Saturday, April 20, 2024

Roli i rrjeteve sociale në përforcimin e Islamofobisë në internet

Në këtë artikull, autori diskuton mbi Rolin e rrjeteve sociale në përforcimin e Islamofobisë. Sipas autorit, ajo tani shfaqet më shumë online se sa offline. Ekspozimi ndaj mesazheve islamofobe ka pasoja të rënda. Ato mund të çojnë në mbështetjen e politikave që kufizojnë liritë civile të muslimanëve.

Nga Saif ShahinThe Conversation

Në gusht 2021, një fushatë reklamash në Facebook që kritikonte Ilhan Omarin dhe Rashida Tlaib, kongresmenet e para muslimane në Shtetet e Bashkuara, u vunë nën vëzhgim intensiv. Kritikët pohuan se reklamat i lidhnin kongresmenet me terrorizmin. Ndërsa disa liderë fetarë e dënuan fushatën duke e konsideruar si “islamofobe”.

Kjo nuk është hera e parë që dyshja përballet me abuzim islamofob apo racist, veçanërisht në internet. Si një profesor komunikimi që studion politikën mbi racën dhe identitetin në internet, kam parë që Omari është shpesh objekt i sulmeve të nacionalistëve të bardhë në Twitter.

Por sulmet online kundër muslimanëve nuk kufizohen vetëm tek politikanët. Njëzet vjet pas sulmeve të 11 shtatorit, stereotipet që i lidhin muslimanët me terrorizmin shkojnë shumë përtej përshkrimeve që shohim në gazeta dhe televizion. Hulumtimet e fundit ngrenë alarmin për islamofobinë e shfrenuar në hapësirat dixhitale, veçanërisht për përdorimin e dezinformimit nga grupet e ekstremit të djathtë dhe taktika të tjera manipulimi për të fyer muslimanët dhe besimin e tyre.

Përforcimi i urrejtjes

Në korrik të vitit 2021, një ekip i udhëhequr nga studiuesi i medias Lawrence Pintak publikoi një hulumtim mbi tweetet (cicerimat) që përmendnin Omarin gjatë fushatës së saj për në Kongresin amerikan. Ata raportuan se gjysma e postimeve që studiuan përfshinin “gjuhë të hapur islamofobe ose ksenofobe, ose forma të tjera të gjuhës së urrejtjes”.

Shumica e postimeve fyese vinin nga një numër i vogël “provokatorësh” – llogari që nxisin biseda islamofobe në Twitter. Ata zbuluan se shumë prej këtyre llogarive u përkisnin konservatorëve. Por, studiuesit raportuan se llogari të tilla vetë nuk gjeneronin trafik të konsiderueshëm.

Ekipi zbuloi se “përforcuesit” ishin përgjegjësit kryesorë: llogari që mbledhin dhe qarkullojnë idetë e agjentëve provokatorë përmes retweet-eve dhe përgjigjeve masive.

Gjetja e tyre më interesante ishte se vetëm katër nga 20 përforcuesit kryesorë islamofobë ishin llogari autentike. Shumica ishin ose robotë – të krijuar nga algoritme për të imituar llogaritë njerëzore – ose “sockpuppets”, llogari njerëzore që përdorin identitete të rreme për të mashtruar të tjerët dhe për të manipuluar bisedat në internet.

Bots-at dhe sockpuppets-at shpërndanë cicërima islamofobe të postuara fillimisht nga llogari autentike. Duke krijuar kështu një “efekt megafon” që rrit islamofobinë në të gjithë Twitterversin (universin e Twitterit).

Llogaritë “të fshehura”

Twitter ka pak më shumë se 200 milionë përdorues aktivë në ditë. Ndërsa Facebook ka gati 2 miliardë – dhe disa përdorin strategji të ngjashme manipulimi në këto platforma për të përshkallëzuar islamofobinë.

Hulumtuesi i lajmeve të rreme Johan Farkas dhe kolegët e tij kanë studiuar faqet e “fshehura” të Facebookut në Danimarkë, të cilat menaxhohen nga individë apo grupe që pretendojnë se janë islamikë radikalë e që provokojnë antipati kundër muslimanëve. Analiza e studjuesve për 11 faqe të tilla, të identifikuara si të rreme, zbuloi se organizatorët postonin pretendime fyese për danezët etnikë dhe shoqërinë daneze. Ata kërcënonin edhe për një pushtim islamik të vendit.

Sipas studimit, Facebook-u i mbylli këto faqet për shkelje të politikës së përmbajtjes së platformës, por ato u rishfaqën nën një maskë tjetër. Edhe pse ekipi i Farkas nuk mund të konfirmonte se kush i krijonte ato faqe, ata gjetën modele që tregonin se “i njëjti individ ose grup fshihej pas mantelit”.

Këto faqe “të fshehura” ia dolën të nxisnin mijëra komente armiqësore dhe raciste ndaj islamistëve radikalë që përdoruesit besonin se menaxhonin faqet. Por ato nxitën gjithashtu edhe zemërim ndaj komunitetit më të gjerë musliman në Danimarkë, përfshirë refugjatët.

Komente të tilla, shpesh i shkojnë përshtat një këndvështrimi më të gjerë që i sheh muslimanët si kërcënim për “vlerat perëndimore” dhe ” bardhësinë“, duke vënë kështu në dukje se si islamofobia shkon përtej intolerancës fetare.

Kërcënime të dyfishta

Kjo nuk do të thotë se ekstremistët “e vërtetë” islamikë mungojnë në web. Internet në përgjithësi, e rrjetet sociale në veçanti, kanë shërbyer prej kohësh si mjet për radikalizimin islamist.

Por vitet e fundit, grupet e ekstremit të djathtë e kanë zgjeruar praninë e tyre në internet shumë më shpejt se islamistët. Sipas një studimi nga eksperti i ekstremizmit JM Berger, ndërmjet vitit 2012 dhe 2016, përdoruesit e Twitter-it që i përkisnin nacionalistëve të bardhë ‘u rritën me mbi 600 përqind. Nacionalistët e bardhë “e tejkalojnë ISIS-in në pothuajse çdo metrikë sociale, që nga numri i ndjekësve e deri te postimet në Twitter”, zbuloi ai.

Në një analizë të vitit 2018 mbi përmbajtjen e alt-right në Twitter, Berger-i gjeti midis grupeve të tilla “një prani mjaft domethënëse automatizimi, profilesh të rreme dhe taktika të tjera manipulimi të përdorura në rrjetet sociale”. 

Kompanitë e mediave sociale i kanë vënë në dukje politikat e tyre për identifikimin dhe eliminimin e përmbajtjes së grupeve terroriste islamike. Megjithatë, kritikët e Big Tech-ut, argumentojnë se këto kompani janë më pak të gatshme të kontrollojnë grupet e krahut të djathtë, si supremacistët e bardhë, duke e bërë më të lehtë përhapjen e islamofobisë në internet.

Një bast i rrezikshëm

Ekspozimi ndaj mesazheve islamofobe ka pasoja të rënda. Eksperimentet tregojnë se portretizimi i muslimanëve si terroristë mund të rrisë mbështetjen ndaj kufizimeve të lirive civile të muslimanëve amerikanë. Po ashtu mund të rrisë edhe mbështetjen për veprime ushtarake kundër vendeve me shumicë muslimane.

I njëjti hulumtim tregon se ekspozimi ndaj përmbajtjes që sfidon stereotipet e muslimanëve – si p.sh. ku tregohen muslimanët duke ndihmuar vullnetarisht bashkëkombësit amerikanë gjatë kohës së Krishtlindjeve – mund të ketë efektin e kundërt dhe të zvogëlojë mbështetjen për politika të tilla, veçanërisht në mesin e politikanëve konservatorë.

Dhuna ndaj muslimanëve, vandalizimi i xhamive dhe djegia e Kuranit janë raportuar gjerësisht në SHBA gjatë 20 viteve të fundit dhe ka të dhëna se islamofobia vazhdon të rritet.

Por hulumtimet e kryera pas zgjedhjeve të 2016-ës tregojnë se muslimanët tani po e përjetojnë e islamofobinë  “më shpesh në internet sesa ballë për ballë”. Në fillim të vitit 2021, një grup advokimi musliman paditi drejtuesit e Facebook-ut, duke e akuzuar kompaninë se kishte dështuar të fshinte gjuhën e urrejtjes anti-mislimane. Padia pohon se vetë Facebook-u kishte mandatuar një auditim të të drejtave civile, i cili zbuloi se uebsajti “kishte krijuar një atmosferë ku muslimanët ndiheshin nën rrethim”.

Në vitin 2011, afër 10-vjetorit të 11 shtatorit, një raport nga Qendra për Progresin Amerikan dokumentoi rrjetin e gjerë të islamofobisë në vend. Raporti tërheq veçanërisht vëmendjen te roli i “ekspertëve të keqinformimit” të së djathtës ekstreme në përhapjen e propagandës anti-muslimane.

Pesë vjet më vonë, i gjithë vendi u pushtua nga bisedat e ekspertëve të “dezinformimit” që përdornin strategji të ngjashme. Këtë herë, duke u përpjekur të ndikonin në zgjedhjet presidenciale. Në fund të fundit, këto strategji në zhvillim nuk kanë si objektiv vetëm muslimanët. Ato mund të riprodhohen në një shkallë më të gjerë. 

Artikulli është sjellë në shqip nga Observer.al.


Saif Shahin

Autori është asistent-Profesor në Shkollën e Komunikimit dhe anëtar i Qendrës Kërkimore dhe Politikave Antiraciste në Universitetin Amerikan në Uashington D.C.

Të ngjashme
Related

Analizë: Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?

Dita Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë: një thirrje globale për veprim

Vetëm përmes veprimit kolektiv dhe një angazhim global për të luftuar Islamofobinë, mund të garantojmë sigurinë dhe dinjitetin e muslimanëve kudo që ndodhen.
Verified by MonsterInsights