Çmimi i injorancës: A e njeh Perëndimi Islamin, apo e shtrembëron?

Islamofobia lind shpesh nga padija; ndërsa dija dhe dialogu mund ta zëvendësojnë frikën me mirëkuptim.

Nga Dr. Beyzanur Yılmaz

Islamofobia është sot një nga dukuritë shoqërore që hasen më shpesh në shumë vende të botës, sidomos në Perëndim. Fjalë për fjalë, termi do të thotë “frikë ndaj Islamit”. Në të vërtetë, kjo dukuri nuk buron nga Islami, por nga mungesa e njohurive të sakta për të.

Njeriu është i prirur ta shohë si kërcënim atë që nuk e njeh. E panjohura mbushet shpesh me frikë, kurse frika kthehet dalëngadalë në paragjykim. Edhe Islamofobia formësohet në masë të madhe nga ky mekanizëm psikologjik.

Kur përpiqet të kuptojë ngjarje të ndërlikuara, mendja e njeriut mbështetet shpesh te përgjithësimet. Nëse një shoqëri nuk e njeh një fe drejtpërdrejt nga burimet e saj parësore, por vetëm nga lajmet negative në media, nga retorika politike apo nga aktet e terrorizmit, me kalimin e kohës ajo mund të krijojë për atë fe një perceptim që nuk përkon me realitetin.

Një vështrim te burimet parësore

Te burimet themelore të Islamit gjejmë një kuptim fetar që në qendër vë sigurinë, jo frikën. Edhe vetë rrënja e fjalës “Islam” bart kuptimet e paqes, të mirëqenies dhe të sigurisë. Kurani Famëlartë këshillon që marrëdhëniet me njerëz të besimeve dhe bashkësive të tjera të ndërtohen mbi drejtësi, ndërsa jeta e Profetit Muhamed është plot shembuj dhembshurie, faljeje dhe kulture bashkëjetese.

Megjithatë, për shumë njerëz në Perëndim njohuritë për Islamin nuk vijnë as nga leximi i Kuranit, as nga marrëdhëniet me muslimanët. Ato vijnë nga narrativa të ndërtuara në ekranet televizive, nga përmbajtjet në mediat sociale dhe nga titujt sensacionalë të lajmeve.

Sidomos pas sulmeve terroriste të viteve të fundit, pretendimi i disa organizatave radikale se veprojnë në emër të Islamit është paraqitur sikur të përfaqësonte besimin e miliona muslimanëve. Titujt e disa mediave kryesore ndërkombëtare kanë ushqyer një narrativë që aktet terroriste ia atribuon Islamit, në vend që t’i kufizojë te organizatat radikale.

Pikërisht këtu nis problemi. Njerëzit nuk gjykojnë mbi atë që thotë Islami, por mbi atë që bëjnë ata që pretendojnë se flasin në emër të tij. Nuk ka si të presësh që mendimet e ngritura mbi një bazë të tillë informacioni të kenë themel të shëndoshë.

Për më tepër, shpjegimi i terrorizmit vetëm me referenca fetare, duke shpërfillur kontekstin e tij politik dhe socio-ekonomik, e përforcon tërthorazi propagandën e vetë organizatave radikale. Është gabim i rëndë të gjykohet një fe nisur nga veprimet e grupeve margjinale që pretendojnë se i përkasin asaj. Ashtu si krimi i një individi nuk mund t’i ngarkohet një kombi të tërë, edhe veprimet e organizatave që e përdorin dhunën si mjet nuk mund të përkufizojnë një fe në të cilën besojnë afër 2 miliardë njerëz.

Njohja sjell afri

Kur mungesa e njohurive, pasiguria dhe frika bashkohen, paragjykimet thellohen, e me kohë ato ushqejnë diskriminimin dhe polarizimin shoqëror. Teoria e kërcënimit të integruar, e zhvilluar nga studiuesit Stephan dhe Stephan, tregon se individët janë më të prirur të krijojnë paragjykime kur i perceptojnë si kërcënim real ose simbolik grupet që nuk i njohin sa duhet. Edhe psikologu Gordon Allport thekson se paragjykimi ushqehet zakonisht nga padija, nga stereotipat dhe nga distanca sociale, ndërsa marrëdhëniet kuptimplota mbi baza barazie mes grupeve të ndryshme i pakësojnë ndjeshëm.

Te ata që komunikojnë drejtpërdrejt me njerëz të feve dhe të kulturave të tjera, paragjykimet bien dukshëm. Një meta-analizë e Pettigrew dhe Tropp, që përfshin 515 studime, dëshmon se kontakti pozitiv mes grupeve të ndryshme i zvogëlon ndjeshëm paragjykimet. Sipas saj, sa më shumë që individi njihet me grupin e jashtëm, aq më shumë i bie ankthi, i rritet empatia dhe i dobësohen stereotipat.

Studimet e kryera në Gjermani kanë nxjerrë në pah se individët që krijojnë marrëdhënie shoqërore të drejtpërdrejta ose të tërthorta me muslimanët shfaqin nivele më të ulëta qëndrimesh negative ndaj Islamit. Po ashtu, një studim i kryer në Mbretërinë e Bashkuar para dhe pas sulmeve të Londrës të vitit 2005 tregoi se, pavarësisht atmosferës negative që krijuan sulmet, paragjykimi mbeti më i ulët te ata që kishin pasur kontakt personal me muslimanë.

Vlerësimi i drejtë dhe i informuar lind vetëm nga dija dhe mirëkuptimi. Prandaj, mënyrat më efikase për ta luftuar Islamofobinë janë forcimi i hapësirave të dialogut, mbështetja e kërkimit akademik, përdorimi i një gjuhe më të përgjegjshme nga mediat dhe dhënia e shembujve nga vetë muslimanët, shembuj që e përfaqësojnë me saktësi fenë e tyre.

Të jetosh në të njëjtin pallat me një fqinj musliman, të punosh bashkë me të, të ndjekësh të njëjtën shkollë a të marrësh pjesë në projekte të përbashkëta ka ndikim shumë më të fortë sesa imazhet negative që mediat kanë kultivuar me vite. Njerëzit fillojnë t’i shohin ata që i njohin jo si kërcënim, por si individë me të cilët ndajnë vlera të përbashkëta njerëzore.

Në fund të fundit, Islamofobia shpesh nuk është frikë që buron nga thelbi i Islamit, por perceptim që lind nga mungesa e njohurive për të. Kur padija t’i lërë vendin informacionit të saktë, edhe paragjykimet do t’i lënë vendin mirëkuptimit të ndërsjellë. Ajo që i duhet botës sot më shumë se kurrë është që njerëzit të përpiqen ta njohin njëri-tjetrin, në vend që të gjykojnë prej së largu.

Publikuar fillimisht te Daily Sabah. Solli në shqip Observer.al

Të ngjashme
Related

Gratë muslimane nuk kanë nevojë që bota “t’i shpetojë”

Në diskursin politik bashkëkohor, asnjë grua nuk është “shpëtuar” aq pa reshtur sa gruaja muslimane. Ajo paraqitet si viktimë pasive që pret dikë ta çlirojë, ndërsa zgjedhjet e saj lexohen si simptoma shtypjeje. Siç argumenton Soumaya Ghannoushi, kjo grua nuk ekziston: është figurë imagjinare.

Si u shndërrua një dokument i rremë serb “Top Secret” në propagandë anti-muslimane në Kosovë

Idetë që përmban ai dokument tashmë qarkullonin mes figurave islamofobe shqiptare vite përpara. Kjo ngre një pyetje më të rëndësishme: çfarë qëllimi i shërben kjo narrativë?

25 vjet luftë kundër terrorit: si u bë Islamofobia politikë zyrtare

Një çerek shekulli pas 11 shtatorit, "Lufta kundër Terrorit" nuk ka marrë fund. Ajo thjesht ka evoluar. Ajo që nisi si përgjigje ndaj një sulmi u kthye në një arkitekturë të qëndrueshme dyshimi, e cila e shpalli kërcënim sigurie vetë identitetin musliman.

Islamofobia është kthyer në Kalin e Trojës të Izraelit për të bërë për vete perëndimorët

Netanyahu dhe ministrat e tij tashmë punojnë për ta kthyer frikën evropiane ndaj muslimanëve në kapital politik