Ilir HaxhiajNga Ilir Haxhiaj

Ideja për shtimin e kurrikulës mësimore me një lëndë të re, që do t’u shërbejë nxënësve njohuri rreth besimeve fetare nuk ishte aspak risi, pavarësisht nga ndeshja e sotme e saj në opinionin publik me shumë mbështetës, kundërshtues, lavdërues e përbuzës. Këto reagime të shpejta erdhën, sigurisht, pasi ideja u prezantua nga një figurë politike gjatë një veprimtarie fetare në Tiranë. Në rastet e mëparshme, të kaluara thuajse në heshtje dhe indiferencë, kanë qenë vetë komunitetet fetare në Shqipëri, të cilat e kanë shtruar kërkesën për pasurimin e programit mësimor në shkollat publike me njohjen e religjioneve.
E nxjerrë pikërisht nga goja e Kryeministrit të vendit, nuk kishte se si ky projekt të mos interpretohej politikisht: nga njëra palë shihet si mënyrë për të luftuar ekstremizmin dhe për të parandaluar terrorizmin dhe, nga pala tjetër, si taktikë për të fituar simpati politike në mjedisin e bashkësive fetare, ose edhe thjesht si mashtrim elektoral. Një diskutim i tillë assesi nuk mund të hapej në rrethanat e mëparshme, kur çështja mbetej midis përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe atyre të shtetit.
Megjithatë, më i ashpër dhe nervoz duket diskutimi që ngrihet nga skajet e antifetarizmit dhe shekullarizmit. Mund të veçohen këtu islamofobët, të cilët menjëherë shprehën frikën e tyre për shndërrimin fantastik të vendit në Arabi, Turqi apo Afganistan, vetëm me anë të një ore mësimi në javë. Komentet që vërtet i kallin datën miletit flasin për katastrofën që mund të sjellë ky 45-minutësh javor, që nga mbushja e shkollave me perçe e çallma, deri te përgatitja e kamikazëve për prodhimin dhe shpërthimin e bombave(!). Arsyeja pse mendja e tyre krijuese e ngushton çështjen e mësimit rreth feve vetëm me Islamin, dhe jo me fetë e tjera që janë pranuar në Shqipëri, përveç arsyeve psiko-patologjike, mund të jetë që Kryeministri zgjodhi ta shpaloste idenë pikërisht në një aktivitet festiv të organizuar nga Komuniteti Musliman.
Nivel tjetër i diskutimit është se si dhe kush do t’i ofrojë këto leksione në shkollat publike. Ministrja e Arsimit siguroi që mësuesit nuk do të jenë klerikë, pra, nuk do të shkojë hoxha, prifti, dervishi dhe pastori e të japin mësim, por do të jenë mësues të trajnuar. Pyetja që lind në çast: ku dhe kur do të trajtohen këta mësues?! Ende nuk dimë gjë. U tha se do të nisë një projekt-pilot qysh vitin e ardhshëm, domethënë fiks pas pesë muajve. Por, sa kohë nevojitet për trajnimin e një mësuesi të kësaj lënde? Po për hartimin e tekstit? A mund të përjashtohen përfaqësitë e komuniteve fetare nga ky zhvillim, aq shumë i dëshiruar dhe i rëndësishëm për ta?
Në fakt, nëse flitet për elemente dhe njohuri themelore mbi fetë në përgjithësi, ato jepen tashmë të përfshira në kapitujt e historisë, sociologjisë apo filozofisë. Për këtë arsye, nuk besoj se ky projekt do të konsistojë thjesht në grumbullimin në një tekst të vetëm të këtyre njohurive të shpërndara në disa kapituj, se përndryshe nuk do të ishte asgjë tjetër, veç një mufkë. U tha se gjithçka do të bëhet në konsultim me ekspertë botërorë të kulturës dhe civilizimeve, madje do të ftohen edhe komunitetet fetare të vendit. Shumë mirë! Por, sërish, a mjafton koha për gjithë këtë? Shkolla nuk mund të shtyhet përtej shtatorit…

Observer.al


  • I nderuar lexues, nëse e vlerëson punën tonë, na ndihmo që zëri ynë të arrijë sa më shumë njerëz duke pëlqyer faqen tonë në fb. Mjafton të klikosh më poshtë butonin like. Faleminderit! 

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.