Raporti Vjetor i Islamofobisë në Kosovë

Raporti Evropian i Islamofobisë për Kosovën, i sapo publikuar, zbulon një realitet paradoksal: në një shtet ku mbi 93% e popullsisë identifikohet si muslimane, Islamofobia mbetet jo vetëm e pranishme, por shpesh e institucionalizuar dhe e përbrendësuar. Nga pezullimi i vajzave me shami në shkolla dhe vandalizmi i objekteve të kultit, te gjuha dehumanizuese në media dhe heshtja politike ndaj gjenocidit në Gaza për hir të aleancave strategjike, raporti dokumenton dështimin sistematik të shtetit për të mbrojtur dhe garantuar liritë fetare si dhe për të parandaluar gjuhën e urrrejtjes kundër muslimanëve dhe format e ndryshme të shfaqjes së Islamofobisë.

Autorët

  • Shan Karemani është studiues i pavarur. Së fundmi ka përfunduar studimet master në Institutin Rus dhe të Evropës Lindore “Robert F. Byrnes” (REEI) në Universitetin e Indianës, SHBA. Teza e tij është një analizë kritike e ligjërimit të retorikës islamofobe nga elitat shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri. Email: [email protected] | X: @ksh4ni
  • Jeta Luboteni është studiuese e pavarur. Së fundmi ka përfunduar studimet master në Universitetin e Bostonit për studime fetare, dhe gjithashtu mban një titull MA nga Universiteti George Mason në studimet e Lindjes së Mesme dhe ato Islame. Email: [email protected]

Përmbledhje e shkurtër

Ashtu si në raportet e kaluara, Islamofobia vazhdon të jetë një dukuri e pranishme në shumë aspekte të shoqërisë në Kosovë—si brenda kufijve dhe institucioneve, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Brenda shtetit, gjatë vitit 2024 janë shënuar disa raste të Islamofobisë. Xhamia e Çarshisë (e ndërtuar në vitin 1389) është vandalizuar. Megjithatë, autoritetet përkatëse nuk kanë sqaruar ende autorët e këtij akti, as nëse ata janë ndëshkuar. Gjithashtu, Kosova vazhdon të mos mbledhë statistika të qarta për krimet e motivuara nga urrejtja fetare. Kjo e lë ende të paqartë shkallën e përhapjes së rasteve të Islamofobisë në vend.

Në fushën e arsimit, gjatë vitit 2024 janë shënuar të paktën dy raste të vajzave që u pezulluan nga shkolla për shkak të mbajtjes së mbulesës. Kjo ilustron mungesën e vullnetit të autoriteteve në Kosovë për të kodifikuar lirinë fetare. Në vend të kësaj, aktorë jo-shtetërorë, si Labinot Maliqi nga “Kosovo Peace Center”, janë detyruar të avokojnë për të drejtën e vajzave për t’u arsimuar. Islamofobia vazhdon të jetë e pranishme në media dhe internet. Në media, persona si Zanë Mali kanë marrë vëmendje për deklarata islamofobe, duke e paraqitur modestinë islame si të prapambetur dhe jo-shqiptare. Po ashtu, në diasporë, gazetari i njohur Enver Robelli ka përdorur retorikë të ngjashme, duke krijuar një koncept të pavërtetë bardh e zi midis të qenit shqiptar dhe musliman. Fakti që këto supozime vazhdojnë të kenë ndikim tregon nivelin e normalizimit të narrativave islamofobe në Kosovë.

Në politikë, veçanërisht në atë të jashtme, vazhdon të jetë e dukshme një shkëputje mes popullit dhe qeverisë. Kjo reflektohet në pandjeshmërinë e tyre ndaj vuajtjeve të popullit të Gazës, duke preferuar të mbajnë anën strategjike të një shteti që kryen në mënyrë aktive gjenocid, përderisa kjo u mundëson të distancohen nga Islami, me shpresën se kështu forcohet njohja e Kosovës. Së fundi, një nga zhvillimet më të rëndësishme të vitit 2024 ishte përfundimi i regjistrimit të popullsisë, i cili siguroi, ndër të tjera, të dhëna të reja mbi identifikimin fetar.1 Rezultatet treguan se identifikimi fetar i popullsisë së Kosovës mbetet kryesisht musliman (93.49%) – pavarësisht shkallës së praktikimit apo pranisë së Islamofobisë në shoqëri.

Profili i Vendit EIR 2024

Shteti: Republika e Kosovës

Lloji i Regjimit: Republikë kushtetuese parlamentare unitare

Forma e Qeverisjes: Qeveri Parlamentare

Partitë në Pushtet: Lëvizja Vetëvendosje (LVV, e majtë) e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti.

Partitë Opozitare: Partia Demokratike e Kosovës (PDK, qendra e djathtë), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK, qendra e djathtë), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK, qendra e djathtë) dhe partitë minoritare, veçanërisht Lista Srpska (Lista Serbe) (e djathta serbe).

Zgjedhjet e Fundit: Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2021 (LVV e majtë: 58 vende; PDK e qendrës së djathtë: 19 vende; LDK e qendrës së djathtë: 15 vende; AAK e qendrës së djathtë: 8 vende; vende të rezervuara për pakicat 20 vende – 10 nga këto vende shkuan për partinë e djathtë serbe Lista Srpska).

Popullsia Totale: 1.5 milionë (statistika preliminare 2024).

Gjuhët Kryesore: Shqip.

Feja Zyrtare: Nuk ka fe zyrtare (sekularizëm).

Statistika mbi Islamofobinë: Nuk ka të dhëna zyrtare shtetërore ose nga OJQ-të.

Respektimi i Ditës Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë: Asnjë.

Statistika mbi Racizmin dhe Diskriminimin: Nuk ka statistika aktuale të disponueshme.

Fetë Kryesore (% e Popullsisë): Muslimanë 93.49%, Ortodoksë Serbë 2.31%, Katolikë Romakë 1.75%.

Popullsia Muslimane (% e Popullsisë): 1.6 milionë (93.49%) në vitin 2011 (referencë historike).

Organizatat Kryesore të Komunitetit Musliman: Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) dhe Bashkësia e Tarikateve të Kosovës (BTK).

OJQ-të Kryesore që Luftojnë Islamofobinë: N/A (Nuk Aplikohet).

Partitë e Ekstremit të Djathtë: N/A.

Lëvizjet e Ekstremit të Djathtë: N/A.

Organizatat Terroriste të Ekstremit të Djathtë: N/A.

Kufizimet ndaj Praktikave Islame:

  • Ndalimi i Hixhabit: Jo me ligj, por ka kontestime të vazhdueshme lidhur me mbajtjen e hixhabit në shkolla dhe për punonjësit e institucioneve publike.
  • Ndalimi i Therjes Halall: Jo.
  • Ndalimi i Minareve: Jo.
  • Ndalimi i bërjes synet (rrethprerjes) Jo.
  • Ndalimi i Burkas: Jo zyrtarisht, por në praktikë në shkolla dhe institucione publike.

Hyrje

Populli i Kosovës, një vend në Evropën Juglindore me më pak ses dy milionë banorë, vazhdon të identifikohet në masë dërrmuese si musliman, sipas regjistrimit të popullsisë të këtij viti. Kjo është në kontrast me politikat e Islamofobisë brenda vendit dhe ndaj vendit e popullit të tij: ndonjëherë pavarësisht niveleve të praktikimit, dhe ndonjëherë e rënduar pikërisht për shkak të tij. 

Ky raport, ashtu si ata të viteve të tjera, gjen probleme  të vazhdueshme në Kosovë të Islamofobisë së institucionalizuar dhe asaj të përbrendësuar (internalizuar), si dhe mbivendosje midis të dyjave. Statistikat vazhdojnë të mos mblidhen nga autoritetet për rastet e Islamofobisë. Por kjo nuk duhet të na habisë, pasi po ato institucione qeveritare janë përgjegjëse për disa nga rastet më të theksuara të Islamofobisë. Kjo përfshin, këtë vit, pezullimet e vazhdueshme të vajzave nga shkolla për shkak të hixhabit, refuzimin e vazhdueshëm për ta adresuar lirinë e fesë në punësim dhe në vendin e punës (siç janë pushimet për lutje dhe mos diskriminimi për veshjet fetare), dhe forcimin e vazhdueshëm të lidhjeve me qeverinë e Izraelit, pavarësisht rolit të saj aktiv në gjenocidin në Gaza. Për më tepër, mungesa e mbledhjes së statistikave është në konstrast me supozimin se Islami dhe muslimanët shqiptarë—shumica dërrmuese e popullsisë së vendit—janë hegjemoni në Kosovë, dhe, rrjedhimisht, nuk mund të pretendojnë se ka diskriminim. Kjo modelohet më tej nga organet evropiane, si në raportin e Komisionit Evropian, për të cilin vetë konsiderimi i Islamofobisë në Kosovë do të ishte absurd. Kjo, në dritën e politikës së jashtme të Kosovës për t’u distancuar nga çdo gjë që mund të perceptohet si “islamike”, nënvizon se karburanti për injorancën, mbështetjen dhe/ose përjetësimin e Islamofobisë nga Kosova ndaj qytetarëve të saj, qoftë me vetëdije apo jo, është një përpjekje “në mirëbesim” për solidifikimin e lakmuar të sovranitetit dhe përfshirjen në institucionet perëndimore. Duke reflektuar mbi arsyet pse Kosova ka kaq shumë nevojë për mbrojtjen perëndimore nga fqinji i saj Serbia, ironia e Islamofobisë në Kosovë bëhet gjithnjë e më therëse.2

Diskutim mbi incidentet islamofobe dhe ngjarjet diskursive

Sulmet fizike dhe verbale

Ashtu si në vitet e mëparshme, të dhënat e vitit 2024 nga Këshilli Prokurorial i Kosovës vazhdojnë të pasqyrojnë kufizime të ndjeshme në dokumentimin e krimeve të urrejtjes, veçanërisht atyre të motivuara nga intoleranca fetare.3 Statistikat tregojnë një total prej 39 rasteve që përfshijnë 97 individë për nxitje të urrejtjes ose intolerancës mbi baza kombëtare ose fetare. Megjithatë, raportet nuk identifikojnë përkatësinë fetare as të viktimave dhe as të autorëve, dhe as nuk sqarojnë natyrën specifike të paragjykimit të çdo incidenti. Kjo mungesë e të dhënave të detajuara (të disagreguara) vazhdon të errësojë dukshmërinë e Islamofobisë në regjistrat zyrtarë. Kjo u vu re vitin e kaluar, dhe në raportin e Adem Ferizajt të vitit 2019.4 Interesant është fakti se ky model është në përputhje me raportin vjetor të Komisionit Evropian, i cili gjithashtu nuk diskuton statistikat e urrejtjes fetare, përveçse për të cituar një rast në të cilin një murg ortodoks serb u dëbua.5

Siç u theksua vitin e kaluar, kjo e vendos Kosovën në pikën e ofensivës kundër Evropës: e dyshimtë, e rrezikshme dhe më e prirur për të kërcënuar Evropën sesa për të vuajtur nga Islamofobia apo fqinjët e saj. Serbët brenda kufijve të saj inkuadrohen si pakica e shtypur, ndërsa çdo Islamofobi që ndodh bëhet e palexueshme dhe e padenjë për interes.

Figura 1: Një pamje nga ekrani e një oficeri policie duke hetuar vendin e ngjarjes në Xhaminë e Çarshisë, Prishtinë. Xhamia u vandalizua më 9 gusht. Burimi: Enes Neza, “Këto akte vandale islamofobe nuk duhen marrë assesi me lehtësi,” Facebook, 9 gusht 2024, aksesuar më 24 maj 2025, nga https://www.facebook.com/share/p/16gS5MGtVs/.

Më 9 gusht 2024, Xhamia e Çarshisë në Prishtinë u vandalizua në një incident që nxjerr në pah margjinalizimin e vazhdueshëm të hapësirave islame në Kosovë.6 (Fig. 1) Kurani i Shenjtë u hodh në tokë dhe pajisjet thelbësore, përfshirë kamerat e sigurisë, mikrofonat dhe sistemi audio i përdorur për thirrjen e ezanit, u vodhën. Sulmi jo vetëm që pengoi funksionimin e xhamisë, por gjithashtu shënjestroi simbolikisht dinjitetin e komunitetit musliman në ditën e Xhuma. Ndonëse Imami Shaqir Kqiku refuzoi të komentonte për shkak të hetimeve në vazhdim, heshtja e institucioneve deri më tani reflekton një dështim më të gjerë për të njohur dhe mbrojtur plotësisht trashëgiminë muslimane në një shoqëri që ende lundron në trashëgimitë e hierarkive koloniale.

Punësimi

Statistikat mbi diskriminimin islamofob në punësim, si në fushat e tjera, mbeten të vështira për t’u aksesuar, përtej dëshmive anektodike. Një shembull u raportua nga një telefonues nga qyteti i Gjilanit në emisionin televiziv të Imam Shefqet Krasniqit.7 Ai deklaroi se punëdhënësi e kërcënoi me pushim nga puna nëse ai merrte pjesë në namazin e Xhumasë, një lutje e detyrueshme për muslimanët. Imami e këshilloi atë të shkonte në namaz gjithsesi, edhe nëse do t’i ulej rroga ose do të pushohej nga puna. Ai e këshilloi t’i thoshte vetes: “Duhet të më respektohen të drejtat e mia, dhe një nga të drejtat kryesore është të më lejohet të adhuroj Zotin tim—dhe pjesë e kësaj është falja e namazit të Xhumasë. Kështu që pastrohu dhe shko.” Ky rast është i rëndësishëm sepse në mënyrë implicite, nuk bëhet asnjë referencë për ndonjë rrugë ankese/dëmshpërblimi tek autoritetet shtetërore për mungesën e lirisë fetare për të ndjekur shërbimet javore. Në vend të kësaj, burri tregon se shpresa e tij qëndron vetëm te Zoti.

Arsimi dhe puna kërkimore

Islamofobia vazhdon të lulëzojë në sferën akademike të Kosovës. Në një intervistë për Kosova Info, profesori Muhamet Kelmendi i Kolegjit AAB bëri një sërë vërejtjesh islamofobe, duke akuzuar Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) ka bërë të mundur “sulmet ndaj kulturës dhe historisë shqiptare”.8 Ai pretendoi se BIK është nën ndikimin e Iranit dhe Arabisë Saudite—një pohim absurd duke pasur parasysh se Irani është kryesisht shiit ndërsa popullsia muslimane e Kosovës është dërrmuese sunite. Kelmendi vazhdoi duke pretenduar se Kosova, “një vend me as një milion banorë”, ka më shumë ndërtesa islame se Stambolli, një qytet me më shumë se 16 milionë banorë. Ai e karakterizoi ndërtimin e xhamive si pjesë të “planit” të BIK-ut, duke sugjeruar se Kosova “duket si një vend musliman nga ajri”, sikur kjo të ishte në thelb problematike. Përveç pasaktësive të dukshme faktike, ky inkuadrim nënkupton se dukshmëria e identitetit musliman është një kërcënim për identitetin kombëtar shqiptar. Siç theksohet në raportet e mëparshme, implikimi se identitetet shqiptare dhe islame janë reciprokisht ekskluzive reflekton një logjikë më të thellë islamofobe që e trajton qenien musliman si të papajtueshme me sekularizmin dhe modernitetin shqiptar. Sugjerimi i Kelmendit që BIK të riemërtohet “Bashkësia Islame Shqiptare e Kosovës” nuk është një gjest përfshirjeje, por një kërkesë për nënshtrimin e fesë ndaj kombit.9

Politika

Më 18 qershor 2024, Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, priti Ministrin e Brendshëm të Izraelit, Moshe Arbel, në Prishtinë për të nënshkruar një marrëveshje dypalëshe për heqjen e vizave.10 (Fig. 2) 

Figura 2: Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla duke nënshkruar një marrëveshje me Ministrin e Brendshëm izraelit Moshe Arbel në Prishtinë. Burimi: “Qytetarët e Republikës së Kosovës nga 19 shtatori i këtij viti mund të udhëtojnë pa viza edhe në Izrael,” Facebook, 18 qershor 2024, aksesuar më 11 korrik 2025, nga https://www.facebook.com/share/p/1BbAXtgwCX/

Ngjarja u prezantua si një hap drejt bashkëpunimit më të ngushtë në arsim, turizëm dhe zhvillim ekonomik. Megjithatë, ajo u zhvillua në mes të gjenocidit të vazhdueshëm të Izraelit në Gaza, ku familje të tëra janë vrarë dhe spitalet, shkollat dhe kampet e refugjatëve janë shënjestruar sistematikisht. Shkalla dhe qëllimi i këtij shkatërrimi janë bërë të njohura gjerësisht nga ekspertët ligjorë ndërkombëtarë dhe organizatat e të drejtave të njeriut si dhunë gjenocidale.

Vendimi i Kosovës për të thelluar lidhjet me Izraelin në këtë kontekst shkon përtej diplomacisë neutrale. Ai reflekton një rreshtim politik që shpërfill vrasjen masive të palestinezëve dhe sinjalizon një gatishmëri më të gjerë për të mbyllur sytë ndaj gjenocidit nëse emërtimi i tij do të dëmtonte me sa duket marrëdhëniet me superfuqitë dashamirëse perëndimore. Kjo është, natyrisht, në kontrast të thellë me solidaritetin e zëshëm të Kosovës me Ukrainën, ku rezistenca ndaj pushtimit festohet dhe vuajtjet e civilëve dënohen fuqishëm—një fenomen i diskutuar në detaje nga Vjosa Musliu dhe Piro Rexhepi në artikullin e tyre të vitit 2024 “Heshtja e Solidaritetit” (Silencing Solidarity).11 Standardi i dyfishtë sugjeron se viktimat muslimane të dhunës shtetërore janë më pak të dukshme, më pak të denja për t’u vajtuar dhe në fund të fundit më pak të rëndësishme politikisht—një model i rrënjosur në Islamofobinë strukturore, të cilin Kosova po e instrumentalizon për të fituar pranim në normat dhe institucionet “euro-atlantike”. Në fakt, në artikullin e tij të vitit 2024, teksa analizonte qëndrimin e qeverisë së Kosovës ndaj Palestinës, Denijal Jegic argumenton se “vetë situata e Kosovës si një hapësirë me shumicë muslimane në periferi të Evropës” është e pandashme nga motivimet e saj për të përqafuar politikat pro-izraelite, duke ilustruar kështu rolin kyç të Islamofobisë së përbrendësuar në zgjedhjen politike për të injoruar Palestinën.12

Sidoqoftë, veprimet e qeverisë së Kosovës dhe heshtja e saj ndaj gjenocidit të vazhdueshëm të Izraelit në Gaza po has ende rezistencë nga qytetarët e saj. Një vit pasi një flamur masiv palestinez u shfaq në qendër të Prishtinës, një aktivist i panjohur shkroi me spërkatës fjalët “Free Palestine” (Liri Palestinës) në statujën e spikatur të Bill Clinton-it, një nga monumentet më ikonike të kryeqytetit dhe një atraksion i shpeshtë turistik.13 (Fig. 3) Mbishkrimi u hoq ditën tjetër.

Së fundi, kur bëhet fjalë për njohjen e Islamofobisë në Kosovë qoftë në nivel kombëtar apo ndërkombëtar, asnjë institucion qeveritar, parti politike apo grup i shoqërisë civile në Kosovë nuk e përkujtoi Ditën Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë më 15 mars; nuk kishte deklarata publike, komunikata për shtyp apo mbulim mediatik për të shënuar ditën.

Figura 3: Statuja e mirënjohur e Bill Clinton-it në Prishtinë me fjalët “Free Palestine” të shkruara me spërkatës mbi të. Burimi: Kosova Report, “‘Free Palestine’ – E turpshme, dikush vandalizon shtatoren e Bill Clintonit në Prishtinë!,” Facebook, 11 korrik 2024, aksesuar më 11 korrik 2025, nga https://www.facebook.com/share/p/17D9so7jgi/

Media

Në shtator 2024, Zanë Mali, një personalitet mediatik nacionalist shqiptar me mbi 14,000 ndjekës në Facebook, u ftua në një nga programet televizive më të njohura të Kosovës, Kosova Today. (Fig. 4) Gjatë një diskutimi mbi mbulimin e grave, Mali bëri vërejtje haptazi raciste dhe islamofobe për gratë e mbuluara, duke deklaruar: “Duken si thes i bërllogut, si majmunë.”14 Kjo gjuhë dehumanizuese përbën gjuhë të urrejtjes për shkak të armiqësisë së saj ndaj grave muslimane bazuar në pamjen dhe besimet e tyre.

Mali më pas u lëshua në një tiradë eurocentrike dhe islamofobe, duke pretenduar se për shekuj, shqiptarët “kurrë nuk dukeshin ashtu” sepse “ne kishim kulturë evropiane”. Kjo narrativë injoron me lehtësi shekujt e historisë shqiptaro-osmane, gjatë të cilëve mbulimi ishte një praktikë e zakonshme—në fakt, mbulimi mbeti i përhapur deri në mesin e shekullit të 20-të derisa shteti serbo-jugosllav zbatoi politika të dhunshme sekularizimi që ndalonin mbulimin dhe u bënin presion grave muslimane të zbuloheshin. Retorika e Malit, pra, përputhet me këtë trashëgimi të politikave shtypëse asimiluese, pavarësisht posturës së saj nacionaliste.

Figura 4: Zanë Mali, një personalitet mediatik nacionalist shqiptar, në emisionin Kosova Today ku bëri një sërë vërejtjesh islamofobe. Burimi: Klan Kosova, “Duken si thes i bërllogut, si majmuna,” Facebook, 16 shtator 2024, aksesuar më 24 maj 2025, nga https://www.facebook.com/watch/?v=1818195585630604.

Ajo vazhdoi retorikën e saj diskriminuese duke thënë: “Sot, nuk mund të kthehemi prapa duke u dukur si arabë”, duke promovuar një ide eurocentrike të “normales” që zhvlerëson modestinë islame. Avni Çakmaku, një i ftuar musliman për të folur mbi temën, e ekspozoi hipokrizinë e saj duke pyetur: “Po Nënë Tereza si të duket ty? Edhe ajo ishte e mbuluar!” Mali u përgjigj: “Epo, ajo ishte një motër e nderuar”, duke zbuluar logjikën koloniale se mbulimi i krishterë është disi i pranueshëm dhe i nderuar, ndërsa mbulimi musliman është i prapambetur.

Islamofobia mes shqiptarëve nuk kufizohet thjesht brenda kufijve të Kosovës. Ajo shtyhet përpara edhe nga anëtarë të diasporës, zakonisht nën maskën e mbrojtjes së identitetit kombëtar. Këta kufij kapërcehen lehtësisht përmes mediave online. Një shembull i qartë është një artikull i qershorit 2024 nga gazetari kosovaro-shqiptar me bazë në Zvicër, Enver Robelli, i titulluar “Tronditja kundër islamistëve nuk mjafton” (Slamming Islamists Is Not Enough)15, në të cilin ai paralajmëron për atë që e përshkruan si ndikimin në rritje të “Islamit politik” brenda komuniteteve shqiptare në Zvicër, Kosovë dhe gjetkë.

Në vend që ta njohë Islamin si pjesë të trashëgimisë shqiptare, Robelli ndërton një dikotomi të rreme: identiteti shqiptar është në mënyrë implicite laik dhe evropian, ndërsa Islami paraqitet si i huaj, radikal dhe i prapambetur. Në artikullin e tij, ai citon anekdota që përfshijnë imamë, futbollistë dhe xhami për të sugjeruar një model ndikimi të rrezikshëm, shpesh duke përdorur taktika të fajësim për shkak të asociimit (guilt-by-association). Për shembull, ai përmend se një adoleshent me origjinë tuniziane që kreu një therje në Zyrih dikur kishte ndjekur një kurs në një xhami shqiptare, ose se dy lojtarë të Grasshoppers Zürich me origjinë shqiptare pozuan për një foto me një predikues të lindur në Liban të cilin ai e përshkruan si imam radikal, duke ngritur gishtat tregues në atë që ai e interpreton si një gjest islamist. Ai gjithashtu duket se nënkupton se prania e predikuesve arabë ose përdorimi i fjalëve arabe si “inshallah” ose “elhamdulilah” mes shqiptarëve sinjalizon radikalizëm.

Në një seksion tjetër, Robelli ankohet për numrin në rritje të xhamive që po ndërtohen nga shqiptarët në Zvicër, duke kritikuar prindërit që zgjedhin mësimin islam për fëmijët e tyre në vend të klasave të gjuhës shqipe. Ai barazon financimin e institucioneve fetare me dështimin arsimor. Implikimi këtu është se ndërtimi i xhamive ka shkaktuar drejtpërdrejt nënpërfaqësimin e shqiptarëve në shkollat e mesme zvicerane dhe universitetet elitare. Ky inkuadrim portretizon praktikën fetare jo vetëm si një shpërqendrim, por si një dëm për përparimin dhe respektueshmërinë e shqiptarëve në sytë e Perëndimit.

Megjithatë, argumenti i Robellit zbulon një kontradiktë të brendshme. Ndërsa ai kritikon kthesën drejt edukimit fetar, ai njëkohësisht argumenton se shumë imamë shqiptarë “nuk flasin asnjë fjalë gjermanisht dhe nuk e njohin kulturën e vendit pritës”. Por nëse këto ligjërata po mbahen në shqip, atëherë ato padyshim shërbejnë për një qëllim të dyfishtë: udhëzim fetar dhe ruajtje gjuhësore. Në fakt, për shumë të rinj, frekuentimi i xhamisë mund të jetë një nga hapësirat e pakta të mbetura ku gjuha shqipe flitet dhe ruhet rregullisht—diçka që Robelli përndryshe pretendon se e vlerëson.

Figura 5: Kaltrina Zeneli Ibishi, prezantuesja e parë televizive me mbulesë në televizionin shqiptar. Burimi: TvBesa, “Prezentuesja e Tëvë1, Kaltrina Zeneli Ibishi është spikerja e parë me mbulesë në një televizion shqiptar,” Instagram, 12 dhjetor 2024, aksesuar më 11 korrik 2025, nga https://www.instagram.com/p/DDfgoHWqslZ/?igsh=cDJ5OHprbm9wejhh.

Mes rritjes së retorikës islamofobe në media, ka pasur edhe shenja përparimi drejt një përfshirjeje më të madhe. Në vitin 2024, Kaltrina Zeneli Ibishi u bë spikerja e parë e mbuluar e lajmeve në një kanal televiziv të madh në gjuhën shqipe, përkatësisht Tëvë1.16 (Fig. 5) Paraqitjet e saj të rregullta si një prezantuese profesionale dhe e artikuluar janë vlerësuar gjerësisht dhe përfaqësojnë një hap domethënës drejt normalizimit të dukshmërisë muslimane në jetën publike. Në vend që të ndizte reagime negative, prania e saj ka inkurajuar biseda rreth diversitetit, përfaqësimit dhe lirisë fetare në media. Duke mbështetur Ibishin dhe duke afirmuar vlerat e respektit dhe barazisë, Tëvë1 ka vendosur një shembull të rëndësishëm se si institucionet mediatike mund të promovojnë përfshirjen dhe të sfidojnë normat diskriminuese.

Sistemi i drejtësisë

Më 23 shtator 2024, aktivistë të shoqërisë civile u mblodhën para Ministrisë së Arsimit të Kosovës për të protestuar kundër pezullimit të një studenteje 18-vjeçare nga Gjimnazi “Bedri Pejani” në Pejë.17 Studentja u largua nga shkolla më 2 shtator, ditën e parë të vitit akademik, për shkak se kishte zgjedhur të mbante shami. Drejtori i shkollës, Musa Nikçi, pretendoi se ajo nuk ishte përjashtuar, por pezulluar nga ndjekja e mësimeve derisa të hiqte mbulesën e kokës, duke cituar rregulloret e brendshme të shkollës. Largimi raportohet se u krye pa ndonjë vendim zyrtar disiplinor.

Rasti ndezi debat publik rreth lirisë fetare dhe ligjshmërisë së përjashtimeve të tilla. Duke folur në protestë, drejtori i Kosovo Peace Center, Labinot Maliqi, denoncoi natyrën diskriminuese të veprimeve të shkollës, duke theksuar se studentja nuk paraqiste rrezik për askën dhe thjesht kërkonte qasje në arsim. Ai paralajmëroi se asnjë student nuk duhet të detyrohet të zhvendoset vetëm për të praktikuar besimin dhe të drejtën e tij për të mësuar.

Ky incident nuk është i izoluar, dhe raportet e mëparshme nxjerrin në pah disa raste të tilla. Ato reflektojnë një model më të gjerë në të cilin gratë muslimane (me hixhab) mbikëqyren nën maskën e sekularizmit, duke zbuluar bashkëfajësinë e shtetit në Islamofobinë institucionale. Fakti që arsimimi i studentes u kushtëzua me fshirjen e një pjese thelbësore të identitetit të saj tregon se si shprehja muslimane mbetet e negociueshme dhe margjinale në sferën publike të Kosovës.

Më 27 shtator, Maliqi njoftoi se situata ishte zgjidhur dhe studentja do të kthehej në shkollë të hënën pasardhëse, së bashku me studentet e tjera me hixhab të pezulluara më parë.18 Maliqi vlerësoi Ministrinë e Arsimit për ndërhyrjen që i mundësoi vajzës të kthehej në shkollë dhe e quajti lëvizjen një hap drejt rivendosjes së të drejtave themelore, duke theksuar se reformat më të gjera ligjore janë ende të nevojshme.

Një rast i ngjashëm ndodhi rreth të njëjtës kohë në shkollën “Zenel Hajdini” në Lipjan, ku një vajzë 12-vjeçare u pezullua për tri javë për shkak të mbajtjes së hixhabit.19 Sipas raporteve, zëvendësdrejtori i shkollës u ballafaqua me studenten, duke vënë në dyshim zgjedhjen e saj për të mbajtur shaminë dhe duke insistuar që ajo ta hiqte atë. Në një intervistë, babai i vajzës shpjegoi se atij ishte thënë se vajza e tij duhej të zgjidhte midis ndjekjes së shkollës dhe mbajtjes së hixhabit—një dilemë e rreme dhe thellësisht shqetësuese për çdo prind apo fëmijë. Ndërsa drejtori i shkollës mohoi ta kishte përjashtuar atë, ai deklaroi se hixhabet nuk lejohen sipas politikës së brendshme. Pavarësisht presionit dhe ndëshkimeve, studentja qëndroi e palëkundur në vendimin e saj, duke u kthyer përfundimisht në shkollë tri javë më vonë pa hequr shaminë. Pati disa komente raciste në një postim në Facebook rreth kësaj ngjarjeje, duke zbuluar se si ndjenja anti-muslimane shpesh tolerohet shoqërisht ose injorohet. (Fig. 6) Ky rast, si ai në Pejë, ilustron se si vajzat e reja i nënshtrohen trajtimit diskriminues që minon si të drejtën e tyre për arsimim, ashtu edhe të drejtën e tyre për shprehje fetare.

Figura 6: Pamje nga ekrani e seksionit të komenteve që shfaq vërejtje islamofobe, përfshirë atë të Keny Bissachi: “Kthehuni në Arabi, aty ku e ka vendin kjo kulturë,” dhe deklaratën ofenduese të Agim Rexhës: “Pshurri në shaminë tënde, dhe në babain tënd.” Burimi: T7 Videos, “Gadime, për shkak të shamisë s’iu lejua mësimi tri javë,” Facebook, 13 maj 2024, aksesuar më 11 korrik 2025, nga https://www.facebook.com/share/v/17BHGZjpwC/

Interneti

Në një video virale në mediat sociale, qarkulloi një klip i shkurtër që tregonte një moment nga një program televiziv i paidentifikuar.20 Në klip, prezantuesja, një grua laike shqiptare, mirëpret një të ftuar, një grua muslimane shqiptare me hixhab. Gruaja muslimane e përshëndeti atë duke thënë, në shqip, “Përshëndetje, selam alejkum”. Prezantuesja u përgjigj: “Faleminderit, a mundesh, të lutem, ta përkthesh përshëndetjen tënde në gjuhën shqipe?” E ftuara, dukshëm e zënë në befasi nga kërkesa e çuditshme, qeshi me siklet dhe përktheu “selam alejkum”, d.m.th., “Paqja qoftë mbi ju”, pavarësisht faktit se kjo përshëndetje kuptohet gjerësisht dhe përdoret rëndom mes shqiptarëve.

Klipi u përhap me shpejtësi në mediat sociale, ku prezantuesja u përgëzua nga shumë përdorues për të ashtuquajturin patriotizëm të saj, me komente që e duartrokisnin atë si një “shqiptare të mirëfilltë” për kërkesën e pastërtisë gjuhësore. Megjithatë, këto përgjigje injoruan një detaj thelbësor: gruaja muslimane tashmë e kishte përshëndetur prezantuesen me “përshëndetje” para se të thoshte “selam alejkum”.

Reagimi i prezantueses mund të përshkruhet si një shembull i qartë i fshirjes së shprehjeve islame nga identiteti shqiptar. Shqipja, ashtu si turqishtja, boshnjakishtja, urduja, arabishtja, persishtja dhe gjuhë të tjera të formuara nga qytetërimi islam, është një gjuhë islamikate (islamicate), domethënë një gjuhë e ndikuar thellësisht nga kultura islame. Të pretendosh se “selam alejkum” nuk është shqip do të thotë të mohosh realitetin historik dhe kulturor të muslimanëve shqiptarë, dhe ilustron sërish tensionet në shoqëri me të cilat shumë shqiptarë detyrohen të përballen për praktikimin e besimit të tyre.

Figurat qendrore në rrjetin e Islamofobisë

Siç është theksuar në raportet e mëparshme të (Adem) Ferizajt për Kosovën, dinamikat e veçanta sociale dhe politike të vendit e bëjnë të vështirë identifikimin e një rrjeti të vetëm, të unifikuar të Islamofobisë. Megjithatë, ka disa individë të shquar, retorika e të cilëve reflekton vazhdimisht ndjenja anti-muslimane.

Në akademi, Blerim Latifi mbetet një figurë qendrore. Për shembull, në një postim në Facebook, ai mbrojti Lëvizjen e Deçanit—një fushatë që inkurajon shqiptarët të braktisin Islamin vullnetarisht në favor të katolicizmit si një rrugë e supozuar drejt identitetit evropian—dhe fajësoi komunitetin musliman për bërjen e Islamit “të neveritshëm”, duke e përshkruar praninë e fesë në Kosovë si “brutale” dhe “afgane”.21 Retorika e tij mbështetet sërish në klishetë eurocentrike që e paraqesin Islamin si të huaj dhe të papajtueshëm me identitetin shqiptar. Në fakt, Lëvizja e Deçanit e lartpërmendur mbetet aktive, me figura si Pajazit Jashari dhe Arbër Gashi që vazhdojnë të përhapin diskurs islamofob në mediat sociale, ku mesazhet e tyre të koordinuara kontribuojnë në një klimë më të gjerë armiqësie ndaj identitetit të dukshëm musliman.22 Së fundi, figura mediatike brenda Kosovës si Zanë Mali janë në gjendje të përdorin gjuhë raciste dhe dehumanizuese për të sulmuar gratë muslimane të mbuluara pa u ndëshkuar.

Ndërkohë, jashtë Kosovës, gazetarë të diasporës si Enver Robelli përdorin platformën e tyre për të paralajmëruar kundër “Islamit politik” në komunitetet shqiptare. Të dy shembujt ilustrojnë supozimin se praktikimi i Islamit është në kundërshtim me të qenit shqiptar dhe, rrjedhimisht, të qenit evropian dhe i civilizuar.

Së bashku, këta aktorë në akademi, media, aktivizëm dhe diasporë tregojnë se ndonëse mund të mos ekzistojë një rrjet formal i Islamofobisë, narrativat anti-muslimane vazhdojnë të formësojnë ligjërimin publik në Kosovë dhe më gjerë.

Vlerësimi dhe nismat e shoqërisë civile dhe politikës

Ndërhyrja e Labinot Maliqit nga Kosovo Peace Center në rastin e shamisë në Pejë nxori në pah jo vetëm nevojën imediate për avokim, por edhe boshllëqet strukturore që lejojnë praktika të tilla diskriminuese të vazhdojnë. Ndërsa Ministria e Arsimit në fund u përgjigj, fakti që studentet u pezulluan pa procedura formale disiplinore nënvizon se sa të cenueshme mbeten vajzat muslimane brenda sistemit aktual. Formalizimi i punës së Maliqit në mbrojtje të kodifikuara ligjërisht—veçanërisht në nivel shkollor—është thelbësor për të parandaluar shkeljet e ardhshme dhe për të siguruar që shprehja fetare të mos trajtohet si një vepër e dënueshme. Pa masa të tilla mbrojtëse, vajzat e reja detyrohen të lundrojnë në një sistem arsimor që e sheh identitetin e tyre si një problem për t’u korrigjuar, duke u vënë atyre një barrë të padrejtë dhe rraskapitëse në një fazë formuese të jetës, dhe duke i bërë të ndiejnë se duhet të zgjedhin midis fesë së tyre dhe arsimimit të tyre.

Përfundime dhe rekomandime

Kosova ende nuk ka ndërmarrë hapa domethënës drejt përballjes me Islamofobinë përmes ligjit ose politikave publike. Ndërsa përpjekjet e shoqërisë civile kanë ndihmuar në nxjerrjen në pah të këtij problemi, heshtja institucionale mbetet normë, veçanërisht në lidhje me të drejtat themelore si aftësia e vajzave muslimane për të mbajtur veshje fetare në shkollat publike. Liderët politikë vazhdojnë të shmangin trajtimin e mënyrave më të thella se si qëndrimet anti-muslimane formësojnë jetën publike, duke prezantuar shpesh sekularizmin në një mënyrë që margjinalizon shprehjen fetare në vend që ta mbrojë atë. Udhëheqja e Kosovës rrezikon gjithashtu të dëmtojë besueshmërinë e saj morale në skenën ndërkombëtare duke u rreshtuar me regjime, politikat e të cilave u bëjnë jehonë llojeve të dhunës që Kosova dikur përjetoi. Për të ecur përpara, është e rëndësishme që institucionet shtetërore ta trajtojnë Islamofobinë jo si një shqetësim periferik, por si një problem strukturor që kërkon vëmendje serioze në arsim, ligj, media dhe politikë të jashtme.

Kronologjia e incidenteve të rëndësishme islamofobe

  • 15 Mars: Një telefonues në emisionin televiziv të Imam Shefqet Krasniqit nga Gjilani raportoi se ishte kërcënuar me pushim nga puna nga punëdhënësi i tij nëse shkonte për të falur namazin e së premtes. Imami e këshilloi të vazhdonte të falej pavarësisht kësaj, duke nënvizuar mungesën e mbrojtjes institucionale për të drejtat fetare të punëtorëve muslimanë.
  • 6 Prill: Gazetari me bazë në Zvicër, Enver Robelli, publikoi një artikull duke paralajmëruar kundër “Islamit politik” mes shqiptarëve në Zvicër, Kosovë dhe diasporë. Ai përdori shembuj anektodikë dhe retorikë të fajësimit për shkak të asocimit për të portretizuar Islamin si një kërcënim për identitetin dhe përparimin shqiptar.
  • 18 Qershor: Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, priti Ministrin e Brendshëm të Izraelit, Moshe Arbel, në Prishtinë për të nënshkruar një marrëveshje dypalëshe për heqjen e vizave. Ky veprim ndezi kritika për rreshtimin me Izraelin mes gjenocidit të tij të vazhdueshëm në Gaza, duke reflektuar një shpërfillje politike për vuajtjet muslimane në favor të aleancave perëndimore.
  • 11 Korrik: Një aktivist i panjohur shkroi me spërkatës “Free Palestine” në statujën e spikatur të Bill Clinton-it në Prishtinë, një nga monumentet më ikonike të qytetit. Mbishkrimi u hoq ditën tjetër. Akti erdhi mes heshtjes së vazhdueshme nga qeveria e Kosovës për gjenocidin e Izraelit në Gaza dhe u pa si një formë e rezistencës qytetare.
  • 9 Gusht: Xhamia e Çarshisë në Prishtinë u vandalizua. Kurani i Shenjtë u përdhos dhe pajisjet e lutjes u vodhën. Incidenti ndodhi në një ditë të premte dhe ndërpreu shërbimet fetare, megjithatë mori pak përgjigje institucionale, duke theksuar margjinalizimin e hapësirave të shenjta muslimane.
  • 2 Shtator: Në ditën e parë të vitit shkollor, një studente 18-vjeçare në Gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë u pezullua për mbajtjen e shamisë. Largimi u krye pa një vendim formal disiplinor, duke nxitur zemërim publik dhe protestë.
  • 16 Shtator: Zanë Mali, një figurë mediatike nacionaliste, u shfaq në Kosova Today dhe i përshkroi gratë muslimane të mbuluara si “qese bërlloku” dhe “majmunë”. Vërejtjet e saj glorifikuan eurocentrizmin dhe hodhën poshtë modestinë islame, duke reflektuar një trashëgimi të thellë të narrativave koloniale asimiluese.
  • 23 Shtator: Aktivistë të shoqërisë civile mbajtën një protestë para Ministrisë së Arsimit në përgjigje të pezullimit të studenteve me hixhab në Pejë. Protesta kritikoi përdorimin e sekularizmit për të justifikuar diskriminimin dhe bëri thirrje për reforma ligjore.
  • 27 Shtator: Aktivisti Labinot Maliqi njoftoi se studentja e pezulluar me hixhab dhe të tjerat në Pejë do të lejoheshin të ktheheshin në shkollë. Ndërhyrja e Ministrisë së Arsimit u vlerësua si një hap përpara, ndonëse reformat më të gjera ende konsideroheshin të nevojshme.
  • 6 Tetor: Në një klip viral nga një emision televiziv i paidentifikuar, një prezantuese laike shqiptare i kërkoi një të ftuare me mbulesë të “përkthente” përshëndetjen e saj “selam alejkum” në shqip. Prezantuesja u vlerësua gjerësisht online, pavarësisht se e ftuara kishte përdorur tashmë shqipen, duke zbuluar përpjekjet për të fshirë shprehjet islame nga identiteti shqiptar.
  • 5 Nëntor: Profesori Muhamet Kelmendi i Kolegjit AAB dha një intervistë islamofobe për Kosova Info, duke pretenduar se Kosova “duket si një vend musliman nga ajri” dhe duke akuzuar Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) se i shërben interesave të huaja. Komentet e tij reflektuan nocionin se dukshmëria islame është e papajtueshme me identitetin shqiptar.
  • 12 Dhjetor: Kaltrina Zeneli Ibishi u bë spikerja e parë e lajmeve dukshëm e mbuluar në kanalin kryesor në gjuhën shqipe Tëvë1. Prania e saj u vlerësua gjerësisht dhe shënoi një moment historik për përfaqësimin musliman në median mainstream të Kosovës.

Mohim përgjegjësie: Deklaratat e fakteve dhe opinioneve në raportet kombëtare të Raportit Evropian të Islamofobisë janë ato të autorëve përkatës. Ato nuk janë shprehje e redaktorëve apo e institucioneve financuese. Nuk bëhet asnjë deklarim, qoftë i shprehur apo i nënkuptuar, lidhur me saktësinë e materialit në raportet kombëtare. Redaktorët e Raportit Evropian të Islamofobisë nuk mund të pranojnë asnjë përgjegjësi ligjore për ndonjë gabim apo lëshim që mund të jetë bërë. Lexuesi duhet të bëjë vlerësimin e tij/saj mbi saktësinë dhe përshtatshmërinë e materialit.

Për ta cituar këtë raport: Shan Karemani, Jeta Luboteni: Islamophobia in Kosovo: National Report 2024, në: Enes Bayraklı & Farid Hafez, European Islamophobia Report 2024, Vienna: Leopold Weiss Institute, 2025


Referencat:

  1. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë 2024: Të dhënat e para finale, Dhjetor 2024, aksesuar më 17 shtator 2025, nga https://askapi.rks-gov.net/Custom/31bc24d2-45e4-4eb5-a567-405f4bdd197f.pdf ↩︎
  2. Për rolin e Islamofobisë në angazhimet e vazhdueshme serbe për “Serbinë e Madhe”, shihni raportin e vitit 2023 të Aida Salihović-Gušić për Serbinë. Islamophobia in Serbia: National Report 2023, në: Enes Bayraklı & Farid Hafez, European Islamophobia Report 2023, Vjenë: Leopold Weiss Institute, 2024, fq. 608; dhe Shan Karemani e Jeta Luboteni: Islamophobia in Kosovo: National Report 2023, në: Enes Bayraklı & Farid Hafez, European Islamophobia Report 2023, Vjenë: Leopold Weiss Institute, 2024, fq. 445, 451-452. ↩︎
  3. Statistikat e siguruara drejtpërdrejt përmes email-it nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. ↩︎
  4. Adem Ferizaj: Islamophobia in Kosovo: National Report 2019, në: Enes Bayraklı & Farid Hafez, European Islamophobia Report 2019, Stamboll, SETA, 2020, fq. 463. ↩︎
  5. Komisioni Evropian. 2024. “Dokument Pune i Stafit të Komisionit: Raporti për Kosovën* 2024. ”https://enlargement.ec.europa.eu/document/download/c790738e-4cf6-4a43-a8a9-43c1b6f01e10_en, fq. 33 ↩︎
  6. Enes Neza, “Këto akte vandale islamofobe nuk duhen marrë assesi me lehtësi,” Facebook, 9 gusht 2024, aksesuar më 24 maj 2025, nga https://www.facebook.com/share/p/16gS5MGtVs/. ↩︎
  7. Krasniqi, Shefqet, “Nëse e fali xhumanë shefi më nxjerrë prej pune.” Facebook, 15 mars 2024, aksesuar më 12 korrik 2025, nga https://www.facebook.com/watch/?v=1595101434639283. ↩︎
  8. Blic Albania, “Bashkësia Islame po lejon sulme mbi kulturën dhe historinë shqiptare,” Facebook, 5 nëntor 2024, aksesuar më 24 maj 2025, nga https://www.facebook.com/watch/?v=1242102346829978. ↩︎
  9. Ironia është therëse: një burrë që mban emrin e Profetit të Islamit (a.s.) avokon për fshirjen e vetë identitetit islam të ngulitur në emrin e tij. Retorika e tij shembullizon Islamofobinë e brendësuar dhe mimikrinë koloniale në zemër të elitizmit shqiptar. ↩︎
  10. Sylejman Kllokoqi dhe Llazar Semini, “Kosova dhe Izraeli bien dakord të lejojnë hyrjen pa viza për qytetarët e njëri-tjetrit,” AP News, 18 qershor 2024, aksesuar më 24 maj 2025, nga https://apnews.com/article/kosovo-israel-visa-waiver-entry-2cbfbd603629d150693d6692ae243450. ↩︎
  11. Vjosa Musliu dhe Piro Rexhepi, “Heshtja e Solidaritetit,” Kosovo 2.0, 26 korrik 2024, https://kosovotwopointzero.com/en/silencing-solidarity/. ↩︎
  12. Denijal Jegić, “Rruga e Kosovës drejt Jerusalemit: Komunikimi Politik Orientalist dhe Diskursi i Botës së Lirë,” Media, War & Conflict, 4 gusht 2024, https://doi.org/10.1177/17506352241267254 ↩︎
  13.  Insajderi, “‘Free Palestine’ – Dikush vandalizon shtatoren e Bill Clintonit në Prishtinë,” Facebook, 11 korrik 2024, aksesuar më 11 korrik 2025, nga https://www.facebook.com/share/p/16ahXMLWk4. ↩︎
  14. Klan Kosova, “Duken si thes i bërllogut, si majmuna,” Facebook, 16 shtator 2024, aksesuar më 24 maj 2025, nga https://www.facebook.com/watch/?v=1818195585630604. ↩︎
  15. Enver Robelli, “Tronditja kundër islamistëve nuk mjafton,” Koha, 4 qershor 2024, aksesuar më 24 maj 2025, nga https://www.koha.net/veshtrime/tronditja-kunder-islamisteve-nuk-mjafton. ↩︎
  16. TvBesa, “Prezentuesja e Tëvë1, Kaltrina Zeneli Ibishi është spikerja e parë me mbulesë në një televizion shqiptar,” Instagram, 12 dhjetor 2024, aksesuar më 11 korrik 2025, nga https://www.instagram.com/p/DDfgoHWqslZ/?igsh=cDJ5OHprbm9wejhh. ↩︎
  17. Jehona Hulaj, “Nxënësja nga Peja pezullohet nga mësimi për shkak të bartjes së shamisë, flet drejtori i gjimnazit ‘Bedri Pejani’,” Telegrafi, 23 shtator 2024, aksesuar më 24 maj 2025, nga https://telegrafi.com/nxenesja-nga-peja-pezullohet-nga-mesimi-per-shkak-te-bartjes-se-shamise-flet-drejtori-gjimnazit-bedri-pejani/. ↩︎
  18. RTV Besa, “Rikthimi në shkollë i vajzës me shami, Maliqi: Shpresojmë që ky të jetë rasti i fundit,” Facebook, 27 shtator 2024, aksesuar më 24 maj 2025, nga https://www.facebook.com/story.php/?story_fbid=934864038671632&id=100064441341879&_rdr. ↩︎
  19.  T7 Videos, “Gadime, për shkak të shamisë s’iu lejua mësimi tri javë,” Facebook, 13 maj 2024, aksesuar më 13 korrik 2025, nga https://www.facebook.com/share/v/16xTpgVAk5/ ↩︎
  20. Shqiperia Ime Unike, “Respekte per moderatoren ashtu duhet gjuha shqipe gjuaha ma e ambel ne bote,” Facebook, 6 tetor 2024, aksesuar më 24 maj 2025, nga https://www.facebook.com/watch/?v=459900067074836 ↩︎
  21. Blerim Latifi, “Kosova eshte shtet demokratik dhe liberal,” Facebook, 5 gusht 2024, aksesuar më 9 korrik 2025, nga https://www.facebook.com/blerim.latifi.739/posts/pfbid0oy5Ljq29hEoKncmjJYwMYDgMPPq2c8Q3wmGpJ41m28Rm2TdbyUWRpaMHkVN8P6K8l?rdid=e2sxi9haJJaTPEjX ↩︎
  22. Për më shumë informacion, ju lutemi referojuni Shan Karemani dhe Jeta Luboteni: Islamophobia in Kosovo: National Report 2023, në: Enes Bayraklı & Farid Hafez (red.), European Islamophobia Report 2023, Vjenë: Leopold Weiss Institute, 2024. ↩︎

Të ngjashme
Related

Gratë muslimane nuk kanë nevojë që bota “t’i shpetojë”

Në diskursin politik bashkëkohor, asnjë grua nuk është “shpëtuar” aq pa reshtur sa gruaja muslimane. Ajo paraqitet si viktimë pasive që pret dikë ta çlirojë, ndërsa zgjedhjet e saj lexohen si simptoma shtypjeje. Siç argumenton Soumaya Ghannoushi, kjo grua nuk ekziston: është figurë imagjinare.

Si u shndërrua një dokument i rremë serb “Top Secret” në propagandë anti-muslimane në Kosovë

Idetë që përmban ai dokument tashmë qarkullonin mes figurave islamofobe shqiptare vite përpara. Kjo ngre një pyetje më të rëndësishme: çfarë qëllimi i shërben kjo narrativë?

25 vjet luftë kundër terrorit: si u bë Islamofobia politikë zyrtare

Një çerek shekulli pas 11 shtatorit, "Lufta kundër Terrorit" nuk ka marrë fund. Ajo thjesht ka evoluar. Ajo që nisi si përgjigje ndaj një sulmi u kthye në një arkitekturë të qëndrueshme dyshimi, e cila e shpalli kërcënim sigurie vetë identitetin musliman.

Islamofobia është kthyer në Kalin e Trojës të Izraelit për të bërë për vete perëndimorët

Netanyahu dhe ministrat e tij tashmë punojnë për ta kthyer frikën evropiane ndaj muslimanëve në kapital politik