Saturday, July 27, 2024

‘Ethem Beu’ si përpjekje e fshirjes së ‘Tjetrit’ nga identiteti kolektiv

Incidenti i fundit në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, ku Xhamia e Ethem Beut është përjashtuar nga një poster promovues për një aktivitet ka nxitur reagime të kuptueshme, por duhet të shërbejë edhe si një moment reflektimi, një moment që na nxit të soditim idenë e përjashtimit të "Tjetrit" që shihet ndryshe brenda shoqërisë.

Në mozaikun e gjallë të kulturave dhe traditave që zbukurojnë peizazhin shqiptar, xhamia Ethem Beu qëndron prej shekujsh si një simbol emblematik i trashëgimisë së pasur dhe të larmishme të kombit shqiptar.  

Megjithatë, incidenti i fundit në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, ka nxitur reagime me të drejtë, por duhet të shërbejë edhe si një moment reflektimi, një moment që na nxit të mendojmë mbi idenë e “Tjetrit” brenda shoqërisë sonë dhe të përballemi me spektrin e përjashtimit dhe Islamofobisë. 

Mospërfshirja e xhamisë Ethem Beu në një poster promovues për një aktivitet ka ngjallur indinjatë të kuptueshëm dhe thirrje për korrigjim të këtij ‘gabimi’ nga shumë njerëz. Jo aq për aktivitetin që posteri promovon në vetvete, aq sa për të kundërshtuar idenë e përjashtimit nga një mozaik përfaqësues. 

Ky është një moment që na sfidon të gjithëve që të marrim parasysh implikimet e një akti të tillë dhe pyetjet më të thella që ky veprim ngre për identitetin tonë kolektiv si shqiptarë. Në thelb, përjashtimi i kësaj xhamie ikonë nga materiali promovues, qoftë ky përjashtim i qëllimshëm ose jo, jep një mesazh mjaft shqetësues: që ekziston një “Tjetër” brenda shoqërisë shqiptare që nuk i përket plotësisht shoqërisë sonë, i cili është disi i shkëputur nga kultura dhe historia e kombit, e që nuk meriton të përfshihet si pjesë e përfaqësimi të identitetit kolektiv.  

Ideja e përjashtimit të “Tjetrit” që përceptohet si ndryshe është një forcë përçarëse dhe e dëmshme që thyen unitetin kombëtar dhe diversitetin fetar që ka përcaktuar shoqërinë shqiptare për breza të tërë. Për të kuptuar peshën e kësaj situate, duhet të kuptojmë rëndësinë e xhamisë së Ethem Beut dhe atë që përfaqëson për identitetin e kryeqytetit.

Kjo ndërtesë historike nuk është thjesht një vend adhurimi; është një testament i gjallë i pelhurës fetare dhe kulturore që ka formësuar shoqërinë tonë ndër shekuj. Mospërfshirja e saj, pra fshirja me një të rënë të lapsit, është e barabartë me fshirjen e një kapitulli nga historia jonë, një kapitull që simbolizon identitetin e kyeqytetit, por edhe të shoqërisë sonë në përgjithësi. 

Akti i përjashtimit të xhamisë ngre një pyetje themelore: Nëse nuk na përfaqëson xhamia, atëherë kush jemi ne si shqiptarë? Kush jemi ne nëse përpiqemi të fshijmë historinë tonë dhe të mohojmë kontributet e pasura kulturore të bashkatdhetarëve tanë muslimanë? A nuk jemi ne një komb që krenohet me trashëgiminë e tij të larmishme, traditën e tij të tolerancës fetare dhe historinë e tij të bashkëjetesës harmonike?  Përgjigja, pa mëdyshje, është po.  

Përqafimi i këtij diversiteti nuk është një problem për identitetin tonë kulturor, por përkundrazi një dëshmi e fuqisë së popullit tonë. Për më tepër, akti i përjashtimit përjetëson stereotipe të rrezikshme dhe ushqen në një atmosferë armiqësie dhe diskriminimi që ushqehet prej kohësh nga media dhe format e ndryshme të stereotipizimit të muslimanëve që nxisin normalizimin e Islamofobisë. Dërgon mesazhin a gabuar se disa anëtarë të shoqërisë sonë janë më pak të vlerësuar, se duhet të jenë më pak të dukshëm dhe më pak të përfshirë në shoqëri për shkak të bindjeve të tyre fetare. 

Në raste si këto, është e rëndësishme të mos harrojmë e t’i kujtojmë vetes se forca jonë si komb qëndron në aftësinë tonë për të përqafuar diversitetin dhe për të nderuar të gjitha aspektet e trashëgimisë sonë kulturore e fetare. Xhamia e Ethem Beut nuk është “Tjetri” që të përjashtohet; ajo është pjesë përbërëse e identitetit tonë kolektiv si shqiptar. Ajo na përfaqëson të gjithëve, pavarësisht se cilit besim i përkasim, pasi është pjesë thelbësore e identitetit të vendit ku të gjithë jetojmë.  

Shoqëria shqiptare është një ndërthurje besimesh e traditash. Dhe është pikërisht ky diversitet që na bën më të fortë dhe më të larmishëm. Forca jonë si shqiptarë qëndron në unitetin, gjithëpërfshirjen dhe angazhimin tonë për të kremtuar të gjitha aspektet e kulturës dhe historisë sonë. 

Prandaj, ne duhet të kundërshtojmë përjashtimin e kujtdo në shoqërinë tonë, me qëllim ose jo, dhe ta hedhim poshtë atë në favor të një shoqërie më gjithëpërfshirës dhe harmonike – në shërbim të një vizioni që përqafon plotësisht mozaikun e feve dhe kulturave që janë thurur së bashku për të krijuar kombin tonë të gjallë. 

Të ngjashme
Related

Nga Srebrenica në Gaza – Si çon dehumanizimi sistematik në gjenocid

Ashtu si u dehumanizuan boshnjakët dhe u vranë sistematikisht, njësoj po ndodh me palestinezët sot.

A është Serbia në pritje të misionit të saj të hershëm?

Me këtë qasje të gabueshme, sidomos në Kosovë, Perëndimi ka dhënë sinjale se nuk e ka mbyllur përgjithmonë mundësinë që Serbia t’i kthehet misionit të saj të hershëm - çrrënjosjes së muslimanëve nga Ballkani.  

Islamofobia, si helm në politikën evropiane!

Shqetësimi i udhëheqësit të parë musliman në një demokraci perëndimore: a është urrejtja ndaj muslimanëve ajo që po nxit kryesisht populizmin në Evropë dhe Perëndim?

Dëshmor liberal apo Islamofob: Selman Rushdie e ka gabim për Palestinën

Për disa, ai është një hero liberal, por për muslimanët si unë, Selman Rushdiu është mishërimi i Islamofobisë moderne. E komentet e tij të fundit mbi Palestinën e dëshmojnë këtë.
Verified by MonsterInsights