Abdullah KlinakuNga Abdullah Klinaku

Mos miratimi i rezolutës për pranimin e Kosovës si anëtare e UNESCO-s, përveç që paraqet një sfidë të re për përparimin e Kosovës në politikën e jashtme, ka ngjallë një debat të ndjeshëm në vendin tonë! Fillimisht kujtoj se përshtypja e parë që të jepet nga konferenca e mbajtur është se organizmat ndërkombëtare që kanë marrë përsipër për ta zhvilluar demokracinë, liritë dhe të drejtat e njeriut janë në lajthitje e sipër. Këto organizma kanë filluar të shndërrohen në arenë të ballafaqimit të interesave politike të pushteteve dhe të dominojë interesi politik e jo mirëqenia e popujve dhe argumentimet faktike e juridike. Votimi i sotshëm nuk sjell sukses, votimi i sotshëm e çoi mesazhin se shumë organizma ndërkombëtare nuk kanë parim drejtësinë për popujtë dhe mirëqënien e tyre, por rehabilitimin e interesave politike të pushteteve. Kjo metodë dhe politikë që po ndiqet nga shumë organizata ndërkombëtare, kam përshtypjen se sikur kanë filluar të shndërrohen në “Ligën e Kombeve”, e cila kishte qëllim ta ruaj njerëzimin prej luftërave e mu gjatë kësaj lige ndodhi lufta më e tmerrshme e njerëzimit.

Me gjithë pasojat e mos anëtarësimit dhe krizës që po rrëshqasin institucionet vendore e ndërkombëtare, shoqëria jonë shfaqi edhe një dobësi tjetër intelektuale; sot mediat, politikanët, opinionistët dhe analistët, përfshirë edhe qytetarët e thjeshtë, u ndanë thellësisht mes vete, u përçanë në qëndrime dhe u hasmuan mes vete si rezultat i mungesës së drejtë në gjykim. Madje disa qëndrimin politik të disa pushteteve me shumicë myslimane që kishin ndaj Kosovës për UNESCO, u përpoqën ta kthejnë qëndrim edhe kundër identitetit Islam të shqiptarëve. U përpoqën ta kthejnë kundër trashëgimisë së fuqishme kulturore që vjen prej lashtësisë së xhamive në vendin tonë. Kjo mendësi u përpoq që për një moment ta sjell imazhin e armiqësisë mes fesë dhe kombit tonë. Mes minares së xhamisë dhe identitetit tonë kombëtar edhe pse e din shumë mirë, që minaret e xhamisë janë shenja qenësore të dallimit mes nesh dhe armiqve sllavo-ortodoks.

Ky qëndrim i ashpër nxiti reagime jashtë njerëzores, duke etiketuar dhe duke u përpjek t’i njollosin të gjithë myslimanët e Kosovës. Kjo mendësi shkoi deri atje sa që tha “revoltë kolektive”, “largim prej Islamit”, “sharje ndaj vendeve arabe”, “ju myslimanët shkoni në arabi”, “Izraeli mirë ia bën Palestinës që e djeg”, “Hoxhallarët është ditur që janë me Serbinë”, e shumë etiketime të ngjashme, por sigurisht jo më të lehta. Këto artikulime me gojë apo me shkrim, reflektojnë mendimin dhe besimin e tyre. Nëse ky është mendimi dhe besimi i tyre, atëherë atyre u vjen turp prej Islamit, ndiejnë ngarkesë me Islamin, ndihen keq me Islamin dhe mezi presin të ndodhë diçka që ta akuzojmë Islamin. E unë nuk besoj që ky është populli ynë. Ky është qëndrimi i neo-liberalistëve anti-islamist, që përpiqen ta largojnë Islamin prej këtij vendi dhe për këtë shfrytëzojnë padrejtësisht çdo situatë.

Shoqëria bardh e zi nuk ka të ardhme të mirë. Shoqëria që sheh ekstremet nuk e pret rahatia. Shoqëria që sheh dhe vlerëson vetëm skajshmëritë nuk është shoqëri e qëndrueshme, as shpirtërisht e as funksionale. Vlerësimi me krejt bardhë apo krejt zi, me gjykimin krejt mirë apo krejt keq si cilësi e gjejmë edhe në të kaluarën edhe në të sotmen. Në të kaluarën e rikujtojmë sa për ilustrim Hoxhën e nderuar, Hafiz Ali Korçën, i cili tregon se “deri sa kërkoja të drejtat kombëtare si gjuhën dhe traditën gjatë Perandorisë Osmane quhesha laik e sekular. E po ashtu kur kërkoja të drejtat fetare e civilizuese fetare pas largimit të Perandorisë Osmane u quajta osmanofil dhe turkofil”. Ky është ekstremi dhe paaftësia për gjykim të drejtë dhe mesatar. Logjika urtake nuk na mëson se brenda natës me tejçmojmë dikë e brenda natës me nënçmojmë të njëjtin. Logjika urtake nuk thërret për të parë veç bardhë, apo veç zi.

[pull_quote_left]Turqia, Pakistani, Malajzia e Arabia Saudite janë shtete prijatare të vendeve me shumicë dhe mendim Islam të cilat ishin pro![/pull_quote_left] Nga ana tjetër përpjekja me ndërlidhë identitetin tonë fetar Islam me votimin e arabëve është përpjekje tendencioze për t’i hapur rrugë përçarjes kombëtare! Ne kemi plot arsye për kritika kundër disa shteteve arabe me shumicë myslimane pse nuk votuan pro, por jo ta ndërlidhim këtë ekskluzivisht me Islamin! Fundja, Turqia, Pakistani, Malajzia e Arabia Saudite janë shtete prijatare të vendeve me shumicë dhe mendim Islam të cilat ishin pro! Madje nga ana tjetër kur ta shohim, unë akoma nuk e di si kanë votuar shumë shtete të lindjes e perëndimit, sepse krejt përqendrimi ka qenë i fokusuar te vendet arabe edhe atë me plot tendencë.

Fundja, vendi ynë dhe njerëzit tanë duhet ta kuptojnë dhe ta dinë se ndërlidhja e identitetit tonë fetar me kulturën, sjelljen, diplomacinë apo kulturën arabe është gabim. Në këtë kontekst i kemi parime që i kanë vendosur njerëz të mëdhenj të së kaluarës dhe të së tashmes. Sami Frashëri, e kuptonte këtë shumë mirë dhe e paraqiti para bashkëkombësve të tij duke thënë: “Civilizimi Islam nuk është civilizim arab, sepse po të ishte ashtu edhe para Islamit ata do të ishin të qytetëruar”. E një fjalë parimore që edhe nëse arabi gabon karshi kombit tonë ne prapë jemi krenarë me fenë tonë, e gjejmë në thënie e prof. Tarik Ramadanit, i cili thotë: “gjuha arabe është gjuha e Kur’anit, por kultura arabe nuk është kulturë Islame”. Debatin për arabët, amerikanët, gjermanët e kinezët, e vazhdojmë me orë të tëra, por debatin me tendencë kundër Islamit, e mbyllim shpejtë sepse në çfarëdo rrethane jemi Krenar me fenë tonë Islame.

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.