Thursday, November 21, 2024

Kah është e drejta në konfliktin izraelito-palestinez?

Si ta kuptojmë se nga ç’anë është e drejta në konfliktin izraelito-palestinez? Historia që ndihmon të kuptojmë se nga është e drejta: cili është persekutori dhe cili persekutuesi. Me terma të tjerë, cili është i masakruesi dhe cili i masakruari.

Si ta kuptojmë se në ç’anë është e drejta në rastin e Kosovës ku Serbia dhe akademikisht e mbron idenë se ajo është pjesë e saj historike?

Si ta kuptojmë se e drejta është në anën e çamëve kur Greqia ka krijuar një arsyetim zyrtar për dëbimin e tyre(bashkëpunimi me nazifashistët)?

Dhe vijmë te debati i ditës se si ta kuptojmë se nga ç’anë është e drejta në konfliktin izraelito-palestinez?

Në rastin e kësaj të fundit, lloji i konfliktit është shumë më kompleks, pasi në thelb është fetar duke qenë se orientohet dhe nga referenca të pretenduara qiellore. Fjala vjen, hebrenjtë besojnë se kanë mandat nga Zoti për pastruar atë tokë nga arabët.

Në një sens tjetër, ata përdorin kartën e trashëgimisë së lashtë të asaj toke, prej gjashtë mijë vitesh, si banorë të parë të saj, gjë që dhe nëse është e vërtetë, por që nuk është e vërtetë, me këtë standart duhet zhbërë e gjithë bota, Amerika e para, e ndërtuar nga të ardhur prej Europës, duke e pushtuar atë tokë dhe me forma genocidale madje ndaj indigjenëve vendas. Pra bie dhe kjo kartë e tyre përballë një realiteti disavjeçar ku i japin të drejtë vetes që të kafshojnë Palestinën me të gjitha format dhe në kuptimin më të plotë e mizor të kësaj fjale, duke e firuar atë.

Dhe është pra ky instrument nga historia që ndihmon të kuptojmë se nga është e drejta: cili është persekutori dhe cili persekutuesi. Me terma të tjerë, cili është i masakruesi dhe cili i masakruari.

U kthehemi këtu dy precedentëve shqiptarë, Çamërisë dhe Kosovës.

A ka në histori ndonjë masakër çame ndaj grekërve, sidozot në kushtet e Perandorisë Osmane ku elementi shqiptar kishte dhe një farë privilegji, një farë pozite? Zero! E kundërta është e vërtetë dhe vështirë e kontestueshme.

Po kështu dhe me Kosovën: a ekziston ndonjë masakër e shqiptarëve ndaj serbëve në histori, më saktë nën osmanët, periudha pra kur pozita shoqërore e shqiptarëve ishte disi më e favorshme në disa drejtime? Zero! E kundërta e vërtetë, me bilance tragjike që nisin që pas shembjes së Perandorisë Osmane, ku shqiptarë të Kosovës e trojeve ballkanike vriten, masakrohen e dëbohen kryesisht nga serbët. Kjo, deri para 20 e kusur vitesh, duke u parë nga e gjithë bota.

Dhe tani vijmë te konflikti i nxehtë i Lindjes së Mesme. Edhe atë vend e kanë qeverisur dikur muslimanët, me shekuj madje, nën Perandorinë Osmane e më herët në disa kalifate. Dhe a ka ndodhur ndonjëherë që muslimanë të vrasin hebrenj? Kurrë! Jo vetëm kaq, por kohët më të arta në histori për hebrenjtë janë ato kur janë qeverisur nga muslimanët, të cilët kanë qënë mbrojtësit kryesorë të tyre sidomos ndaj dhunës së krishterë që i ka patur gjithnjë në shënjestër. Madje kohërat më të paqta në Lindjen e Mesme, më saktë në Jerusalemin historik të tre besimeve, kanë qenë pikërisht ato kur kanë qeverisur muslimanët.

E si është nga kahja tjetër? I gjithë shteti izraelit, që nga dita e parë që është krijuar, është histori e gjallë genocidi ndaj popullatës muslimane palestineze, duke shënuar kësisoj dhe një precedent të tmerrshëm mosmirënjohjeje të një populli ndaj një populli tjetër.

Pra çfarë i bashkon të tre rastet? Morrëm këto të trija duke u përpjekur ta thjeshtojmë me kontekste shqiptare. Njëra palë ka qenë masakruese e tjetra e masakruar. Një vend lufton për të drejtën e vet, nëse i është marrë, por nuk masakron; lufton dhe përpiqet që luftës së vet t’i japë dinjitet, me qëllimin për t’i dhënë legjitimitet të drejtës së vet. Rasti i UÇK-së i tillë është. Pse është i tillë Specialja famëkeqe kërkon ta bëjë pis me krime të aluduara.

Kështu pra, se nga është e drejta përcaktohet nga etika në konflikt. Ai që ka të drejtë nuk masakron dhe rrjedhimisht i masakruari është në anën e së drejtës! E tregojnë precedentët shqiptare, e vërteton historia!

Publikuar më parë te Tesheshi.com.
Ermir Hoxha
Ermir Hoxha
Ermir Hoxha ka një karrierë të gjatë mbi dy dekada në gazetari në disa nga mediat më të njohura në vend. Ai është themelues dhe kryeredaktor i portalit mbarëkombëtar Tesheshi.com

Të ngjashme
Related

Plani 2.0 i Trumpit për ndalimin e muslimanëve

Donald Trump është zotuar se do të rikthejë një version akoma më të ashpër të ‘Ndalimit për muslimanët’. Pasojat për muslimanët, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.

Reflektime mbi “Islamofobinë Globale dhe Rritjen e Populizmit”

Libri "Islamofobia globale dhe rritja e populizmit" shqyrton rritjen e Islamofobisë dhe populizmit në vende të ndryshme, nga India në Evropë.

Akrobacitë islamofobe të Hysamedin Ferajt

Replikë me “Rrahmanizmin” e politologut të majtë, neoliberalit, laikut e ateistit Hysamendin Feraj.

Gjenocidi kundër palestinezëve po ushqen një valë globale të urrejtjes anti-muslimane

Duke mbështetur veprimet gjenocidale të Izraelit në Gaza, Perëndimi ka krijuar kushtet për përhapjen e dhunës ndaj muslimanëve globalisht. Si rezultat, Islamofobia është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, duke arritur nivele të ngjashme me ato pas sulmeve të 11 shtatorit.
Verified by MonsterInsights