Saturday, April 27, 2024

Pse bota hesht për ndalimin e abajas në Francë?

Perëndimi e mbrojti fort të drejtën e grave iraniane për të zgjedhur, fill pas protestave gjatë të cilave ato nisën të zbuloheshin (hiqnin shaminë) në formë kundërshtim ndaj ligjeve shtypëse të shtetit. Ndërsa tani që qeveria franceze po kufizon të drejtat e vajzave muslimane, të gjithë kanë rënë në heshtje. Pse?

E gjithë bota perëndimore u ngrit në këmbë kur shpërthyen protestat në të gjithë Iranin e gratë hoqën hixhabin në kundërshtim me zbatimin dogmatik dhe të dhunshëm nga shteti të ligjeve  mbi  modestinë.

Feministet më të njohura filluan të postonin video duke qarë për gratë e Iranit. Njerëz të famshëm në Europë i rruajtën kokat në shenjë solidariteti. Shumë gra dogjën shamitë në TikTok dhe në vende publike. Kujtoni gjithashtu  postimet dhe titujt në formë eseje nëpër Instagram që u shfaqën në të gjithë internetin; kujtdo që i bëhej vonë për të drejtat e grave kishte diçka për të thënë për Iranin.

Por kohët fundit, një tjetër shtet miratoi një ligj të ngjashëm – një ligj që gjithashtu ka të bëjë me specifikat se si duhet të vishet një grua. Qeveria franceze ka ndaluar abajan në shkollat ​​shtetërore – madje ditët e fundit kanë filluar t’i pargojnë në masë të madhe nxënëset që shkojnë në shkollë me veshje muslimane.

Mund të flas për faktin se si ky legjislacion, që po ashtu kontrollon trupin e grave dhe dikton se sa pjesë të trupit lejohen të shfaqen, përsërit të njëjtën mizogjini shtetërore si Irani. Mund të përmendim se si ky është veprimi i rradhës në një varg të gjatë goditjesh ndaj mënyrës së veshjes së grave muslimane në Francë – pjesë e mënyrës se si qeveria franceze përjetëson, ngulit dhe normalizon Islamofobinë në emër të sekularizmit. Që nga ndalimi i hixhabit në vendet publike në vitin 2004, ndalimi mbarëkombëtar i nikabit në vitin 2010, e deri te burkini që u shpall i jashtëligjshëm gjatë viteve të fundit në një numër të madh provincash.

Por më tronditëse nga të gjitha ishte mënyra e reagimit botëror ndaj ndalimit të abajas. Dhe kur them reagim, e kam fjalën për mungesën e tij.

Kjo ndoshta për shkak se, kësaj here nuk ishte një qeveri muslimane që diktonte zgjedhjet e grave. Në fund të fundit, Franca është pjesë e botës së ndritur e progresive perëndimore (lexo: superiore), ndryshe nga ndonjë vend i prapambetur i Lindjes së Mesme që asociohet me luftën dhe shtypjen. Ose ndoshta për shkak se veçanërisht ky rregull mizogjenist u miratua nga burra të bardhë me kostume e kollare nën flamurin e lirisë, e jo nga burra të acaruar, esmerë, mjekrrosha, të cilët ndjekin standardet regresive fetare.

Cilado qoftë arsyeja, heshtja është shurdhuese. Aty ku kishte zemërim moral botëror në rastin e Iranit – si në nivel personal ashtu edhe në nivel më të gjerë politik – këtë herë, nuk ka asgjë tjetër veçse rrëmujë. Ku janë influencerat veshur me fustanet e tyre maxi më të mira në shenjë solidariteti për gratë muslimane të prekura nga ky ndalim në Francë? Ku po zotohen të famshmit për të bojkotuar Francën në shenjë proteste ndaj këtij erozioni të të drejtave të grave?

E vërteta është se bota ka nxjerrë në pah një boshllëk në rastin e Francës, pasi feminizmi – ose të paktën versioni i tij perëndimor (kryesisht i bardhë), ka një problem të madh kur bëhet fjalë për gratë muslimane.

Kur refuzimi i normave patriarkale shihet bardhë e zi, e mbulimi i trupit  shihet si i barabartë me mizogjininë, ndërsa zbulimi automatikisht konsiderohet si çlirim, sinqerisht nuk ngelet më vend për gratë muslimane si unë që zgjedhin të mbulohen. Automatikisht, ne sfidojmë binaret e ngurtë që krijon feminizmi perëndimor. Dhe kështu beteja jonë për të sfiduar shtetin, i cili urdhëron për t’u mbuluar nuk konsiderohet në thelb një luftë e denjë, definitivisht jo në të njëjtën mënyrë, me ato gra që luftojnë mandatet për ndalimin e hixhabit.

Në fund të fundit, kjo varet nga fakti se si ne, si gra muslimane, jemi të zhveshura nga liria e zgjedhjes në një masë të tillë që veprimet tona në fakt nuk konsiderohen kurrë tonat. Racizmi, Islamofobia dhe feminizmi i bardhë kombinohen bashkë për t’i portretizuar vazhdimisht gratë muslimane si të shtypura; të kontrolluara nga ndonjë fuqi patriarkale ose shihen sikur janë nën ndikimin e mizogjinisë së brendshme. Nëse shoqëria nuk na konsideron aq të pavarura sa duhet për të marrë vendimet tona, atëherë nuk është çudi që askush nuk nxiton t’i mbrojë ato pasi të zhvishen nga shteti.

Marrëdhënia ime me feminizmin është e ndërlikuar pikërisht për këtë arsye, por nuk kam dyshim për një gjë: kjo është një çështje feministe tekembramja. Është pjesë e një tendence më të gjerë në mbarë globin, gjithnjë e më alarmante që ka të bëjë me gërryerjen e të drejtave të grave mbi trupin e tyre. Ndalimet e abortit, ndjekja penale e grave për humbjen e shtatzanisë, mandatet për hixhabin dhe ndalimi i abajas, të gjitha këto komplotojnë për të arritur një gjë të vetme: për të kontrolluar gratë; pra vendimet, liritë dhe vetë biologjinë tonë. 

Pavarësisht se çfarë mendimin personal keni mbi abajan si veshje, ju ftoj të hulumtoni pak mbi këtë ndalim, mbi hipokrizinë qesharake dhe racizmin e plotë që e rrethon. Si mund të përcaktohet se çfarë është një fustan maxi e çfarë është një abaja thjesht pa inspektuar se sa “musliman” duhet të jetë ajo që e vesh atë? Dhe nëse paligjshmëria e veshjes varet se nga kush e vesh atë, atëherë çfarë është kjo tjetër përveçse Islamofobi e pamohueshme?

Për më tepër, nëse barazia është shqetësimi kryesor, atëherë si e garanton barazinë largimi i vajzave të shumta nga shkolla? Gjithçka që bën është të vendosë një grup tashmë të privuar në mënyrë të strukturuar në një disavantazh të mëtejshëm, duke i detyruar të humbasin të drejtat dhe liritë e tyre në mënyrë që të kenë akses në arsim. Të mos flasësh për vajzat që preken drejtpërdrejt nga ky vendim absurd dhe selektiv është tregues i faktit se sa pak u ofron feminizmi perëndimor grave muslimane.

Nëse feminizmi juaj ushqehet nga pamja e grave që heqin hixhabet, por mbetet i palëkundur kur të njëjtat gra muslimane zgjedhin të mbulohen, atëherë feminizmi juaj nuk i shërben askujt tjetër përveç grave të bardha. Dhe ndërsa bota qëndron në heshtje të ngrirë për shtypjen e vazhdueshme që Franca bën ndaj trupit të grave muslimane, është koha të pyesim veten pse i shohim vendimet e disa grave më të denja për mbështetje se sa të tjerat.

Solli në shqip Observer.al
Nadeine Asbali
Nadeine Asbali
Nadeine Asbali është një gazetare me banim në Londër. Ajo shkruan për The New Arab dhe The Guardian, ku trajton tema si arsimi, Islamofobia, feminizmi dhe drejtësia sociale. Ajo është gjithashtu kritike e zëshme e politikave të qeverisë franceze ndaj grave muslimane.

Të ngjashme
Related

Ku çalon përkufizimi i ri i Mbretërisë së Bashkuar mbi “ekstremizmin”?

Dhe si do të sanksionohen grupet që mendohet se plotësojnë kriteret e reja?

Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?
Verified by MonsterInsights