Wednesday, May 8, 2024

Urrejtja në Twitter: 86 për qind e përmbajtjes anti-muslimane nga SHBA, Britania e Madhe dhe India

Përdoruesit nga tre vende kanë shpërndarë 86 përqind të përmbajtjes me qëllim të keq midis 2017-2019; Përmbajtja e urrejtjes në internet ka çuar në sulme fizike ndaj muslimanëve dhe xhamive.

Datë:

Nga CJ Werleman

Vitin e kaluar, Kombet e Bashkuara inkurajuan fort komunitetin ndërkombëtar që “të merrte të gjitha masat e nevojshme” për të luftuar diskriminimin kundër muslimanëve dhe “të ndalonte çdo përkrahje ndaj urrejtjes fetare që përbën nxitje për dhunë”, duke paralajmëruar se urrejtja anti-muslimane ka arritur “përmasa epidemike.”

Është shqetësues fakti se ky apel ka rënë kryesisht në vesh të shurdhër, sidomos brenda dhomave ekzekutive të kompanive të mediave sociale, të cilat kanë bërë pak ose aspak për të hequr përmbajtjen anti-muslimane nga platformat e tyre. 

Kjo mungesë veprimi ka një ndikim shkatërrues në komunitetet e pakicave muslimane në mbarë botën, ku Twitteri është bërë burimi kryesor për përhapjen dhe amplifikimin e urrejtjes anti-muslimane.

Kompania e mediave sociale (Twitteri) tani duhet të përqendrohet në mënyrën e sjelljes së përdoruesve në këto tre vende në veçanti, thuhet në një studim të ri, i cili zbuloi se SHBA, Britania e Madhe dhe India kanë shpërndarë 86 për qind të përmbajtjes anti-muslimane në Twitter gjatë një periudhe tre-vjeçare.

Studimi i Këshillit Islamik të Viktorias (ICV) – organi më i lartë musliman në shtetin australian të Victorias, i cili përfaqëson rreth 270,000 anëtarë të komunitetit – zbuloi gati katër milionë postime anti-muslimane të bëra gjatë një periudhe 24-mujore midis 2017 dhe 2019. 

ICV gjithashtu vuri në dukje një rreth vicioz urrejtjeje që manifestohet si në sulmet online ashtu edhe ato offline ndaj komunitetit në shkallë globale. Vetëm përdoruesit indianë kanë shpërndarë më shumë se gjysmën e këtyre postimeve të dëmshme të mbushuara me urrejtje.

Midis përdoruesve të Twitter-it me bazë në Indi, studiuesit fajësojnë partinë në pushtet – Bharatiya Janata (BJP) – për përhapjen dhe përforcimin e urrejtjes anti-muslimane, duke thënë: “(BJP) ka normalizuar në mënyrë aktive urrejtjen ndaj muslimanëve, aq sa 55.12 për qind postimeve në Twitter me urrejtje anti-muslimane tani e kanë origjinën në Indi.” 

ICV gjithashtu vuri në dukje ligjet diskriminuese që u mohojnë muslimanëve shtetësinë dhe të drejtat e tjera civile si ndikuese në rritjen e urrejtjes anti-muslimane në internet në llogaritë indiane në Twitter.

Në Shtetet e Bashkuara, përhapja e urrejtjes anti-muslimane në Twitter është pothuajse e pandashme nga retorika dhe politikat e urrejtjes së ish-presidentit Donald Trump, i cili renditet si përdoruesi i tretë më i përmendur në postimet anti-muslimane, ku sipas studiuesve me shumë postime në Twitter lidhen me mbrojtjen e ndalimit të tij të emigrimit të muslimanëve dhe teorive konspirative anti-muslimane, duke përfshirë ato që i paraqesin demokratët si bashkëpunëtorë me “islamistët” për të pushtuar Perëndimin.

Sa i përket Mbretërisë së Bashkuar, studiuesit ia atribuan përhapjen e postimeve anti-muslimane një sërë faktorësh, duke përfshirë shtrirjen globale të armiqësisë anti-muslimane të Trumpit, ndjenjat kundër emigracionit, të ndezura nga kriza e refugjatëve, dhe diskursin rreth Brexit-it, së bashku me racizmin e herë pas hershëm të ish-kryeministrit Boris Johnson, i cili dikur i pati krahasuar gratë muslimane të veshura me nikab me “kutitë e letrave”.

Duke analizuar përmbajtjen anti-muslimane të prodhuar nga këto tre vende, studiuesit ishin në gjendje të identifikonin disa tema kryesore, përfshirë lidhjen e Islamit me terrorizmin, përshkrimin e muslimanëve si autorë të dhunës seksuale, frikën se muslimanët dëshirojnë të imponojnë Sheriatin ndaj të tjerëve, konspiracionin që pretendon se emigrantët muslimanë po zëvendësojnë të bardhët në Perëndim dhe hindutë në Indi, dhe karakterizimin e hallallit si një praktikë çnjerëzore që karakterizon të ashtuquajturën “barbari” të Islamit.

Megjithatë, studuesit thonë se “akoma më shqetësues është zbulimi se vetëm 14.83 për qind e tweeteve anti-muslimane hiqen nga platforma,” çka vazhdon të shkaktojë rritje të krimeve të urrejtjes kundër komuniteteve të pakicës muslimane, dhe, si pasojë, duke nxitur edhe më shumë gjuhën e urrejtjes anti-muslimane në internet.

Sulmi ndaj Xhamisë së Christchurch në vitin 2019 ishte tregues i këtij rrethi vicioz. 

Sulmuesi i armatosur u radikalizua nga përmbajtja anti-muslimane në internet, e në javën pasi vrau 52 besimtarët muslimanë, incidentet e abuzimit anti-musliman u rritën me 1300 për qind në Zelandën e Re dhe 600 për qind në Mretërinë e Bashkuar, çka shkaktoi ose frymëzoi një valë dhune anti-muslimane në Angli dhe Skoci, duke përfshirë një sulm në një xhami në Stanwell dhe sulmin me thikë ndaj një adoleshenti musliman në Surrey.

Një raport i fundit ka dokumentuar mbi 800 sulme kundër xhamive nga ekstremistët e krahut të djathtë në Gjermani që nga viti 2014.

Muajin e kaluar ka pasur sulme të kryera nga emigrantë indianë hindu të krahut të djathtë kundër komuniteteve muslimane në Anaheim në SHBA dhe Leicester në Mbretërinë e Bashkuar. 

Këto sulme jo vetëm që shkaktojnë një impakt të madh psikologjik te muslimanët, por edhe te shoqëria më gjerë. Është e pandërgjegjshme që Twitteri ka bërë pak ose aspak për të hequr shumicën dërrmuese të përmbajtjes anti-muslimane në platformën e vet.

 Për këtë qëllim, një studim i vitit 2020 i titulluar “Nga Hashtag tek urrejtja: Twitter dhe ndjenja kundër pakicës” është po aq kritikues ndaj gjigantit të mediave sociale, pasi ka gjetur një lidhje të drejtpërdrejtë midis urrejtjes anti-muslimane në Twitter dhe dhunës ndaj muslimanëve në publik. 

Duke u fokusuar në llogaritë e Twitterit me numër të lartë ndjekësish, përfshirë SHBA-në, autorët e studimit zbuluan se rritja e krimeve të urrejtjes kundër muslimanëve që nga fushata presidenciale e Donald Trumpit në vitin 2016 është përqendruar në qarqet amerikane me nivele të larta të përdorimit të Twitterit.

“Në përputhje me rolin e mediave sociale, postimet e Trumpit mbi temat e lidhura me Islamin kanë qenë shumë të ndërlidhura me krimet e urrejtjes kundër muslimanëve pas, por jo para fillimit të fushatës së tij presidenciale, dhe nuk janë të lidhura me llojet e tjera të krimeve të urrejtjes,” përfundojnë autorët.

Por asnjë nga këto informacione nuk janë të reja apo befasuese për Twitterin, duke pasur parasysh se kompania lëshoi ​​një deklaratë në vitin 2020 duke thënë se ishte bashkuar me anëtarët e pavarur të Grupit Punues Ndërqeveritar për Urrejtjen Anti-Muslimane (AMHWG) si pjesë e një “angazhimi të përbashkët për të kundërshtuar sjelljen e urrejtjes në internet”, duke shtuar se “Ne duam ta trajtojmë urrejtjen anti-muslimane së bashku, duke punuar gjithashtu me grupe të tjera që janë pjesë e këtij angazhimi”.

Twitteri, së bashku me Google dhe Meta, gjithashtu premtuan të eliminojnë përmbajtjet anti-muslimane nga platformat e tyre në vitin 2019 – pas sulmit terrorist në xhaminë Christchurch. Por këto premtime kanë dështuar, siç theksohet nga Qendra Kundër Urrejtjes Dixhitale (CCDH), e cila zbuloi se kompanitë e mediave sociale, përfshirë Twitterin, kanë dështuar të veprojnë në 89 përqind të postimeve që përmbajnë urrejtje anti-muslimane të raportuara ndaj tyre.

E thënë thjesht – nëse Twitteri vazhdon të mohojë thirrjet për të larguar urrejtjen anti-muslimane nga platforma e vet, atëherë anëtarët e grupeve të pakicës muslimane do të vazhdojnë të kërcënohen, dëmtohen ose vriten. Muslimanët në të gjithë Perëndimin do të ekspozohen ndaj të njejtave sulme që janë parë në xhamitë në Zelandën e Re, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani dhe SHBA në vitet e fundit.

Është vendosur lidhja midis urrejtjes në internet dhe krimeve të urrejtjes jashtë internetit. Twitteri duhet të veprojë menjëherë.

Observer.al


CJ Werleman është gazetar, autor dhe analist mbi konfliktet dhe çështjet e lidhura me terrorizmin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Stay Connected

16,985FansaPëlqeje
564,865NdjekësitNdjek
2,458NdjekësitNdjek
spot_img

Popular

Të ngjashme
Related

Ku çalon përkufizimi i ri i Mbretërisë së Bashkuar mbi “ekstremizmin”?

Dhe si do të sanksionohen grupet që mendohet se plotësojnë kriteret e reja?

Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?
Verified by MonsterInsights