Nga Ali Saad
“Islamo-majtizmi” është dredhia e rradhës e luftës kundër disidentëve në Francë. Është një mjet i leverdisshëm për të heshtur si kundërshtarët politikë ashtu edhe ata muslimanë që kundërshtojnë Islamofobinë dhe racizmin që ka pllakosur shtetin dhe shoqërinë franceze.
Javët e fundit, një valë polarizimi politik ka goditur Francën. Koncepti i “islamo-majtizmit” ka zënë një vend qendror në debatin e nxehtë kulturor. Në një intervistë për CNews, i barazvlefshmi francez i Fox News, Ministrja e Arsimit të Lartë dhe Hulumtimeve Frédérique Vidal u pyet nëse ishte apo jo dakord se “islamo-majtizmi” ka pllakosur universitetet”. Përgjigjia e saj ishte e menjëhershme dhe tronditëse: “Islamo-majtizmi” ka pllakosur të gjithë shoqërinë,” deklaroi ajo.
Ajo vazhdoi duke thënë: “Do të urdhëroj fillimin e një hetimi në të gjitha degët e hulumtimeve mbi këto subjekte nëpër universitete në mënyrë që të mund të dallojmë hulumtimin e mirëfilltë akademik nga aktivizmi dhe opinionet.”
Deklarata e Vidal-it mbi “islamo-majtizmin” është vetëm prononcimi i rradhës i një vargu të gjatë deklaratash të ngjashme nga zyrtarë të zgjedhur francez. Në qershor, Presidenti Emmanuel Macron u tha gazetarëve: “Bota akademike ka pjesën e saj të fajit. Ka inkurajuar etnicizimin e çështjes shoqërore me mendimin se kjo ishte linja e duhur për të bërë hulumtime. Por rezultati nuk mund të jetë tejtër veçse ndarje. Kjo do të thotë ta ndash republikën në dysh.”
Në tetor, Ministri i Arsimit Kombëtar Jean-Michel Blanquer paralajmëroi se “islamo-majtizmi” “po bënte kërdinë në shoqëri.” Ai denoncoi atë që e quajti “bashkëfajësi akademike në terrorizëm”.
Këto sulme të ashpra ndaj botës akademike dhe intelektualëve të majtë janë përsëritur nga mediat kryesore franceze dhe elita pseudo-intelektuale në vend.
Qëllimi i tyre është të nxisin urrejtje kundër të majtës – një forcë tradicionalisht shekullare – duke e lidhur me “islamizmin”, gogolin e përjetshëm të shoqërisë franceze. Kjo formë nxitjeje, e cila politikisht i shkon përshtat qeverisë, po e shtyn Francën pak nga pak drejt epokës së McArthizmit. Macroni dhe mbështetësit e tij po përgatisin terrenin për një gjueti shtrigash, e ngjashme me atë të Shteteve të Bashkuara të udhëhequr nga Senatori Joseph McCarthy në vitet 1950, e cila synonte t’i “pastronte” isntitucionet amerikane nga agjentët komunistë të dyshimtë, militantët apo simpatizantët.
Është e rëndësishme të kuptohet konteksti politik në të cilin ndodh ky proces.
Të gjitha këto deklarata duhet të shihen si pjesë e një manovre elektorale. Macroni ka vendosur të garojë në zgjedhjet e vitit 2022, por qeveria e tij e ka menaxhuar keq pandeminë e Covid-19.
Deri më sot, vendi ka parë mbi 4 milion infektime dhe mbi 90 mijë vdekje të lidhura me coronavirusin. Vitin e kaluar, ekonomia franceze pëzoi një tkurrje prej 8.3 përqind, ndërsa shkalla e varfërisë pothuajse u dyfishua. Në një sondazh të muajit shtator, 33 përqind të respondentëve thanë se të ardhurat e tyre janë të mjaftueshme vetëm sa për t’ia dalur deri në fund të muajit; 18 përqind thanë se nuk ishin fare të mjaftueshme. Në një sondazh të kryer në tetor, 61 përqind e të intervistuarve mendonin se Macroni nuk kishte arritur t’i përgjigjej si duhet situatës së pandemisë.
Me ndikimin që pritet të ketë kriza e Covid-19 në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, Macroni pret një garë të fortë në kutitë e votimit dhe po kërkon një strategji të efektshme për të rritur mbështetjen. Për momentin, asgjë nuk duket se po funksionon më mirë se sa largimi i vëmendjes së publikut nga dështimet e shumta të qeverisë duke sulmuar Islamin e duke ndjekur “konspiracionet islamiste”. E Macroni duket se e ka kapur këtë mundësi për rritur shifrat që po i ulen gjithnjë e më shumë.
Tashmë qeveria e tij ka nisur një fushatë të egër që synon intimidimin e komunitetit musliman dhe shtypjen e organizatave të shoqërisë civile. Ndër masat shtypëse ishte mbyllja e Collectif contre l’islamophobie en France (Të Bashkuar kundër Islamofobisë në Francë), e cila mbronte viktimat muslimane brenda kuadrit ligjor të Republikës.
Por Macroni kërkon të shkojë përtej sulmeve ndaj komunitetit musliman. Ai tani synon të sulmojë të majtën po ashtu.
Duke vepruar në këtë mënyrë, ai po kopjon një faqe nga manuali i një prej rivalëve të tij kryesorë Marine Le Pen, e cila është presidentja e ekstremit të djahtë National Rally (i njohur më parë si Fronti Nacional. sh. i përkthyesit). Ideja e “islamo-majtizmit” fitoi popullaritet në fushatën e saj të parë presidenciale në 2012.
Me sa duket, politikat e Macronit janë zhvendosur aq shumë drejtë së djathës sa ka përqafuar komplet gjuhën e National Rally-t. Duke nisur një kryqëzatë të hapur kundër komplotit imagjinar islamo-majtist në shoqërinë franceze, ai shpreson që jo vetëm të vjedhë disa nga votat e Le Penit, por gjithashtu edhe ta dëmtojë të majtën.
Macroni ka vënë në shënjestër veçanërisht partinë e majtë La France insoumise (Franca e pathyeshme). Lideri i saj, Jean-Luc Mélenchon, është i vetmi politikan që ka denoncuar Islamofobinë dhe stigmatizimin e muslimanëve francezë. Ai ishte i vetmi drejtues partie që mori pjesë në Marshin kundër Islamofobisë në 2019. Sot, ai është gjithashtu i vetmi i majtë i spikatur i cili ka njëfarë mundësie në garen presidenciale vitin e ardhshëm.
Me huazimin e gjuhës raciste dhe demonizimin e të majtës, veçanërisht partinë e Mélenchonit, Macroni shpreson të dalë përsëri si kandidati me kompromis, si “e keqja më e vogël”, të cilin populli francez do ta votojë për të shmangur një qeveri të së djathtës ekstreme, por edhe për të qenë i mbrojtur nga “gogoli islamist”.
Por, duke kërkuar të rizgjidhet me anë të dredhive të pamëshirshme e të paskrupullta, presidenti po i shkakton më shumë dëm shoqërisë franceze. Duke e vënë botën akademike në shënjestër, ai po kërcënon direkt lirinë akademike.
Menjëhëra pas publikimit të intervistës së Vidalit, Qendra Kombëtare për Hulumtime Shkencore (CNRS), instituti akademik më i spikatur që ka disa nga mendjet më të ndritura nga të gjitha disiplinat shkencore, publikoi një deklaratë ku refuzonte akuzat dhe dënonte “ata që përpiqen ta përdorin [termin “islamo-majtizëm”] për të vënë në dyshim lirinë akademike.” Deklarata theksonte se “shfrytëzimi politik” i këtij termi “është i pashoq dhe përbën një isntrumentalizim të dënueshëm të dijes akademike” dhe “nuk përputhet me asnjë realitet shkencor”.
Ndërkohë, Vidali ka ashpërsuar fjalët e saj duke këmbëngulur se do të ketë një hetim ndaj “islamo-majtizmit” në botën akademike. Nëse ajo e mban premtimin, kjo mund të ketë një ndikim shkatërrues ndaj jetës akademike në Francë.
Pastrimi i institucioneve arsimore nga çdo intelektual apo politikan që mund të vërë në dyshim politikat e qeverisë apo sjelljet e shumicës, do të frenonte seriozisht debatin publik mbi probleme të rëndësishme politike dhe socio-ekonomike.
Gjurmimi i akademikëve që akuzohen për “islamo-majtizëm” pa dyshim që do të kufizonte lirinë akademike dhe do të çonte në vetëcensurim. Do të ndërpriste punën e atyre që njihen si de-kolonialistë, të cilët sfidojnë narrativen rreth të kaluarës koloniale të Francës, e promovuar dhe e sanksionuar nga shteti francez, duke theksuar kështu të keqën e kolonializmit francez.
Po ashtu, do të çimentonte pozicionin e komunitetit musliman në Francë si kurbani kryesor i dështimeve politike dhe morale të elitës sunduese.
“Islamo-majtizmi” është dredhia e rradhës e luftës kundër disidentëve në Francë. Është një mjet i leverdisshëm për të heshtur si kundërshtarët politikë ashtu edhe ata muslimanë që kundërshtojnë Islamofobinë dhe racizmin që ka pllakosur shtetin dhe shoqërinë franceze. Kjo e çon Francën më afër një pushteti autokratik ku kushdo që guxon të kritikojë, kundërshtojë apo të vërë në dyshim udhërat nga lart, sulmohet dhe i mbyllet goja.
Ali Saad është sociolog francez dhe kritik i medias i fokusuar te ndikimi i masmedias në shoqëri.