Qendra për Sigurinë, Racën dhe të Drejtat në Universitetin Rutgers publikoi në nëntor 2023 një raport gjithëpërfshirës të quajtur “Antisemit i supozuar: Trope islamofobe në diskursin Palestinë-Izrael.” Raporti analizon mënyrën se si racizmi dhe Islamofobia anti-palestineze janë përdorur për t’i poshtëruar dhe për t’ua mbyllur gojën kritikëve të qeverisë izraelite.
Përmbledhja e raportit vë në dukje se 2023-shi është bërë viti më vdekjeprurës ndonjëherë për palestinezët. Studiuesit më të njohur të gjenocidit, ekspertët e së drejtës ndërkombëtare dhe organizatat botërore për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se bota është “dëshmitare e gjenocidit, krimeve të pakontrolluara të luftës, spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit” të kryera nga qeveria e djathtë e Benjamin Netanjahut.
“Nëse ka një ferr në tokë sot, emri i tij është Gaza veriore”, ka thënë Zëvendës zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Jens Laerke. As Benjamin Netanjahu, e as aleatët e tij politikë të krahut të djathtë, nuk e kanë fshehur “qëllimin e tyre gjenocidal” kundër palestinezëve, i cili është regjistruar për hir të pasardhësve gjatë gjithë luftës së Gazës në 2023. Për shembull, presidenti izraelit Isaac Herzog pretendoi ma pikë turpi se “nuk ka civilë të pafajshëm në Gaza”. Ndërsa ministri i mbrojtjes në qeverinë e Netaniahut, Yoav Gallant, kur premtoi se do t’ua ndërpriste ushqimin dhe ujin 2 milionë palestinezëve në Gaza pas ngjarjes së tmerrshme të sulmeve të Hamasit më 7 tetor, tha se palestinezët ishin “kafshë njerëzore”. Ministri izraelit i Trashëgimisë, Amichai Eliyahu, u pezullua për një kohë të pacaktuar pasi tha në një intervistë se hedhja e një bombe bërthamore në Rripin e Gazës ishte “një nga mundësitë”. Për më tepër, ish-ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara, Dan Gillerman, gjatë një interviste televizive i quajti me shpërfillje palestinezët në tërësi: “kafshë të shëmtuara çnjerëzore”. Ndërsa ish-kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit (gjeneralmajor Giora Eiland) tha publikisht se “Gaza do të bëhet një vend ku asnjë qenie njerëzore nuk do të mund të ekzistojë.”
Gjatë një konference për shtyp, vetë Benjamin Netanjahu iu referua paturpësisht të gjithë popullit palestinez si populli i Amalekut duke cituar Dhiatën e Vjetër (ku Zoti e urdhëroi mbretin Saul në Librin e parë të Samuelit që të vriste çdo burrë, grua dhe fëmijë në Amalek, një komb rival në Izraelin e lashtë). Ish-Ministri i informacionit Galit Atbaryan tha se ata duhet ta fshijnë “të gjithë Gazën nga faqja e dheut”. Kurse politikani izraelit Moshe Feiglin u tha shikuesve në televizor: “Mos lini gur pa kthyer përmbys në Gaza. Ajo duhet të bëhet si Dresdeni. Duhet të digjet plotësisht. Shkatërrojeni Gazën tani!” Pavarësisht këtyre deklaratave të fuqishme që bëjnë thirrje për vdekjen në masë të miliona palestinezëve, asnjë zyrtar i zgjedhur perëndimor, apo rrjet mediatik i zakonshëm nuk i ka akuzuar këta individë për racizëm anti-palestinez dhe/ose Islamofobi.
Raporti i Rutgers-it i muajit nëntor 2023 u përqendrua në tre fusha kryesore ku racizmi anti-palestinez dhe Islamofobia aktualisht janë pjesë e politikës së jashtme perëndimore. Së pari, studiuesit u përqendruan te kufizimet e vendosura ndaj lirisë së shprehjes në rastet vihet në pikëpyetje mbështetja e pakushtëzuar politike e Amerikës për Izraelin, “pavarësisht shkeljeve të dokumentuara dhe sistematike të ligjit ndërkombëtar” kundër palestinezëve nga qeveria izraelite. Së dyti, autorët vënë në dukje se ka vazhdimësi të tropeve raciste anti-arabe dhe anti-muslimane në mediat globale dhe qarqet politike perëndimore, sipas të cilave muslimanët dhe arabët i urrejnë hebrenjtë në mënyrë që qenësishme. Së fundi, raporti thotë se ky racizëm anti-musliman dhe anti-arab rezulton në “diskreditimin e popullit palestinez dhe në pamundësinë që ata të realizojnë të drejtat e tyre të plota civile, politike, kombëtare dhe njerëzore”.
Autorët e raportit ofrojnë zgjidhje për këto çështje. Së pari, raporti thotë se, për të luftuar dezinformimin duhet që zhvillimi i politikës së jashtme perëndimore dhe mediat kryesore të përfshijnë përvojat/perspektivat e jetuara të zërave palestinezë, arabëve dhe/ose muslimanëve amerikanë (raporti i referohet rastit të muslimanëve amerikanë, shen. i red). Pavarësisht se palestinezët janë viktima të gjakderdhjes ushtarake, racizmit politik dhe okupimit ushtarak që prej gati gjysmë shekulli, shumë qeveri perëndimore (veçanërisht Shtetet e Bashkuara) i kanë trajtuar ata si “njerëz inferiorë e të rrezikshëm që nuk meritojnë të njëjtat të drejta ndërkombëtare” si qytetarët hebrenjë izraelitë. Edhe kur zyrtarët e administratës së ekstremit të djathtë të Netanjahut shpeshherë i bëjnë palestinezët pjesë të retorikës degraduese, çnjerëzore dhe madje gjenocidale, shumë qeveri perëndimore shpesh zgjedhin të kritikojnë të dyja palët sikur ato të ishin njëlloj fajtore në sytë e publikut.
Në korrik 2021, kryeredaktori i Jewish Currents, Peter Beinart, shkroi një kolumnë të cilën e titulloi: “Është koha t’i vemë emër fanatizmit anti-palestinez”, pasi, siç argumenton ai, “anti-palestinizmi është sa i kudondodhur aq edhe i padukshëm”. Beinart shkroi se termi “anti-palestinizëm” realisht nuk ekziston në leksikun tonë global kryesisht për shkak se “pothuajse të gjithë në Kongres do të ishin fajtorë për këtë”. Ndërsa më tej vuri në dukje se në të gjithë kampuset e kolegjeve amerikane, administratorët e universiteteve anulojnë shpesh leksionet, klasat, vendet e punës për profesorë, madje edhe organizata të tëra studentore, thjesht sepse ato mbështesin publikisht të drejtat e njeriut për palestinezët. Raporti i Rutgers gjithashtu e vuri në dukje këtë fenomen dhe deklaroi se kolegjet dhe universitetet perëndimore duhet të mbrojnë lirinë akademike dhe të drejtat e lirisë së shprehjes së studentëve dhe fakulteteve të angazhuara në të drejtat e njeriut për palestinezët.
Një tjetër dallim i rëndësishëm i bërë nga studiuesit e Rutgers-it përfshin analizimin e dallimeve midis Islamofobisë, racizmit anti-arab dhe racizmit anti-palestinez. Ata shpjegojnë se, megjithëse racizmi anti-arab është i ndarë nga Islamofobia, të dyja format e paragjykimit shpesh mbivendosen. Një pakicë e konsiderueshme e të krishterëve arabë (duke përfshirë gati 200,000 të krishterë palestinezë) nuk janë muslimanë, por shpesh ata e përjetojnë Islamofobinë për shkak se amerikanët gabimisht i ngatërrojnë të gjithë arabët me “të qenit muslimanë”.
Në SHBA, gruaja e parë dhe e vetme muslimane palestinezo-amerikane në Kongres, Përfaqësuesja Rashida Tlaib (D-MI), ka qenë një nga shënjestrat kryesore të Islamofobisë dhe racizmit anti-palestinez kohët e fundit. Në shtator 2021, kongresmenja Tlaib shprehu kundërshtimin e saj ndaj financimeve ushtarake amerikane shtesë për sistemin e mbrojtjes Iron Dome të Izraelit, duke vënë në dukje se “Izraeli është një regjim aparteidi – [këto nuk janë] fjalët e mia, por fjalët e Human Rights Watch dhe fjalët e organizatës së vetë Izraelit për të drejtat e njeriut B’Tselem”. Nuk u desh shumë që republikanët si kongresmeni Chuck Fleischmann (R-TN) ta denonconin menjëherë duke thënë se “ajo e kundërshton këtë sepse ata kanë një pakicë të zëshme në partinë e shumicës e cila është anti-izraelite dhe antisemite”.
Më 8 nëntor 2023, gjatë bombardimeve të vazhdueshme të Izraelit mbi rripin e rrethuar të Gazës, Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA votoi zyrtarisht 234 me 188 për të censuruar publikisht kongresmenen Rashida Tlaib për shkak të “komenteve të saj kritike ndaj Izraelit dhe mbështetjes ndaj palestinezëve” në mes të Luftës në Gaza në 2023, raporton CNN. Njëzet e dy anëtarë të partisë Demokratike ku ajo bën pjesë iu bashkuan republikanëve për të mbështetur një rezolute që pretendonte se Tlaib-i kishte “promovuar narrativa të rreme” dhe se kishte “bërë thirrje për shkatërrimin e shtetit të Izraelit”. Në përgjigje të censurës ndaj saj, kongresmenja Tlaib deklaroi publikisht se kritikat e saj i ishin drejtuar gjithmonë qeverisë izraelite dhe udhëheqjes së saj nën kryeministrin Netanjahu. “Është e rëndësishme të ndahen njerëzit nga qeveria,” tha publikisht kongresmenja Tlaib pas votimit të censurës. “Ideja se, të kritikosh qeverinë e Izraelit është antisemitizëm përbën një precedent shumë të rrezikshëm. Kjo është përdorur për të heshtur zëra të ndryshëm që flasin për të drejtat e njeriut në të gjithë vendin tonë.”
Gjatë gjithë karrierës së saj, identiteti musliman palestinez i kongresmenes Tlaib e ka bërë një shënjestër të shpeshtë të sulmeve politike bazuar në paragjykimin e “besnikërisë së dyfishtë”, që gjendet si në antisemitizëm ashtu edhe në Islamofobi. Në vitin 2019, një prezantues i Fox News-it pretendoi se kongresmenja Tlaib kishte një “agjendë pro Hamasit”, duke iu referuar qëllimisht një grupi që do të sillte imazhe të dhunshme në mendjen e audiencës së tij. Disa muaj më herët, në janar 2019, anëtarët republikanë të Kongresit akuzuan të vetmet (dhe të parat) dy femra muslimane përfaqësuese amerikane – Rashida Tlaibin dhe kongresmenen e Minesotës Ilhan Omarin (D-MN) – për antisemitizëm për shkak të mbështetjes së tyre për të drejtat e palestinezëve dhe kritikave të tyre ndaj politikave të qeverisë izraelite. “Ky portretizimi i muslimanëve si besnikë ndaj terroristëve dhe si antisemitë të supozuar është një imazh i konsumuar që, siç tregojnë këta shembuj, janë pjesë e diskursit dhe politikës publike,” vuri në dukje raporti i Rutgers në nëntor 2023.
Një studim mbi median i vitit 2019 i mbi 100,000 titujve të gazetave kryesore amerikane zbuloi se kishte mbi katër herë më shumë tituj me qasje pro-izraelite sesa pro-palestineze. Zbuloi gjithashtu se mbulimi i përgjithshëm rreth kësaj çështjeje rritej gjatë periudhave të përshkallëzimit të dhunës. Studimi gjithashtu analizoi kryetitujt e lajmeve të 50 viteve mbi konfliktin Izrael-Palestinë nga pesë botime kryesore amerikane – Chicago Tribune, Los Angeles Times, New York Times, Washington Post dhe Wall Street Journal – duke përdorur teknika të Përpunimit të Gjuhës Natyrore (NLP) për analizimin e bazës së të dhënave masive. “Gjetjet tregojnë një paragjykim të vazhdueshëm në mbulimin e çështjes izraelito-palestineze – ku narrativat izraelite janë të privilegjuara,” tha një nga autorët e studimit për The Intercept. “Ai na e tërheq vëmendjen për nevojën që kemi për të vlerësuar në mënyrë më kritike shtrirjen e mbulimit të pushtimit izraelit dhe nevojën për të pranuar se lexuesit po marrin, në rastin më të mirë, një përkthim shumë të filtruar të çështjes.”
Në Shtetet e Bashkuara, pasojat e përgjithshme të përshkallëzimit të këtij racizmi anti-palestinez dhe Islamofobisë gjatë javëve të fundit kanë çuar në ndërprerje të punësimit, në përjashtime nga shkolla, e madje edhe në krimi të vrasjes për shkak të urrejtjes. I tillë ishte rasti në Illinois i një djalë të ri musliman 6-vjeçar palestinezo-amerikan i quajtur Wadea Al-Fayoume, i cili u vra brutalisht më 14 tetor 2023 pasi u godit 26 herë me thikë nga pronari 71-vjeçar i shtëpisë ku jetonte familja e tij. Sulmuesi me sa duket bërtiti: “Ju muslimanët duhet të vdisni! ” teksa lëshonte tërbimin e tij vrastar të krimit të urrejtjes kundër djalit të ri dhe nënës së tij palestineze, e cila u plagos rëndë gjatë sulmit.
Në një artikull të muajit tetorit 2023 për The Nation, reporteri dhe autori Spencer Ackerman shkroi për rritjen e diskriminimit dhe frikës që synon zërat pro Palestinës (si muslimanë ashtu edhe jomuslimanë). Ackerman shpjegoi se në javët e fundit, individët që kanë shprehur mbështetje për të drejtat e palestinezëve kanë humbur vendin e punës, u janë anuluar ofertat për punë, janë kërcënuar nga ish-presidenti Donald Trump me dëbim dhe janë bërë subjekt i dënimit të Senatit. Gazetari fitues i çmimit Pulitzer vuri në dukje gjithashtu se Guvernatori i Floridës dhe kandidati për president Ron DeSantis papritmas u “dha pas cancel culture” duke ndaluar grupin e kolegjit Studentët për Drejtësi në Palestinë (SJP) nga sistemi universitar publik.
Ackerman theksoi më tej se kohët e fundit Lidhja Anti-Shpifje (ADL) dhe Qendra Louis Brandeis për të Drejtat e Njeriut Sipas Ligjit dërguan një letër të hapur “urgjente” drejtuar mbi 200 kampuseve universitare, ku u kërkonin administratorëve që “të hetojnë menjëherë” grupet e Studentëve për Drejtësi në Palestinë (SJP) në kampuset e tyre për “shkelje të mundshme të ndaesës kundër mbështetjes materiale të një organizate të huaj terroriste”. “Përfundimi ishte se ADL kishte vendosur t’i jepte përparësi punës së saj pro-izraelite në kurriz të çdo kontributi që është dhënë në hapësirën e të drejtave civile prej disa kohësh,” sipas Maya Berry, Drejtore Ekzekutive e Institutit Arabo-Amerikan (AAI). “Nga ripërkufizimi i antisemitizmit si anti-sionizëm në maj 2022, deri te shfrytëzimi së fundmi i akuzës për mbështetje materiale dhe politikave të ‘Luftës kundër Terrorit’ kundër studentëve me të cilët ata nuk pajtohen, është një hap i jashtëzakonshëm që ka dëmtuar komunitetin tim për dekada, para dhe pas 11 shtatorit,” vazhdoi ajo.
Në dritën e rritjes së fundit të ngacmimeve, censurës, abuzimeve dhe diskriminimit që synon individët që mbështesin të drejtat e njeriut për palestinezët, shumë prej tyre kanë tërhequr vëmendjen për ngjashmëritë midis kësaj periudhe dhe asaj të pas 11 shtatorit. “Ajo që po shohim janë taktika McCarthyeske, si ato të përdorura pas 11 shtatorit,” tha Malak Afaneh, student i drejtësisë në Universitetin e Kalifornisë-Berkeley. Dima Khalidi, drejtoreshë e grupit të mbrojtjes ligjore të të drejtave civile Palestine Legal, vuri në dukje gjithashtu mundësinë e “mbikëqyrjes, infiltrimit dhe hetimit” të shprehjeve dhe të shoqatës pro-palestineze në kampus. “Këto reagime histerike ndaj studentëve që po marrin një qëndrim politik në mbështetje të të drejtave palestineze e që përbëjnë zero kërcënim, përveç nocionit se ne të gjithë duhet të ndjekim vijën dominues… si dhe të dehumanizojmë palestinezët… është e rrezikshme në shumë nivele. Jo më pak për faktin se ka potencialin për të kriminalizuar aktivitetet e të folurit,” tha znj. Khalidi për The Nation. “Kjo prek të gjitha të drejtat tona themelore për disidencë.”
Raporti i Universitetit Rutgers i muajit nëntor 2023 arriti në përfundimin se keqpërdorimi i akuzave për antisemitizëm – i shoqëruar me normalizimin e Islamofobinë në shoqërinë amerikane – ka turbulluar ujërat e mbulimit të luftës në Gaza 2023. Për ta korrigjuar këtë, studiuesit rekomandojnë që 1) zërat palestinezë duhet të përfaqësohen në zhvillimin e politikës së jashtme, 2) kolegjet/universitetet duhet të mrbojnë lirinë e tyre akademike dhe të drejtat e fjalës së lirë për studentët dhe pedagogët e angazhuar në Palestinë, dhe 3) qeveritë duhet ta vënë para përgjegjësisë qeverinë e djathtë të Netanjahut për shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj palestinezëve.
Gjigandi i ndjerë, akademiku palestinez Edward Saidi, shkroi një herë: “Unë nuk kam qenë në gjendje të zbuloj asnjë periudhë në historinë evropiane apo amerikane, që nga Mesjeta, në të cilën Islami përgjithësisht diskutohej ose mendohej jashtë një kornize të krijuar nga pasioni, paragjykimi dhe interesat politike.” Me mbi 11,000+ palestinezë të vrarë (mbi 25 mijë deri më datë 22 Janar 2024) (së bashku me rreth 1,200 izraelitë) gjatë bombardimeve të tmerrshme disproporcionale mbi Gaza, bashkësia ndërkombëtare vazhdon të jetë dëshmitare e çmimit të dehumanizimit dhe ndëshkimit kolektiv të palestinezëve. Nga sallat e qeverive e deri te studiot televizive në mbarë botën, realiteti aktual është se racizmi anti-palestinez dhe Islamofobia janë të gjalla dhe po luajnë rol në justifikimin e vrasjeve të dhjetëra mijëra palestinezëve të pafajshëm (si muslimanë ashtu edhe të krishterë) nën rrënojat e bombarduara të Rripit të Gazës.