Saturday, April 27, 2024

Lufta e Izraelit në Gaza: Si ka ndikur në rritjen e Islamofobisë?

John L Esposito, autor i më shumë se 50 librave – përfshirë librin “Islamofobia: Sfida e Pluralizmit në shekullin e 21-të” (2011) – shpjegon në një bisedë me Al Jazeera-n, se çfarë është Islamofobia dhe se si ka çuar lufta e Izraelit në Gaza në një shpërthim të incidenteve islamofobe nëpër botë. 

Sipas policisë britanike, krimet e urrejtjes kundër muslimanëve dhe atyre që perceptohen si muslimanë në Mbretërinë e Bashkuar janë rritur me 140 për qind krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar.

Organizata kundër Islamofobisë Tell MAMA në Mbretërinë e Bashkuar ka regjistruar një rritje prej shtatëfish të raportimeve islamofobe që nga 7 tetori kur luftëtarët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë 1,139 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë, përfshirë gra dhe fëmijë. Që atëherë, më shumë se 20,000 palestinezë janë vrarë në bombardimet e Izraelit në Gaza, duke përfshirë të paktën 8,000 fëmijë, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në enklavë.

Nërsa në Shtetet e Bashkuara, Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR), një grup musliman për të drejtat civile, tha se kishte marrë 2,171 ankesa në lidhje me incidentet islamofobe dhe paragjykimet anti-arabe që nga 7 tetori.  Një rritje kjo prej 172 për qindësh nga viti i kaluar.

Muajin e kaluar, tre burra u qëlluan në Vermont. Rreth të njëjtës kohë, Stuart Seldowitz, ish-këshilltari i Presidentit Barak Obama, u kap në një video duke tallur dhe kërcënuar me abuzime islamofobe një shitës ambulant në Manhatan. 

Ndonëse Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) ka një përkufizim më të gjatë të islamofobisë (PDF), Grupi Parlamentar Gjithëpartiak për Muslimanët Britanikë në Mbretërinë e Bashkuar përdor përkufizimin e mëposhtëm: “Islamofobia i ka rrënjët në racizëm. Është një lloj racizmi që shënjestron format e shfaqjes së muslimanizmit ose muslimanizmit të perceptuar.”

Incidentet që shoqërojnë statistikat e fundit variojnë nga ngacmimi verbal deri te dhuna kundër mbështetësve palestinezë për të drejtat e njeriut duke përbërë “një rritje të paprecedentë të fanatizmit”, tha në një deklaratë të lëshuar për Al Jazeera-n drejtori i Kërkimit dhe Avokimit në CAIR, Corey Saylor.

“Islamofobia dhe racizmi anti-arab janë jashtë kontrollit në mënyra që nuk i kemi parë në gati dhjetë vjet.”

Saylor thotë se në SHBA, vala e fundit e madhe e Islamofobisë ishte gjatë njoftimit që presidenti amerikan Donald Trump bëri në dhjetor 2015 për ndalimin e vizitorëve nga një sërë kombesh me shumicë muslimane.

Më 15 tetor, djali gjashtëvjeçar palestinezo-amerikan Wadea Al-Fayoume u godit me thikë nga pronari i banesës në shtëpinë e tij në Illinois në atë që policia tha se ishte një krim urrejtjeje anti-musliman. Mendohet se u krye si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit kundër Izraelit.

Mbretëria e Bashkuar ka qenë dëshmitare e përdorimit të gjuhës anti-muslimane në universitete dhe shkolla, përfshirë e etiketimn e disave me terma si ‘terrorist, raporton Tell MAMA. Incidente të tjera përfshijnë akte vandalizmi.

Në një bisedë me Al Jazeera-n, John L Esposito, autor i më shumë se 50 librave – përfshirë “Islamofobia: Sfida e Pluralizmit në shekullin 21” (2011) – shpjegon se çfarë është Islamofobia dhe se si lufta e Izraelit në Gaza ka çuar në një shpërthim të incidenteve islamofobe nëpër botë.

Esposito është gjithashtu profesor i shquar universitar mbi Fenë dhe Çështjet Ndërkombëtare si dhe Studimeve Islame në Universitetin Georgetown në Uashington, DC, në SHBA.

Në literaturë kemi përkufizime të ndryshme se çfarë është islamofobia, por si duket ajo në jetën e përditshme?

Sulmet islamofobe mund të përfshijnë çdo gjë, që nga gjuha fyese kundër dikujt që në dukje ngjan si musliman – si për shembull ndaj një gruaje me hixhab; ose mund të jetë më e fshehtë, si mospunësimi i një profesionisti plotësisht të kualifikuar bazuar në muslimanizmin e perceptuar të tij. Në klimën aktuale, që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza në tetor, ka pasur incidente në rritje ku njerëzve u është ndërprerë kontrata e punës për shkak se kanë shfaqur mbështetje për një Palestinë të lirë.

Islamofobia sigurisht që mund të përshkallëzohet, deri në vrasjen e individëve si djali i ri në Illinois. E siç e kemi parë, mund të shfaqet dhunshëm në sulmet ndaj komuniteteve dhe xhamive, si sulmi në dy xhamitë në Christchurch [2019] në Zelandën e Re. Këto janë vetëm disa shembuj; por ka shumë të tjerë.

Cilat janë rrënjët e Islamofobisë, sipas mendimit tuaj?

Fillesat e kësaj narrative shkojnë prapa në kohë deri te Revolucioni Iranian [1979]. Mos harroni se ishte koha kur shumë njerëz arritën më në fund të kishin TV [lajme] të drejtpërdrejta dhe ndiznin televizorin çdo ditë. Ata shihnin njerëz në Iran që bërtisnin: – “Vdekje Amerikës!” Kjo i shtynte shikuesit të mendonin se të gjithë iranianët, e për rrjedhojë bota më e gjerë muslimane, duhet të kishin të njejtën bindje.

Por ishte në fakt 11 Shtatori ai që u bë një katalizator i madh që Islami dhe muslimanët të shiheshin si kërcënim global. E kemi parë se si “Lufta globale kundër terrorizmit”, [Osama] bin Ladenit dhe al-Kaedës, kanë luajtuar një rol të madh në rritjen e Islamofobisë. Muslimanët dhe Islami nisën të shiheshin si të dhunshëm e të rrezikshëm. Sigurisht, më pas doli Shteti Islamik [ISIL, ose ISIS], i cili pati një mbulim të madh mediatik, shumë më tepër se sa do të duhej të kishte, duke lejuar në thelb që një pakicë të portretizonte në mënyrë të rreme imazhin e të gjithë muslimanëve.

E tani në luftën e fundit në Gaza, kemi parë se si Hamasi barazohet me ISIS-in, çka në një farë mënyre ndihmon në nxitjen e sulmeve kundër palestinezëve pasi ata po pikturohen me të njëjtën furçë duke u paraqitur si grup ekstremist.

Rezultati ka qenë lufta dhe gjenocidi krejtësisht disproporcional i Izraelit.

Ju keni përmendur mediat. Çfarë roli luajnë ato? 

Mendoj se mediat mbajnë përgjegësi të madhe për rritjen e Islamofobisë.

Mediat gjithmonë i kanë kushtuar kujdes të veçantë kryetitujve. Është një thënie e njohur të cilën unë e citoj shpesh, “Lajmi i keq përbën lajm”. Raportimi i organizatave të lajmeve i fokusuar te sulmet “terroriste” është shfrytëzuar nga liderët politikë dhe fetarë të ekstremit të djathtë si dhe nga analistët e medias, të cilët flasin lehtë mbi Islamin dhe muslimanët, pa kontrolle dhe balanca.

Një shembull mjaft i mirë të kësaj e shohim në luftën aktuale. Raportimet fillestare që vinin nga Izraeli flisnin për prerje kokash të foshnjeve. Presidenti [i SHBA-ve] [Joe] Biden e tërhoqi deklaratën e tij duke konfirmuar falsitetin e saj një ditë më pas, por deri në ato momente, historia ishte përsëritur tashmë shumë herë në mediat kryesore dhe mediat sociale.

Kur erdha për herë të parë në Uashington më thanë: “Mos harroni se, nëse e hidhni pas murit tre herë, do të ngjitet”, dhe ju e dini se kjo është ajo që ka ndodhur këtu. Një lajm i pa verifikuar përsëritet më shumë se tre herë, dhe në momentin që tërhiqet, ai tashmë është ngulitur në kokën e njerëzve, duke u ushqyer me këtë narrativë islamofobe se kush janë këta njerëz dhe çfarë janë në gjendje të bëjnë.

Ju keni thënë gjithashtu se nuk janë më vetëm mediat kryesore përgjegjëse.

Po, absolutisht. Ka edhe fushata anti-muslimane të mirëfinancuara në mediat sociale.

Është bërë një studim nga Qendra Amerikane për Progres, i titulluar Fear, Inc. [Gusht 2011], që ka dokumentuar 42.6 milionë dollarë të financuara nga shtatë fondacione gjatë 10 viteve (dekada e parë e shekullit) për të mbështetur autorët dhe faqet islamofobe në internet. Pastaj ka një tjetër studim nga CAIR dhe Qendra për Racë dhe Gjini në UC Berkeley. Raporti titullohet “Përballja me frikën” [2016]. Studimi ka arritur në përfundimin se midis vitit 2008 dhe 2013, 33 grupe islamofobe kanë pasur akses në 205 milion e 838 mijë e 77 dollarë për të përforcuar përhapjen e keqinformimit nga ana e tyre.

A po e bëjnë më të lehtë mediat sociale që qenit islamofob?

Mediat sociale kanë një ndikim të madh. Ato mund të krijojnë një realitet ku çdo pretendim mund të paraqitet si fakt. Unë sigurisht e shoh këtë tani me luftën në Gaza dhe shembullin që dhashë për rastin e pretendimit për prerjen e kokës së foshnjeve.

Si e ka ndihmuar retoriken islamofobe lufta aktuale midis Izraelit dhe Hamasit?

Politika izraelite e ka shfrytëzuar retorikën islamofobe për të krijuar një ndikim rrënues duke portretuar muslimanët dhe arabët si armiq, e duke mohuar njëkohësisht të drejtat e tyre themelore, e duke justifikuar kështu një luftë pa dallim, viktimat e së cilës shihen si më pak të vlefshme se qeniet e tjera njerëzore.

Ne e dimë se sulmet e 7 tetorit u kryen nga anëtarë të Hamasit, por [Kryeministri izraelit Benjamin] Netanyahu pretendon se këto sulme përfaqësojnë gjithçka që Hamasi është. Në fakt, Hamasi ka qenë gjithashtu një lëvizje e madhe politike që ka qeverisur Gazan për shumë vite dhe vazhdon të jetë një lëvizje politike.

Netanyahu dhe zyrtarët e tij fondamentalistë hebrenj në qeveri – si dhe disa qeveri evropiane dhe perëndimore, aleatë me Izraelin – madje i kanë konsideruar të gjitha demonstratat palestineze dhe opozitën e organizuar si mbështetje [e grupeve të armatosura].

Fatkeqësisht, mbështetja e palëkundur fillestare e politikave izraelite  nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, si dhe vende të tjera, e ka ushqyer narrativen izraelite se të gjithë muslimanët dhe arabët janë “armiku”.

Në fillim të luftës, anëtarët e qeverisë izraelite iu referuan palestinezëve si “kafshë njerëzore“. Madje, Netanyahu citoi Dhiatën e Vjetër, duke i përshkruar palestinezët si “Amalek”, armiku arketip i hebrenjve. (Amalekët mund të transformoheshin në kafshë për të shmangur kapjen). Ai e thotë këtë për të justifikuar politikën e tij që gjithnjë e më tepër ka filluar të etiketohet nga shumë në komunitetin ndërkombëtar si gjenocid dhe krime lufte.

Të gjitha këto akuza denigruese reflektojnë dhe ushqejnë rritjen e rrezikshme të Islamofobisë në shumë pjesë të botës.

A ka ndonjë arsye tjetër që mund të ketë çuar në rritjen e Islamofobisë?

Po. Qeveria e Netanyahut e legjitimon luftën totale në Gaza thjesht duke e krahasuar Hamasin me ISIL-in [ISIS], gjë që [Hamasi] nuk është. Në këtë mënyrë, Izraeli ushqen Islamofobinë duke nxitur idenë se kjo është një luftë kundër një organizate “terroriste” muslimane, e jo kundër popullit palestinez.

ISIS-i ishte një lëvizje transnacionale, vizioni dhe misioni i së cilës ishte krijimi i një kalifati në Lindjen e Mesme. Kurse rrënjët dhe kauza e Hamasit kane qenë pjesë integrale e historisë së palestinezëve.

Ajo shkon prapa në kohën e zhvendosje së dhunshme të 750,000 palestinezëve dhe shkatërrimin e 500 fshatrave palestinezë, të shoqërisë, kulturës dhe të drejtave të tyre politike. Rezultati ishte ‘Nakba’, katastrofa. Si mund ta kuptojnë njerëzit nëpër botë atë të cilës sot shumë palestinezë i referohen si Nakba e Dytë nëse nuk kanë njohuri mbi të (Nakbën e Parë)?

Duhet të njihet dhe korrigjohet paaftësia e bashkësisë ndërkombëtare për t’iu përgjigjur dhe për të kundërshtuar gllabërimin e vazhdueshëm të territorit palestinez nga Izraeli, i cili ka krijuar një vend aparteidi.

A ka mënyra për ta penguar përshkallëzimin e mëtejshëm të Islamofobisë?

Është i nevojshëm një arsimim i mirë. Jo vetëm në shkolla, universitete dhe seminare, por edhe duke edukuar liderët tanë politikë dhe politikëbërësit.

Është e rëndësishme të jesh i mirë arsimuar që të jesh në gjendje të dallosh mes mësimeve të Islamit e muslimanëve të zakonshëm nga njëra anë dhe veprimeve të pakicës militante fundamentaliste, si Al-Kaeda dhe ISIS-i [ISIL] nga ana tjetër.

Ka njerëz të cilët janë shumë të arsimuar – po flas për profesionistë mjekë, dentistë, avokatë, etj – por kuptimi i tyre për Islamin është i kufizuar në atë që kanë parë në TV.

Por ka biseda dhe mirëkuptimi po ndryshon. Njerëzit tani po i kushtojnë vëmendje.

Për më tepër, programet dhe dialogu ndërfetar sot po nxisin një perspektivë dhe mirëkuptim shumëfetar dhe kjo mund të çojë në reduktimin e dhunës, armiqësisë dhe krimeve antifetare. Megjithëse interneti ka qenë një burim i rëndësishëm i Islamofobisë, ai gjithashtu ka qenë dhe mund të jetë një burim për të kuptuar, gjurmuar dhe luftuar Islamofobinë. Kjo është arsyeja pse qendra jonë në Georgetown krijoi Iniciativën e Urës: për Mbrojtjen e Pluralizmit dhe Luftimin e Islamofobisë. Ne gjurmojmë dhe ofrojmë çdo ditë informacion mbi globalizimin e Islamofobisë.

A mjafton arsimimi?

Është një fillim, por ndryshimet e tjera duhet të përfshijnë atë që thonë udhëheqësit dhe mënyrën si e thonë. Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme.

Qeveritë dhe liderët politikë janë në një pozicion mirëbesimi. E nëse ata bëjnë deklarata anti-muslimane, siç e kemi parë në gjuhën e përdorur gjatë kësaj lufte nga Netanyahu dhe aleatët e tij – apo nëse krijojnë politika të brendshme dhe të jashtme që nënkuptojnë se muslimanët janë armiku, siç e kemi parë në të gjithë Evropën në Francë, Austri, Gjermani dhe SHBA – atëherë kjo vetëm se do të vazhdojë të ndezë flakët e Islamofobisë.

Në rastin e luftës aktuale në Gaza, është e rëndësishme të kujtojmë se “ata që nuk e mbajnë mend historinë janë të dënuar ta përsërisin atë”. Kjo është ajo që po ndodh aktualisht.

Intervistoi Indlieb Farazi Saber. Publikuar më parë në Al-Jazeera. Një version i shkurtuar i kësaj interviste është publikuar në shqip edhe në portalin mbarëkombëtar Tesheshi.com.

Përgatiti në shqip: Observer.al

Të ngjashme
Related

Ku çalon përkufizimi i ri i Mbretërisë së Bashkuar mbi “ekstremizmin”?

Dhe si do të sanksionohen grupet që mendohet se plotësojnë kriteret e reja?

Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?
Verified by MonsterInsights