Saturday, April 27, 2024

Debati mbi Islamofobinë: nuancat dhe semantika

Përbuzja e elitës në pushtet ndaj bashkëqytetarëve të tyre muslimanë, e nxitur nga faktorë të ndryshëm, shkel normat e të drejtave të njeriut dhe ushqen Islamofobinë globale, duke e bërë të nevojshme që t’i kushtohet vëmendje këtij fenomeni nga udhëheqësit dhe ekspertët muslimanë.

Gjatë fundjavës, e gjeta veten mes shtresës intelektuale në Doha, Katar, si pjesëmarrës në një konferencë të shquar mbi Islamofobinë, të kuruar me kujdes nga Universiteti Georgetown në Katar. Takimi, i përbërë nga një gamë e pasur akademikësh nga e gjithë bota, ekspertë, artistë dhe përfaqësues të medias, u thellua në dimensionet e shumëanshme të Islamofobisë – fillesat historike, manifestimet e ndryshme dhe strategjitë e nevojshme për zbutjen e saj.

Konsensusi midis pjesëmarrësve ishte i kumbues: Islamofobia nuk është thjeshtë një sëmundje bashkëkohore; rrënjët e saj datojnë në analet e historisë, që nga epoka e kryqtarëve dhe takimet e para midis Evropës dhe Islamit. Për më tepër, mbizotëronte një konsensus unanim në lidhje me ekzistencën e një Islamofobie sistematike e strukturore të nxitur nga politikat, e cila është shkaktare e akteve të dhunës kundër muslimanëve dhe atyre që sadopak ngjasojnë me ta.

Megjithatë, nga bisedat gjatë konferencës arrita të dalloj, të paktën teorikisht, pikëpamje të ndryshme në mënyrën e analizimit të  kësaj fantazme të përhapur që përndjek një besim të përqafuar nga gati 2 miliardë njerëz në mbarë botën. Edhe pse këtu nuk është hapësira e duhur për të zbërthyer ndërlikimet teorike të natyrshme në debatet akademike mbi Islamofobinë, dua të parashtroj rëndësinë që ato luajnë në ndërtimin e një narrative alternative dhe efikase për të luftuar shkaqet kryesore dhe pasojat e këtij fenomeni.

Dy shqetësime kryesore dolën në pah pas këtij takimi mbreslënës. I pari ka të bëjë me gjendjën e vështirë të Islamofobisë brenda popujve me shumicë muslimane – një aspekt që shpesh errësohet nga fokusi i madh që i kushtohet konteksteve perëndimore. Paçka se me të drejtë vihen në pah rastet e Islamofobisë së dhunshme në Europën Perëndimore, Kinë, Indi, Myanmar dhe gjetkë, vëmendje e pakët i kushtohet manifestimeve të dëmshme në vendet me shumicë muslimane.

Shqetësimi nuk kufizohet në popuj të veçanta; pothuajse çdo vend me shumicë muslimane është dëshmitar i manifestimit të formave të ndryshme të Islamofobisë. Qoftë kur nxitet nga përpjekja për të krijuar një formë të shtrembëruar të sekularizmit, nga mosmarrëveshje politike apo interpretimet e ndryshme të Islamit, elita e fuqishme qeverisëse, fatkeqësisht, ka përbuzuar ose margjinalizuar qytetarët e vet muslimanë në një moment të caktuar të historisë bashkëkohore.

Kjo jo vetëm që shkel normat e të drejtave të njeriut brenda vendit, por gjithashtu përforcon Islamofobinë në vendet jomuslimane. Është një konstatim i rëndësishëm për opinion bërësit, politikanët dhe ekspertët në botën muslimane.

Rastet e djegies së Kuranit

Po, ajo që ndodh në Suedi, Danimarkë dhe gjetkë me djegien e Kuranit nuk është e pranueshme. Natyrisht, ajo që ndodhi në Francë me ndalimin e abajas është primitive, e dhuna ndaj individëve me simbole të dukshme islame, siç është hixhabi, është e papranueshme. Megjithatë, nuk është kështu kur muslimanët e përjetojnë sistematikisht Islamofobinë në vendet me shumicë muslimane.

Çështja e dytë që duhet analizuar në diskursin mbi Islamofobinë i përket semantikës, veçanërisht vetë termit “Islamofobi”. Ndonëse edhe unë e përdor këtë term në këtë shpjegim, komplikimet që e shoqërojnë kanë nevojë të shqyrtohen. Fjalori Merriam-Webster e përkufizon fobinë si një “frikë të ekzagjeruar, zakonisht e pashpjegueshme dhe e palogjikshme ndaj një objekti të caktuar, kategorie objektesh ose situate”.

Megjithatë, pikëpyetjet lindin nga fakti se termi nuk arrin të përmbledhë realitetin e ndërlikuar të dhunës – qoftë ajo strukturore, sistematike apo individuale – kundër “tjetrit musliman”. Kjo dhunë nuk është në thelb as e palogjikshme dhe as e pashpjegueshme; ajo ka një arsyetim historik, sociologjik dhe politik.

Këtu lind kundërshtimi, te fakti se etiketimi i fenomenit thjeshtë si një “fobi” e thjeshtëzon kompleksitetin e motiveve që qëndrojnë në themel të shtypjes dhe dhunës “anti-islame” ose “anti-muslimane”.

Që nga koha e kryqtarëve e deri në rastet bashkëkohore të ndalimeve të abayas, ekziston një motivim i qëllimshëm dhe i llogaritur kundër Islamit, që shtrihet përtej një fobie të thjeshtë. Jo për të zvogëluar rëndësinë e adresimit të fobive, por më tepër për të nënvizuar se shpronësimi i muslimanëve – nga të drejtat, tokat dhe burimet e tyre – buron jo vetëm nga injoranca, por edhe nga një ndërthurje e shpjegimeve fetare, politike dhe dinamikave të pushtetit.

Në sferën e nuancuar të Islamofobisë, është e rëndësishme të nxitet një diskurs që pranon ndërlikimet historike dhe dimensionet e shumëanshme të tij, duke u larguar nga interpretimet reduktuese që mund të banalizojnë pa dashje ndikimin e tij të thellë.

Mehmet Çelik
Mehmet Çelik
Mehmet Çelik është Ph.D. në Shkencat Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe koordinator editorial në Daily Sabah.

Të ngjashme
Related

Ku çalon përkufizimi i ri i Mbretërisë së Bashkuar mbi “ekstremizmin”?

Dhe si do të sanksionohen grupet që mendohet se plotësojnë kriteret e reja?

Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?
Verified by MonsterInsights