Dr. Omar Suleiman
Gjenocidi në Srebrenicë që ndodhi si sot 29 vjet më parë, ku rreth 8 mijë boshnjakë kryesisht muslimanë u vranë nga milicia nacionaliste serbe, ishte gjenocidi më i madh që Evropa kishte parë që nga Holokausti. Ai nuk erdhi nga hiçi: Në tre vitet që çuan deri te gjenocidi, janë vranë rreth 100 mijë njerëz, 80% e të cilëve ishin boshnjakë, një nga tre grupet etnike që e quanin shtetin e sapolindur Bosnje-Hercegovinë.
Por në korrik të vitit 1995, trupat serbe të Bosnjës masakruan burrat dhe djemtë e Srebrenicës, e më pas i groposën në varre masive, përdhunuan një numër të pallogaritshëm grash boshnjake dhe përzunë rreth 23 mijë gra, fëmijë e të moshuar, të cilët i çuan me autobusë në territoret e kontrolluara nga muslimanët.
Ishte kulmi i tmerrshëm i një lufte të turpshme. Komuniteti ndërkombëtar musliman u mobilizua, ndërkohë që turpi i gjenocidit e shtyu Perëndimin të vepronte. Një fushatë bombardimi e udhëhequr nga NATO çoi në ndërprerjen e makinerisë vrastare serbe.
Sot, teksa përkujtojmë 29-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, Gaza hyn në muajin e 9-të nën bombardimet izraelite, ku një gjenocid i ri po na shpaloset para syve. Gati 38 mijë palestinezë janë vrarë, kryesisht gra e fëmijë, e 87 mijë të tjerë janë plagosur. Si reflektojmë për vrasjen e mijëra muslimanëve boshnjakë, ndërsa punojmë për t’i dhënë fund gjenocidit të vazhdueshëm në Gaza? Si ta shmangim “mpirjen statistikore”, ku numri i viktimave, të kaluara dhe të tashme, janë thjeshtë numra, shpirtra që mungojnë?
Hipokrizia e rendit botëror të bazuar në rregullat e pas Luftës së Dytë Botërore, i cili po e mundëson dhe nxit gjenocidin në Gaza sot, është i njëjti që i la dorë të lirë gjenocidit në Srebrenicë. Në qendër të tij është dehumanizimi i muslimanit, përveç racës, gjeografisë apo identitetit. Pavarësisht vendndodhjes së tyre në Evropë dhe identitetit të tyre kaukazian, boshnjakët u demonizuan, u dehumanizuan dhe për pasojë u bënë objekt i masakrës pikërisht për shkak të Islamit të tyre.
Dekolonizimi i pas Luftës së Dytë Botërore e kishte normalizuar tashmë viktimën muslimane të botës së tretë në Afrikë dhe Azi, por në Evropë, ku vetëm disa dekada kishin kaluar nga Holokausti, qytetarët e rajonit më të begatë të botës i thanë vetes se e kishin lënë pas egërsinë e së kaluarës. Por, fut Islamin në mes dhe muslimani boshnjak shndërrohet në një viktimë të natyrshme.
E thënë thjeshtë, a do të ishte i mundur gjenocidi i Srebrenicës nëse viktimat nuk do të ishin muslimanë? Apo kjo vërtetoi se mjafton që dikush të jetë musliman që të mos konsiderohet më evropian apo edhe njeri?
Këto pyetje rreth Srebrenicës janë të rëndësishme, sidomos tani, në një kohë ku Gaza përballet me urinë dhe gjenocidin, në shekullin e 21-të të shënjuar nga luftëra të kota në vende si Iraku dhe Afganistani, të cilat kanë çuar në mijëra viktima të paidentifikuara dhe të panjohura.
Çfarë do të thotë të përkujtosh? Çfarë dobie ka të përkujtuarit pa pushim dhe pa reflektim të brendshëm? Është e rëndësishme që gjenocidi i Srebrenicës – dhe tani ai në Gaza – të inkuadrohen kryesisht përmes thjerrëzës së përgjegjësisë personale. Duke parë nga brenda vetës, ne mbajmë përgjegjësi për përpjekjet tona, ndërsa reflektojmë mbi mizoritë. Çfarë po bëjmë për t’i dhënë fund gjenocidit aktual, ndërkohë që përkujtojmë një të mëparshëm? Ky proces e kthen përkujtimin nga një ritual ceremonial vjetor në një ushtrim transformues të vetëpërgjegjësisë.
Kur vizitova Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës, më hynë të dridhurat deri në palcë nga numri i madh i varreve. Shumica e tyre përmbanin trupa të muslimanëve boshnjakë të nxjerrë nga varret masive. Varret mbulojnë një sipërfaqe toke aq sa arrin të shohë syri. Në Srebrenicë, vetë ajri duket se është dëshmitar i gjakderdhjen. Mpirja statistikore është e pamundur. Çdo varr është i rëndësishëm. Dallimi midis një ose dy viktimave, e aq më tepër 8 mijë është si dita me natën.
Në qendrën përkujtimore, këpucët e viktimave qëndronin të ekspozuara, ku secila palë shërbente si përkujtim se duhet të humanizojmë statistikat dhe t’i japim jetë virtuales. Çdo qenie njerëzore që dikur qëndronte në ato këpucë ishte përpjekur t’i shpëtonte mizorisë së tmerrshme të torturuesve të tyre. Viktimat mendonin për mënyrat si të vraponin dhe të fshiheshin. Ëndërronin të ecnin lirshëm pa frikë. Ata ishin fëmijë, prindër, bashkëshortë, vëllezër e motra. Por për ata që i masakruan, sipas stilit të montimit, ata vlenin më pak se sa insektet.
Të përkujtosh gjenocidin do të thotë të kujtosh se ai mund të ndodhë vetëm me anë të dehumanizimit sistematik të një populli. Ashtu si boshnjakët u dehumanizuan dhe u vranë sistematikisht, po ashtu janë edhe palestinezët sot. Kudo në media dhe kulturë, palestinezët janë sinonim i së keqes. Viktimat palestineze janë thjesht dëme kolaterale. Nuk ndodh brenda një dite; kërkon neglizhencë të vazhdueshme dhe dehumanizim sistematik.
Bombardohemi çdo ditë nga lajmet për viktimat e Gazës, në telefonat, televizorët dhe kompjuterat tanë. Mbi 10 të vrarë këtu, 25 të vrarë atje, 700 të vrarë diku tjetër. Srebrenica duhej të ishte një kurrë më, por pa përkujtimin dhe reflektimin e duhur, cikli i ngushëllimeve boshe dhe përvjetimoreve të pafund do të vazhdojë.
Solli në shqip Observer.al
Dr. Omar Suleimani është themeluesi dhe Presidenti i Institutit Yaqeen për Kërkime Islame, dhe Assistant Profesor për Studimet Islame në Programin e Studimeve Liberale të Diplomuar në SMU (Universiteti Metodist Jugor).