Thursday, November 21, 2024

Përhapja dhe normalizimi i Islamofobisë në Mbretërinë e Bashkuar

Media dhe politikanët britanikë kanë mbjellë farat e kësaj trazire të dhunshme, pasi kanë kaluar vite duke demonizuar dhe viktimizuar muslimanët për të shmangur vëmendjen nga dështimet politike dhe për të fituar vota dhe shikueshmëri.

Një xhami sulmohet me bomba molotov. Dritaret e saj goditen me gurë ndërsa besimtarët brenda struken nga frika. Turma burrash të bardhë ngacmojnë dhe sulmojnë në mënyrë të dhunshme njerëz me ngjyrë në rrugë. Një hotel që strehon azilkërkues digjet, bizneset e drejtuara nga muslimanët shkatërrohen, gurët e varreve muslimane vandalizohen, xhamitë sulmohen dhe një burrë musliman therret me thikë.

Kjo është vetëm një pjesë e dhunës islamofobe që ka përfshirë Mbretërinë e Bashkuar javën e kaluar. Trazirat, të cilat janë përshkruar si disa nga më të këqijat që vendi ka përjetuar në dekada, u ndezën pas një sulmi të tmerrshëm me thikë që mori jetën e tre vajzave të reja në Southport, Angli. Postimet në rrjetet sociale pretendonin se autori i krimit ishte një azilkërkues musliman. Megjithatë, pavarësisht se autoritetet zbuluan se i dyshuari 17-vjeçar nuk ishte musliman dhe se kishte lindur në Cardiff, bandat e së djathtës ekstreme vazhduan sulmet e tyre duke terrorizuar komunitetin musliman në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Dezinformimi në platformat online luajti një rol kyç në nxitjen e këtyre trazirave, pasi individë me ndjekës të shumtë përhapën pretendime të rreme. Një studim nga Dr. Marc Owen Jones përshkroi sesi influencuesi mizogjinist Andrew Tate, gazetari i GB News Darren Grimes, dhe provokatori anti-mysliman Tommy Robinson, patën një ndikim të madh në përhapjen e këtyre thashethemeve.

Megjithatë, lehtësia me të cilën u përhapën këto pretendime raciste tregon diçka tjetër — normalizimin e Islamofobisë në shoqërinë britanike. Dhe fajin nuk e kanë vetëm rrjetet sociale.

Sipas një raporti të vitit 2019 nga grupi anti-racist Hope not Hate, “më shumë se një e treta e njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar besojnë se Islami është një kërcënim për mënyrën britanike të jetesës.” Gati një e treta e publikut (32 përqind) pranon teoritë konspirative anti-muslimane, përfshirë pretendimet për ekzistencën e “Zonave të Ndaluara,” të cilat afro gjysma e votuesve konservatorë (47 përqind) besojnë se janë të vërteta. Raporti argumenton gjithashtu se paragjykimi anti-musliman ka qenë një nga shtysat kryesore të rritjes së të djathtës ekstreme.

Arsyet për këtë janë të dyfishta: Së pari, media britanike ka promovuar për një kohë të gjatë një narrativë të rreme sipas të cilës muslimanët nuk integrohen ose nuk mbështesin “vlerat britanike,” se ata janë të dhunshëm, se burrat muslimanë janë të përfshirë në pedofili dhe përdhunimin e grave të bardha, dhe se gratë muslimane janë të shtypura dhe njëkohësisht një kërcënim për kulturën britanike. Nuk është për t’u habitur që një sondazh i vitit 2022 zbuloi se mbi një e katërta (25.9 përqind) e publikut britanik kishte ndjenja negative ndaj muslimanëve.

Në kulmin e krizës së refugjatëve sirianë në vitin 2015, media britanike u tregua shumë më negative në mbulimin e saj krahasuar me disa vende të tjera evropiane. Terminologjia çnjerëzore dominoi tabloidët britanikë, të cilët i referoheshin refugjatëve si një “vërshim,” “përmbytje,” “hordhi” dhe “tufë.” Dhe gazetat përhapnin frikë duke përdorur metafora ushtarake dhe imazhe lufte, me tituj si “dërgoni ushtrinë” për të ndalur “pushtimin.”

Sot, pretendimet për “Zona të Ndaluara” dhe probleme të sajuara përsëriten rregullisht në Talk TV dhe GB News — dy platforma që tërheqin miliona shikime në muaj. Qendra për Monitorimin e Medias ka dokumentuar përhapjen e kësaj dukurie, duke theksuar sesi këto media të djathta kanë publikuar vazhdimisht përmbajtje demonizuese duke fajësuar myslimanët për trazirat e fundit të dhunshme. Kjo, pavarësisht faktit se janë muslimanët, vendet e tyre të adhurimit, shtëpitë dhe bizneset e tyre që janë në shënjestër.

Ndërsa turmat nacionaliste të bardha sulmonin komunitetet muslimane këtë javë, këto rrjete mediatike u bënë zëdhënësit e tyre, ku gazetarët amplifikonin urrejtjen. Disa pohuan se muslimanët duhet ta prisnin këtë sjellje, ndërsa të tjerë promovuan teori konspirative të rrezikshme për një “Islamizim” të shoqërisë. Duke vepruar kështu, këto rrjete normalizonin pikëpamje që i paraqisnin emigrantët me ngjyrë si një kërcënim për shoqërinë britanike dhe myslimanët britanikë si një “komunitet i dyshimtë” që fajësohet për problemet e shoqërisë.

Kur bëhet fjalë për politikanët britanikë, për fat të keq, situata nuk është shumë ndryshe. Për vite me radhë, retorika në spektrin politik ka qenë e mbushur me trope anti-myslimane.

Turmat anti-muslimane që dolën këtë javë në rrugë brohoritën slogane që janë përdorur nga politikanë të njohur në parlament. “Ndalo anijet” ishte politika e emigracionit e ish-Kryeministrit konservator Rishi Sunak. Sekretarja e Brendshme e tij, Suella Braverman, e cila udhëhoqi një projektligj për emigracionin ilegal, pretendoi se emigrantët ilegalë “kanë vlera që janë në kundërshtim me vendin tonë” dhe tentoi të lidhte “njerëzit që vijnë me anije” me “trafik droge, shfrytëzim dhe prostitucion.” Në vitin 2022, Sekretarja e Brendshme konservatore Priti Patel vendosi azilkërkuesit në të njëjtën kategori me përdhunuesit. Dhe ishte kryeministri i saj, Boris Johnson, që në vitin 2018 i krahasoi gratë muslimane që mbanin nikab me “kutitë e letrave” dhe “grabitësit e bankave.” Ai mori postin e kryeministrit vitin vijues.

Por nuk bëhet fjalë vetëm për deklarata të herëpashershme anti-muslimane — Islamofobia është e përhapur në politikën britanike. Llogaritë në rrjetet sociale të disa anëtarëve të Partisë Konservatore janë të padallueshme nga ato të ekstremit të djathtë, ku një anëtar partie shkruante se do të dëshironte “t’i nxirrnin të gjithë muslimanët nga zyrat publike,” dhe një tjetër që shprehte dëshirën për “t’i hequr të gjitha xhamitë.”

Të tjerë i kanë quajtur muslimanët “njerëz shpellash,” kanë pretenduar se “shumica” janë abuzues seksualë, dhe vetëm këtë javë, kandidati për udhëheqësinë e Tory-ve, Robert Jenrick, argumentoi se individët që thërrasin “Allahu Akbar” duhet të arrestohen. Për më tepër, në maj të këtij viti, ish-nënkryetari i Tory-ve, Lee Anderson, akuzoi Kryetarin e Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, se ishte nën kontrollin e “islamistëve” dhe se ai “e urren këtë vend… trashëgiminë tonë, kulturën tonë.”

Pavarësisht provave dërrmuese të ekzistencës së Islamofobisë institucionale, konservatorët jo vetëm që kanë dështuar të veprojnë, por kanë sinjalizuar publikun se racizmi anti-mysliman është i pranueshëm.

Po ashtu, të tjerë në të djathtën kanë vepruar ngjashëm. Pretendimet se muslimanët janë një kërcënim për “mënyrën britanike të jetesës” janë rutinë për liderin e Reform UK, Nigel Farage — fytyrën e fushatës për Brexit, i cili ndërtoi një karrierë mbi demonizimin e myslimanëve dhe njerëzve me ngjyrë, duke ndihmuar që pikat e fjalimit të së djathtës ekstreme të hyjnë në diskursin kryesor. Posteri i tij famëkeq i vitit 2016, i cili paraqiste një radhë individësh me ngjyrë duke ecur drejt kufirit, u krahasua me propagandën naziste. Më herët këtë vit, ai pretendoi se muslimanët britanikë “nuk përqafojnë vlerat britanike” dhe “urrejnë shumë nga ato që ne përfaqësojmë.” Dhe në vitin 2020, ai madje kërkoi që të bëheshin publike të gjitha hotelet që strehonin emigrantë, pasi disa banorë “mund të jenë ISIS” — për të mos harruar që javën e kaluar ishte pikërisht një hotel Holiday Inn që strehonte azilkërkues që u sulmua nga turmat.

Trazirat në Southport nuk u shkaktuan vetëm nga fushatat e dezinformimit online, por u nxitën edhe nga prania e përhapur e islamofobisë në shoqërinë e gjerë. Dhe ndërsa ndjenjat anti-myslimane të sotme mund të gjurmohen që nga sulmet terroriste të 7/7 në Londër, si rezultat i të cilave katër milionë myslimanë britanikë u mbajtën kolektivisht përgjegjës për veprimet e katër individëve, Islamofobia ka njohur një rritje të madhe për shkak të dekadave të tëra të historive negative në media dhe politikave të dëmshme qeveritare (siç është PREVENT) që i kanë paraqitur myslimanët britanikë si të prirur për “ekstremizëm.”

Media dhe politikanët britanikë kanë mbjellë farat e kësaj trazire të dhunshme, pasi kanë kaluar vite duke demonizuar dhe viktimizuar muslimanët për të shmangur vëmendjen nga dështimet politike dhe për të fituar vota dhe shikueshmëri. Dështimi për ta njohur dhe trajtuar këtë në redaksi dhe në korridoret e parlamentit garanton se do të shohim një përsëritje të këtyre trazirave të shëmtuara.

Solli në shqip Observer.al. Publikuar në anglisht nga Politico.eu.
Mobashra Tazamal
Mobashra Tazamal
Mobashra Tazamal është Drejtoreshë e Asociuar e Iniciativës Bridge. Puna e saj fokusohet në ndikimin e diskursit mbi Luftën kundër Terrorizmit dhe Islamofobisë së sponsorizuar nga shteti në mbarë botën. Duke qenë eksperte në këtë fushë, ajo shërben si burim për edukatorë dhe gazetarë, ndërsa analizat e saj janë cituar në media globale si New York Times, NBC, Salon, Washington Post dhe Al Jazeera. Përveç botimit të artikujve dhe raporteve për Bridge, analizat e saj janë publikuar gjithashtu në The Independent, Al Jazeera, Middle East Eye, Truthout, The New Arab dhe Byline Times. Ajo ka një diplomë masteri nga SOAS, Universiteti i Londrës. Ajo ka përvojë të mëparshme në avokimin e të drejtave të njeriut dhe ligjin për imigracionin.

Të ngjashme
Related

Plani 2.0 i Trumpit për ndalimin e muslimanëve

Donald Trump është zotuar se do të rikthejë një version akoma më të ashpër të ‘Ndalimit për muslimanët’. Pasojat për muslimanët, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.

Reflektime mbi “Islamofobinë Globale dhe Rritjen e Populizmit”

Libri "Islamofobia globale dhe rritja e populizmit" shqyrton rritjen e Islamofobisë dhe populizmit në vende të ndryshme, nga India në Evropë.

Akrobacitë islamofobe të Hysamedin Ferajt

Replikë me “Rrahmanizmin” e politologut të majtë, neoliberalit, laikut e ateistit Hysamendin Feraj.

Gjenocidi kundër palestinezëve po ushqen një valë globale të urrejtjes anti-muslimane

Duke mbështetur veprimet gjenocidale të Izraelit në Gaza, Perëndimi ka krijuar kushtet për përhapjen e dhunës ndaj muslimanëve globalisht. Si rezultat, Islamofobia është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, duke arritur nivele të ngjashme me ato pas sulmeve të 11 shtatorit.
Verified by MonsterInsights