Nga Milazim Krasniqi

Lidhur me Betejën  e Kosovës të vitit 1389, si ngjarje që e fillon rënien finale të sundimit serb dhe e fillon instalimin e sundimit osman, nuk mund të kenë qasje të njëjtë shqiptarët dhe serbët, sepse arsyet e serbëve për të vajtuar disfatën e tyre janë reale, por arsyet e shqiptarëve, për ta trajtuar me të njëjtat terma atë betejë, nuk janë racionale. Sipas mitologjisë serbe, gjaku i car Llazarit, i cili e ka “shenjtëruar tokën serbe të Kosovës”, është gjak i cili simbolizon serbizmin e Kosovës dhe prezencën e përhershme të Serbisë në Kosovë. Ata thonë se car Llazari e ka humbur pushtetin tokësor, por e ka fituar pushtetin qiellor. Kjo mitologji është produkt i Kishës Ortodokse Serbe dhe i nacionalizmit ortodoks serbomadh, prandaj me asgjë nuk lidhet me të vërtetat shqiptare.

Nga pikëpamja shqiptare, ajo betejë ose roli i saj duhet të shikohet në mënyrë kritike, e jo romantike. Shqiptarët nuk mund t’u konkurrojnë serbëve për t’ua marrë primatin në rolin që kanë pasur në Betejën e Kosovës. Prandaj, kur shqiptarët flasin për ardhjen e osmanëve në Ballkan, në këtë rast duhet të flasin për ardhjen e tyre në territoret, të cilat kanë qenë të sunduara prej serbëve. Më saktë, këto territore kanë qenë të sunduara nga Llazar Hrebellanoviçi, (pjesa lindore e Kosovës me Novobërdën si qendër), nga Vuk Brankoviçi (me Prishtinën si qendër) dhe nga Toma Preluboviçit, (ky i fundit në Epir). Ata ishin sundimtarë në mbeturinat e dinastisë serbe, e cila filloi të fragmentohej pas vdekjes së Uroshit në Betejën e Maricës, (1371), me ç’rast u shua trashëgimia nemanjide. Kjo është pika të cilën duhet ta kemi gjithmonë parasysh, sepse kur kanë ardhur Osmanët në Ballkan, nuk ka pasur një shtet shqiptar, ose mbretëri shqiptare, të cilën ata ta kenë prishur, por ka pasur popull shqiptar që ka qenë i pushtuar prej serbëve dhe në një proces të thelluar asimilimi fetar e kolonizimi etnik.

Atëherë cila është e vërteta lidhur me betejën e Kosovës? Koalicioni për Betejën e Kosovës ka qenë arritur ndërmjet Llazar Hrebelanoviqit dhe mbretit të Bosnjes, Tvërtko, të cilët paraprakisht kishin arritur një marrëveshje për ndarjes e shtetit të  Dushanit, i cili kishte filluar të shkërmoqej. Ajo ndarje e negociuar  e trashëgimisë së Dushanit në dy njësi të mëdha, i mbante ata të lidhur në interesat e tyre për mbrojtjen e sundimit dhe për eliminimin e pretendentëve të tjerë të fronit perandorak serb. Pretendent mbi trashëgiminë e Dushanit, ishte edhe Kraleviq Marku, i biri i mbretit Vukashin, i cili sundonte në Prilep dhe i cili në Betejën e Kosovës ishte në anën e ushtrisë osmane. Rreshtimi i Kraleviq Markut në anën e osmanëve ka implikime serioze mbi karakterin e asaj beteje. E para, kjo tregon se nuk ka qenë një betejë ndërmjet një koalicioni të krishterë dhe një tjetri mysliman, meqë rreshtimi i Kraleviq Markut në anën e forcave osmane, e rrëzon këtë pretendim. Pra, rivaliteti ishte edhe ndërmjet vetë serbëve, që po rivalizonin e po bënin përpjekje që të zhvatnin sa më shumë territore e pushtet mbi rrënojat e ish shtetit të Dushanit. Mbreti Vukashin nga ana e vet dhe i biri i tij, Kraleviq Marku, kishin pretendimin se ishin trashëgimtarë të ligjshëm të shtetit perandorak serb.  Në kohën e sundimit të car Dushanit, Vukashini ishte emërtuar prej tij sekretar i shtetit dhe me testament ishte emëruar këshilltar i Uroshit, birit të Dushanit. (Giuseppe Gelcich, Zeta dhe dinastia e ballshajve, Shtëpia Botuese 55, Tiranë, 2009, fq. 84) Vdekja e mbretit Vukashin dhe e mbretit Urosh në Betejën e Maricës në vitin 1371, paraqet ngjarjen më kulmore tragjike të serbëve dhe nëse do të duhej të mbahej mend ndonjë ngjarje nga ajo periudhë, është pikërisht beteja e Maricës, e cila i hapi rrugë marshimit osman.

Pas disfatës në Maricë, shumica e sundimtarëve serbë pranuan vasalitetin ndaj sundimit osman, e ndër ta edhe i biri i mbretit Vukashin, Kraleviq Marku. Ai si vasal edhe mori pjesë në betejën e Kosovës në anën e osmanëve, megjithëse arsyet e tij mund të kenë qenë më të thella, se sa detyrimi i imponuar nga vasaliteti. Kraleviq Marku mund të ketë pasur idenë që pas disfatës së Llazarit e të Tvërtkos, të shtrijë sundimin e vet edhe mbi territoret e tyre dhe të rikthejë territoret që ia kishin marrë Ballshajt, vetëm disa vite më parë. Nëse kjo do të mund të dokumentohej me të dhëna dokumentesh, atëherë do të rezultonte se beteja e Kosovës ka pasur edhe elemente të luftës civile ndërmjet vetë serbëve. Këngët epike serbe e theksojnë elementin e tradhtisë, të Vuk Brankoviqit, (i cili ishte dhëndërr i Llazarit!), me çka në një mënyrë edhe e krijojnë idenë e një komploti brendaserb. E drejta, disa vite para Betejës së Kosovës, mbreti Vukashin marshoi kundër Llazarit dhe dhëndrrit të tij, Vuk Brankoviqit, duke ua marrë një pjesë të territoreve. (Gelcich:  84)

Ç’është e vërteta, përçarjet dhe konfliktet ndërmjet Vukashinit, Lazarit e Vuk Brakoviqit, të plotësuara edhe nga veprimet e Nikolo D’ Altomanos, pasardhësit të Vojnovit, e lehtësuan marshimin e osmanëve. Prandaj, më shumë se sa epitetin e një koalicioni unik, ata e  kanë epitetin e  rivalëve të përçarë, që ia kishin me hile njëri-tjetrin. Edhe fakti që menjëherë pas Betejës, trashëgimtarët e sundimit të Llazarit e pranuan vasalitetin ndaj osmanëve dhe bënë krushqi të rrufeshme me ta, duke ia dhënë sulltan Bajazitit për grua Milevën, të bijën e Llazarit, është tregues i atij pasioni për ruajtjen e pushtetit me çdo kusht.

Një element me rëndësi lidhur me Betejen e Kosovës është abstenimi i dy sundimtarëve më të fuqishëm shqiptarë të asaj kohe, Karl Topisë dhe Gjergj  Balshës I.  Mospjesëmarja e tyre në koalicion i ka brenda vetes dy motive, motivin etnik dhe atë fetar. Motivi etnik ka të bëjë me përpjekjet e tyre që të kompaktësohen e të forcohen, pas fillimit të shkërmoqjes së perandorisë serbe të Dushanit, e cila ua kishte zënë frymën shqiptarëve. Fitorja e Gjergj Ballshës I kundër Kraleviq Markut dhe marrja prej tij e Prizrenit, kishte shkaktuar edhe një fërkim etnik në territoret e përfshira në atë konflikt.  Nga ana  tjetër, “ Ballshajt kishin përqafuar  fenë katolike më 1369” (Gelcich:105) gjë që ka pasur implikimet e veta, së paku psikologjike në raport me ortodoksinë serbe. Poashtu, edhe Karl Topia ishte katolik dhe i lidhur me lidhje speciale me Venedikun, gjë që poashtu ka pasur implikimet e veta në qëndrimin e mbajtur ndaj koalicionit serb.

Me rëndësi edhe më të madhe në këtë kontekst është qëndrimi abstenues ndaj koalicionit ndërmjet Tvërtkos e Llazarit dhe aleatëve të tyre, që mbajtën dy shtetet më të fuqishme katolike të asaj kohe, Hungaria dhe Venediku.  As njëra e as tjetra nuk e ndihmuan koalicionin. Edhe ky qëndrim e bën të qartë se nuk mund të bëhet fjalë për një konflikt ndërmjet feve e qytetërimeve, sepse mospjesëmarrja e shteteve katolike të kohës, e përjashton motivimin fetar të asaj beteje.

Pra, e gjithë bota katolike e asaj kohe ka abstenuar nga ajo betejë, duke i lënë serbët ortodoksë dhe vasalët e tyre, që të rropateshin vetë në konfrontim jo vetëm me osmanët po edhe me renegatët e vet, si puna e Kraleviq Markut. Mungesa e shteteve dhe e entiteteve katolike të asaj kohe, pashmangshëm e bën atë betejë më pak të rëndësishme për popujt e rajonit e edhe për Europën.

Shteti serb ose shtetet serbe në atë kohë ishin të dobësuara e nuk ishin lidere të botës krishtere. Përkundrazi, Hungaria dhe Venediku kishin primatin e shteteve lidere të krishterimit, prandaj pa pjesëmarrjen e tyre në një koalicion, ai nuk ka mundësi kurrsesi që të quhet koalicion i krishterë. Në koalicion nuk ka marrë pjesë me asgjë as Raguza, poashtu një entitet i rëndësishëm dhe i proviniencës katolike e madje as Kotorri apo ndonjë komunë tjetër bregdetare. Prezenca e Raguzanëve ka qenë e dukshme në qytetetet e gadishullit ballkanik në atë kohë, por ata janë rezervuar nga çfarëdo implikimi në anën e koalicionit serb. Bile, është shënuar një gjest i tyre shumë domethënës edhe nga aspekti fetar: kur Gjergj Balsha I e mundi dhe ia mori Prizrenin Kraleviq Markut,  raguzanët që jetonin në atë qytet, e kanë pritur me dhurata të vlefshme. Ndërsa, në ditën e Betejës së Kosovës, sundimtari i Zetës, Gjergj Strazimir Ballsha II, “ në ditën fatale të betejës së Kosovës, ndodhej pikërisht në Ulqin”. (Gelcich: 170)

Pra, e gjithë bota katolike e asaj kohe ka abstenuar nga ajo betejë, duke i lënë serbët ortodoksë dhe vasalët e tyre, që të rropateshin vetë në konfrontim jo vetëm me osmanët po edhe me renegatët e vet, si puna e Kraleviq Markut. Mungesa e shteteve dhe e entiteteve katolike të asaj kohe, pashmangshëm e bën atë betejë më pak të rëndësishme për popujt e rajonit e edhe për Europën.

Përundimisht, mospjesëmarrja e dy dinastive me elemente shqiptare,  e Ballshajve dhe e Topiajve në atë koalicion, tregon mospjesëmarrjen faktike të shqiptarëve. Pjesëmarrja e shqiptarëve në radhët e ushtrisë së Vuk Brankoviqit, ishte pjesëmarrje e të nënshtruarve, që ishin të detyruar të luftonin nën komandën e sundimtarit të tyre të imponuar. Ndonjë pjesëmarrës tjetër, si  Dhimitër Jonima, (ishte edhe ai vasal i osmanëve), ishin feudalë të vegjël e pa asnjë element të subjektivitetit shtetëror, i cili në atë kohë, me aq sa ishte, ishte nën autoritetin e Ballshajve dhe të Topiajve.

Po të shikohen rrjedhimet pas Betejës së Kosovës, tabloja duket edhe më e habitshme: e bija e Llazarit, Mileva u bë gruaja e sulltan Bajazidit, e  bija e Llazarit, Mara ishte gruaja e Vuk Brankoviqit, ndërsa Helena, poashtu bijë e Llazarit, ishte gruaja e Gjergji II të Ballshajve.  Kjo lidhje krushqie ndërmjet tyre dhe sulltanit, e përjashton krenarinë kombëtare dhe fetare nga sjelljet e serbëve, të cilët me të siguruar të vasalitetit nga osmanët, u treguan shumë entuziastë dhe besnikë të sulltan Bajazidit. Të dy bijtë e Llazarit,  Stefani dhe Velkoja, luftuan me besnikëri në krahë të sulltan Bajazidit, deri sa ai  humbi në Betejën e Ankarasë më 28 korrik 1402.

Lidhur me Millosh Kopiliqin në relacione dhe dokumente të kohës nuk ka të dhëna konkrete, që do ta prezantonin si një personalitet historik. Formësimi i figurës së tij më shumë i dedikohet poezisë se sa historisë, ndërsa dihet që nga Aristoteli se poezia i paraqet gjërat ashtu si kanë mundur të ndodhnin e jo ashtu si kanë ndodhur. Prandaj, duken joseriozë ata historianë dhe intelektualë që hulumtimin dhe vlerësimin e bazojnë në këngët epike, qofshin ato serbe, shqiptare apo të popujve të tjerë.

Në fund të fundit, vrasja e sulltan Muratit, nuk e ndërroi fatin e serbëve, nuk e pengoi disfatën e tyre, prandaj nuk ka pse të ekzagjerohet si ngjarje. Janë të shumtë mbretër e perandorë që kanë rënë në beteja, por edhe ajo inkuadrohet në rrjedhën e përgjithshme të ngjarjeve, e nuk ka pse të krijohen mite tronditëse, që pastaj e deformojnë pamjen e vërtetë të historisë. Por, kjo u ndodh popujve të vegjël e të kompensuar, të cilët vogëlsinë e tyre faktike mundohen ta zëvendësojnë me madhështinë e rreme mitike të së kaluarës. Serbët janë shembull tipik i kësaj mendësie. 

Observer.al

(Nuk lejohet ripublikimi i këtij artikulli pa lejen paraprake të Observer.al)

9 KOMENTE

  1. Fakti qendon ndryshe. Shqiptaret dhe sllavet e jugut u bashkun se bashku dhe luftuan kundra Ottomaneve. Dhe sot e kesaj dite ky mallkim i tmerrshem i ndjek shqiptaret. Shqiptaret po nuk u shkoj e vetja menjehere rreshtohen ne krah me armikun tend. Ky motiv eshte qe ata dhe sot e kesaj dite po vuajne dhe nuk bejne perpara. Respekte.

  2. Po pse car Llazari ishte per te mire e shqiptarve o per te mire e sllaveve, shiko rregjistrat e 1350 sllavet popullonin krahinat shqiptare me shumic deri ne Diber edhe me shume, po sic duket historia e Enverit don kohe te harrove,megjithese ai ka pas arsyje qe e bente, po’ jo sot qe ke mundesi te dishe te verteten.

  3. Jam dakord me kritiken e vulgates “antiosmane” qe eshte ne thelb islamofobike, por ketu arrini gabimisht te mohoni natyren fetare te kesaj beteje si episod vendimtar i revanshit islamik ndaj kryqezatave, pra dhe katoliket nuk ishin neutrale per fronti ktyesor armik. Sa per ne “shqiptaret”, ky trumf ishte dhurate nga ZOTI per t”u cliruar nga sundimi asimilues shekullor serbomadh dhe me pare bullgaromadh sic e nenvizon drejte por pjeserisht artikulli dhe ndryshe nga cfare shpifin mitomanet “shqiptaromedhenj”, ngjashmerisht me dhuraten e NATOs ne 1999. Sa per ne myslimanet shqiptate dhe boshnjake ishte Dhurate nga Zoti per t”u cliruar shpirterisht ne ngjashmeri me myslimanet evropiane sot qe ndryshe nga vulgata falenderon imigrazionin mysliman.

  4. Jam dakord me kritiken e vulgates “antiosmane” qe eshte ne thelb islamofobike, por ketu arrini gabimisht te mohoni natyren fetare te kesaj beteje si episod vendimtar i revanshit islamik ndaj kryqezatave, pra dhe katoliket nuk ishin neutrale, por fronti ktyesor armik. Sa per ne “shqiptaret”, ky triumf ishte dhurate nga ZOTI per t”u cliruar nga sundimi asimilues shekullor serbomadh dhe me pare bullgaromadh sic e nenvizon drejte por pjeserisht artikulli dhe ndryshe nga cfare shpifin mitomanet “shqiptaromedhenj”, ngjashmerisht me dhuraten e NATOs ne 1999. Sa per ne myslimanet shqiptare dhe boshnjake ishte Dhurate nga Zoti per t”u cliruar shpirterisht ne ngjashmeri me myslimanet evropiane sot qe, ndryshe nga vulgata, falenderojne imigracionin mysliman.

  5. Per histori menu cek mjaftueshem
    Une dasha te tregoi perjetimin para dy diteve ne Hamburg
    Punoj ne station intensiv kish ardhe nje puntore per respecializim nga Kroacia
    Sipas emrit e mbiemrit nuk e njoha se eshte Shqiptare (katolike)
    Kur ishte 7vjeqare lan ikur per kroaci .dmth ka ditur edhe gjuhen
    Sot as fliske dot,pak e qortova a edini cfare tha po na nuk jem shqiptar has po Jen Katolik
    E ate dite u falimderova Allahut e edhe fatiha per Sulltan Muratin Hudavendigar qe na shpetoj nga asimilimi .

  6. si serbet si osmanet si rromaket nje qellim te mbrapsht kan pas gjithmon pushtimin e trojeve tona. kjo nuk i jep arsye pozitive askujt te jet me i mire nder tjret pushtues

  7. O Milazim ,

    Ja ke fut kot. Ne lufte ka marre pjese Gjergj i dyte Balsha. Ja dokumenti:

    “Në të vërtetë, duke marrë parasyshë faktin se Gjergji II Balsha në kronikat osmane cilësohet “Sundimtar i Shkodrës Arbërore” dhe “Sundimtar i Shkodrës së Arbërve”, atëherë, të dhënën që na e ofron Bitlisi lidhur me përgatitjet e pjesëmarrësve të Koalicionit ballkanik për ditën e mynxyrës së Kosovës, në mesin e të cilëve përmend “Sundimtarin e Arbërve”, s’është gjë tjetër, veçse është fjala për Gjergjin II Balshën”.

    Gjergj i dyte balsha nuk ishte katolik. Por politikat me venedikun nuk duhen ngaterruar me fene orthodokse.

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.