popullit turk, i cili e ka paguar tashmë çmimin për parandalimin e përpjekjeve ushtarake për grusht shteti më 15 korrik 2016.

Të gjithë e dimë shumë mirë se reagimi i disa qeverive dhe mediave perëndimore, të cilat heshtin ndaj politikave anti-islame në Perëndim, nuk janë të sinqerta. Qeveritë perëndimore dhe mediat i injorojnë sulmet e përditshme ndaj muslimanëve dhe xhamive në Europë. Shumë qeveri perëndimore e konsiderojnë ekzistencën e Islamit dhe të muslimanëve si një kërcënim për qytetërimin perëndimor. Prandaj, ata janë kundër çdo lëvizjeje shoqërore dhe politike që i jep sadopak hapësirë Islamit dhe muslimanëve. 

Qeveritë dhe popujt në Perëndim nuk duhet të harrojë se parimi për “bashkëjetesë paqësore” ishte rregull në Perandorinë osmane, ashtu siç ishte në shumë vende muslimane në Lindjen e Mesme. Në parim, shteti osman, si përfaqësuesi i fundit i shtetit klasik musliman, gëzonte një sistem juridik të shumëfishtë, i cili ua mundësonte jomuslimanëve që ta praktikonin fenë e tyre sipas ligjit privat. Shteti respektonte të drejtat e jomuslimanëve dhe nuk i prekte simbolet e tyre. Për shembull, osmanët e shndërruan Aja Sofian në xhami, por nuk dëmtuan afresket, ikonat dhe mozaikët e krishtera brenda xhamisë. Qeveria turke ka deklaruar se do të vazhdojë t’i ruaj këto simbole fetare.

Autori është drejtor i Studimeve mbi Politikat e Jatshme pranë Fondacionit për Hulumtime Politike, Ekonomike dhe Shoqërore në Turqi (SETA).

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.