Gjatë një seance dëgjimore në Senatin e SHBA-ve për krimet e urrejtjes në Amerikë, senatorët republikanë e pyetën në mënyrë të përsëritur Maya Berry-n, drejtoreshës ekzekutive të Institutit Arabo-Amerikan, nëse ajo e mbështeste Hamasin dhe Hezbollahun, duke e akuzuar edhe për anti-semitizëm.
Paragjykimet e tyre anti-muslimane dhe anti-arabe ishin të dukshme dhe të rënda për t’u parë. Që nga nivelet më të larta të shumë qeverive perëndimore e deri te mediat dhe jeta e përditshme, Islamofobia dhe paragjykimet ndaj arabëve kanë arritur nivele që nuk janë parë që prej periudhës pas sulmeve të 11 shtatorit.
Rritja e sulmeve verbale dhe fizike lidhet drejtpërdrejt me dhunën që po ushtrohet ndaj muslimanëve në luftërat e pafundme kundër vendeve dhe popujve muslimanë anembanë botës.
Si rezultat i dhunës koloniale në Gaza dhe jehonës së saj në mbarë botën, Islamofobia është përhapur dhe ka qenë në rritje gjatë vitit të fundit. Ngjarjet e fundit janë ilustruar me vrasjet e dy të rinjve muslimanë amerikanë, duke treguar lidhjen mes dhunës izraelite në Palestinë dhe në vende të tjera.
Në tetor të vitit 2023, vetëm një javë pas sulmit të Hamasit dhe disa ditë pasi Izraeli filloi fushatën e tij hakmarrëse, një fëmijë palestinezo-amerikan gjashtëvjeçar, Wadee al Fayoumi, u vra në mënyrë barbare në Illinois.
Pothuajse një vit më vonë, një grua 26-vjeçare turko-amerikane, Ayşenur Eygi (Ajshenur Ejgi), u vra nga ushtria izraelite gjatë një proteste në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në mesin e këtyre dy tragjedive, gjenocidi në Gaza u shfaq në sytë e gjithë botës. Masakrat e përditshme në Gaza, e tashmë edhe në Liban, janë bërë aq të zakonshme sa që shumë njerëz janë mësuar me to, duke mos reaguar më ndaj këtyre brutaliteteve.
Kjo dhunë e vazhdueshme ndaj muslimanëve në vende si Libani dhe Palestina nxit Islamofobinë dhe e bën dhunën anti-muslimane të pranueshme në Perëndim dhe në mbarë botën. Shumë qeveri dhe politikanë perëndimorë e përkeqësojnë situatën duke përdorur një retorikë provokuese, siç u pa në seancat e fundit të Senatit.
Sulmet ndaj shkollave
Më 15 mars 2024, në Ditën Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë, Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut deklaroi: “Në të gjithë botën, kemi parë sulme ndaj xhamive, qendrave kulturore, shkollave dhe madje edhe ndaj pronave private të muslimanëve.”
Shkollat dhe universitetet, që shpesh konsiderohen si hapësira të përfshirjes dhe larmisë, gjithnjë e më shumë po kthehen në strehë të retorikës dhe dhunës anti-muslimane. Një raport i fundit nga Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR) për shkollat e Nju Jorkut zbuloi se pothuajse 60 përqind e nxënësve muslimanë kanë përjetuar ngacmime në shkollë nga nxënës të tjerë për shkak se ishin muslimanë.
Akoma më shqetësuese është fakti se 29 përqind e studentëve raportuan se mësuesit dhe administratorët e tyre kanë bërë komente fyese kundër Islamit dhe muslimanëve. Për këtë arsye, pothuajse gjysma e nxënësve muslimanë nuk kërkojnë ndihmë pasi besojnë se raportimi i këtyre incidenteve nuk do të kishte efekt.
Pas protestave të shumta në kampuset universitare në SHBA kundër gjenocidit në Gaza, shumë universitete kanë përdorur taktika të ngjashme me ato anti-terroriste dhe dhunë për të frenuar studentët. Disa universitete kanë ndaluar protestat në kampuse, ndërsa të tjera kanë përdorur pajisje të rënda ushtarake për të shpërndarë protestuesit. Liria e fjalës dhe liria akademike po sulmohen nën pretekstin e luftës kundër anti-semitizmit. Islamofobia e rrënjosur në institucionet arsimore mund të lërë një ndikim të gjatë mbi gjeneratat e muslimanëve që po rriten në SHBA.
Krijimi i kushtëve për urrejtje
Në Evropë, Gjermania është një shembull i qartë për retorikën dhe veprimet islamofobe nga ana e qeverisë. Si disa qeveri të tjera evropiane, Gjermania po e përdor luftën në Gaza për të adresuar problemin e imigracionit.
Në një veprim tipik islamofob, autoritetet gjermane i kanë quajtur muslimanët “kolonë e pestë”, duke i akuzuar se po përdorin ligjet dhe mikpritjen gjermane për të sjellë ndryshime të fshehta në vend. Muslimanët sot portretizohen në mënyrë të ngjashme me mënyrën se si hebrenjtë portretizoheshin në të kaluarën.
Farid Hafez, studiues i Islamofobisë në Universitetin Georgetown, ka thënë së fundmi: “Ajo që nuk mund t’u bëhet më hebrenjve (në Gjermani), mund t’u bëhet lehtësisht muslimanëve.”
Dhuna izraelite ndaj palestinezëve ka inkurajuar gjithashtu vendet jo-perëndimore dhe liderët e tyre. Ky fenomen është më i dukshëm në Indi. Kryeministri Narendra Modi njihet për qëndrimet dhe nxitjet e tij anti-muslimane, por gjenocidi në Gaza i ka forcuar më tej nacionalistët indianë që përkrahin Izraelin.
Ambasadori izraelit në Indi u mburr në tetor se kishte marrë aq shumë mbështetje për veprimet e Izraelit në Gaza, sa që shumë indianë ishin ofruar që të luftonin për Izraelin. Një shkrimtare dhe aktiviste e njohur indiane, Arundhati Roy, i ka bërë thirrje vendit të saj të ndalojë shitjen e armëve për Izraelin, përndryshe rrezikon të lidhet përgjithmonë me gjenocidin.
Dhuna anti-muslimane dhe Islamofobia në Indi kanë jehona transnacionale në Palestinë, duke ofruar justifikime të mëtejshme për sulmet ndaj muslimanëve në Indi.
Dilemat zgjedhore
Në SHBA, muslimanët gjenden përballë një dileme të vështirë gjatë kësaj fushate zgjedhore. Nga njëra anë janë demokratët, administrata e të cilëve nuk e ka ndaluar Izraelin, por përkundrazi e ka mbështetur në dhunën e tij gjenocidale. Demokratët thonë gjërat e duhura, por veprimet e tyre shpesh janë anti-palestineze, anti-arabe dhe anti-muslimane.
Nga ana tjetër janë republikanët, të cilët nuk e fshehin Islamofobinë e tyre dhe urrejtjen ndaj arabëve. Ish-presidenti Donald Trump ka deklaruar se, nëse zgjidhet, do të përpiqet të rikthejë një version të ndalimit të hyrjes së muslimanëve. Platforma e tij zyrtare zgjedhore bën thirrje për deportimin e “radikalëve pro-Hamasit.”
Kjo deklaratë ka kuptim aq të gjerë saqë mund të përfshijë pothuajse çdo musliman dhe shumë amerikanë jo-muslimanë që kanë mbështetur lëvizjen për drejtësi në Palestinë. Rritja e lëvizjes së të pa angazhuarve brenda Partisë Demokrate, që kundërshton politikat e Bidenit për Palestinën dhe Izraelin, tregon konfuzionin brenda kësaj pjese të popullsisë.
Javën e kaluar, ata njoftuan se nuk do të mbështesin Kamala Harris-in për presidente, por gjithashtu u bënë thirrje ndjekësve të tyre të votojnë kundër Trumpit dhe të mos mbështesin një palë të tretë. Disa muslimanë, si reagim ndaj këtyre zhvillimeve, po shprehen se do të votojnë për Dr. Jill Stein-in dhe Partinë e Gjelbër. Kandidati i saj për zëvendëspresident është Dr. Butch Ware, një akademik dhe aktivist musliman. Nëse mjaft muslimanë votojnë për Partinë e Gjelbër, kjo mund t’i japë fitoren Trumpit, duke sjellë një rritje të mëtejshme të Islamofobisë.
Megjithatë, nuk është gjithçka e zymtë. Pas agresionit izraelit në Gaza, shumë të rinj amerikanë janë bashkuar me lëvizjen që kërkon drejtësi për Palestinën, duke kundërshtuar okupimin dhe duke mbrojtur të drejtat e palestinezëve.
Në mënyrë të papritur, shumë të rinj kanë rigjetur interes për Islamin dhe disa madje kanë shpallur konvertimin e tyre në mediat sociale. Pra, paradoksalisht, rritja e Islamofobisë ka sjellë një interes të ri për Islamin, ashtu siç ndodhi pas 11 shtatorit.
Rritja e mediave sociale, veçanërisht TikTok-ut, ka thyer monopolin e mediave tradicionale në raportimin e konfliktit palestinezo-izraelit dhe përmbajtjen islamofobe që shpesh prodhojnë ato. Siç pritej, Kongresi amerikan po shqyrton mundësinë për të ndaluar ose kufizuar ndikimin e TikTok-ut, nën pretekstin e pronësisë kineze dhe trajtimit të të dhënave sensitive.
Megjithatë, disa besojnë se ndalimi i mundshëm lidhet më shumë me faktin se kjo platformë ka thyer monopolin e mediave tradicionale në narrativën për konfliktin palestinezo-izraelit.
Ndërkohë, masakrat e përditshme në Gaza dhe Liban po shkaktojnë qindra vdekje çdo ditë.
Nën kushtet e sulmeve të vazhdueshme izraelite ndaj fqinjëve dhe dhunës së përditshme ndaj muslimanëve dhe arabëve, është e pritshme që Islamofobia dhe ndjenjat anti-muslimane të vazhdojnë të përshkallëzohen.
Solli në shqip Observer.al. Publikuar në anglisht në TRT World.