Foto: Richard Dawkins, eksponent i “Ateizmit të Ri”, dhe autoor i librit me titull: “The God Delusion” i vitin 2006 [Foto: AP/Fiona Hanson]
Foto: Richard Dawkins, eksponent i “Ateizmit të Ri”, dhe autoor i librit me titull: “The God Delusion” i vitin 2006 [Foto: AP/Fiona Hanson]

Nga Hamid Dabashi

Autori është profesor i studimeve iraniane dhe letërsisë krahasusese pranë Universitetit të Kolumbias në Shtetet e Bashkuara.

Në mars të këtij viti, në Shtetet e Bashkuara doli në treg një botim i ri me titull “Katër Kalorësit”. Libri përmban një hyrje nga komediani britanik Stephen Fry, tre ese dhe transkriptin e diskutimeve të regjistruara në vitin 2007 ndërmjet katër eksponentëve të të ashtuquaturit “ateizmi i ri”; Richard Dawkins-it, Sam Harris-it, Daniel Dennett-it, dhe Christopher Hitchens-it.

Përpara këtij takimi, të katër kishin publikuar libra ku argumentonin se religjioni dhe “lufta e shenjtë” përbëjnë kërcënimin më të madh për civilizimin njerëzor. Prandaj fetarizimi nuk duhet të tolerohet në “shoqeritë perëndimore”.

Punimet e tyre,  “The God Delusion, i Dawkins-it, “The End of Faith” i Harris-it, “Breaking the Spell: Religion as a Natural Phenomenon” i Dennet-it dhe “God Is Not Great” i Hitchens-it, të gjitha ishin në thelb të shkruara si një reagimi i verbër ndaj sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, e të gjitha ishin të fokusuara të Islami dhe bota muslimane, duke shfaqur një injorancë të jashtëzakonshme në lidhje me të dyja.

Pa dyshim, asnjë nga ata të katërt nuk ishte në gjendje të ofronte ndonjë kuptim serioz historik të atij akti terrorist, arsyet pse ndodhi, çfarë do të thoshte apo si të parandalojmë veprime të ngjashme të dhunshme në të ardhmen. As nuk dhanë ndonjë kontribut intelektualisht sfidues me rëndësi në debatin mijëra vjeçarë mbi besimin dhe mosbesimin në Zot.

Fakti që botuesit kanë zgjedhur të ringjallin tani këtë seancë islamofobe 12-vjeçare duke e shitur si një “diskutim historik mbi ateizmin modern” flet vetë. Me supremacinë e bardhë që aktualisht po lulëzon në SHBA dhe vende të tjera, një libër mbi “ateizmin e ri”, një lëvizje pseudo-intelektuale që ka kontribuar shumë në rritjen e supremacisë së bardhë, me siguri që do të kishte shumë shitje.

Injorancë spektakolare

Para se të vazhdojmë më tutje, le të sqarojmë diçka: ateizmi si i tillë është një pohim i shëndetshëm dhe bota, përfshirë edhe pjesën muslimane, nuk ka qenë kurrë pa ateistë.

Në fetë dhe kulturat e ndryshme, ka ateistë që janë njerëz të mirë e të arsyeshëm, ashtu siç ka dhe besimtarë të mirë dhe të arsyeshëm, të cilët mund dhe duhet të angazhohen në debate rreth religjionit dhe besimin ne Zot, pa qenë nevoja të bien pre e urrejtjes dhe bindjes se supremacisë së njerës palë. Debate të tilla të hapura e të ndershme janë vërtetë të shëndetshme për çdo komunitet apo komb dhe si të tilla duhet të nxiten.

Por, shkrimet, shfaqjeve publike dhe debatet ku janë angazhuar “katër kalorësit” gjatë diskutimetë të tyre në vitin 2007, nuk kanë qenë as të hapura e as të ndershme. Përkundrazi, puna e tyre në përgjithësi përbën vetëm një sulm të ulët ndaj një bashkësie prej 1.5 miliard njerëzish të fortë, të larmishëm dhe dinamikë.

Pra, kush janë këta katër kryqtarë “ateistë të rinj” (po, ata mbase mund ta mohojnë këtë, por ata në thelb janë produkt i një tradite kryqtare të krishterimit perëndimor)? Ata janë kryesisht burra të bardhë të moshuar, të cilët kurrë nuk e kanë marrë përsipër ta studiojnë Islamin, as gjuhën arabe – gjuhën e Kuranit – e sigurisht që nuk kanë asnjë ide të qartë për asnjë komunitet musliman në botë. Ata janë të pa arsimuar (në këtë drejtim, sh.p.) në kuptimin e plotë të flajës.

Le të marrim Sam Harrisin për shembull. Në librin e tij, “The End of Faith”, ai i kushton një kapitull të tërë “Problemit me Islamin”. Aty, ai shpjegon: “Nëse krishterimi sot ka pak inkuizitorë të gjallë, Islami ka shumë… Në kundërshtim tonë ndaj botëkuptimit të Islamit, ne përballemi me një civilizim me histori të ngecur në kohë. Njësoj sikur të ishte hapur një portal kohor dhe hordhitë e shekullit të 14-të të ishin lëshuar mbi botën tonë. Për fatin tonë të keq, tani ata janë të armatosur me armët e shekullit të 21-të.” Kjo të lë pa fjalë dhe nuk din kë të adresosh më përpara, racizmin e paturpshëm, injorancën, apo vullgaritetin e pa fytyrë të pohimeve të tilla.

Islamofobi tjetër i thekur, Dawkins-i, në librin e tij “The God Delusion” i përdor karikaturat famëkeqe të Jyllands-Posten me Profetit Muhamed, që nxiten protesta masive në disa vende muslimane, për t’i portretizuar të gjithë muslimanët si një bandë psikopatësh me çrregullime mendore. Sipas tij: “Danezët thjeshtë jetojnë në një vend me shtyp të lirë, diçka që njerëzit në shumë vende islame mund ta kenë të vështirë ta kuptojnë”. Në një fjali të vetme, Dawkins-i përpiqet (por nuk ia arrin) të fshijë historinë e gjatë e të qëndrueshme të luftës së muslimanëve për lirinë e shprehjes dhe gazetarinë e vërtetë.

Në librin “Prishja e Magjisë: Feja si fenomen natyror”, edhe Dennett-i po ashtu merret me disa përfundime të përgjithshme të pasakta. Për shembull, ai bën një pohim të pabesueshëm si më poshtë: Është me rëndësi të kujtojmë se fjala arabe Islam do të thotë “nënshtrim”. Ideja se muslimanët duhet të vënë përhapjen e Islamit përpara çdo interesi përsonal është pjesë e etimologjisë së këtij emri.” E megjithatë, Islam do të thotë nënshtrim ndaj vullnetit të Zotit, që përbën një shtyllë qëndrore teologjike në shumë fe, e nuk ka të bëjë fare me “përhapjen e Islamit”. 

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Hitchens-i është po aq krijues me përfundimet e tij të rreme ndaj Islamit në librin  e tij “Zoti nuk është më i Madhi”. Një shembull është më se i mjaftueshëm: “Tmerri i vërtetë i derrit është i dukshëm në të gjithë botën islame. Një shembull i qartë i kësaj është ndalimi i librit të Xhorxh Oruellit, “Ferma e Kafshëve”, një nga fabulat më fantastike dhe më të dobishme të kohërave moderne. Kjo u mohohet fëmijëve musliman nëpër shkolla.”

Unë jam musliman. Kam lindur dhe jam rritur në një vend musliman. E kam lexuar “Fermën e Kafshëve” të Oruellit në persisht në Iran kur isha adoleshent. Libri u përkthye në persisht menjëherë pas botimit të tij në gjuhën angleze dhe që nga ajo kohë ka pasur përkthime të shumta persiane, dhe unë vetë e kam përfshirë ate të vazhdimisht në kurset e mia.

‘Ateizmi i ri’ dhe imperializmi perëndimor

Me fjalë të tjera, është e qartë nga shkrimet e “katër kalorësve” se “ateizmi i ri” nuk ka të bëjë shumë me ateizmin apo me ndonjë hulumtim serioz intelektual të besimit në Zot. Por ka të bëjë pikë së pari me urrejtjen dhe pushtetin.

Nuk ka dyshim se “ateizmi i ri” është një tipar ideologjik i imperializmit liberal, sekularizmi fanatik i të cilit është një zgjatim i logjikës raciste të supremacisë së bardhë që pretendon se nuk është i ndikuar nga feja. Por nuk është kështu. Në fakt është vëllai binjak i krishtërimit të thekuar konservator, i cili aktualisht ushqen politikat shkatërruese të administratës së Tumpit si brenda ashtu dhe jashtë vendit, thjeshtë pa referenca biblike.

Ndërkohë që konservatorët e krahut të djathtë favorizojnë idenë “judeo-kristiane” (idenë se “qytetërimi judeo-kristian” është superior ndaj të tjerëve), liberalët zgjedhin “ateizmin e ri” (ose idenë se shoqëritë “laike” perëndimore janë më të mira se të tjerat). Sidoqoftë, të dyja palët pajtohen plotësisht me supozimin e supremacisë së tyre të bardhë, e cila me gjasa u jep atyre të drejtën të bëjnë nëpër botë ashtu siç duan. Me pak fjalë, ata përfaqësojnë dy anët e së njëjtës medalje të pavlerë të imperializmit.

Ashtu si supremacizmi i bardhë fetar nxit dhunën individuale dhe atë të sponsorizuar nga shteti kundër atyre që përceptohen si “inferiorë”, po ashtu bën dhe versioni i tij i “ateizmit të ri”. Historikisht, “ateistët liberalë” gjithmonë i janë bashkangjitur me padurim vëllezërve të tyre “të krishterë konservatorë” në betejën për të çuar përpara çdo formë agresioni amerikan kudo në botë.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se një fanatizëm i tillë vdekjeprurës ndodh vetëm në SHBA (dhe për pasojë dhe në Evropë). Islamizmi militant dhe sionizmi ekstremist kanë të njëjtën gjë në themel të tyre. Nëse Ebu Bekër El-Bagdadi dhe Osama bin Laden janë simbolet e fanatizmit musliman, Meir Kahane, Benjamin Netanjahu, Ayelet Shaked dhe Naftali Bennett janë shembujt e gjallë të ekuivalentit sionist. Ndërsa “katër kalorësit”, së bashku me Steve Bannon-in, Mike Pompeo-n dhe të tjerët, janë mbartësit e flamurit të imperializmit laiko-kristian më gjithë fuqinë e tij.

Në betejën e ndezur midis këtyre ideologjive helmuese dhe toksike, at lulëzojnë dhe ushqehejnë njëri-tjetrin. Janë miliarda njerëz – hebrenj, të krishterë, muslimanë dhe ateistë, të cilët janë kapur nën zjarrin e kësaj përplasjeje të injorancës dhe barbarisë, e që po  e paguajnë çmimin me jetën e tyre.

Kështu, Robert Bowers-i, i cili vrau 11 adhurues hebrenj në SHBA, Brenton Tarrant-i, i cili masakroi 51 muslimanë gjatë namazit të së premtes në Zelandën e Re, anëtarët e grupit National Thowheed Jamath, të cilët vranë 257 njerëz gjatë masakrës së Pashkëve në Sri Lanka dhe ushtarët izraelitë të cilët gjatë vitit të kaluar kanë vrarë më shumë se 260 palestinezë të paarmatosur gjatë protestave për të drejtën e  kthimit në kufirit midis Izraelit dhe Gazës, të gjithë i përkasin të njëjtit lloj.

Në botën e sotme, vrasjet masive dhe fanatizmi fetar dhe laik shkojnë krah për krah me njëri-tjetrin.

Marrë nga Al-Jazeera.

Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të autori dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet  editoriale të Observer.al.

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.