Thursday, November 21, 2024

Paris 2024: Olimpiada e diskriminimeve fetare dhe përplasjeve kulturore

Paris 2024 u shënua nga tensione kulturore dhe fetare, përfshirë ndalimin e hixhabit për sportistet franceze dhe me ceremoni me rituale satanike.

Nga Roald A. Hysa

Këto Lojëra Olimpike do të mbahen mend gjatë për sulmet antifetare të republikanëve laikë me pikëpamje ekstreme të majta, që organizuan këto lojëra, si dhe për cilësinë e dobët të mikpritjes së olimpistëve. Presidenti Macron u prit me fishkëllima dhe bujë gjatë fjalimit të tij në këtë Olimpiadë. Franca, me rrënjë kulturore të krishtera, synon tashmë të marrë një rol udhëheqës në botë duke sfiduar të gjitha besimet fetare dhe duke hedhur poshtë, pa asnjë dyshim, parimet që ajo vetë i propagandon si republikë, “liri, barazi dhe vëllazëri”.

Tallja satanike me Darkën e Fundit të Jezu Krishtit shkaktoi reagime të ashpra nga të krishterët në Francë, por nuk mbeti pa reagime as nga komuniteti i krishterë ndërkombëtar me të gjitha denominacionet e tij. Ishte një spektakël i turpshëm, që disa zëdhënës të lig, u përpoqën ta kalonin si paraqitje të bakanaleve romake në një vend që “dominohet dhe nxitet” nga të drejtat e barabarta për të gjithë. Po ashtu, kjo shfaqje e ulët shkaktoi zemërim edhe te komunitetet muslimane dhe përfaqësuesit e tyre.

Si mund të pretendohet për të drejta të barabarta për gratë, ndërkohë që u ndalohet atleteve të mbajnë shaminë gjatë garave sportive, ku kombet pritet të bashkohen? Si mund të ndalohet e drejta për të protestuar duke përdorur dhunën policore për të ndaluar tifozët që mbanin flamurin palestinez? Ndalimi i hixhabit, skandali i “Charlie Hebdo” dhe Islami i versionit francez të Macron-it janë ndër absurditetet që vitet e fundit kanë prodhuar valë të tëra Islamofobie, edhe me një Francë sportive të dominuar nga emigrantët e zinj afrikanë, që vijnë nga ish-kolonitë franceze.

Të shohësh Sifan Hassan, që me krenari mban shaminë në podium ndërsa merr medaljen e artë në Olimpiadën e Parisit 2024, në një vend që ndaloi sportistet e veta të mbanin shaminë, është një nga imazhet më frymëzuese dhe shembullore të kësaj Olimpiade, duke sfiduar imazhet e shtrembëruara pa shumë fjalë.

Por, gjithashtu, kemi edhe Jusuf Dikeç dhe partneren e tij në garë, Sevval Ilayda Tarhan, që tërhoqën vëmendjen e publikut botëror me stilin e tyre të veçantë. Madje, Dikeç para disa ditësh sfidoi multimilionerin Elon Musk në platformën X, duke e ftuar të vizitojë Stambollin dhe të diskutojë rreth stilit të tij dhe mundësinë e adaptimit të këtij stili nga robotët e Musk! Ja sfida e Dikeç:

“Përshëndetje Elon! Mendon se robotët e së ardhmes mund të fitojnë medalje në Olimpiada me duar në xhepa? Çfarë mendon për një diskutim mbi këtë temë në Stamboll, kryeqyteti kulturor që bashkon kontinentet?” Musk iu përgjigj:

“Pres me padurim të vizitoj Stambollin. Është një nga qytetet më të mëdha të botës.”

Shumë komentatorë ndërkombëtarë kanë theksuar gjithashtu nevojën për t’ia njohur meritat edhe partneres së Jusuf Dikeç, Sevval Ilayda Tarhan, e cila garoi me të njëjtin qëndrim të çlirët si Dikeç.

Një tjetër debat i ashpër që shoqëroi për ditë të tëra ishte ai për përkatësinë gjinore të Iman Kelifes, boksieres marokene dhe një tjetër boksieres kineze, që kishin tepricë hormone mashkullore. Jo pa qëllim u etiketuan si transgjinore për të devijuar vëmendjen e publikut, dhe kjo u pa kur kritikët e së majtës sulmuan ashpër konservatorët, duke i akuzuar se nuk dinë të bëjnë dallimin midis transgjinorëve dhe personave me probleme hormonale. Natyrisht që ne nuk i dimë këto gjëra, sepse ne pranojmë vetëm dy gjini, dhe ata që kanë probleme seksuale me hormonet duhet të shkojnë te mjekët përkatës, dhe jo te “doktorët filozofikë të së keqes” nga e majta ekstreme. Fantazma e së djathtës ekstreme konservatore ka qenë një gogol i suksesshëm deri tani, dhe kjo u pa edhe në zgjedhjet e fundit të humbura nga Macron në favor të një grupi ekstremesh të majta.

Mbyllja e Lojërave Olimpike ishte një tjetër shfaqje e shëmtuar në përpjekje për të normalizuar anormalen. Ja si e përshkruan atë Marcelo Foa, gazetar i RAI 1 dhe pedagog i komunikimit në Universitetin Katolik të Luganos:

“Ceremonia e Lojërave Olimpike: më duket sikur po shoh makthin më të tmerrshëm të Orwell-it. Kanë inskenuar një teatër të së ardhmes me persona pa fytyra, stadiumi i zhytur në errësirë me muzikë shqetësuese. Dëgjohet zëri metalik i spikerit, si në 1984 (romani i Orwell-it). Kalorësi që zbret nga qielli është një hibrid i çuditshëm midis njeriut dhe një kafshe të larëzuar. Pastaj shfaqen ‘fantazma’ përsëri me fytyrën e maskuar, që shfaqen në mes të mjegullës. Ky është ferri i Dantes. Kjo nuk mund të jetë ceremonia e mbylljes së Lojërave Olimpike. Turbuese dhe po ashtu me një mesazh emblematik të trishtueshëm, kjo është ajo që duan të na përcjellin. Kini frikë, e ardhmja është distopike (anormale).”

Edhe një herë, organizatori francez i lojërave, një person i së majtës ekstreme, ofroi një spektakël horror shqetësues për psikën njerëzore, së bashku me stafin e tij të komunitetit gay.

Observer.al

Të ngjashme
Related

Plani 2.0 i Trumpit për ndalimin e muslimanëve

Donald Trump është zotuar se do të rikthejë një version akoma më të ashpër të ‘Ndalimit për muslimanët’. Pasojat për muslimanët, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.

Reflektime mbi “Islamofobinë Globale dhe Rritjen e Populizmit”

Libri "Islamofobia globale dhe rritja e populizmit" shqyrton rritjen e Islamofobisë dhe populizmit në vende të ndryshme, nga India në Evropë.

Akrobacitë islamofobe të Hysamedin Ferajt

Replikë me “Rrahmanizmin” e politologut të majtë, neoliberalit, laikut e ateistit Hysamendin Feraj.

Gjenocidi kundër palestinezëve po ushqen një valë globale të urrejtjes anti-muslimane

Duke mbështetur veprimet gjenocidale të Izraelit në Gaza, Perëndimi ka krijuar kushtet për përhapjen e dhunës ndaj muslimanëve globalisht. Si rezultat, Islamofobia është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, duke arritur nivele të ngjashme me ato pas sulmeve të 11 shtatorit.
Verified by MonsterInsights