(Shkëputur nga studimi: “The Foreign Fighter Phenomenon in Kosovo: Covering a Blind Spot”, faqe 83-85 dhe 99-100), nga Shpend Kursani and Arbër Fetiu.

Shfaqja e fenomenit të luftëtarëve të huaj kohëve të fundit, që ka përfshirë qytetarët e Kosovës, ka tërhequr mjaft vëmendjen e politikëbërësve, ekspertëve të sigurisë dhe akademikëve në nivel lokal dhe ndërkombëtar. Në Kosovë, ideologjia xhihadiste e lidhur me këtë fenomen është e paprecedentë, të paktën jo deri në këtë shkallë. As luftërat në Afganistan (1978-1992 dhe 2001 – e në vazhdim) apo konfliktet e tjera në Lindjen e Mesme, të cilat kanë joshur diku rreth 5 mijë deri në 20 mijë luftëtarë të huaj – shumica nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara – nuk kanë frymëzuar elementë të caktuar të popullatës muslimane në Kosovë, si konflikti i tanishëm në Siri. Shumë autorë kanë vënë në dukje lehtësinë e udhëtimit dhe afërsinë me konfliktin sirian, si faktorë të rëndësishëm për të shpjeguar numrin e madh të luftetarëve të huaj nga Europa, që kanë marrë pjesë në luftën atje. E sidoqoftë, lufta e Bosnjes (1992-1995), e cila tërhoqi disa mijëra luftëtarë nga e gjithë bota, përfshirë pjesë të tjera të Europës, nuk tërhoqi luftëtarë nga Kosova në numra domethënës, pavarësisht afërsisë dhe interesave të mundshme gjeostrategjike për të luftuar kundër Serbisë.

Përtej komenteve të zakonshme të medias mbi këtë problem, ata pak analistë që janë marrë më gjerësisht me fenomenin e luftëtarëve të huaj në Kosovë, në përgjithësi kanë vënë në dukje shfaqjet militante në mesin e disa rretheve fetare muslimane nga njëra anë dhe problemet socio-kulturore nga ana tjetër për të shpjeguar rritjen e këtij fenomeni në mesin e disa muslimanëve në vend. Në pjesën më të madhe të rasteve luftëtarët janë të rinj (65% janë nën moshën 28 vjeç), nuk kanë diplomë universitare (80% nuk kanë), ndërsa rreth 40% janë të akuzuar për të paktën një vepër penale. Luftëtarët nga Kosova shfaqin gjithashtu edhe shenja të një izolimi dhe tehuajësimi familjar dhe shoqëror. Padyshim profilet e luftëtarëve nga Kosova reflektojnë tipare, që zakonisht gjenden në studimet mbi luftëtarët e huaj nga vende të tjera të Ballkanit dhe nga shtete europiane në përgjithësi. Shumica e këtyre studimeve kanë qenë të çmuara pasi kanë ofruar histori të detajuara të shumë luftëtarëve të huaj dhe një pasqyë më të gjerë të trendeve, që ndihmojnë në shfaqjen e këtij fenomeni.

Një nga këto pika të errëta është shkalla deri ku diskursi, sjellja dhe politikat zyrtare shtetërore në lidhje me konfliktin sirian kanë shërbyer, si faktorë të mundshëm nxitës, duke mbështetur pa qëllim shfaqjen e fenomenit të luftëtarëve të huaj, sidomos gjatë fazës fillestare, e më pas duke e nxitur atë më tej. Për ta analizuar këtë dinamikë, na duhet të zgjerohemi duke e kontekstualizuar fenomenin – i cili u shfaq në fillim të konfliktti sirian në pranverë të vitit 2011, dhe vazhdoi përgjatë gjysmës së vitit 2015, kur janë larguar luftëtarët e fundit nga Kosova për në Siri. Analiza jonë tregon, se pozicioni zyrtar i institutcioneve shtetërore, diskursi dhe sjellja e tyre ndaj konfliktit sirian dhe vetë fenomenit të luftëtarëve të huaj, janë karakterizuar gjatë kësaj periudhe nga dy faza krejt të kundërta; e para nga viti 2011 deri në 2013, dhe e dyta duke përfshirë vitin 2014 dhe 2015.

Faza e parë, gjatë fazës fillestare të konfliktit, pa shfaqjen e luftëtarëve të huaj nga Kosova, të cilët nuk ishin fare në radarin diskursiv të institucioneve shtetërore të Kosovës, të cilat e mbështetën “opozitën siriane” në atë kohë, duke e parë atë si aktorin e vetëm në terren. Ky qëndrim ishte donkishotesk, duke parë situatën reale në zonën e konfliktit dhe një sërë ngjarjesh në fund të vitit 2013 dhe në fillim të vitit 2014, që shënuan një kthesë kritike gjatë së cilës institucionet shtetërore në Kosovë i rishikuan qëndrimet e tyre. Kjo çoi në një ndryshim në diskursin dhe sjelljen e këtyre institucioneve ndaj konfliktit sirian dhe problemit të luftëtarëve të huaj në vitin 2014 dhe 2015, duke çuar në shikimin e fenomenit nga perspektiva e sigurisë.

***

Edhe pse pa dyshim nuk përbënin faktorin kryesor, qëndrimet zyrtare dhe diskursi i institucioneve shtetërore të Kosovës ndaj konfliktit sirian, nuk duhet të anashkalohen si një nxitës i paqëllimtë i fenomenit të luftëtarëve të huaj në Kosovë. Duke e marrë në konsideratë kontekstin dhe karakterin historik të fenomenit  në periudhën fillestare të konfliktit sirian, nga fillimi i tij në pranverë të vitit 2011 e deri nga fundi i vitit 2015, kemi treguar kontrastin e thellë, që ekzistonte ndërmjet qëndrimit zyrtar në fazën fillestare të konfliktit (2011-2013) dhe fazës pasuese (2014-2015). Një analizë sistematike e arkivave shtetërore dhe burimeve të tjera parësore dhe dytësore ka treguar, se pavarësisht faktit që 85% e numrit total të luftëtarëve të huaj kosovarë janë nisur për në Siri nga fundi i vitti 2013, fenomeni nuk ishte në radarin e institucioneve shtetërore gjatë fazës së hershme të konfliktit. Pa dyshim, këto institucione e kanë parë konfliktin në një formë të shkëputur nga situata reale në terren, ndonëse me dhjetëra grupe rebele, përfshirë ato me një mision militant islamist, po shfaqeshin. Pavarësisht kësaj lidershipi në Kosovë ndoqi hapat e shumë vendeve të tjera perëndimore, të cilat e shihnin konfliktin në mënyrë më sipërfaqësore – si një luftë midis një “opozite” të vetme kundër “regjimit të Asadit.” Rregulli për të mbështetur këtë “opozitë,” e nxitur gjatë fazës fillestare të konfliktit u përdor edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës. Ndërsa shumica e atyre, që menduan t’i bashkangjiten forcave të ndryshme opozitare për të rrëzuar Asadin nuk i dhanë shumë rëndësi pasojave të mundshme ligjore dhe kriminale për përfshirjen në këto forca.

Kjo nuk do të thotë se një qëndrim dhe diskurs ndryshe nga ana e institucioneve shtetërore ndaj konfliktit sirian në fazën e tij fillestare do të parandalonte detyrimisht shfaqjen e fenomenit të luftëtarëve të huaj në Kosovë. Sidoqoftë, është e qartë, se diskursi i këtyre institucioneve nuk mund të anashkalohet, si një variabël që duhet marrë në konsideratë për të pasur një pasqyrë më të gjerë të shfaqjes së këtij fenomeni; dhe ne sugjerojmë se përbënte një faktor të rëndësishëm në materializimin e një opsioni, i cili në të kundërt mund të kishte mbetur thjesht si mundësi vetëm për disa individë.

Një kundërshtim paraprak ndaj analizës sonë bazohet në faktin, se numri i luftëtarëve të huaj në Siri nga shtetet e Europës Perëndimore është dyfishuar midis muajit korrik 2014 dhe dhjetorit të vitit 2015, pavarësisht ndryshimit të qëndrimeve të qeverive respektive ndaj konfliktit dhe për pasojë rishikimit të fenomenit nga aspekti i sigurisë. Ndonëse ky është një kundërshtim i arsyeshëm, është e rëndësishme të theksojmë, se analiza jonë është specifike për Kosovën, çka do të thotë, se duhet të merren në konsideratë një sërë dallimesh kontekstuale ndërmjet Europës Perëndimore dhe Kosovës, apo ndërmjet vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës.

Ndryshe nga shumë vende të Europës Perëndimore, diskursi dhe praktikat islame në Kosovë janë kryesisht të përqendruara në mënyrë institucionale edhe hierarkike nën  kujdesin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK). Konflikti sirian u përmend në xhamitë e Kosovës vetëm pas udhëzimeve nga BIK-u. Së dyti, ato pak figura fetare, që e kanë përhapur militantizmin islamik në lidhje me konfliktin sirian kanë qenë në të shumtën e rasteve jashtë kontrollit të BIK-ut, ku shumë prej tyre janë ndaluar nga autoritetet pasi fenomeni filloi të shihej nga perspektiva e sigurisë. Kësisoj, propaganda e këtij diskursi ekstrem ka mbetur i ngrirë në ligjëratat e pranishme online, të publikuara para arrestimit të tyre. Për më tepër me ndryshimin e diskursit zyrtar shtetëror në 2014 dhe 2015, që pasqyronte një pikëpamje më reale të situatës në terren në Siri, BIK-u – përfshirë edhe disa imamë më konservatorë nën autoritetin e tij – në fakt kanë dhënë mesazhe kundër xhihadit. Dhe e treta, paçka se retorika globale e muslimanëve ekstremistë ka patur një farë ndikimi në krijimin e një identiteti të fortë, në lidhje me “vuajtjen e vëllezërve muslimanë suni” në Siri në mesin e disa praktikantëve fetarë në Kosovë, ndikimi duket se ka qenë shumë më i vogël, se sa në mesin e muslimanëve më të tjetërsuar në vendet me shumicë jomuslimane në Europën Perëndimore. Në Kosovë, diskursi zyrtar shtetëror duket, se ka pasur një ndikim më të madh te praktikantët muslimanë se sa ka pasur në konteksin europian.

Studimin e plotë në gjuhën angleze mund ta gjeni këtu. (Titulli është redaksional)

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.