Saturday, May 4, 2024

Ku çalon përkufizimi i ri i Mbretërisë së Bashkuar mbi “ekstremizmin”?

Dhe si do të sanksionohen grupet që mendohet se plotësojnë kriteret e reja?

Sekretari i Komuniteteve në Mbretërisë së Bashkuar, Michael Gove, ka shpalosur përkufizimin e ri të qeverisë mbi “ekstremizmin” para Dhomës së Komunave në mes tensioneve të brendshme në rritje që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza në tetor vitin e kaluar.

Politikani veteran i Partisë Konservatore tha se përkufizimi i ri synon të adresojë rritjen e Islamofobisë dhe antisemitizmit në Britani.

Cili është përkufizimi i ri i ‘ekstremizmit’?

Sipas qeverisë, përkufizim i ri është bërë më “i saktë”. Kështu që individët apo grupet që plotësojnë kriteret e përkufizimit të ri mund të identifikohen dhe më pas të futen në listën e zezë. Fokusi i përkufizimit të ri është ideologjik, ndryshe nga versioni i më hershëm i hartuar në vitin 2011, i cili e vinte më shumë theksin te aktet e dhunës.

Përkufizimi i ri thotë si vijon: “Ekstremizmi është promovimi ose avancimi i një ideologjie të bazuar në dhunë, urrejtje ose intolerancë, e cila synon të mohojë ose shkatërrojë të drejtat dhe liritë themelore të të tjerëve” apo synon “minimin, përmbysjen ose zëvendësimin e sistemit parlamentar liberal demokrat apo të drejtat demokratike në Mbretërinë e Bashkuar”.

Përkufizimi përfshin gjithashtu çdo gjë që “do të mundësonte qëllimisht krijimin e një mjedisi i cili do të lejonte të tjerët të arrinin” njërin nga qëllimet e mësipërme.

Strategjia është jostatutore, që do të thotë se grupet nuk do të ndiqen penalisht thjesht si rezultat i përmbushjes së parametrave të këtij përkufizimi të ri. Në vend të kësaj, ata që do të etiketohen si “ekstremistë” nga qeveria do të konsiderohen të papërshtatshëm për të përfituar çdo lloj financimi nga qeveria. Po ashtu, grupet që do të jenë në listën e zezë sipas përkufizimit të ri do të ndalohen të takohen me ministrat.

A mund të emërohen grupet apo individët që konsiderohen ‘ekstremistë’?

Po. Një listë e plotë e atyre që janë identifikuar si “ekstremistë” pritet të publikohet në javët në vijim. Gove tha për The Times se njerëzit dhe organizatat në listë do të identifikohen nga “akademikë, zyrtarë dhe ministra” të cilët “do të shqyrtojnë me kujdes sjelljen e një personi ose grupi për një periudhë më të gjatë përpara se t’i etiketojnë ata si ekstremistë”.

Megjithatë, në parlament Gove ka shkuar një hap përpara duke përmendur me emër organizata si; Lëvizjen Nacional Socialiste Britanike neo-naziste, Alternativën Patriotike të ekstremit të djathtë, Shoqatën Myslimane të Britanisë, grupin e avokimit Cage dhe Muslim Engagement and Development si organizata me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, të cilave do t’u kërkohet “llogari për të vlerësuar nëse ato përmbushin përkufizimin tonë të ekstremizmit. E më pas [ne] do të ndërmarrim veprimet e duhura sipas rastit”.

Për dy nga grupet e ekstremit të djathtë, Gove tha se “promovojnë ideologjinë neo-naziste” dhe se është “pikërisht lloji i grupeve për të cilat ne duhet të shqetësohemi”.

Lëvizja Nacional Socialiste Britanike u themelua në vitin 1985 – e lindur nga “Lëvizja Britanike” më e vjetër – dhe është e njohur për huliganët e futbollit dhe lëvizjet skinhead të “fuqisë së bardhë”. Alternativa Patriotike, e themeluar në vitin 2019, është lëvizja më e madhe “nacionaliste e bardhë” në Mbretërinë e Bashkuar me degë në të gjithë vendin.

Cili ka qenë reagimi ndaj përkufizimit të ri?

Kryepeshkopët e Canterbury-t dhe York-ut, Justin Welby dhe Stephen Cottrell, thanë në një deklaratë të përbashkët se përkufizimi i ri “rrezikon të shënjestrojë në mënyrë disproporcionale komunitetet muslimane, të cilat tashmë po përjetojnë rritje të urrejtjes dhe abuzimit”.

Konservatorja muslimane, baronesha Sayeeda Warsi, e cila i ka kërkuar prej kohësh partisë së saj që ta adresojë Islamofobinë midis anëtarëve të saj, tha në X: “Michael Gove nuk do të arrijë të na përçajë në përpjekjet e tij ideologjike të bazuara mbi një politike të refuzuar dhe kritikuar nga viktimat e terrorizmit, nga ish-sekretari i brendshëm dhe madje edhe nga kryepeshkopi i Canterbury-t.”

John Mann, këshilltar i pavarur i qeverisë për antisemitizmin, tha për BBC-në: “Unë mendoj se qeveria duhet të dëgjojë njerëzit që këshillojnë se politika e përçarjes nuk do të funksionojë”. Ai tha se duhet t’i jepet përparësi “bashkimit të komuniteteve”.

Cage, e cila bën fushatë në emër të komuniteteve që janë ndikuar negativisht nga “lufta perëndimore kundër terrorit”, postoi në X: “Ne i refuzojmë fuqitë kundër-ekstremizmit dhe kundër terrorizmit, të cilat lejojnë ndërhyrje arbitrare dhe autoritare kundër qytetarëve të ndryshëm. Ne do të eksplorojmë të gjitha rrugët, përfshirë ato ligjore, për t’i rezistuar zhytjes së thellë të qeverisë në autoritarizëm.”

Ndërkohë, Fushata e Solidaritetit Palestinez tha në një deklaratë: “Si koalicion i grupeve që kanë organizuar marshimet kombëtare për të bërë thirrje për një armëpushim në Gaza, ne dënojmë deklaratën e Michael Gove. Ripërkufizimi që ai i bën ekstremizmit, i paraqitur si mbrojtje e demokracisë, është në të vërtetë një sulm ndaj lirive thelbësore demokratike, i cili kërkon të heshtë zërat kritikë”.

A është kjo nismë një përpjekje për të heshtur aktivistët pro-palestinezë?

Disa thanë se po. Chris Doyle, drejtor i Këshillit për Mirëkuptim Arabo-Britanik me qendër në Londër, i tha Al Jazeera-s se iniciativa e Gove bazohet në një taktikë të qeverisë konservatore që synon “të luajë luftëra kulturore” dhe “t’i lidhë protestat [pro-palestineze] me ekstremizmin dhe antisemitizmin”.

Ai shtoi: “[gjithashtu synon] të tërheqë laburistët në këtë lojë dhe të sfidojë [udhëheqësin e saj] Keir Starmer nëse laburistët pajtohen me këto plane. Nëse Laburistët e bëjnë këtë, kjo do ta ndajë më tej partinë. Nëse jo, Gove do t’i akuzojë Laburistët se po sillen butë ndaj ekstremizmit. Në të njëjtën kohë, kjo është shpërqendrim i madh nga çështja reale, e që është masakra izraelite në Gaza.”

Në fakt, disa vëzhgues kanë sugjeruar se lëvizja e Gove është thjesht pika kulminante e përpjekjeve të konservatorëve në pushtet për ta barazuar aktivizmin pro-palestinez me “ekstremizmin”.

Për shembull, menjëherë pasi shteti izraelit filloi luftën kundër Gazës pas sulmeve të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, sekretarja e atëhershme e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar Suella Braverman filloi t’i etiketonte protestat kundër luftës së Izraelit në Gaza si “marshime urrejtjeje”. Një luftë e cila deri më tani ka vrarë më shumë se 31 mijë palestinezë.

Muajin e kaluar, deputeti konservator Paul Scully u përball me kritika pasi pretendoi se kishte “zona të ndaluara” për jomuslimanët në pjesë të Londrës dhe Birminghamit. Më vonë ai kërkoi falje për këto komente.

Një ditë pasi aktivisti i vendosur pro-palestinez George Galloway siguroi një vend në parlamentin anglez në Rochdale pas zgjedhjeve të pjesshme më 29 shkurt, Sunak mbajti një fjalim të improvizuar jashtë rezidencës së tij në Downing Street, ku pretendoi se marshimet pro-palestineze ishin vatër e “frikësimeve, kërcënimet dhe akteve të planifikuara të dhunës”.

Cila është historia e Gove me trajtimin e ‘ekstremizmit’?

Deputeti me origjinë skoceze filloi të përkrahte pikëpamjet e tij mbi “ekstremizmin” 18 vjet më parë kur botoi librin e tij që eksploronte rrënjët e “islamizmit” në Britani, Celsius 7/7, në vazhdën e sulmeve të koordinuara me bomba vetëvrasëse në sistemin e transportit në Londër më 7 korrik 2005.

Në një kritikë të librit të Gove për The Sunday Times në 2006, historiani i mirënjohur skocez William Dalrymple pohoi se Celsius 7/7 ishte “i mbushur me … gabime faktike dhe keqkuptime” dhe tha se puna e Gove ishte minuar fatalisht nga fakti se ai “nuk ka jetuar kurrë në Lindjen e Mesme … dhe as nuk ka vënë ndonjëherë këmbë në një vend musliman”.

Në vitin 2014, Gove – asokohe sekretar i arsimit – u akuzua për udhëheqjen e një “gjuetie shtrigash islamofobe” kundër shkollave në Birmingham, Angli.

Tetë vjet më vonë, një podcast i New York Times-it mbi këtë çështje pretendonte se Gove kishte injoruar paralajmërimet se pohimet për një “marrëveshje ekstremiste islamike” të shkollave në Birmingham, të njohura si çështja e Kalit të Trojës, ishin “të falsifikuara”.

Përshtati në shqip Observer.al. Burimi: Al Jazeera.

Të ngjashme
Related

Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?

Dita Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë: një thirrje globale për veprim

Vetëm përmes veprimit kolektiv dhe një angazhim global për të luftuar Islamofobinë, mund të garantojmë sigurinë dhe dinjitetin e muslimanëve kudo që ndodhen.
Verified by MonsterInsights