Si duket të gjitha zbulimet dhe shpikjet shkencore që përmirësuan cilësinë e jetës i ka bërë Perëndimi?
Jo jo! Gabojmë shpeshherë kur origjinën e zbulimeve dhe shpikjeve ia atribuojmë vetëm Qytetërimit Perëndimor.
“1001 Inventions: The Enduring Legacy of Muslim Civilization”, botuar nga National Geographic, është një nga librat më të vlefshëm që ka trajtuar Qytetërimin Islam, historinë e harruar të 1000 vjetëve të trashëgimisë muslimane, duke hedhur dritë në horizontin e shpikjeve më të shkëlqyeshme të muslimanëve, të cilat i dhanë formë jetës moderne.
Pra, nuk ishte një “Epokë e Errët”, ishte një “Epokë e Ndriçuar”, që u pengonte mendjeve të errësuara në errësirën e injorancës, atyre që donin të përfitonin nga rrezet, duke mohuar burimin e tyre – diellin.
Meritat në zbulimet e para përfshijnë kirurgjinë, përkatësisht operacionin e parë nga El-Zahraui, shpikësin e mjeteve të para kirurgjike, i cili përdori zorrët e kafshëve për qepjen e plagëve, i cili rreth vitit 1000 botoi një enciklopedi ilustruese të kirurgjisë me 1500 faqe, që u përdor në Evropë si një referencë mjekësore për 500 vitet e ardhshme; origjinën e kafesë, që sipas Hassanit është nga Jemeni në shekullin e 9-të; fluturimin e parë nga Abbas ibn Firnas, 1000 vjet para vëllezërve Wright, në Spanjën e shek. IX, i cili projektoi një makinë fluturuese, që më vonë u bë frymëzim për Leonardo da Vincin; universitetin e parë të themeluar në Marok, në vitin 859; algjebrën dhe matematikanin e njohur El-Khawarizmi; studimin e optikës nga Ibn al-Haytham, i cili hodhi themelet e para për zbulimin e kamerës moderne, zbuloi fenomenin “Camera Obscura” dhe mënyrën se si ne i shohim objektet – se si funksionon syri ynë (projektimi i imazhit dhe përhapja e dritës); muzikën, ku shumë instrumente muzikore arritën në Evropë nga Lindja e Mesme; inxhinierinë nga El-Jazari në shekullin e 12-të, me shndërrimin e lëvizjes rrotulluese në lëvizje lineare, që ndihmoi Revolucionin Industrial; spitalet dhe qendrat mjekësore, që vijnë nga Egjipti i shekullit të 9-të në Kajro etj.[1]
Një nga intelektualët më të shquar të Rilindjes Shqiptare, Sami Frashëri, në studimet e tij përmend se ora me zile që i dërgoi kalifi Harun er-Rrashid mbretit të Francës, Karli i Madh, bëri të çuditej gjithë Evropa. Madje, sipas tij, nuk është shkruar gjerësisht në histori sesa të shumta e sa të përsosura ishin veprat artizanale të këtij lloji në Baghdat.[2]
Ai vazhdon e flet edhe për zbulimin e letrës, ku thotë se tanimë nuk dyshohet se zbulimi i letrës është bërë nga muslimanët, zbulim të cilin disa historianë gabimisht ua veshin kinezëve. Që nga fillimi i shek. VII, letra përpunohej nga mëndafshi në Samarkandë dhe Buhara. Në fillim të shek. II, letra zuri të përpunohej prej liri në Damask. Kjo përmendet në librat e autorëve grekë të Konstandinopojës. Meqenëse në Andaluzi prodhohej shumë pambuk, letra përpunohej nga pëlhurat e pambukut dhe eksportohej në Francë, Itali, Angli e Gjermani.[2]
Samiu nuk përjashton kontributin e muslimanëve edhe në aspektin gjeografik, meritat e të cilëve asnjëherë nuk u zyrtarizuan, siç është rasti me Vasko de Gamën. Frashëri thotë se dijetarët islamë kanë bërë edhe hartën e lundrumit në dete. Meqë grekët nuk patën ndonjë sukses në këtë punë, edhe kjo konsiderohet zbulim i qytetërimit islam. Më 1497, portugezi i njohur, detari Vasko de Gama, i cili ka zbuluar shumë ujdhesa të Oqeanit Paqësor, kishte përfituar shumë nga një hartë detare e shkruar në gjuhën arabe, te cilën e kishte me vete një musliman në ekuipazhin e tij.[2]
Në shekullin e katërt hixhri u hapën disa shkolla gjeografike islame, ku vlen të theksohet se, në këtë kohë u përpilua edhe atlasi i parë islam dhe shkrimi i librave të gjeografisë arritën kulminacionin.[3] Përderisa evropianët nuk kishin njohuri për Kinën, muslimanët me këtë vend kishin marrëdhënie tregtare. Prodatime të ndryshme detare për evropianët bëri edhe shkencëtari musliman me emrin, Ahmed ben Maxhed. Realisht, rrugën detare Indi-Kinë, pesë shekuj para Marko Polos, e zbuloi një marinar musliman iranian me emrin Sulejman Sirafi.[3]
Kush e di që Christopher Colombus kishte për referencë edhe astronomin arab al-Earghani?
Shumë arkitektë romakë kishin mësuar nga teknikat e arkitektëve muslimanë. Ndërtesat e para, që muslimanët i ndërtuan ishin: xhamitë dhe pallatet. Xhamia e madhe e Kordobës u ndërtua në Spanjë në vitin 786 dhe është xhamia e dymbëdhjetë më e madhe në botë, që ka 20 shtylla.[3]
Sipas autorit Olivia Sterns, në një shkrim për CNN, shpikjet më mbresëlënëse, objektet dhe idetë që transformuan mënyrën e jetesës dhe që çuan në përparimet e mëdha teknologjike, tani janë të ekspozuara në Muzeun e Shkencave në Londër, që nxjerrin në pah kontributet e kulturave joperëndimore, një perandorie muslimane që shtrihej nga Spanja deri në Kinë.[4]
Jo vetëm në fushën e zbulimeve dhe të shpikjeve shkencore, por perëndimorët u frymëzuan edhe në fushën e aftësive krijuese të artit islam.
Muslimanët në artin e arkitekturës, të inxhinierisë, të skulpturës, të gdhendjes së drurit, të kaligrafisë, të koreografisë-vallëzimit, të muzikës, kanë qenë mjeshtër të mëdhenj, sipas studiuesit Ali Akbar Velajetit.[3]
Një inxhinier musliman në fushën e mekanikës ishte Xhezeri. Ai jetoi në gjysmën e dytë të shekullit të shtatë hixhri. Libri i tij i njohur në fushën e mekanikës ishte “Ketab fi maurufe Alhil Ahandesie”, libër shkencor teorik dhe praktik. Kishte shkruar qindra libra në lidhje me mjetet mekanike. Libri i tij ndahet në gjashtë kapituj: 1. Orët e ujit dhe llambat; 2. Pajisjet zbavitëse; 3. Pajisjet për larjen e duarve dhe fytyrës dhe pjesëve tjera; 4. Fontanat dhe pipat e përhershëm; 5. Makinat për ngritjen e ujit lart; 6. Pajisjet xhezi dhe të tjera. Në anën tjetër, disa nga risitë e bëra nga mjekët muslimanë ishin lloje të ndryshme të ndërhyrjeve kirurgjikale në sy, heqja e lëngut të akumuluar në kornea dhe shumë lloje të bimëve mjekësore, mineraleve dhe kafshëve për kurimin e syrit. Në mesin e oftalmologëve më të njohur muslimanë kanë qenë Hanin ben Is’hak, autor i librit “Alasher Mokalat fi Alejn”. Evropa pas përfundimit të shekullit të shtatë, ka përdorur në masë të madhe punimet e oftalmologëve muslimanë. Në fushën e botanikës dhe të patologjisë së bimëve, situata është pak a shumë e njëjtë. Vepra më e rëndësishme e kësaj fushe e cila ra në duart e botanikëve muslimanë, ishte libri “Al Heshaesh” i autorit Diskuridis, që jetoi në Azinë e Vogël gjatë shekullit të parë. Në këtë libër janë propozuar gati njëqind pronësi farmaceutike të bimëve, mirëpo janë studiuar vetëm pjesët që lidhen me bimët mjekësore.[3]
Emri Ibn Sina është referenca kryesore në mjekësi, me librin e tij të njohur “Kanu”, i botuar e përkthyer në Evropë me dhjetëra herë. Mjekësia islame dhe spitalet e muslimanëve kanë ndikuar si shembull në hapjen e spitaleve në qendra të ndryshme evropiane. Mjekët evropianë kanë mësuar nga mjekët muslimanë, se si duhen trajtuar sëmundjet si: fruthi, tiroidi dhe murtaja, përfshirë edhe llojet e operacioneve, ku edhe disertacionet mjekësore të muslimanëve njihen si bazë e shkencave kirurgjike në Evropë.
Në Epokën Abasite, kulminacioni i lëvizjeve të përkthimeve, njëkohësisht kishte përfshirë edhe përkthimin e librave muzikorë iranianë, indianë dhe grekë, në kuadër të së cilës kalifët abasitë u përpoqën për të promovuar dhe zhvilluar artin muzikor. Gjatë Kalifatit Abasit, ndodhën disa inovacione shkencore në fushën e muzikës. Ibrahim ben Mahan Mesuli kishte aftësi të jashtëzakonshme në muzikë. Ai i mësoi shumë muzikantë të Mosulit dhe të Baghdadit.[3] Një ndër instrumentet më të rëndësishme të muzikës kanë qenë fyelli, defi dhe daullja. Arabët dhe iranianët kishin shumë interesim për muzikën. Farbiu ishte njëri ndër autorët, që kishte shkruar në lidhje me disa instrumente muzikore. Spanjollët në shekullin e tretë hixhri kanë përdorur veprat muzikore të autorëve muslimanë.[3]
Shumë emra të njohur perëndimorë, si Njutoni, Kepleri dhe Kopernikus, ishin të njohur me astronominë islame. E deri te teknologjia dhe higjiena, sistemi i ujitjes, modelit të aplikuar në Andaluzi, që i dha një mësim dhe kulturë Evropës.
Siç thotë studiuesi i njohur boshnjak, kryetari i Akademisë Boshnjake të Shkencave dhe Arteve, Ferid Muhiq, se qyteti i Kordobës ishte qyteti i parë në botë, i cili e futi sistemin e tërësishëm të ujitjes, me nyje sanitare, banja publike, shatërvanët, çezmat me ujë të pijshëm, tualetet private dhe publike, madje edhe qyteti i parë me kazanë publikë për mbeturina dhe hedhurina, sikur edhe me shërbimin e parë për hedhjen e mbeturinave dhe hedhurinave. Krahas faktit se Islami i pari e solli sapunin në Evropë, kurse në Kordobën e asaj kohe bëheshin sapunët më të mirë dhe më aromatikë në botë, mund të kuptohet krejtësisht entuziazmi dhe tmerri i udhëtarëve të ardhur nga qytetet e tjera të Evropës së atëhershme, pa kanalizim, pa nevojtore, si publike ashtu edhe private, pa ujësjellës të qytetit, me grumbuj mbeturinash, të ballafaquar me atë qytet të pastër përplot ujë të kthjellët në çdo hap.[5]
Ndërsa Ramin Jahanbegloo, në konferencën “Përtej Orientalizmit dhe Oksidentalizmit” lexoi tekstin me titull “Përplasja e Intolerancave”, ku ndër të tjerash tha se në kohën kur Evropa mbrëmjeve kridhej në errësirë, qendra e Perandorisë Muslimane të Morëve të Spanjës fekste nga ndriçimi i rrugëve. Kur evropianët laheshin përrenjve dhe liqeneve, qytetarët e Kordobës kishin mbi një mijë banja publike. Kur Evropa ishte e mbuluar nga çimkat, njerëzit në Spanjën muslimane i ndërronin të brendshmet ditë për ditë. Evropianët çapiteshin në llucë; rrugët e Kordobës ishin të shtruara. Pallatet e Evropës kishin vrimë në çati në vend të oxhaqeve; arkitektura me arabeska e Kordobës ishte e mahnitshme. Në kohën kur fisnikët e Evropës nuk ishin në gjendje të shkruanin emrin e tyre, në Kordobë fëmijët shkonin në shkollë. Kur murgjit në Evropë nuk dinin të lexonin shërbesat kishtare të pagëzimit, mësuesit në Kordobë kishin krijuar një bibliotekë me përmbi dy milionë libra, që rroknin çdo subjekt që kishte të bënte me jetën e njeriut. E pra, kjo është veç një faqe e vogël në historinë e Evropës, histori të cilën studiuesit evropianë kanë parapëlqyer ose ta shpërfillin krejtësisht, ose ta përmendin shkarazi në librat e historisë të shkruar prej tyre.[6]
Janë jashtëzakonisht mbresëlënëse qëndrimet dhe referencat e rilindasit të njohur, Sami Frashëri, i cili në veprat e tij kolosale na mëson se tetë apo nëntë shekuj pas paraqitjes së Islamit, qytetërimi ishte vetëm në duart e muslimanëve. Në rruzullin tokësor, përveç popujve islamë, nuk kishte ndonjë komb dhe bashkësi të qytetëruar. Azinë dhe Afrikën, të cilave me luftrat dhe me shkatërrimet e vazhdueshme romakët u kishin sjellë fatkeqësi të tjera, Qytetërimi Islam do t’i nxirrte nga gjendja kaotike dhe e shkatërruar. Muslimanët i gjallëruan ata me një qytetërim të ri. Edhe evropianët i shpëtuan nga veprat e tmerrshme dhe të egra, që kishin lënë popujt e egër që vërshuan nga Veriu. Janë muslimanët pra ata që u treguan popujve të këtyre anëve shembullin e një qytetërimi.[2]
Ndërsa kur u referohemi mrekullive shkencore në Kuran, na sillen në mendje shumë referenca, por më i spikaturi është Abdul Mexhid Ez-Zindani, me veprën e tij të njohur “Kur’ani është i vërteti”, një prej kontribuesve kryesorë në shpjegimin e mrekullive shkencore kuranore, një studiues mjaft serioz, tezat e të cilit janë përqafuar edhe nga shumë shkencëtarë me renome botërore me të cilët ai ka debatuar në konferenca dhe simpoziume shkencore mbi zbulimet shkencore dhe vërtetimin e tyre në vargjet kuranore. Dhe nga mahnitja e tyre me dimensionin shkencor të Kuranit, shumë prej tyre janë konvertuar në Islam, pasi kanë besuar se nuk ka të vërtetë tjetër jashtë Islamit. Në një periudhë kur shkencat nuk ishin fare të zhvilluara dhe nga një njeri analfabet si Muhamedi, i cili s’dinte as shkrim as lexim, në shek. VII, të cilin autori Michael Hart e ka vendosur në rend të parë nga 100 personalitetet më me ndikim të njerëzimit[7], nuk mund të buronin gjithë ato njohuri shkencore frymëzuese që përmenden në Kuran, të cilat shkenca i zbuloi dhe zhvilloi kohëve të fundit, kryesisht në shek. XX. Prandaj këta shkencëtarë, përfundimi logjik i çoi të besonin se kishin të bënin me Shpallje Hyjnore. Përputhshmëria midis Kuranit dhe shkencës nuk mund të ishte e rastësishme, as e projektuar, por ishte thelbësisht, strukturalisht dhe paradigmatikisht hyjnore.
Prof. Keith L. Moore, nga Universiteti i Torontos, i njohur në fushën e embriologjisë, mahnitej se si Kurani i përmendte aq saktësisht fazat embriologjike të zhvillimit të njeriut; prof. Taxhatan Taxhasun, nga Universiteti Shajng Maj në Tajlandë, i njohur në fushën e anatomisë, mahnitej se si Kurani fliste për qendrat nervore apo qendrën e ndjeshmërisë së djegieve në lëkurë; prof. Alfred Kroner, nga Universiteti Johannes Gutenberg i Mainzit, i njohur në fushën e gjeologjisë, mahnitej se si Kurani përmendte se qiejt dhe toka ishin një tërësi e pastaj u ndanë; prof. Jushjudi Kozan, drejtor i Institutit Astronomik në Tokio, mahnitej se si Kurani e përshkruante fazën fillestare të universit si “tym”; prof. Zhak Kusto, oqeanografi i famshëm francez, mahnitej se si Kurani fliste për fenomenin e pengesës nënujore, e cila pengon përzierjen e masave ujore të Detit Mesdhe dhe të Oqeanit Atlantik; prof. Balmar, i njohur në fushën e gjeologjisë, mahnitej se si Kurani përshkruante pjesën më të ulët të sipërfaqes tokësore, e cila gjendet pranë Detit të Vdekur; prof. Armstrong, një nga astronomët kryesorë të NASA-s në ShBA, mahnitej se si Kurani përmendte elementin e hekurit si element i huaj, i cili ka zbritur në tokë; profesor Sijavej, i njohur në fushën e gjeologjisë dhe hidrologjisë në Japoni, mahnitej se si Kurani përshkruante rolin e maleve dhe të kodrave në përforcimin e qëndrueshmërisë së kores së tokës.[8]
Ka edhe plot fenomene shkencore që ndodhin, të vërtetuara dhe konfirmuara shkencërisht, të cilat i përmend Kurani, siç i shpjegon studiuesi Harun Jahja:
“Zgjerimi i Universit – Në Kuran është shpallur se universi “zgjerohet”. “Ne me forcën tonë e ngritëm qiellin dhe Ne e zgjerojmë atë” (Edh-Dharijat, 47). Pikërisht, ky është përfundimi i arritur sot prej shkencës. Deri para fillimit të shekullit XX, i vetmi mendim i përhapur në të gjithë botën e shkencës ishte se “universi ruan një gjendje konstante dhe ka ekzistuar përherë pa fillim”. Por kërkimet, vëzhgimet dhe rrezultatet e marra prej aparaturave moderne vërtetuan se universi në të vërtetë ka një fillim; argument për këtë është fakti se ai zgjerohet vazhdimisht. Në fillimet e shekullit XX, fizikani rus Alexander Friedmann dhe kozmologu belg Georges Lemaitre llogaritën teorikisht se universi është në lëvizje të vazhdueshme dhe zgjerohet. Ky fakt u vërtetua gjithashtu prej të dhënave të vëzhguara më 1929. Astronauti amerikan Edwin Hubble, ndërsa po vëzhgonte qiellin me një teleskop, zbuloi se yjet dhe galaktikat largoheshin vazhdimisht nga njëra-tjetra. Një univers, ku çdo gjë lëvizë vazhdimisht duke u larguar prej çdo gjëje tjetër, nënkupton një univers vazhdimisht në zgjerim. Përsëri del në pah saktësia e habitshme e ajetit kuranor, i cili përdor një folje të kohës së tashme për të përshkruar vazhdimësinë e këtij zgjerimi.”[9]
“Ndarja e qiejve dhe tokës – Big Bang – “A nuk e dinë jobesimtarët se qiejt dhe toka ishin të ngjitura, e Ne i ndamë ato të dyja dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo gjëje. Përse nuk besojnë pra?” (El-Enbija, 30). Fjala “retk”, e përkthyer “të ngjitura”, në gjuhën arabe do të thotë “të përziera me njëra-tjetrën, të bashkuara”. Kjo fjalë përdoret në ato raste kur u referohemi dy substancave të ndryshme, të cilat përbëjnë një të plotë. Fraza “Ne i ndamë” është folja arabe “feteka” dhe nënkupton diçka që vjen si rezultat i shkëputjes apo shkatërrimit të strukturës së ngjitur“retk”. Pra, çarja e farës së bimës në momentet para të mbirjes është një nga rastet në të cilat përdoret kjo folje. Le të shqyrtojmë përsëri ajetin kuranor, duke pasur në mendje faktet e lartpërmendura. Në ajet, qielli dhe toka janë subjekti i parë i gjendjes “retk”. Më pas ata ndahen (feteka), duke u shkëputur nga njëri-tjetri. Kureshtja jonë rritet kur rikujtojmë momentet e para të Big Bengut dhe shohim se e gjithë lënda e universit përfshihej në një pikë të vetme. Me fjalë të tjera, çdo gjë, duke përfshirë “qiejt dhe tokën”, të cilat ishin krijuar ende, ishin pjesë e kësaj pike në gjendjen “retk”. Pas një shpërthimi të fuqishëm, lënda e kësaj pike u nda (feteka) dhe më pas ndodhi procesi i krijimit të strukturës së tërë universit.[9]
“Orbitat – “Zoti krijoi natën e ditën, diellin e hënën dhe secili prej tyre noton në orbitë” (El-Enbija, 33). Në një ajet tjetër është përmendur se Dielli nuk është i palëvizshëm, por lëviz në një orbitë të caktuar. “Edhe dielli lëvizë drejt kufirit të tij përfundimtar. Ajo lëvizje është përcaktim i të Plotëfuqishmit, të Gjithëdijshmit” (Ja Sin, 38). Këto argumente të komunikuara në Kuran u zbuluan prej vëzhgimeve astronomike shumë shekuj më vonë. Sipas llogaritjeve të ekspertëve të astronomisë, Dielli udhëton me një shpejtësi marramendëse prej 720.000 km në orë në drejtim të yllit Vega në një orbitë të vetme të quajtur Maja Diellore. Kjo do të thotë se Dielli përshkon afërsisht 17.280.000 km në ditë. Bashkë me Diellin, të gjitha planetet dhe satelitët brenda sistemit gravitacional të Diellit përshkojnë gjithashtu të njëjtën distancë. Për më tepër, të gjitha yjet në univers bëjnë një lëvizje të ngjashme. Në Kuran është shpallur se i tërë universi është i mbushur plot me rrugë e orbita si ajo e diellit: “Betohem në qiellin plot rrugë” (Edh-Dharijat, 7). Në univers ndodhen rreth 200 miliardë galaktika dhe secila prej tyre pëmban rreth 200 miliardë yje. Pjesa më e madhe e këtyre yjeve kanë planete dhe pjesa më e madhe e këtyre planeteve kanë satelitë. Këta trupa gjigandë lëvizin në orbita të caktuara, sipas një lëvizjeje të përllogaritur në mënyrë precize. Për miliona vite me radhë, të gjithë këta trupa “notojnë” në orbitën e tyre në një harmoni dhe rregull të përkryer. Për më tepër, një numër i madh kometash lëvizin në orbitat e përcaktuara për to.”[9]
“Qielli si çati e sigurt – “Qiellin e kemi bërë si çati të sigurt e të mbrojtur” (El-Enbija, 32). Me pak fjalë, një sistem mbrojtës i përkryer funksionon mbi Tokë. Ai e rrethon botën tonë dhe e mbron prej kërcënimeve të jashtme. Vetëm kohët e fundit, shkencëtarët arritën të mësojnë disa gjëra rreth tij, kurse Zoti na ka njoftuar në Kuran për mbështjellën mbrojtëse të Tokës që shekuj më parë. Dr. Hugh Ross, duke folur mbi rëndësinë që ka për jetën tonë brezi Van Alen, ndër të tjera thotë: “Në fakt, Toka ka dendësinë më të lartë se çdo planet tjetër në Sistemin Diellor. Bërthama e madhe e hekur-nikelit është shkaku i ekzistencës së fushës sonë të madhe magnetike. Kjo fushë magnetike formon shtresën mbrojtëse Van-Alen, e cila e mbron Tokën nga rrezet bombarduese. Nëse nuk do të ishte kjo mburojë, jeta në Tokë do të ishte e pamundur. I vetmi planet tjetër shkëmbor që ka fushë magnetike është Mërkuri, por fuqia e fushës së tij është 100 herë më e vogël se e Tokës. Madje as Afërdita – planeti ynë “motër” – nuk ka fushë magnetike. Brezi mbrojtës Van-Alen është një strukturë që gjendet vetëm në Tokë”.”[9]
“Shtresat e atmosferës – Një nga faktet shkencore të zbuluara kohët e fundit është përbërja e qiellit nga shtatë shtresa. “Zoti është Ai që krijoi shtatë qiej mbi njëri-tjetrin” (El-Mulk, 3). “Ai krijoi shtatë qiej brenda dy ditëve dhe secilit qiell i caktoi atë që i nevojitej” (Fussilet, 12). Ato janë: Troposfera, Stratosfera, Ozonosfera, Mezosfera, Termosfera, Jonosfera, Ekzosfera. Çdo shtresë ka një funksion të veçantë, duke filluar nga formimi i shiut, mbrojtja prej rrezeve të dëmshme, reflektimi i valëve radiofonike e televizive, deri te mënjanimi i efekteve katastrofike të meteorëve.”[9]
“Malet – “Ne kemi krijuar male të patundura në tokë, me qëllim që ajo të mos lëkundet dhe tronditet bashkë me ta” (El-Enbija, 31). Siç vihet re, në këtë ajet është shpallur se malet luajnë rol në parandalimin e tronditjeve dhe lëkundjeve të Tokës. Në një ajet kuranor, kjo veti e maleve është vënë në dukje nga një krahasim i maleve me “kunjat”: “A nuk e bëmë Ne tokën të përshtatshme për jetë, ndërsa malet i bëmë si kunja?” (En-Nebe, 6-7). Me fjalë të tjera, duke u shtrirë mbi dhe nën sipërfaqen e Tokës në ato pika ku bashkohen shtresat e ndryshme, malet i mbajnë lidhur këto shtresa me njëra-tjetrën. Në këtë mënyrë, ato fiksojnë koren e Tokës dhe parandalojnë grumbullimin e saj mbi apo ndërmjet shtresave të magmës. Shkurt, ne mund t’i krahasojmë malet me gozhdat, të cilat mbajnë dërrasat të mbërthyera së bashku. Vetia fiksuese e maleve në literaturën shkencore është përshkruar me termin “isostazi”: Isostazi do të thotë: ekuilibri i përgjithshëm i kores së Tokës i mbajtur nga qarkullimi i materialeve shkëmbore poshtë sipërfaqes, si rezultat i shtypjes gravitacionale. Ky rol kaq i rëndësishëm i maleve, i cili u zbulua nga gjeologjia moderne dhe nga kërkimet sizmike, është shpallur në Kuran shekuj më parë si një shembull i dijes absolute të krijimit të Zotit.”[9]
“Hekuri – Ne e kemi zbritur hekurin, në të cilin ka forcë të madhe dhe dobi për njerëzit” (El-Hadid, 25). Fjala “zbritëm poshtë” e përdorur veçanërisht për hekurin në këtë ajet, mund të mendohet se ka një kuptim metaforik që do të thotë se hekuri është dhuruar për të mirën e njerëzimit. Por nëse ne do të merrnim në konsideratë kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, e cila është “i zbritur fizikisht nga qielli”, do të kuptojmë se në këtë ajet gjendet një mrekulli shkencore mjaft domethënëse. Në saje të kërkimeve astronomike është zbuluar se hekuri i gjendur në rruzullin tokësor ka ardhur prej yjeve gjigande të hapësirës. Metalet e rënda në univers janë krijuar në bërthamën e yjeve të mëdha. Gjithësesi, Sistemi ynë Diellor nuk zotëron një strukturë të përshtatshme që të prodhojë vetë hekur. Hekuri mund të prodhohet në yje shumë më të mëdhenj se Dielli, te të cilët temperatura arrin disa qindra miliona gradë. Kur sasia e hekurit në një yll tejkalon një nivel të caktuar, ylli nuk mund ta mbajë atë më gjatë dhe si rezultat ai shpërthen në një shpërthim të quajtur “nova” ose “supernova”. Si rezultat i këtij shpërthimi, meteorët që përmbajnë hekur shpërndahen nëpër univers dhe lëvizin nëpër hapësirë, derisa të tërhiqen prej forcës gravitacionale të ndonjë trupi qiellor. E gjithë kjo na bën të qartë se hekuri nuk është formuar në Tokë, por është mbartur nëpërmjet meteorëve pas shpërthimit të yjeve në hapësirë, pra, ai “ka zbritur në tokë” në të njëjtën mënyrë siç është shpallur në ajetin kuranor. Është e qartë se ky fakt nuk njihej shkencërisht në shekullin VII, në kohën e shpalljes së Kuranit.”[9]
“Relativiteti i kohës – “Ata kërkojnë prej teje që t’ua shpejtosh dënimin, por Zoti nuk e thyen premtimin e Vet, sepse një ditë te Zoti yt është sa një mijë vjet që llogaritni ju” (El-Haxh, 47). “Ai e rregullon çështjen (e të gjitha krijesave) prej qiellit në tokë, pastaj ajo (çështje) ngrihet tek Ai në një ditë që sipas llogarisë suaj është sa një mijë vjet” (Es-Sexhde, 5). “Atje ngjiten engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) në një ditë që zgjatë pesëdhjetë mijë vjet” (El-Me’arixh, 4). Në disa ajete tregohet se njerëzit e perceptojnë kohën në mënyrë të ndryshme. Në këtë mënyrë, disa njerëz mund ta konsiderojnë si shumë të gjatë një periudhë shumë të shkurtër dhe anasjelltas. Dialogu i zhvilluar ndërmjet njerëzve Ditën e Gjykimit është një shembull mjaft i mirë për këtë: “Zoti do t’u thotë: ‘Sa vite keni jetuar në Tokë?’ Ata do të thonë: ‘Ne kemi ndenjur vetëm një ditë ose një pjesë të saj. Pyet ata që janë në gjendje të numërojnë” (Mu’minun 112-113). Në ditët tona, relativiteti i kohës është një argument shkencor i vërtetuar. Ky argument u zbulua nga Teoria e Relativitetit e Einsteinit në fillimet e shekullit XX. Më parë, njerëzit nuk e dinin se koha është një koncept relativ dhe se ajo mund të ndryshonte me ndryshimin e vendit. Por, shkencëtari i madh Albert Einstein, vërtetoi botërisht këtë fakt me Teorinë e Relativitetit. Ai tregoi se koha varet nga pesha dhe shpejtësia. Askush nuk e kishte thënë këtë gjë kaq qartë më parë, me përjashtim të Kuranit, në të cilin gjendet informacion rreth relativitetit të kohës.”[9]
“Sasia e shiut – Një prej shumë informacioneve të dhëna në Kuran rreth formimit të shiut është fakti se ai zbret në Tokë në një masë të caktuar. Kjo është përmendur në suren Ez-Zuhruf si më poshtë: “Ai lëshon nga qielli shiun me masë të caktuar. Me të Ne i japim jetë një vendi të vdekur. Ja, kështu edhe ju do të ngjalleni nga varret” (Ez-Zuhruf, 11). Fakti i zbritjes së kësaj sasie shiu të matur dhe të përcaktuar është konfirmuar prej kërkimeve të kohëve të fundit. Është llogaritur se në një sekondë avullojnë afërsisht 16 milionë tonë ujë nga Toka. Kjo shifër arrin në 513 trilionë tonë ujë në vit. Kjo sasi është e barabartë me sasinë e shiut që bie në Tokë gjatë një viti. Kjo lë të kuptosh se uji qarkullon brenda një cikli të ekuilibruar “me masë të caktuar”. Jeta në Tokë varet nga ky qarkullim i ujit. Sikur njerëzit të shfrytëzonin të gjithë potencialin teknologjik që disponojnë, nuk do të mund ta realizonin dot këtë qarkullim në mënyrë artificiale.”[9]
“Errësirat e deteve dhe valët e brendshme – “(Gjendja e jobesimtarëve është) si errësirat në një det të thellë e të madh. Ai është i mbuluar me valë, mbi të cilat gjenden valë të tjera e mbi to gjenden re të dendura. Errësirë mbi errësirë. Nëse dikush do të zgjaste dorën, nuk do të ishte në gjendje ta shihte atë” (En-Nur, 40). Gjendja e përgjithshme në thellësitë e deteve dhe oqeaneve është përshkruar në librin me titull “Oqeanet”: “Errësira në dete dhe oqeane fillon në thellësinë 200 metra e poshtë. Në këtë thellësi zakonisht nuk ka dritë. Nën thellësinë 1000 metra është errësirë e plotë.” Sot, ne zotërojmë njohuri mbi strukturën e përgjithshme të detit, mbi karakteristikat e gjallesave në të, mbi kripësinë e tij, ashtu siç njohim dhe sasinë e tij të ujit, sipërfaqen dhe thellësinë e tij. Ishin nëndetëset dhe pajisjet e sofistikuara, të zhvilluara prej teknologjisë bashkëkohore, të cilat u krijuan mundësinë shkencëtarëve të sigurojnë këtë informacion. Qeniet njerëzore nuk janë të afta të zhyten më thellë se 40 metra nën ujë pa ndihmën e pajimeve speciale. Ata nuk mund të mbijetojnë në pjesët e errëta të oqeaneve si p.sh. në thellësinë 200 metra. Për këtë arsye, vetëm kohët e fundit shkencëtarët arritën të zbulojnë këto pjesë të hollësishme të informacionit rreth deteve. Por ky fakt është përmendur në kaptinën En-nur pikërsisht në pjesën “errësira në një det të thellë e të madh”. Kjo është sigurisht një prej mrekullive të Kuranit, sepse është thënë në një kohë kur njerëzit nuk zotëronin pajisjet e nevojshme për t’u zhytur në thellësitë e oqeaneve.”[9]
“Zona e trurit që kontrollon lëvizjen – “Jo, jo! Nëse ai nuk ndalon, Ne do ta kapim prej ballukeve. Balluke gënjeshtare dhe mëkatare” (El-Alek, 15-16). Fraza “balluke gënjeshtare dhe mëkatare” në ajetin e mësipërm është mjaft interesante. Përse i quan Kurani flokët e pjesës së përparme të kokës gënjeshtare dhe mëkatare? A nuk është vetë njeriu gënjeshtar dhe mëkatar? Cila është lidhja që ekziston midis gënjeshtrës e mëkatit nga njëra anë dhe ballukeve (apo flokëve të pjesës së përparme të kokës) nga ana tjetër? Kërkimet e kryera kohët e fundit zbuluan se fusha ballore, e cila është përgjegjëse për drejtimin e të gjitha funksioneve specifike të trurit, ndodhet në pjesën e përparme të kafkës. Vetëm në 60 vitet e fundit, shkencëtarët e zbuluan funksionin e kësaj zone, gjë të cilën Kurani e ka përmendur që 1400 vjet më parë. Nëse shohim brenda kafkës në pjesën e përparme të kokës, ne do të gjejmë fushën ballore të trurit. Në një libër me titull “Bazat e Anatomisë dhe Psikologjisë”, në të cilin përfshihen kërkimet më të fundit mbi efektet e kësaj fushe në tru, thuhet: Motivimi dhe parashikimi për të planifikuar dhe për të filluar lëvizjet ndodh në pjesën e përparme të lobit ballor, pikërisht në fushën ballore. Kjo është një zonë ku ndodh procesi informues. Libri gjithashtu thotë: Në lidhje me përfshirjen e saj në motivim, fusha ballore mendohet të jetë gjithashtu qendra funksionale e agresionit. Kështu, kjo zonë e trurit është përgjegjëse për planifikimin, motivimin dhe kryerjen e punëve të mira e të këqija, ashtu siç është përgjegjëse për thënien e gënjeshtrave dhe të vërtetave.”[9]
“Krijimi i njeriut nga një pikë e farës (spermatozoid) – Gjatë marrëdhënieve seksuale, nga organi seksual i mashkullit dalin njëherësh rreth 250 milionë spermatozoidë, të cilët nisin një udhëtim të mundimshëm në trupin e femrës, derisa arrijnë te veza. Nga 250 milionë spermatozoidë, vetëm një mijë prej tyre ia dalin të arrijnë në destinacionin e duhur. Në fund të kësaj “gare”, veza lejon vetëm një qelizë spermatozoide që të depërtojë brenda saj. Ky është thelbi i njeriut, i cili nuk është krijuar nga e tërë sperma, por nga një pjesë shumë e vogël e saj. Në Kuran thuhet: “A mos mendon njeriu se do të lihet pa u ngarkuar me përgjegjësi. A nuk ka qenë ai dikur një pikë e farës që derdhet?” (El-Kijame, 36-37). Siç shihet, Kurani na informon se njeriu nuk është krijuar nga e gjithë sperma, por nga një pjesë shumë e vogël e saj. Ky fakt që theksohet në këtë shpallje është zbuluar prej shkencës bashkëkohore dhe është një dëshmi e qartë e origjinës hyjnore të saj.”[9]
“Përcaktimi i gjinisë dhe përgjegjësia e kromozomeve mashkullore – Jo shumë kohë më parë mendohej se gjinia e foshnjes përcaktohej prej qelizave të nënës. Ose më saktë, besohej se gjinia ishte e përcaktuar nga qelizat e mashkullit dhe të femrës së bashku. Por në Kuran na është dhënë një informacion i ndryshëm, sipas të cilit të dy gjinitë janë krijuar nga “pika e farës që hidhet”. “Ai i krijoi të dy gjinitë, mashkullin dhe femrën, prej pikës së farës që hidhet” (En-Nexhm, 46-47). Përmendja e dy gjinive nuk është e rastësishme. N0ëse Zoti do të kishte për qëllim thjesht krijimin e njeriut, atëherë në ajet do të thuhej “Ai e krijoi njeriun… prej pikës së farës..”. Mirëpo ajeti na informon se Zoti i krijoi të dy gjinitë prej pikës së farës… Zhvillimi i gjenetikës dhe biologjisë molekulare ka vërtetuar shkencërisht saktësinë e këtij informacioni të dhënë në Kuran. Tani është e qartë se gjinia përcaktohet nga qelizat spermatozoide të mashkullit, ndërsa femra nuk luan asnjë rol në këtë proces. Kromozomet janë elementet bazë në përcaktimin e gjinisë. Dy nga 46 kromozomet, të cilat përcaktojnë strukturën e njeriut, janë të njohura si kromozomet seksuale. Këto dy kromozome te mashkulli janë emërtuar ”XY”, ndërsa te femra ”XX”, sepse forma e këtyre kromozomeve ngjason me shkronjat përkatëse. Kromozomi Y mban kodin gjenetik të mashkullit, kurse kromozomi X atë të femrës. Formimi i një qenieje njerëzore fillon me ndërthurjen e një prej këtyre kromozomeve, i cili gjendet si te çiftet e mashkullit, ashtu edhe te ato të femrës. Te femra, komponentet e qelizës seksuale, të cilat ndahen në dy pjesë gjatë ovulacionit, mbajnë kromozomet X. Qeliza seksuale e mashkullit, nga ana tjetër, prodhon dy lloje të ndryshme qelizash spermatozoide, njëra prej të cilave përmban kromozomet X, ndërsa tjetra Y. Nëse një kromozom X i femrës bashkohet me një qelizë spermatozoide, e cila përmban një kromozom X, atëherë fëmija do të jetë femër. Nëse ai bashkohet me një qelizë spermatozoide që përmban kromozomin Y, fëmija do të jetë mashkull. Me fjalë të tjera, gjinia e foshnjës përcaktohet nga ai kromozom i mashkullit që bashkohet me vezën e femrës. Asgjë prej këtij informacioni nuk dihej para shekullit XX, gjatë të cilit u zbuluan gjenet. Në të vërtetë, më parë besohej se gjinia e foshnjes përcaktohej nga trupi i femrës. Kjo është edhe arsyeja pse gratë fajësoheshin kur lindnin vajza. Trembëdhjetë shekuj para zbulimit të gjeneve, në Kuran shpallet lajmi i cili hodhi poshtë këtë besim të kotë, duke bërë të qartë se gjinia e njeriut nuk e ka pikënisjen nga femra, por te sperma e mashkullit.”[9]
“Identiteti në shenjat e gishtërinjve – Çdo njeri, duke përfshirë edhe binjakët që mezi dallohen nga njëri-tjetri, ka shenjat e tij të veçanta të gishtërinjve. Me fjalë të tjera, identiteti i secilit është i koduar në majat e gishtërinjve të tij. Ky sistem i koduar mund të krahasohet me sistemin e kodit të vijave, i cili përdoret në ditët tona për identifikimin e prodhimeve të ndryshme, si prodhimet industriale apo ushqimore. “A mendon njeriu se nuk do t’i mbledhim eshtrat e tij? Po, do t’i mbledhim! Madje Ne jemi të zotë t’i krijojmë përsëri edhe majat e gishtërinjve të tij” (El-Kijame, 3-4). Theksimi i shenjave të gishtërinjve ka një domethënie mjaft të veçantë, sepse secili ka shenjën e tij unike të gishtërinjve, e cila nuk i ngjason askujt. Çdo person që jeton apo ka jetuar në këtë botë ka formën e tij unike të shenjave të gishtërinjve. Për këtë arsye, shenjat e gishtërinjve janë një provë mjaft e rëndësishme e identitetit, ndaj dhe sot përdoren pikërisht për këtë qëllim. Por më e rëndësishmja është se kjo veçori e shenjave të gishtërinjve u zbulua nga fundit i shekullit XIX. Përpara kësaj periudhe, njerëzit i shihnin shenjat e gishtërinjve si disa rrathë të zakonshëm, pa ndonjë rëndësi apo kuptim specifik. Është Kurani ai që na flet për këtë karakterisikë dalluese të shenjave të gishtërinjve, e cila nuk u kuptua veçse në ditët tona.”[9]
Siç thoshte Pierre Curie, shkencëtar dhe fizikan francez, njëherit fitues i çmimit Nobel në fizikë në vitin 1903, se ne arritëm të ndajmë atomin me ndihmën e 30 librave që kishin mbetur nga Qytetërimi i Andaluzisë. Sikur të mos ishin djegur librat e muslimanëve, ne sot do të udhëtonim nëpër galaktika.
E si të mos ketë të drejtë Curie, kur futesh në oqeanin e akademisë së madhe që muslimanët formuan dikur, të njohur si “Bejtul Hikmeh”, “House of Wisdom” apo “Shtëpia e Urtësisë”, dhe sheh çfarë margaritarë kishte aty. Për të lundruar mbi këtë ujë të kristalizuar pa dallgë, janë disa studime të mrekullueshme për lexim, si:
“The House of Wisdom: How Arabic Science Saved Ancient Knowledge and Gave Us the Renaissance” nga Jim Al Khalili;
“The House of Wisdom: How the Arabs Transformed Western Civilization” nga Jonathan Lyons;
“The House of Wisdom” nga Florence P. Heide dhe Judith H. Gilliland;
“The House of Wisdom” nga Carmel Reilly;
“Bayt Al-Hikma and the Intellectual Movement During the Time of Caliph Al-Ma’mun” nga David Edward Atkinson.
Autori Cem Nizamoglu, në artikullin e tij “The House of Wisdom: Baghdad’s Intellectual Powerhouse”, përmend se kalifi abasid Harun er-Rrashid themeloi Shtëpinë e Urtësisë në Baghdad gjatë mbretërisë të tij 786-809 e.s. Ishte një qendër kërkimore dhe arsimore ku studiues të njohur nga fusha të ndryshme vinin për të ndarë njohuritë e tyre. Shtëpia e Urtësisë ishte depoja më e madhe e librave në të gjithë botën tashmë nga mesi i shekullit të IX-të. Ishte qendra kryesore për studimin e matematikës, astronomisë, mjekësisë, alkimisë, kimisë, zoologjisë, gjeografisë dhe hartografisë. Fatkeqësisht, mongolët e shkatërruan Shtëpinë e Urtësisë kur sulmuan Baghdadin në vitin 1258.
Kur jemi tek mongolët është interesante të përmendet se kur e kanë djegur bibliotekën, kanë qenë paganë. Por kur janë bërë muslimanë, kanë formuar Perandorinë Mogule në Indi dhe për këtë ka studime monografike e faktografike. Në këtë rast është mirë të lexohet libri “DISCOVERING ISLAM – making sense of muslim history and society”, i autorit Akbar Ahmed.
Mongolët, përveçse ishin pushtues të egër, ishin edhe bartës të kulturave nëpër botë. Siç shpjegon autori Xhek Vederford, në veprën e tij “Xhingis-Kan i stvaranje savremenog sveta”, të cilën e citon studiuesi Milazim Krasniqi tek libri “Islami i keqkuptuar dhe fatkeqësia botërore”, se mongolët i dërguan xehetarët gjermanë në Kinë, ndërsa mjekët kinezë në Persi. Ky këmbim nganjëherë ishte vendimtar e nganjëherë trivial. Ata e zgjeruan përdorimin e tepihëve kudo që shkuan dhe e përhapën limonin dhe karrotën nga Persia në Kinë, ndërsa lojën me letra dhe çajin nga Kina e dërguan në Perëndim. Ata sollën zejtarë nga Parisi për të ngritur fontana midis stepës së tharë mongole, e përvehtësuan princin anglez që t’u bëhej përkthyes në kuadër të ushtrisë dhe e përhapën mjeshtrinë kineze të marrjes së shenjave të gishtërinjve edhe në Persi. Me paratë e veta ndihmuan ndërtimin e kishave në Kinë, të tempujve budistë në Persi dhe të shkollave fetare islame në Rusi. Mongolët përfituan nëpër botë si pushtues, por edhe si bartës unikë dhe të paarritshëm të kulturave të ndryshme.
Profesori i mjekësisë, Faroque Ahmad Khan, shpjegon se kapitujt në librin e Michael Hamilton Morgan, të quajtur “Historia e humbur: Trashëgimia e qëndrueshme e shkencëtarëve muslimanë”, theksojnë arritjet e mëdha në Baghdad gjatë sundimit të kalifit abasid al-Ma’mun nga 813-833 e.s., nën udhëheqjen e të cilit u ngritë Baghdadi si qendra e mësimit dhe zemra e epokës së artë arabe. Shtëpia e Urtësisë së kalifit al-Ma’mun, ku përkthyes të krishterë dhe të huaj përkthyen klasikët grekë, romakë, bizantinë, persianë dhe hindu në arabisht, ndihmoi në vendosjen e themeleve të matematikës, astronomisë, kimisë, mjekësisë dhe letërsisë moderne. Si rezultat i vizionit të tij, Baghdadi lindi algjebrën dhe trigonometrinë e avancuar, emrat e yjeve, përzierjet e ilaçeve dhe zemrën e filozofisë dhe letërsisë.
Jonathan Lyons, tregon historinë e Shtëpisë së Urtësisë (House of Wisdom), me studiues të tillë si al-Khawarizmi, matematikani i shquar musliman dhe themeluesi i algjebrës, gjeografi al-Mas’udi, i cili përshkroi rrugët kryesore detare për në Persi, Kamboxhia dhe deri në gadishuj tjerë, dhe al-Kindi, filozofi i parë arab. Pra, ai fokusohet në një varg përkthyesish dhe studiuesish shumëngjyrësh që udhëtuan në botën muslimane dhe morën me vete njohuritë dhe zbulimet e saj.
Në Shtëpinë e Urtësisë flitej dhe lexohej një gamë e gjerë gjuhësh, duke përfshirë arabishten, persishten, aramaishten, hebraishten, sirianishten, greqishten dhe latinishten. Ekspertët punuan vazhdimisht për të përkthyer shkrimet e vjetra në arabisht për t’i lejuar studiuesit t’i kuptojnë, debatojnë dhe të ndërtojnë mbi to. Ndër përkthyesit e famshëm ishte Youhanna bin Al-Batriq Al-Turjuman (Përkthyesi Jonah, djali i Patriarkut), i cili përktheu “Libri i Kafshëve” – “Kitab Al-Haywan” të Aristotelit. Thuhet se kalifi al-Ma’mun ka inkurajuar përkthyesit dhe studiuesit që të shtojnë bibliotekën në Shtëpinë e Urtësisë duke u paguar peshën e çdo libri të përfunduar me ar.
Transferimi i suksesshëm i njohurive dhe krijimi i një qendre të të mësuarit në Baghdad pati jehonë në shumë qytete të tjera nëpër Qytetërimin Islam. Në Kajro një Dar al-Hikma u ndërtua në vitin 1005 nga kalifi al-Hakim dhe zgjati për 165 vjet. Qytete të tjera në provincat lindore të botës muslimane themeluan gjithashtu Shtëpinë e Shkencës (Dar al-‘Ilm), ose më saktë Shtëpitë e Dijes, në shekujt IX dhe X për të imituar atë të Baghdadit.
Më pas, në shekullin e XII-të, Toledo në Andaluzi (Spanjën muslimane) u bë fokusi i një përpjekjeje tjetër të madhe përkthimi – këtë herë nga arabishtja në latinisht. Punimet arabe dhe përkthimet e teksteve të rëndësishme të Greqisë së lashtë dolën në dritë dhe studiues të krishterë, hebrenj dhe muslimanë u dyndën në qytet për të përkthyer traktatet e lashta greke dhe arabe në latinisht dhe më pas në gjuhët evropiane.
Disa nga kalifët më të famshëm të Baghdadit, përfshirë er-Rrashidin dhe al-Ma’munin, kishin pasur një interes personal në mbledhjen e veprave shkencore globale. Përveç mbledhjes së librave nga Lindja dhe Perëndimi, ata mblodhën së bashku studiues nga cepat e tokës muslimane për të krijuar një nga akademitë intelektuale më të mëdha në histori. Lulëzimi i Bagdadit ishte 1200 vjet më parë kur ishte kryeqyteti i lulëzuar i botës muslimane. Për rreth 500 vjet, qyteti mburrej me ajkën e intelektualëve dhe kulturës, një reputacion i fituar gjatë mbretërimit të disa prej kalifëve të tij më të famshëm (er-Rrashid, al-Ma’mun, al-Mu’tadhid dhe al-Muktafi). Si një nga qytetet më të mëdha dhe më të pasura në botë në atë kohë, Baghdadi kishte pasuri që shkonte përtej parave. Për më shumë se dy shekuj, ajo ishte Shtëpisë së Urtësisë, një akademi dijeje që tërhiqte trurin nga larg e gjerë. Nga matematika dhe astronomia në zoologji, akademia ishte një qendër kryesore e kërkimit, mendimit dhe debatit në qytetërimin mysliman.[10]
Autori Salim T. S. Al-Hassani, në studimin e tij dokumentues për 1001 shpikjet e muslimanëve, përmend edhe disa emra të intelektualëve muslimanë që sollën risi në fusha shkencore: “Qarkullimi i gjakut – Ibn Al-Nafis (1210-1288) nga Egjipti, përshkroi për herë të parë qarkullimin pulmonar të gjaut venoz që kalon në zemër dhe mushkëri nëpërmjet ventrikujve. Ai u akreditua përfundimisht me këtë zbulim në vitin 1957. Kimia (722-815) – Kjo ishte një periudhë kur u krijuan dhe u zhvilluan instrumentet dhe proceset kimike që përbëjnë bazën e kimisë së sotme. Jabir ibn Hayyan zbuloi acide të rëndësishme jetike si acidi sulfurik, nitrik dhe nitromuriatik, ndërsa Al-Razi ngriti një laborator modern, duke projektuar dhe përdorur më shumë se 20 instrumente si kanaçe. Larja me shampo (shekulli XVIII) – Shampoja u prezantua në Britani në Brighton nga Sake Dean Mohamed, nga Patna, Indi, i cili u bë “Kirurgu i shampos” te mbreti George IV dhe mbreti William IV. Nicolaus Copernicus (1473-1543) – Shkencëtari polak Nicolaus Copernicus Nicolaus Copernicus thuhet se është themeluesi i astronomisë moderne. Shumë nga teoritë e tij bazoheshin në ato të Nasir al-Din al-Tusi dhe Ibn al-Shatir. Teoria planetare dhe modelet e Ibn al-Shatirit janë matematikisht identike me ato të përgatitura nga Koperniku më shumë se një shekull më vonë. Koperniku do të kishte rënë në kontakt me këto në Itali, ku ai studioi. Një ndikim tjetër mbi Kopernikun besohet të kenë qenë “Tabelat e famshme Toledane të shkruara nga Al-Zarqali”, i cili lindi në 1028. Johannes Kepler (1571-1630) – Johannes Kepler është i njohur në Perëndim për zbulimin e ligjeve të lëvizjes planetare dhe për punën e tij në optikë; si themelues i teorisë së saktë matematikore të “kamera obscura”; dhe për dhënien e shpjegimit të parë të saktë të punës së syrit të njeriut, me një pamje me kokë poshtë të formuar në retinë. Ndikimi i Ibn al-Haytham mund të zbulohet lehtësisht në punën e Keplerit, pasi i pari kishte revolucionarizuar optikën 600 vjet më parë. Si Kepleri ashtu edhe Dekarti u mbështetën në studimet e Ibn al Haythamit mbi përthyerjen e dritës, e cila zgjeroi imazhin e projektuar.”[1]
Për fund është mirë të lexohet edhe libri “How ISLAM Created The Modern World”, i autorit Mark Graham, i cili argumenton se në mesjetë kur Evropa ishte e zhytur në bestytni dhe kaos feudal, Baghdati ishte qendra intelektuale e botës. Filozofët muslimanë shpikën metodën shkencore dhe i hapën rrugën iluminizmit. Në agimin e Rilindjes, Evropa e Krishterë ishte e veshur me rroba persiane, duke kënduar këngë arabe, duke lexuar filozofinë muslimane spanjolle dhe duke ngrënë “Turkish Mamluk” në enë bronzi. Kjo është historia se si muslimanët i mësuan Evropës të jetonte mirë dhe të mendonte qartë. Është historia se si Islami krijoi botën moderne.
Ndoshta dikush mund të na akuzojë se deri tani kemi përmendur vetëm emra burrash, ndërsa gratë muslimane nuk kanë shpikur asgjë apo nuk kanë dhënë asnjë kontribut në qytetërim, pasi Islami i trajton ato në mënyrë inferiore. Por para se të na akuzojnë, po përmendi vetëm disa nga gratë pionere që i dhanë formë qytetërimit me kontributet e tyre në shkencë dhe në udhëheqje.
Fatima al-Fihriya, kjo mbrojtëse e artit dhe ndërtesave të shekullit të IX-të nga Fez/Fes, Marok, themeloi xhaminë Al-Qarawiyin, e cila i kushtohej mësimit. Më vonë u bë një nga universitetet më të vjetra në botë.
Al-Shifaa bint Abdulla (shekulli VII), administroi shërimin mjekësor në shtëpinë e saj; u emërua si ‘Muhtasibah’ – ekzekutive e shëndetit dhe sigurisë për qytetin e Medinës.
Razia, Sulltanesha e Delhit mori pushtetin në Delhi për katër vjet (1236-1240 e.s.). Ajo ishte e vetmja grua që u ul ndonjëherë në fronin e Delhit. Paraardhësit e Razias ishin muslimanë me origjinë turke që erdhën në Indi në shekullin e XI-të. Ndryshe nga zakoni, babai i saj e zgjodhi atë, mbi vëllezërit e saj, si pasardhëse të tij. Pas vdekjes së babait të saj, ajo u bind të largohej nga froni në favor të njerkut të saj Ruknuddin, por, në kundërshtim me sundimin e tij, njerëzit kërkuan që ajo të bëhej sulltaneshë në vitin 1236. Ajo vendosi paqen dhe rendin, inkurajoi tregtinë, ndërtoi rrugë, mbolli pemë, hapi puse, mbështeti poetë, piktorë dhe muzikantë, ndërtoi shkolla dhe biblioteka. Mbledhjet shtetërore shpesh ishin të hapura për njerëzit. Megjithatë, ajo bëri armiq kur u përpoq të eliminonte disa nga diskriminimet ndaj nënshtetasve të saj hindu.
Zubejda bint Ebu Xhafer el-Mensour (shekulli IX); Baghdad; Gruaja e Harun er-Rrashid; mbrojtëse e shkencës dhe artit; porositi projekte ndërtimi duke përfshirë një stacion shërbimi ndërtimi me puse uji përgjatë rrugës së pelegrinazhit nga Baghdadi në Mekë. Gjatë qytetërimit musliman, shumë gra shkëlqyen në fusha të ndryshme në Afrikën Subsahariane. Midis tyre ishte edhe mbretëresha Amin e Zarias (1588-1589). Ajo ishte vajza e madhe e Bakwa Turunku, e cila themeloi Mbretërinë Zazzau në 1536. Amina erdhi në pushtet midis 1588 dhe 1589. Amina në përgjithësi mbahet mend për bëmat e saj të ashpra ushtarake. E një cilësie të veçantë është strategjia e saj e shkëlqyer ushtarake dhe në veçanti aftësitë inxhinierike në ngritjen e kampeve me mure të mëdha gjatë fushatave të saj të ndryshme. Asaj i atribuohet përgjithësisht ndërtimi i murit të famshëm Zaria.
Labana al-Qurtubiya (shek. X); Kordoba, Andaluzi; Matematikane, e njohur për njohuritë e saj në zgjidhjen e problemeve komplekse gjeometrike dhe algjebrike. Ajo ishte plotësisht e aftë për shkencat ekzakte; talentet e saj ishin të barabarta me zgjidhjen e problemeve më komplekse gjeometrike dhe algjebrike, dhe njohja e saj e gjerë me literaturën e përgjithshme i dha asaj punësimin e rëndësishëm të sekretares private të kalifit Al-Hakam II.
Merjem el-Ixhlija el-Astrulabiya/el-Astralubi (944-967); Aleppo, Siri; ajo ishte një krijuese e aftë e astrolabëve të përdorur për astronomi dhe për të treguar kohën. Ka një histori shumë të pazakontë për të treguar. Ndryshe nga shumica e grave të tjera të shekullit të X-të, ajo mori një zanat dhe mbahet mend sot për punimin e saj të aftë të instrumenteve. Babai i saj kishte qenë nxënës në Baghdad te një prodhues i famshëm i astrolabëve – pajisje të ndërlikuara për lundrimin në tokë dhe për të treguar kohën. Ajo u bë edhe nxënëse e tij.
Sutejta el-Mahmali; ajo u mësua dhe u udhëhoq nga disa dijetarë, përfshirë babain e saj. Ajo vdiq në vitin 377H/987 e.s. Sutejta nuk u specializua vetëm në një lëndë, por shkëlqeu në shumë fusha si letërsia arabe, hadithi dhe jurisprudenca si dhe matematika. Thuhet se ajo ishte një eksperte në hisab (aritmetikë) dhe faraidh (llogaritje pasuese), që të dyja ishin degë praktike të matematikës që ishin të zhvilluara mirë në kohën e saj. Thuhet gjithashtu se ajo shpiku zgjidhje për ekuacionet që janë cituar nga matematikanë të tjerë, që tregojnë aftësinë në algjebër. Megjithëse këto ekuacione ishin të pakta, ato treguan se aftësitë e saj në matematikë shkonin përtej një aftësie të thjeshtë për të kryer llogaritje.
Zejneb Al Shahda, shekulli i XII-të, ishte një kaligrafe e famshme femër e cila ishte e njohur për punën e saj në fikh (ligjin islam) dhe hadithe, përveç Husn-i Khatt. Ajo u vlerësua dhe u pozicionua shumë dhe u emërua mësuese e Jakutit, kalifit të fundit abasid. Ajo ishte edhe kaligrafe në Pallatin Musa. Ajo ishte një mësuese e shkëlqyer, e njohur dhe shumë njerëz patën mundësinë të studionin me të dhe të merrnin ijazën prej saj. Ajo e kaloi kohën e saj duke studiuar shkencë dhe letërsi…[11]
Kjo ishte një histori ndryshe nga ajo ku shkenca dhe shkencëtarët persekutoheshin dhe anatemoheshin nga fetë e tjera, sidomos nga kisha e cila e shndërroi mesjetën në obskurantizëm, ku përmes gjykatave të inkuizicionit i konsideronte qindra-mijëra shkencëtarë si heretikë dhe duke i vrarë apo djegur për së gjalli, si Xhordano Brunon, Galileo Galilein, Nicolaus Copernicusin etj. Kështu dokumenton ideologu i njohur islam, Ebu Hasen En-Nedeuij, në librin e tij fantastik “Çfarë humbi bota me dobësimin e muslimanëve”, në temën për persekutimin e shkencës nga feja, kur thotë se numri i atyre të cilët i ndëshkoi kisha për heretizëm, shkon deri në 300 mijë, prej të cilëve u dogjën të gjallë 32 mijë, nga të cilët ishte edhe shkencëtari i njohur Xhordano Bruno, të cilit kisha ia hodhi poshtë teoritë e tij, ku ndër më të theksuarat ishte ajo e ekzistencës së disa botëve. Kisha vendosi që ta ekzekutonte atë, duke mos ia derdhur as edhe një pikë gjaku, pra me djegie për së gjalli.[12]
Tingëllon paradoksale, por argumentet e përmendura na sjellin në këtë përfundim: të krishterët e parë kur ishin “shumë të thelluar në Krishterim”, ishin larg qytetërimit, madje kundër tij, ndërsa muslimanët e parë kur ishin “shumë të thelluar në Islam”, jo që ishin afër, por ata prodhuan qytetërim dhe i frymëzuan edhe qytetërimet tjera.
Është e njohur se gabimet e sunduesve abasid, përkatësisht rënia e Hilafetit Abasid, ndikoi në dobësimin e muslimanëve të cilët u katandisën në një fragmentarizim, rebelim dhe rivalizim të brendshëm strukturor, ideologjik e fisnor, duke krijuar terren të përshtatshëm për brutalitetin dhe barbarinë që u erdhi nga gjëma e kryqtarëve dhe mongolëve.
Shekulli XV, sipas studiuesit Milazim Krasniqi, duhet të mbahet mend si periudha ku muslimanëve u rrëshqitën nga dora dy mundësi strategjike: dështimi në zbulimin e Amerikave dhe mos shndërrimi i umetit islam në njësi monolite politike e unike në gjithë hapësirat gjeografike sipas proklamimit në Shpalljen Hyjnore. Pra, moszbulimi i Amerikave nga muslimanët i gjunjëzoi ata përballë evropianëve të krishterë të cilët arritën t’i futin dy Amerikat nën sundimin e tyre dhe nën besimin e tyre fetar, duke u bërë më të fuqishëm e më dominues në botë. Rrjedhimisht, fuqia e vërtetë e evropianëve, e cila mundësoi zhvillimin ekonomik, ushtarak e arsimor të pakonkurencë, nuk e ka burimin te kultura antike greko-romake e as te shtylla judeo-kristiane, me theks te Krishterimi, po e ka burimin në marrjen në sundim dhe eksploatim të dy Amerikave, nga fundit i shekullit XV. Pse nuk arritën muslimanët të zbulonin dy Amerikat? Edhe pse qysh në vitin 680, komandanti Ukbe ibn Nafiu udhëhoqi forcat muslimane drejt Oqeanit Atlantik, as ai e as pasardhësit ndër shekuj, nuk e kaluan Atlantikun, për t’i hapur ato toka e ata popuj ndaj Islamit. Pra, tetë shekuj para se Kristofor Kolombusi të nisej drejt kontinenteve të panjohura për evropianët dhe për muslimanët, muslimanët ishin përballë tyre, në ujërat e Atlantikut, por ata nuk e morën drejtimin e Perëndimit të panjohur, sepse muslimanët ishin koncentruar në Mesdhe dhe në Oqeanin Indian. Sikundër u skicua më herët, shkaku i luftërave të brendshme, keqqeverisjeve dhe dekadencës në oborrin abasid, në periudhën abaside muslimanët dukeshin të lodhur nga fitoret, të ngopur nga madhështia e vet dhe të dërrmuar nga konfliktet e brendshme. Ndaj ishin ndalur. Ndalimi ua solli gjëmën mongole.[13]
Një nga faktorët e dekadencës së muslimanëve shpjegohet mjaft mirë nga dijetari i ndjerë shqiptar të cilin unë e admiroj, Mr. Jakup Asipi, në një definicion interesant: “Zoti nuk ka kundër që t’ia marrë udhëheqjen e kësaj bote atij që është musliman, por që nuk ia di rendin. Dhe Zoti nuk ka kundër që t’ia jap udhëheqjen e kësaj bote atij që s’është musliman, por që ia di rendin. Sepse bota ndahet në dy segmente: segmenti i besimit dhe segmenti i eksperimentimit (punës dhe hulumtimit). Në këtë të dytën shoqëria muslimane çalon shumë sepse mendon gabimisht që besimtarët duhet të privilegjohen për shkak të besimit, të kenë pasuri, fuqi, privilegje, statuse e të mira materiale, por e vërteta është ndryshe: do të korrin vetëm ata që kanë mbjellë.”[14]
Pra, sot muslimanët kanë rrëshqitur në moçalin politik, kulturor e shoqëror dhe bota perëndimore me sofistikimin dhe epërsinë e vet i shikon muslimanët e katandisur me inferioritet, ndoshta edhe me të drejtë, pasi muslimanët nuk janë konkurrentë seriozë në sisteme politike, sisteme të vlerave, fuqi ushtarake e zhvillime shkencore. Ata sot janë shumë larg frymëzimit të qytetërimit që dikur paraardhësit e tyre e krijuan. Agonia e tyre kulturore ka vetëm një formulë: rënie serioze e vetëdijes. Nëse dikur ishin aktorë të vërtetë të qytetërimit, sot janë shndërruar në spektatorë të ngratë të tij. Nga prodhues krenarë të qytetërimit, në konsumues inferiorë të botës perëndimore.
Referenca:
[1] Salim T. S. Al-Hassani, 1001 Inventions: The Enduring Legacy of Muslim Civilization, National Geographic, 2012;
[2] Sami Frashëri, Qytetërimi islam, Logos-A, Shkup, 2009;
[3] Ali Akbar Velajeti, Kultura dhe Civilizimi Islam, Instituti për Shkenca Humane “Ibni Sina”, Prishtinë, 2015;
[4] Olivia Sterns, “Muslim inventions that shaped the modern world”, CNN, 2015: https://edition.cnn.com/2015/07/22/world/muslim-inventions/index.html
[5] Ferid Muhiq, Identiteti Islam i Europës, Logos-A, Shkup, 2013;
[6] Ramin Jahanbegloo, Konferenca “Përtej Orientalizmit dhe Oksidentalizmit”, Kajro, 2006;
[7] Encyclopedia Historica, “The 100: A Ranking of the Most Influential Persons in History”, https://history.fandom.com/wiki/The_100:_A_Ranking_of_the_Most_Influential_Persons_in_History
[8] Abdul Mexhid Ez-Zindani, Kurani është i vërteti, Fondacioni i Rinisë Islame – Cyrih, 2013, https://www.slideshare.net/slideshow/abdul-mexhid-ez-zindani-kurani-eshte-i-verteti/27549524
[9] Harun Jahja, Mrekullitë e Kuranit, Furkan-ISM, Shkup, 2002;
[10] Cem Nizamoglu, “The House of Wisdom: Baghdad’s Intellectual Powerhouse”, Muslim Heritage, 2016, https://muslimheritage.com/house-of-wisdom/
[11] Ahmed Salim, “1001 Inventions and Extraordinary Women of the Golden Age”, 1001 Inventions, https://www.1001inventions.com/1001women/
[12] Ebu Hasen En-Nedeuij, Çfarë humbi bota me dobësimin e muslimanëve, ALSAR, 2020;
[13] Milazim Krasniqi, Fijet e fshehura të përmbysjeve të mëdha (ndërmjet Medinës, Spanjës, Amerikës, Devletit Osman, Ballkanit), Logos-A, Shkup, 2020;
[14] Jakup Asipi, 1000 THËNIE, Furkan ISM, Kumanovë, 2014.