A është e mundur që disa nga organizatat kryesore në botë kanë përhapur terrorizmin në mënyrë aq të sofistikuar e të fshehur që ne mos ta dimë?
Shpirti i njerëzimit është humanizmi. Asnjë qytetërim, kulturë a sistem nuk ka arritur të mbijetojë gjatë në histori pa humanizmin si vlerë. Atëherë kur kanë filluar të manipulojnë me humanizmin, ka filluar kalbja e tyre. Atëherë kur kanë filluar t’i sulmojnë humanistët, ka filluar rrënimi i tyre. Kur ka filluar të zëvendësohet humanizmi me forcën e pushtetit, shoqëritë në vend të vlerave kanë prodhuar dhunë. Sepse tragjeditë njerëzore nuk lehtësohen pa një shoqëri civile humanitare. Kapitalizmi që ata kanë krijuar si “sistemi më i mirë ekonomik”, në fakt, bazohet në logjikën e fitimit, jo të nevojave njerëzore.
Në botë sot njohim plot lobe dhe administrata të fuqishme, shërbime inteligjente dhe qeveri, legjislacione dhe agjenda, propaganda dhe sisteme brutale, që ndaj organizatave humanitare kanë drejtuar një qasje diskriminuese, një vizion që shkatërron hapësirën ku bashkëekzistojnë fe, kultura e qytetërime të ndryshme që kërkojnë paqe, siguri, liri e drejtësi, sidomos kur ato kanë qenë të udhëhequra nga muslimanët.
Njerëzimi në fatin e vet jo rrallëherë ka përjetuar luftra, kriza ekonomike, konflikte, uri masive, tërmete, cunami, katastrofa humanitare dhe natyrore, për të cilat ka pasur nevojë për një dorë të fortë të humanizmit. Por një politikë e verbuar nga arroganca dhe injoranca, nga inati dhe xhelozia, me motive shumë të fshehura e të instrumentalizuara, kanë krijuar një armik imagjinar si argument për ta sulmuar humanizmin dhe bamirësinë e muslimanëve: “terrorizmi i organizatave islame”.
Kush më mirë sesa Debra Morris e ka thënë: “Është vështirë të imagjinohet ndonjë çështje që mund ta zbehë besimin publik ndaj shoqatës më tepër sesa dyshimet për lidhje terroriste.”[1]
Në anën tjetër, Noam Chomsky, flet se si krijohet armiku, madje edhe kur është vetëm i imagjinuar. Ai shkruan: “Para viteve 1980, ishte e mjaftueshme të trumbetohej se po vijnë rusët! Mirëpo, Bushi e humbi atë justifikim, dhe kështu iu desh të shpikte armiq të rinj, siç veproi aparati i marrëdhënieve publike të Reganit në vitet 1980. Këta ishin terroristët ndërkombëtarë, trafikuesit e drogës, arabët e çmendur dhe Saddam Huseini, Hitleri i ri, të cilët do ta pushtonin botën. Atyre u duhet të organizojnë paraqitjen e trillimeve, njëra pas tjetrës. Ti duhet ta frikësosh popullatën, t’i terrorizosh ata, t’i tmerrosh me qëllim që t’i bësh shumë frikacakë për të udhëtuar.”[2]
Por bamirësia dhe terrorizmi, në teori, strategji dhe veprimtari, nuk kanë asgjë të përbashkët tek muslimanët. Pra, nuk ka vend për terrorizmin që të fshihet prapa bamirësisë. Sepse Islami thelbësisht është doktrinë paqësore që lufton terrorizmin dhe s’ka asgjë komplementare me elementet antinjerëzore.
Por ndoshta ju intereson të dini se çfarë bënin këto organizata humanitare që u sulmuan kaq brutalisht nga qeveritë e Qytetërimit Perëndimor, një qytetërimi që u ngrit për të sulmuar humanizmin e atyre prej të cilëve dikur u frymëzuan dhe e kuptuan se çka është qytetërimi?
Këto organizata krijuan programe të ndihmave dhe zhvillimit: ndihma humanitare, ndihma urgjente, qindra-mijëra tonë mallra, ushqime, barna, ngritje të kapaciteteve mjekësore, spitale të ndërtuara gjatë krizave dhe luftrave, ndihma ndaj njerëzve të sëmurë, zhvillim të programeve shëndetësore, hapje të puseve dhe burimeve me ujë të pijshëm, ndihma për jetimë, programe për arsim, hapje të shkollave e dhënie të bursave, ndërtim të qendrave kulturore e qendra të shërbimeve shoqërore, ndërtim të xhamive etj. Kontributi në mirëqenie, zhvillim të qëndrueshëm, ndihma humanitare, zgjidhje të problemit të varfërisë, zhdukje të injorancës, ndihma ndaj të shtypurve, të sëmurëve, përveç stimulimit të parimeve fetare të vetëkontrollit, janë poashtu disa nga objektivat e shoqatave kryesore të njohura globalisht.
Dr. M. A. Salloomi është një autor dhe hulumtues shumë serioz që ka shkruar librin “Viktimat e pafajshme në luftën globale kundër terrorit”. Ai shkroi këtë libër, punoi në këtë hulumtim empirik, pasi u konsultua me 150 organizata islame në 17 shtete të botës për të verifikuar pretendimet amerikane, pretendimet e gladiatorëve globalë, që krijuan një hegjemoni që margjinalizoi ato organizata dhe i vuri në shënjestër të goditjeve të padrejta. Libri solli shembuj dhe rezultate të kontributeve pozitive të këtyre organizatave islame dhe hodhi poshtë idenë se ato mbështesin terrorizmin. Sigurisht se ka edhe autorë tjerë shumë relevantë që shpjegojnë interesat imperialiste, si Noam Chomsky, një autoritet i lartë në mendimin bashkëkohor, por në këtë temë do të përdorim referencën kryesore të Salloomit.
Ai erdhi në përfundim se shoqatat dhe organizatat joqeveritare, sidomos ato islame, u përballën me lloj-lloj kushtesh e trysnish nga propaganda të sofistikuara, akuza e sanksione, kufizime e etiketa diskredituese. Pra, kishte burgosje të udhëheqësve dhe aktivistëve, investigime dhe konfiskime brutale, që shkelnin parimet humanitare.
“SHBA-të nxorën ligje kundër terrorizmit, si “Patriot Act”, programin e mbikëqyrjes kombëtare, ligjet për shpallje të njerëzve fajtorë dhe ngritën burgje për shkeljen e të drejtave themelore të njeriut, si për shembull burgu Ebu Graib në Irak, Guantanamo Bay në Kuba dhe Bagram Base në Afganistan, për të mos përmendur burgjet nëpër Evropë, ku ndodhën akte torture.”[3]
E çfarë të themi për ndikimin e krahut ekstrem, për lobin sionist, për raportimet që janë bërë në Kongresin Amerikan për t’i akuzuar shoqatat? Salloomi argumenton se sjellja agresive dhe hakmarrëse kundër organizatave arabe dhe islame dhe punonjësve të tyre është nxitur nga lobet e fuqishme sioniste në administratën amerikane. “Kongresi Amerikan nxori ligje që i lejonin autoritetet e FBI-së që t’i vëzhgonin dhe persekutonin organizatat islame, komunitetin islam dhe anëtarët aktivë të tij.”[3]
Ai vazhdon e thotë se shtetet si Afganistani, Pakistani, Kashmiri, Iraku, Palestina, Indonezia dhe Bangladeshi, që janë goditur nga luftëra, tërmete dhe cunami, u privuan nga ndihma të cilën shoqatat islame mund ta kishin ofruar. “Goditja u bë për shkak të masave që u ndërmorën kundër tyre, si arrestimet, ngrirja e xhirollogarive dhe masat administrative e financiare burokratike që u bënë barrë e shoqatave, të cilat i ndaluan ato nga ofrimi i veshmbathjeve për të varfrit, strehimi për refugjatët, ndihma mjekësore për të sëmurët, ushqimi për të varfrit dhe arsimi për analfabetët.”[3]
Prandaj për gjithë ato miliona viktima të varfërisë në botë që sot rrezikohen për vdekje, a nuk janë përgjegjës edhe ato autoritete që pengojnë burimet e ndihmave humanitare që dedikohen për to? Armiqtë e vërtetë të njerëzimit janë ata që penalizojnë fondacionet që kontribuojnë në tri rreziqet dhe kërcënimet reale si: varfëria, sëmundja dhe analfabetizmi. Mos harroni, kjo kryqëzatë kundër shoqatave humanitare islame ka goditur bërthamën e Islamit: zekatin. Dhe kjo fushatë nuk kishte në objektiv asnjë shoqatë të krishterë ose çifute, por vetëm organizatat islame.
Vlen të theksohet se dy mijë intelektualë amerikanë, akademikë dhe artistë, ju kanë bërë apel përmes një komunikate të titulluar “Jo në emrin tonë”, e cila u publikua më 11 stator 2003, në përkujtim të sulmeve të 11 shtatorit, për të dënuar të ashtuquajturën “Luftë kundër Terrorit”, ku ata thanë: “Ne besojmë se njerëzit e vetëdijshëm duhet të marrin përgjegjësi për atë që qeveritë e tyre bëjnë – ne para se gjithash duhet të kundërshtojmë padrejtësinë që bëhet në emrin tonë. Kështu, ne u bëjmë thirrje të gjithë amerikanëve që t’i rezistojnë luftës dhe represionit që administrata e Bushit po bën ndaj botës. Kjo është e padrejtë, e pamoralshme dhe jolegjitime.”[3]
Sigurisht se ka shumë autorë që me propagandën e tyre fashiste janë munduar të bindin lexuesin se shoqatat islame financojnë terrorizmin dhe kështu të futin frikë dhe dyshim në zemrat e muslimanëve, që ata të ndalohen nga dhënia e donacioneve, të cilët druheshin se mos etiketoheshin si përkrahës të terrorizmit ose ndëshkoheshin dhe kështu të dobësohet shoqëria civile islame. “Judith Miler është njëra prej atyre që ndikoi në dobësimin e motivit humanist tek donatorët muslimanë.”[4]
Ironia më e madhe sipas Salloomit është nënshtrimi dhe bashkëpunimi i Arabisë Saudite me SHBA-në në këtë propagandë. “Arabia Saudite iu përgjigj presionit amerikan duke e goditur rëndë fondacionin al-Haramain në vitin 2003 dhe duke bërë politika kundër terrorizmit.”[3] Pastaj në janar të vitit 2004, SHBA-të dhe Arabia Saudite bashkërisht akuzuan për terrorizëm katër degë të tjera të al-Haramainit: në Indonezi, Kenia, Tanzani dhe Pakistan.
Por Salloomi, me mprehtësinë dhe kujdesin e tij të hulumtimit shkencor, sjellë shembuj edhe të dështimit të propagandës.
“Libri “Lëmosha për Xhihad”, me autorë J. Millard Burr dhe Robert O. Collins, i botuar nga Cambridge University Press, u tërhoq nga tregu pasi botuesi e kuptoi se akuzat që libri përmbante kundër familjes, bizneseve dhe shoqatave të Halid Bin Mahfuzit, ishin të rreme. Associated Press raporton në dhjetor 2007 se autoritetet zvicerane kishin filluar një hulumtim për transaksionet bankare të biznesmenit saudit Jasin el-Kadi, i cili ishte emëruar terrorist nga SHBA-të. Hetimi gjyqësor u hap nga zyra e Prokurorisë Federale të Zvicrës në tetor 2001, zgjati më tepër se gjashtë vite dhe u ndal në dhjetor 2007, pasi nuk kishte gjetur asnjë dëshmi për keqbërje. Ministria e Thesarit nuk ka pasur sukses në sigurimin e provës së fajësisë kundër tri shoqatave, asetet e të cilave u ngrinë duke pritur hetimet: Global Relief, Benevolence International Foundation dhe Fondacioni al-Haramain.”[5]
“Fondacioni al-Haramain është shpallur terrorist pa ndonjë procedurë ligjore, larg sundimit të ligjit. Gjyqi i Amsterdamit e refuzoi kërkesën që të vazhdonte ndalimi i punës së degës së al-Haramainit. Ndalesa u hoq më 31 mars 2005, kur gjykatësit nuk gjetën asnjë dëshmi kundër këtij fondacioni, edhe pse ishte përcaktuar si terrorist nga Amerika dhe OKB-ja. Hetimet e holandezëve nuk gjetën ndonjë dëshmi fajësuese për shoqatën. Dhe më 9 gusht 2005, gjyqi federal i hodhi poshtë të gjitha akuzat kundër al Haramainit.”[6]
Kështu hetimet amerikane dështuan në dëshmimin e vërtetësisë së akuzave kundër shoqatave islame dhe dosja është mbyllur në favor të shoqatave.
Pasojat me të vërtetë janë tragjike në shembujt e kësaj lufte sistematike që sjellë Salloomi.
“Një shembull tjetër i fushatës së hershme kundër shoqatave islame është ajo që ndodhi me Agjencinë Islame të Ndihmave në Afrikë në vitin 1999. USAID-i, një organizatë qeveritare, ia ndërpreru të gjitha grantet kësaj organizate nën presionin e Richard Clark, i cili ishte i ngarkuar me luftimin e terrorizmit gjatë epokës së Klintonit. Clark informoi revistën Newsweek se një numër shoqatash islame amerikane kanë lidhje të mundshme me terroristë dhe e nxiti Departamentin e Shtetit t’i shkëpuste të gjitha lidhjet me ato shoqata.”[3]
“Asociacioni i Bamirësisë në Katar ka mbështetur 25,000 jetimë në shumë shtete, si në Afganistan, Pakistan, Bosnje dhe Somali. Kjo ndihmë është ndaluar nën pretekstin se fondet po përdoreshin për financimin e terrorizmit.”[3]
“Në Kuvendin Ndërkombëtar në Paris në janar 2003, shumë organizata dhe shoqata islame u akuzuan për terrorizëm pa kurrfarë dëshmie. Disa prej tyre u mbyllën, kurse të tjerave iu ngrinë llogaritë bankare pa sjellë ndonjë procedurë juridike ose drejtësi ligjore. Kështu ndodhi me Fondacionin al-Haramain, Qatar Charities dhe të tjerat. Shoqatës el-Bereeh, nga ndihmat e së cilës varet një pjesë e madhe e njerëzve në Somali, iu ngrinë asetet. Shoqatës el Takwah, e udhëhequr nga dy biznesmenë, Jusuf Nada dhe Ali Himmat, iu ngrinë asetet. Asnjë akuzë për lidhjen e këtyre dy njerëzve me al-Kaiden ose ndonjë organizatë tjetër nuk është dëshmuar.”[3]
“Autoritetet australiane i ngrinë fondet e shoqatës al-Aksa dhe e vendosën atë në listën e organizatave që kanë lidhje me terrorizmin.”[3]
“Disa shoqata islame në Amerikë e kanë pësuar më shumë nga akuzat dhe u janë ngrirë fondet, kurse punëtorët e tyre janë marrë në pyetje. Kjo përfshin Global Foundation, Holy Land Foundation dhe Benevolence International Foundation. Tri shoqatave islame iu morën asetet nga qeveria me anë të akuzave për lidhje financiare me “grupe terroriste” dhe pa ndonjë procedurë juridike.”[3]
Fondacioni Al-Haramain (HIF) filloi në Pakistan në vitin 1988 dhe i ndërtoi selitë në Riad në vitin 1991. Kishte 45 degë në botë dhe përfaqësues në 80 shtete, të cilët luanin role ekzekutive sidomos në vendet e katastrofave, urisë, varfërisë dhe analfabetizmit. Ky fondacion ka marrë pjesë me sukses në lehtësimin e situatës dhe në dhënien e ndihmave në vendet e krizave, si Afganistan, Bosnje, Çeceni dhe Kosovë. Senatori Jon Kyl, kryesues i Nënkomitetit për Terrorizëm, Teknologji dhe Siguri në Vend, i përshkroi aktivitetet e fondacionit me fjalët: Një raport i aktiviteteve vjetore të al-Haramainit, i cili tregon interesimin e madh të tij në përhapjen e kulturës së saktë islame, përmend këto gjëra: “Ky fondacion printoi 13 milionë libra islamë, ngriti gjashtë faqe interneti, punësoi më tepër se 3000 thirrës në Islam, ndërtoi 1100 xhami, shkolla dhe qendra të kulturës islame dhe dërgoi me postë më tepër se 350 mijë ftesa për t’u konvertuar në Islam.”[7]
Në realitet këta numra janë më të vegjël para numrave të mëdhenj të Biblave dhe pamfleteve që u shpërndahen jo të krishterëve me qëllim të kthimit të tyre në Krishterim, sipas Salloomit. Ai sjellë shumë shembuj të propagandës krishtere dhe të keqpërdorimit të fondeve humanitare për qëllime politike.
“Janë shpërndarë 8000 Bibla në gjuhën arabe në Irak vetëm nga misionarët baptistë, të cilët hynë në Irak bashkë me ushtrinë amerikane.”[8]
“Dhjetëra mijëra kisha janë ndërtuar nga misionarët, vetëm në Kamboxhia 300 të tilla.”[9]
“Një numër universitetesh në SHBA kanë hapur qendra dhe institute që kanë në mesin e qëllimeve të tyre krishterizimin e muslimanëve në botë, depërtimin me çdo mënyrë në shoqëritë islame dhe ndryshimin e fesë së tyre. Kjo shpesh bëhet përmes veprimtarisë bamirëse ose me mënyra të tjera të dukshme. Në Universitetin Ndërkombëtar Kolumbia në jug të Karolinës “misionarët e krishterë po trajnohen të shkojnë fshehurazi në botën muslimane dhe të konvertojnë njerëz për Jezusin. Qëllimi i tyre është zhdukja e Islamit prej sipërfaqes së tokës.” [10]
“Në vitin 1997, grupet evangjeliste mbajtën një takim në Bazel të Zvicrës, me qëllim të krishterizimit të botës. Në tetor 1978, Komiteti Amerikan i Luzianës dhe World Vision International mbajtën konferencën amerikane veriore për evangjelizmin e muslimanëve në Kolorado. Përafërsisht 150 liderë kryesorë evangjelistë kanë ndjekur konferencën dhe kanë lexuar 40 referate për Islamin dhe marrëdheniet e tij me Krishterimin. Qëllimi i tyre ishte evangjelizmi i tërë botës muslimane. Ata caktuan një miliard dollarë për atë qëllim dhe krijuan Institutin për Studime Islame Zwemer, sipas emrit të misionarit Zwemer, i cili ishte aktiv në Lindjen e Mesme në fillim të shek. XX nga selitë e tij në Bahrejn dhe që udhëhoqi një konferencë evangjeliste në Kajro në vitin 1906.” [3]
Organizatat çifute në Amerikë po e shtojnë përkrahjen e tyre ndaj Izraelit jo vetëm për shërbimet humanitare dhe qeveritare, por edhe për qëllime ushtarake dhe për të mbështetur vendbanimet ilegale. Delinda Hanley nga Raporti i Uashingtonit për Çështje të Lindjes së Mesme shkruan: “Paratë e çifutëve amerikanë janë shpezuar për mbrojtjen e boshllëkut në shërbimet shoqërore të Izraelit për shkak të harxhimeve të mëdha të shtetit për ushtrinë dhe mbrojtjen. Me nxitjen e Sharonit u krijua fushata “Israel Now” në vitin 2001, që kishte për qëllim mbledhjen e 400 milionë dollarëve për dy vite. “Shoqata” e liruar nga taksat u themelua nga Komuniteti i Bashkuar Çifut (UJC)… për të financuar blerjen e veturave të blinduara, të sistemeve bashkëkohore të sigurisë për të mbrojtur shkollat dhe qendrat e komunitetit, për dhënien e konsultave për emigrantët etiopas dhe rusë, për blerjen e xhamave të blinduar për shtëpitë në vendbanimet ilegale çifute dhe për shërbime mbështetëse për forcat e mbrojtjes izraelite. Deri në mes të nëntorit, sipas gazetës Washington Jewish Week, ishin mbledhur 86 milionë dollarë, 5 milionë vetëm në Washington DC. Udhëheqësit e shumë federatave amerikane çifute thonë se donacionet e mbledhura përdoren për ndihma humanitare, mirëpo në realitet, siç konfirmoi The Washington Post, qeveria e Izraelit merr më tepër se 80% të donacioneve.”[11]
Këto fakte tregojnë qartë fytyrën e vërtetë të atyre që e krijuan këtë propagandë kaq të fuqishme dhe të fëlliqur kundër organizatave dhe fondacioneve, kundër humanizmit në thelb, me qëllime të kamufluara e me pretekstin e “luftës kundër terrorizmit”, ku pasoja më e madhe ishte kostoja humane.
Referencat:
[1] Debra Morris, “Charities and Terrorism: The Charity Commission Response”, The International Journal of Not-for-Profit Law, 10 prill 2002;
[2] Noam Chomsky, Media Controll – The Spectacular Achievements of Propaganda, Seven Stories Press, 2002;
[3] M.A. Salloomi, Viktimat e Pafajshme në Luftën Globale Kundër Terrorit. AuthorHouse TM UK Ltd. 2011;
[4] Judith Miller, Some Charities Suspected of Terrorist Role, New York Times, 19 shkurt 2000;
[5] David B. Ottaway, “Groups US Battle Over Global Terrorist Label”, The Washington Post, 14 nëntor 2004;
[6] The Associated Press, “Charged dismissed in al-Haramain Islamic charity case”, 11 shtator 2005;
[7] Jon Kyl, “Terrorism and the spread of Wahhabi power in the United States”, Front Page, 3 korrik 2003;
[8] David Rennie, “Bible Belt Missionaries Set Out on a “War for Souls” in Iraq”, The Telegraph UK, 28 dhjetor 2003;
[9] Janice D’Arcy, “Some Organisations Mix Missionary Work with Aid”, The Baltimore Sun, 8 janar 2005;
[10] Barry Yeoman, “The Stealth Crusade”, Mother Jones, maj/qershor 2002;
[11] Delinda C. Hanley, “Islamic Charities Frozen Before Eid as Jewish Charities Support Settlers, Soldiers”, Washington Report on Middle East Affairs, janar-shkurt 2002.