Wednesday, April 2, 2025

Islamofobia si problem për përkufizimin e Islamofobisë

Përpjekja e qeverisë së Starmer për ta përkufizuar Islamofobinë është një sipërmarrje e caktuar të dështojë, përderisa ajo vijon të kriminalizojë muslimanët që shprehin hapur bindjet e tyre politike. 

Në fund të shkurtit, administrata laburiste njoftoi formimin e një grupi pune me synimin për të hartuar “një përkufizim funksional të urrejtjes anti-muslimane/Islamofobisë”. Ky lajm u prit me rezerva nga disa muslimanë; megjithatë, si një besimtare muslimane që prej më shumë se një dekade e studioj Islamofobinë nga një këndvështrim dekolonial, kam një perspektivë tjetër.

Kjo lëvizje duket si një përgjigje ndaj shifrave të fundit alarmante mbi krimet e urrejtjes kundër muslimanëve, të cilat gjatë vitit 2024 arritën nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Sipas organizatës Tell Mama, një nga shkaqet kryesore të kësaj rritjeje ishte mbështetja e muslimanëve për Palestinën pas ngjarjeve të 7 tetorit.

Sigurisht, qeveria e kryeministrit Keir Starmer, nga njëra anë dënon krimet e urrejtjes ndaj muslimanëve që solidarizohen me Palestinën, ndërsa nga ana tjetër miraton shtimin e masave të ashpra policore dhe kriminalizimin e protestuesve pro-palestinezë. Ky dualitet flet vetë.

Ndërkohë, reagimi në shtypin e krahut të djathtë britanik ka qenë ai i zakonshmi, duke shfaqur atë lloj manipulimi me të cilën muslimanët në Mbretërinë e Bashkuar tashmë janë mësuar.

Na thuhet se Islami është një besim aq i tmerrshëm saqë nevoja për ta kritikuar atë duhet të garantohet si një e drejtë ligjore, dhe rrjedhimisht, ne nuk e meritojmë një përkufizim të Islamofobisë. Ose, na serviret argumenti se muslimanët gëzojnë tashmë mbrojtje të mjaftueshme ligjore dhe se një përkufizim ligjor i Islamofobisë do të përbënte “trajtim të veçantë” ose do të ishte i barazvlefshëm me censurën.

Është jetike të kihet parasysh gjithçka e sipërpërmendur në kontekstin se ata që artikulojnë këto argumente janë shpesh të njëjtët individë që avokojnë fuqishëm për një përkufizim të qartë të antisemitizmit. Në këtë kuadër, përkufizimi i antisemitizmit shihet si një çështje e thjeshtë dhe e domosdoshme. Nga ana tjetër, përcaktimi i Islamofobisë paraqitet si një terren i minuar.

Kjo është një narrativë e fabrikuar me qëllim, që ndan viktimat në të dëshirueshme dhe të padëshirueshme.

Ironia kulmon kur konstatojmë se pikërisht kjo mosgatishmëri për t’i pranuar muslimanët si viktima të urrejtjes është, në thelb, një simptomë e Islamofobisë. Me fjalë të tjera, pengesa më e madhe për një përkufizim zyrtar të Islamofobisë nuk është, siç përpiqet të sugjerojë narrativat mbizotëruese në mesin e politikanëve dhe mediave britanike, liria e fjalës, censura apo trajtimi i veçantë i supozuar.

Pengesa më e madhe për përcaktimin e Islamofobisë është vetë islamofobia.

Dhe këtu shfaqet problemi madhor, të cilin politikanët dhe madje edhe disa organizata muslimane nuk kanë arritur ta adresojnë në mënyrë të hapur. Islamofobia nuk kufizohet vetëm në aktet individuale të urrejtjes. Përkundrazi, disa nga format më të rrezikshme të saj funksionojnë në nivele institucionale dhe strukturore, duke u rrënjosur thellë në shoqëri.

Arzu Merali, ish-Shefe e Kërkimeve në Komisionin Islamik të të Drejtave të Njeriut (IHRC), komentoi:

“Për dekada të tëra është kryer një punë e gjerë dhe e thelluar mbi Islamofobinë, përkufizimin e saj dhe ndikimin që ajo ka në të gjithë shoqërinë – dhe IHRC ka qenë në ballë të kësaj pune. Kjo ka përfshirë vëzhgimin e rritjes së krimeve të urrejtjes deri te shfaqja e racizmit institucional anti-musliman. Është thelbësore të kuptohet ndikimi i Islamofobisë strukturore në jetën e përditshme të muslimanëve, atë që IHRC e identifikoi dhjetë vjet më parë si mjedisin themelor që ushqen urrejtjen në rrugë.”

Edukatorët në shkolla dhe universitete që shndërrohen në spiunë kundër studentëve të tyre muslimanë përbëjnë një nga format më të dëmshme të Islamofobisë në Britaninë e sotme. Programi “Parandalimi” (Prevent) është mishërim i Islamofobisë së sponsorizuar nga shteti. “Kali i Trojës” ishte një tjetër shembull i Islamofobisë së orkestruar nga shteti. Raporti “Forde” dokumentoi në detaje Islamofobinë brenda radhëve të Partisë Laburiste, të cilën Starmer e hodhi poshtë me vendosmëri.

Deskurajimi i muslimanëve për të shprehur identitetin e tyre islam në shkolla, vende pune dhe hapësira publike është pjesë e Islamofobisë së përditshme, e cila shpesh kalon pa u vënë re dhe pa u ndëshkuar, duke qenë përtej fushës së veprimit të çdo legjislacioni për krimet e urrejtjes.

Për më tepër, ndërsa muslimanët që kërkojnë t’i jepet fund gjenocidit në Gaza janë të ekspozuar ndaj rrezikut të krimeve të urrejtjes, është e rëndësishme të mos harrojmë se kjo formë e Islamofobisë është e pandashme nga Islamofobia që ka mbështetur gjenocidin në Gaza në shkallë globale.

Merali shtoi: “Njoftimi i qeverisë për t’iu rikthyer kësaj çështjeje duket, në rastin më të mirë, cinik dhe nuk paralajmëron rezultate pozitive”. Në këtë pikë, nuk ka asnjë nevojë për të ri-zbuluar rrotën.

Lidhur me shqetësimet e ngritura për lirinë e fjalës, kam shkruar një tezë të plotë një dekadë më parë, duke argumentuar se pikëpamjet që nxisin urrejtje ndaj Islamit si besim, në dallim nga kritikat e thjeshta, janë lehtësiht të dallueshme.

Për ta përmbledhur, hulumtimi im vinte në dukje se, për shkak se klauzola e lirisë së fjalës aplikohet për aktet e urrejtjes fetare, por jo për urrejtjen racore, ky dallim krijon në mënyrë efektive një barrë më të madhe prove për viktimat e urrejtjes fetare.

Klauzola e lirisë së fjalës gjeneron pabarazi në aksesin në drejtësi midis pakicave fetare nga grupe racore homogjene, si hebrenjtë, dhe grupeve të ndryshme racore (heterogjene), si muslimanët. Kjo ndodh sepse hebrenjtë mbrohen nga legjislacioni kundër urrejtjes racore, ndërsa muslimanët, si një grup fetar me prejardhje të ndryshme etnike, nuk gëzojnë të njëjtën mbrojtje.

Dhjetë vjet më vonë, nuk po argumentoj më për ndryshime në legjislacionin për barazinë apo krimet e urrejtjes. Edhe me synimet më të mira, ligji ka kufizime në zbatimin e tij dhe nuk mund të jetë baza e vetme për të kërkuar drejtësi në kuptimin e saj të vërtetë. Angazhimi për drejtësi dhe krijimi i një hapësire për veten si muslimanë fillon dhe forcohet në nivelin e komunitetit.

Duhet t’i lëmë mënjanë ndasitë tona dhe të organizohemi si një trup i vetëm. Tashmë kemi modele nga lëvizjet anti-raciste, dekoloniale dhe të drejtave të punës që mund të shërbejnë si udhërrëfyes.

Kolektivisht, kemi gjithashtu një nevojë të madhe për një nivel të vetëdijes politike që na mundëson të identifikojmë qartë aleatët tanë të vërtetë, duke na dhënë kurajon t’ua mbyllim dyert atyre që lehtësojnë gjenocidin sionist.

Nuk ka moment më të përshtatshëm për të ringjallur dhe mishëruar këto parime sesa muaji i Ramazanit, kur fryma e bashkësisë dhe imperativi për të zbatuar të drejtën sipas urdhërit të Allahut arrijnë kulmin. Të vepruarit në këtë mënyrë mund të na ndihmojë të kuptojmë se një përkufizim i Islamofobisë i sanksionuar nga qeveria nuk do të na shpëtojë, por lidhjet e forta brenda komunitetit mund të bëjnë ndryshimin e vërtetë.


Afroze Fatima Zaidi është shkrimtare, redaktore dhe gazetare. Ajo ka një përvojë të konsiderueshme në akademi dhe në shkrimin për platforma online.

Të ngjashme
Related

A mund të kamuflohet terrorizmi brenda humanizmit (shoqatave humanitare)?

Këto fakte tregojnë qartë fytyrën e vërtetë të atyre që e krijuan këtë propagandë kaq të fuqishme kundër organizatave dhe fondacioneve islame me pretekstin e “luftës kundër terrorizmit”, ku pasoja më e madhe ishte kostoja humane.

Perëndimi në krizë: Si bota islame po merr në dorë diplomacinë globale

Ndërsa Perëndimi përballet me sfida në qeverisje dhe diplomaci, diplomatët muslimanë po mbushin në këtë vakum duke udhëhequr përpjekjet globale për arritjen e marrëveshjeve të rëndësishme dhe promovimin e paqes.

Aushvici si përkujtim: Pse Evropa nuk duhet ta injorojë Islamofobinë dhe ekstremizmin e djathtë

Në 80 vjetorin e Holokaustit, rreziku i Islamofobisë dhe ekstremizmit të djathtë po rritet në Evropë. Pse është e nevojshme të reagojmë tani?

Muslimanët e padëshiruar: gjenocidi si zgjidhje përfundimtare

Gjenocidi nuk është një fenomen i izoluar, por një model i përsëritur i spastrimit etnik dhe represionit, shpesh i justifikuar nga ideologji supremaciste dhe interesa gjeopolitike.
Verified by MonsterInsights