Friday, December 27, 2024

Teoritë konspirative, mohimi i gjenocidit në Srebrenicë, dhe Koronavirusi

Lavdërimi i kriminelëve të dënuar të luftës, mohimi i gjenocidit dhe krimeve të luftës dhe mosmarrëveshjet e hidhura rreth përkujtimeve konfliktuale, të gjitha krijojnë një mjedis përçarës të përhershëm që gradualisht po kthehet në normë.

Nga David Rohde

E shtuna e 11 korrikut shënoi 25-vjetorin e maskarës më të tmerrshme në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në 1995, në muajin e fundit të luftës në Bosnje, tetë mijë muslimanë, burra e djem, u ekzekutuan në masë në rrethinat e Srebrenicës. Në vitet që pasuan, të vejat dhe fëmijët e tyre, bashkë me mijëra vajtues të tjerë, mblidhen çdo vit në një ceremoni përkujtimore për të nderuar të rënët. Ceremonia mbahet çdo 11 Korrik, dita kur territori ra në duart e forcave serbe të Bosnjës e kur vrasjet filluan. Këtë vit, frika nga virusi Korona i detyroi autoritetet që ta kufizonin praninë e njerëzve në vetëm disa qindra vetë. Pjesëmarrësit mbajtën maska. 

Ashtu si për çdo vit, diplomatë nga e gjithë bota postuan mesazhe solemne për keqardhjen ndaj fajësisë së bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me vrasjet në fjalë. Gjatë një fushate gjysmë humanitare që shkoi gabimisht keq, zyrtarët amerikanë dhe evropianë hartuan një skemë në të cilën paqeruajtësit e OKB-së ç’armatosën mbrojtësit muslimanë të Srebrenicës prej armëve të tyre më të fuqishme dhe e shpallën qytetin si “zonë të sigurt të mbrojtur nga Kombet e Bashkuara”. Dy vjet më vonë, ata qëndronin duarkryq ndërsa nacionalistët serbë të Bosnjës e përshkuan të gjithë qytetin dhe vranë gati çdo mashkull boshnjak musliman që u doli përpara. Këtë vit, për shkak të pandemisë së virusit Korona, mesazhet plot keqardhje nga personalitete të huaja ishin video të regjistruara, përfshirë ato nga Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo dhe aktorja Angelina Jolie. Shumica e mesazheve përqendroheshin në mohimin në rritje të masakrës nga nacionalistët serbë të Bosnjës, e cila pasqyron, nga ana tjetër, përpjekjen e dështuar për ribashkimin e vendit, një çerek shekulli pasi ndaluan vrasjet.

Unë kam raportuar mbi luftën në 1994 dhe 1995 dhe kam shkruar një seri artikujsh për Christian Science Monitor që ndihmuan në ekspozimin e vrasjeve në Srebrenicë. Çdo pesë vjet, jam përpjekur të kthehem për ceremoninë e përkujtimit. Me kalimin e kohës, kam parë se si  nacionalistët serbë gjithnjë e mës humë e mohojnë atë që ka ndodhur, pavarësisht provave të shumta. Në vizitën time të fundit, në 2015-ën, ata hodhën poshtë kategorikisht gjetjet e projektit më të madh në botë të identifikimit të ADN-së, të cilat kanë arritur të përputhin mbetjet e 6.909 burrave me të afërmit e tyre të mbijetuar. Disa qindra burra të tjerë që u zhdukën nuk u gjetën kurrë. Gjykata e OKB-së për krime lufte ka dokumentuar në 2004 në mënyrë shteruese vrasjet, zhvarrosjet e varreve masive, funsionimin e zinxhirit të komandës ushtarake serbe gjatë ekzekutimeve dhe shfarosjes, të cilat përbëjnë gjenocid. Pra, veprime të kryera me qëllim të zhdukjes, në tërësi ose pjesërisht, të një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar.

Gjatë vizitës sime të fundit, civilët serbë më treguan gjatë disa bisedave që do t’i konsideroja gati gjeniale, për teori konspiracioni groteske. Një grua më tregoi se në fakt, muslimanët boshnjakë, të listuar si të vdekur në varrezat e qytetit ku janë varrosur eshtrat e gjashtë mijë njerëzve, në fakt janë gjallë dhe jetojnë në Gjermani. Muslimanët kanë vjedhur kufomat e serbëve dhe i kanë deklaruan rrejshëm si viktima të masakrës, tha një burrë. Të tjerët i quajtën “fallcitet”, “një cirk” dhe “mashtrim” raportet për tetë mijë të vdekur.

Deklarata të tilla ishin zhgënjyese, por jo befasuese. Gjatë luftës, udhëheqësit nacionalistë serbë kishin përhapur teori konspirative në mënyrë që të ruanin mbështetjen popullore si për konfliktin ashtu edhe për mbajtjen e pushtetit. Në atë kohë, ia vura fajin tëorisë së përkrahjes së mohimit për shkak të traumave që njerëzit përjetojnë gjatë kohës së luftës. Mendoja se thënia e gënjeshtrave të mëdha nevojitet atëherë kur një popullatë ka frikë për sigurinë e saj. Një diplomat në Bosnje, i cili kërkoi të mos përmendet më tha se dekada pas përfundimit të luftës, udhëheqësit e korruptuar nacionalistë dhe mediat që ata kontrollojnë kanë përjetësuar retorikën e mosbesimit dhe frikës në vend, veçanërisht para zgjedhjeve. Lavdërimi i kriminelëve të dënuar të luftës, mohimi i gjenocidit dhe krimeve të luftës dhe mosmarrëveshjet e hidhura rreth përkujtimeve konfliktuale, të gjitha krijojnë një mjedis përçarës të përhershëm që gradualisht po kthehet në normë.

Vitin e kaluar, Milorad Dodik, anëtari serb i Presidencës tre-palëshe në Bosnje dhe Hercegovinë, e quajti gjenocidin e Srebrenicës “një mit të trilluar”. Në vitin 2016, ai emëroi një konvikt studentor në një qytet të mbizotëruar nga serbët me emrin e njërit prej udhëheqësve serb të Bosnjës gjatë kohës së luftës, Radovan Karadžić, pasi gjykata e OKB-së e kishte dënuar atë për gjenocid. Muajin e kaluar, serbët boshnjakë pikturuan në murin e një shkolle fillore një murale të Ratko Mladić, shefit të ushtrisë serbe boshnjake, forcat e të cilit kryen vrasjet e Srebrenicës. Edhe Mladić u dënua për genocid, në vitin 2017. Muajin e kaluar, gjykatësi Carmel Agius, presidenti i gjykatës së OKB-së për krime lufte, deklaroi për Reuters se zyrtarët serbë të Bosnjës kishin filluar një përpjekje sistematike për t’u mësuar nxënësve të shkollës se gjenocidi i Srebrenicës nuk ka ndodhur kurrë. “Do të hasni një përpjekje këmbëngulëse nga ana e autoriteteve për të indoktrinuar fëmijët me versionin e tyre të ngjarjeve,” tha Agius. Madje, disa udhëheqës serbë të Bosnjës kanë filluar organizimin e festimeve për “çlirimin e Srebrenicës” që përkon me të njëjtën datë me përvjetorin e vrasjeve të vitit 1995.

Mohimi është përhapur edhe ndërkombëtarisht, ku komentues online të krahut të majtë dhe të djathtë vënë në dyshim përmasat e vrasjeve. Vitin e kaluar, çmimi Nobel në Letërsi iu dha novelistit dhe dramaturgut austriak Peter Handke, i cili publikisht e ka vënë në dyshim numrin e vrasjeve në Srebrenicë. Pasi udhëtoi në ish-Jugosllavi pas luftës, Handke publikoi një seri eseshë, ku në njërën prej tyre ai shkroi, “Unë dua të pyes se si do të shpjegohet kryerja e një masakre të tillë.” Në vitin 2006, ai mbajti një fjalim në funeralin e Slobodan Milosević, Presidentit të Serbisë gjatë kohës së luftës, i cili armatosi dhe ndihmoi forcat serbe të Bosnjës.

Në ceremoninë e së shtunës, Šefik Džaferović, anëtari musliman boshnjak i Presidencës trepalëshe, i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të ndihmojë në luftimin e pretendimeve të rreme. “Unë u bëj thirrje miqve tanë nga e gjithë bota të tregojnë, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, se ata nuk do të pranojnë mohimin e gjenocidit dhe promovimin e autorëve të tij,” tha ai. “Gjenocidi i Srebrenicës po mohohet po aq sistematikisht dhe me përpikmëri sa u ekzekutua në 1995-ën.”

Problemi i mohimit dhe i rishikimit të historisë mori kuptim të ri ndërsa shikoja përkujtimin nga Shtetet e Bashkuara, një vend aq i ndarë dhe jofunksional, sa nuk është në gjendje t’i përgjigjet në mënyrë efektive koronavirusit. Ashtu si shumica e amerikanëve, edhe unë kisha shpresuar se, në këtë pikë të historisë sonë, përdorimi i suksesshëm i dezinformatave, teorive të komplotit dhe mohimit për përfitime të rëndësishme politike nuk ishte më i vlefshëm. Unë supozova, me arrogancë, se institucionet demokratike të kombit tonë, si dhe shtypi i lirë i tij, do të kundërshtonin, ekspozonin dhe diskreditonin pretendimet e rreme. Por, vitet e fundit, një gatishmëri për të shtrembëruar faktet themelore, ngritjen e mediave partizane dhe shpërthimin e informacionit të rremë në internet ka bërë që mohimi të jetë politikisht i dobishëm në SHBA. Si një pandemi, protestat për drejtësi racore dhe një garë presidenciale e shpalosur në të gjithë vendin, një nivel i jashtëzakonshëm i konfuzionit dhe përçarjes ka përfshirë vendin. Parimet themelore të qeverisjes amerikane, duke filluar nga besimi tek ekspertët jopartizanë e deri tek rezultatet e zgjedhjeve, janë në rrezik. Pjesë e problemit është shfrytëzimi i taktikave të tilla nga ana e presidentit Trump. Megjithatë, është marrëzi të injorosh mosbesimin, dekadencën institucionale dhe tehuajësimin, të cilat i shërbejnë thirrjeve të tij..

Isha i bindur se nëse një fatkeqësi kombëtare do të ndodhte në Shtetet e Bashkuara, udhëheqësit dhe institucionet e saj pa pikë dyshimi do ta përballonin sfidën në fjalë. Por, sot, më shumë se njëqind e tridhjetë mijë amerikanë kanë vdekur nga koronavirusi – një numër më i madh, në fakt se njëqind mijë që vdiqën në luftën në Bosnje. Virusi ka qenë gjithashtu shumë vdekjeprurës në SHBA, me dyzet e dy vdekje në njëqind mijë raste, gjashtë herë më shumë se shtatë në qindra mijë njerëz në Bosnje.

Bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara, ku përhapja e virusit ka dalë jashtë kontrollit, pjesërisht, për shkak të mungesës së udhëheqjes dhe konsensusit të vendit. Ky vend po kalon një fatkeqësi. Diplomati me të cilin fola, i cili është nga një vend perëndimor, tha se e njëjta gjë i kishte ndodhur atij, tek sa  shikonte se si pandemia dhe debati për maskat e fytyrës po e përçajnë SHBA-në. “Jam shumë dakord,” tha ai. “Kam menduar dhe unë të njëjtën gjë.” Frika ende mund të përdoret në çdo komb për përfitime politike. Mohimi është një ngushëllim universal dhe një kërcënim njëkohësisht për të gjithë ne. 

David Rohde është redaktor ekzekutiv i newyorker.com. Ai është autori i librit, “Në Thellësi: FBI-ja., CIA. dhe e Vërteta rreth”Shtetit të thellë” në Amerikë.”

Observer.al
Observer.al
Observer.al
Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë është platformë që trajton problemet e Islamofobisë, racizmit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit Musliman në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, e më gjerë.

Të ngjashme
Related

Raporti EIR 2023: Panoramë e zymtë e Islamofobisë në Evropë

EIR 2023 paraqet një panoramë të zymtë të gjendjes së Islamofobisë në Evropë, duke theksuar dështimet sistematike për të luftuar racizmin anti-musliman.

Raporti i Islamofobisë Evropë: Diskriminimi ndaj muslimanëve në rritje, kërkohen masa urgjente

Raporti Evropian i Islamofobisë 2023 zbulon se diskriminimi dhe krimet e urrejtjes ndaj muslimanëve janë në rritje në Evropë, duke theksuar nevojën për veprime urgjente për të adresuar këto çështje.

Pse janë kaq të tërbuar islamofobët në Kosovë?  

Islamofobët i riprodhojnë paragjykimet mesjetare në diskursin modern dhe i paraqesin si argumente dhe paradigma me të cilat synojnë krijimin e një vetëdije dhe opinioni refuzues të Islamit.

Plani 2.0 i Trumpit për ndalimin e muslimanëve

Donald Trump është zotuar se do të rikthejë një version akoma më të ashpër të ‘Ndalimit për muslimanët’. Pasojat për muslimanët, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.
Verified by MonsterInsights