Sunday, November 24, 2024

Pse Izraeli kërkon të fshijë kontekstin dhe historinë në luftën kundër Gazës

Dehistorizimi i asaj që po ndodh në Gaza e ndihmon Izraelin të ndjekë politikat e tij gjenocidale ndaj palestinezëve. Shërben si pretekst për Shtetet e Bashkuara që të rikthejnë praninë e tyre në Lindjen e Mesme. Dhe është një pretekst për disa vende evropiane që të shkelin dhe kufizojnë liritë demokratike në emër të një “lufte të re kundër terrorit”.

Më 24 tetor, një deklaratë e bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres shkaktoi një reagim të ashpër nga ana e Izraelit. Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit, shefi i OKB-së tha se, ndonëse e dënonte në mënyrën më të ashpër masakrën e kryer nga Hamasi më 7 tetor, ai dëshironte t’i kujtonte botës se ajo nuk ndodhi në vakum. Ai shpjegoi se, nuk mund të neglizhohen 56 vite pushtim nga interesimi ynë për tragjedisë që ndodhi atë ditë.

Qeveria izraelite reagoi menjëherë duke e dënuar deklaratën. Zyrtarët izraelitë kërkuan dorëheqjen e Guterres me pretendimin se ai po mbështeste Hamasin dhe justifikonte masakrën që Hamasi kreu. Mediat izraelite gjithashtu u hodhën menjëherë në sulm, duke pohuar ndër të tjera se shefi i OKB-së “ka shfaqur një shkallë të tmerrshme falimentimi moral”.

Ky lloj reagimi sugjeron se tani një lloj i ri akuzash për antisemitizëm mund të jetë në tryezë. Deri më 7 tetor, Izraeli kishte nxitur që përkufizimi i antisemitizmit të zgjerohej dhe të përfshinte edhe kritikat ndaj shtetit izraelit dhe vënien në dyshim të bazës morale të Sionizmit. Në këto kushte, kontekstualizimi dhe historizimi i asaj që po ndodh mund të shkaktojë gjithashtu një akuzë për antisemitizëm.

Dehistorizimi i këtyre ngjarjeve ia mundëson Izraelit dhe qeverive në Perëndim të ndjekin disa politika të cilave iu shmangeshin në të kaluarën për shkak të konsideratave etike, taktike apo strategjike.

Kështu, sulmi i 7 tetorit përdoret nga Izraeli si pretekst për të ndjekur politika gjenocidale në Rripin e Gazës. Është gjithashtu një pretekst që Shtetet e Bashkuara po përdorin për të kthyer praninë e tyre në Lindjen e Mesme. Dhe është një pretekst për disa vende evropiane që të shkelin dhe kufizojnë liritë demokratike në emër të një “lufte të re kundër terrorit”.

Por ka disa kontekste historike që nuk mund të injorohen në lidhje me atë që po ndodh tani në Izrael-Palestinë. Konteksti më i gjerë historik shkon pas në mesin e shekullit të 19-të, kur krishterimi ungjillor në Perëndim e ktheu idenë e “kthimit të hebrenjve” në një imperativ fetar milenial dhe mbronte krijimin e një shteti hebre në Palestinë si pjesë e  hapave që do të çonin në ringjalljen e të vdekurve, kthimin e Mesisë dhe fundin e kohërave.

Teologjia u shndërrua në politikë nga fundi i shekullit të 19-të dhe vitet para Luftës së Parë Botërore për dy arsye.

Së pari, ajo funksionoi në interes të atyre britanikëve që dëshironin të shpërbënin Perandorinë Osmane dhe të përfshinin pjesë të saj në Perandorinë Britanike. Së dyti, ajo rezonoi me ata njerëz në mesin e aristokracisë britanike, si hebrenjtë dhe të krishterët, të cilët u magjepsën me idenë e Sionizmit si një ilaç për problemin e antisemitizmit në Evropën Qendrore dhe Lindore, i cili kishte prodhuar një valë të padëshiruar emigrimi hebre në Britani.

Kur këto dy interesa u ndërthurën, ata e shtynë qeverinë britanike të nxirrte deklaratën e famshme – ose famëkeqe – të Balfourit në 1917.

Mendimtarët dhe aktivistët hebrenj që e ripërcaktuan judaizmin si nacionalizëm shpresonin se ky përkufizim do t’i mbronte komunitetet hebreje nga rreziku ekzistencial në Evropë duke u kthyer në Palestinë si hapësira e dëshiruar për “rilindjen e kombit hebre”.

Në këtë proces, sionizmi u shdërrua nga një projekt kulturor dhe intelektual në një projekt kolonialist të kolonëve – i cili synonte hebraizimin e Palestinës historike, duke mos marrë parasysh faktin se ajo banohej nga një popullsi indigjene.

Nga ana tjetër, shoqëria palestineze, e cila ishte mjaft baritore në atë kohë dhe në fazën e hershme të modernizimit dhe ndërtimit të një identiteti kombëtar, prodhoi lëvizjen e saj antikoloniale. Veprimi i saj i parë domethënës kundër projektit të kolonizimit sionist erdhi me Kryengritjen e Al-Buraq-ut të vitit 1929 dhe nuk ka ndaluar që atëherë.

Një kontekst tjetër historik i rëndësishëm për krizën aktuale është spastrimi etnik i Palestinës i vitit 1948, i cili përfshinte dëbimin me forcë të palestinezëve drejt Rripit të Gazës nga ato fshatra mbi rrënojat e të cilave u ndërtuan disa nga vendbanimet izraelite që u sulmuan më 7 tetor. Këta palestinezë të zhvendosur ishin pjesë e 750,000 palestinezëve që humbën shtëpitë e tyre dhe u bënë refugjatë.

Ky spastrim etnik u pa nga bota, por nuk u dënua. Si rezultat, Izraeli vazhdoi të përdorte spastrimin etnik si pjesë e përpjekjeve të tij për të siguruar kontroll të plotë mbi Palestinën historike me sa më pak palestinezë vendas të mbetur të ishte e mundur. Kjo përfshinte dëbimin e 300,000 palestinezëve gjatë dhe pas luftës së vitit 1967, si dhe dëbimin e më shumë se 600,000 të tjerëve nga Bregu Perëndimor, nga Jerusalemi dhe Rripi i Gazës që prej asaj kohe.

Ekziston edhe konteksti i pushtimit izraelit të Bregut Perëndimor dhe Gazës. Gjatë 50 viteve të fundit, forcat okupuese kanë shkaktuar ndëshkime kolektive të vazhdueshme ndaj palestinezëve në këto territore, duke i ekspozuar ata ndaj ngacmimeve të vazhdueshme nga ana kolonëve izraelitë dhe forcat e sigurisë dhe duke burgosur qindra mijëra prej tyre.

Që nga zgjedhja e qeverisë aktuale fondamentaliste mesianike izraelite në nëntor 2022, të gjitha këto politika të ashpra arritën në nivele të paprecedentë. Numri i palestinezëve të vrarë, të plagosur dhe të arrestuar në Bregun Perëndimor të pushtuar arriti kulmin. Për më tepër, politikat e qeverisë izraelite ndaj vendeve të shenjta të krishtera dhe muslimane në Jerusalem u bënë edhe më agresive.

Së fundi, është edhe konteksti historik i rrethimit 16-vjeçar të Gazës, ku pothuajse gjysma e popullsisë janë fëmijë. Në vitin 2018, OKB-ja paralajmëronte se Rripi i Gazës do të bëhej një vend i papërshtatshëm për njerëzit deri në vitin 2020.

Është e rëndësishme të kujtojmë se rrethimi u vendos në përgjigje të zgjedhjeve demokratike të fituara nga Hamasi pas tërheqjes së njëanshme të Izraelit nga territori. Edhe më e rëndësishme është të kthehemi në vitet 1990, kur pas Marrëveshjeve të Oslos Rripi i Gazës u rrethua me tela me gjemba dhe u shkëput nga Bregu Perëndimor i pushtuar dhe Jerusalemi Lindor.

Izolimi i Gazës, gardhi rreth saj dhe rritja e judaizimit në Bregun Perëndimor ishin një tregues i qartë se Oslo në sytë e izraelitëve nënkuptonte një pushtim me mjete të tjera, jo një rrugë drejt paqes së vërtetë.

Izraeli kontrollonte pikat e daljes dhe të hyrjes në geton e Gazës, duke monitoruar edhe llojin e ushqimit që hynte – ndonjëherë duke e kufizuar atë në një numër të caktuar kalorish. Hamasi reagoi ndaj këtij rrethimi rraskapitës duke lëshuar raketa në zonat civile në Izrael.

Qeveria izraelite pretendoi se këto sulme ishin të motivuara nga dëshira ideologjike e lëvizjes për të vrarë hebrenjtë – një formë e re e nazizmit – duke shpërfillur kontekstin e Nakbes dhe të rrethimit çnjerëzor dhe barbar të imponuar mbi dy milionë njerëz dhe shtypjen e bashkatdhetarëve të tyre në pjesë të tjera të Palestinës historike.

Hamasi, në shumë mënyra, ishte i vetmi grup palestinez që premtoi të hakmerrej ose t’u përgjigjej këtyre politikave. Mënyra se si Hamasi vendosi të përgjigjej, megjithatë, mund të sjellë vdekjen e tij, të paktën në Rripin e Gazës, e gjithashtu mund të sigurojë një pretekst për shtypjen e mëtejshme të popullit palestinez.

Egërsia e sulmit të Hamasit nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të shpjegohet dhe kontekstualizohet. Sado e tmerrshme të jetë, lajmi i keq është se nuk është një ngjarje që shënon një pikë kthese, pavarësisht kostos së madhe njerëzore nga të dyja palët. Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen?

Izraeli do të mbetet një shtet që është krijuar nga një lëvizje kolonesh kolonialistë, gjë që do të vazhdojë të ndikojë në ADN-në e tij politike dhe të përcaktojë natyrën e tij ideologjike. Kjo do të thotë se pavarësisht nga vetë inkuadrimi i tij si demokracia e vetme në Lindjen e Mesme, ai do të mbetet një demokraci vetëm për qytetarët e vet hebrenj.

Lufta e brendshme brenda Izraelit midis atij që mund ta quajmë shteti i Judesë – shteti i kolonëve që dëshiron që Izraeli të jetë më teokratik dhe racist – dhe shtetit të Izraelit – që dëshiron të mbajë status quo-në – që e ka përcaktuar Izraelin deri më 7 tetor do të shpërthejë përsëri. Në fakt, tashmë ka shenja të rikthimit të tij.

Sido që të përfundojë situata në Gaza, Izraeli do të vazhdojë të jetë një shtet aparteidi, siç deklarohet nga një numër organizatash të të drejtave të njeriut. Palestinezët nuk do të zhduken por do të vazhdojnë luftën e tyre për çlirim, ku shume shoqëri civile janë në anën e tyre, pavarësisht se qeveritë e tyre  mbështesin Izraelin dhe i japin atij një imunitet të jashtëzakonshëm.

Rrugëdalja mbetet e njejtë: duhet një ndryshim i regjimit në Izrael që të sjellë të drejta të barabarta për të gjithë nga lumi (Jordan) deri në det dhe të që lejojë kthimin e refugjatëve palestinezë. Përndryshe, cikli i gjakderdhjes nuk do të përfundojë.

Ilan Pappé
Ilan Pappé
Ilan Pappe është historian izraelit. Ka botuar 15 libra për Lindjen e Mesme dhe për Çështjen e Palestinës. Disa nga librat që ai ka shkruar përfshijnë: "Spastrimi etnik i Palestinës" (2006), "Lindja e Mesme Moderne" (2005), "Historia e Palestinës moderne: Një tokë, dy popuj" (2003) dhe "Britania dhe Konflikti Arabo-Izraelit” (1988).

Të ngjashme
Related

Plani 2.0 i Trumpit për ndalimin e muslimanëve

Donald Trump është zotuar se do të rikthejë një version akoma më të ashpër të ‘Ndalimit për muslimanët’. Pasojat për muslimanët, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.

Reflektime mbi “Islamofobinë Globale dhe Rritjen e Populizmit”

Libri "Islamofobia globale dhe rritja e populizmit" shqyrton rritjen e Islamofobisë dhe populizmit në vende të ndryshme, nga India në Evropë.

Akrobacitë islamofobe të Hysamedin Ferajt

Replikë me “Rrahmanizmin” e politologut të majtë, neoliberalit, laikut e ateistit Hysamendin Feraj.

Gjenocidi kundër palestinezëve po ushqen një valë globale të urrejtjes anti-muslimane

Duke mbështetur veprimet gjenocidale të Izraelit në Gaza, Perëndimi ka krijuar kushtet për përhapjen e dhunës ndaj muslimanëve globalisht. Si rezultat, Islamofobia është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, duke arritur nivele të ngjashme me ato pas sulmeve të 11 shtatorit.
Verified by MonsterInsights