Më 27 qershor, Xhamia El Hidaya në Roussillon, Francën jugore, u sulmua dhe u vandalizua. Dritaret u thynë dhe orenditë u përmbysën; muret u mbuluan me fletushka raciste. Më herët po atë muaj, një Kuran i djegur u vendos në hyrje të një xhamie në Villeurbanne të Lionit. Fatkeqësisht, Islamofobia e ashpër në Francë nuk është ndalur vetëm te vandalizmi.
Më 31 maj, Hichem Miraoui, një shtetas tunizian, u qëllua për vdekje nga fqinji i tij francez në një fshat pranë Rivierës Franceze; një burrë tjetër musliman u qëllua gjithashtu, por i mbijetoi sulmit. Një muaj më parë, Aboubakar Cisse, një shtetas malian, u godit me thikë për vdekje në një xhami në qytetin e La Grand-Combe nga një shtetas francez.
Ka pasur një rritje të konsiderueshme të akteve islamofobe në Francë – diçka për të cilën autoritetet franceze vazhdojnë të hezitojnë të komentojnë publikisht. Një raport tregoi një rritje prej 72 për qind të incidenteve të tilla midis janarit dhe marsit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitin 2024.
Ka faktorë të ndryshëm që kanë kontribuar në këtë, por kryesore midis tyre janë retorika islamofobie e vetë shtetit francez dhe politikat e tij anti-muslimane.
Shembulli më i fundit i kësaj ishte publikimi nga qeveria franceze i një raporti të titulluar “Vëllazëria muslimane dhe Islamizmi Politik në Francë”. Dokumenti pretendon se Vëllazëria muslimane dhe “islamizmi politik” po infiltrohen në institucionet franceze dhe po kërcënojnë kohezionin social, duke përmendur organizata dhe xhami që kinse kanë lidhje me grupin.
Raporti doli vetëm disa ditë para se Miraoui të qëllohej për vdekje dhe dy javë pasi autoritetet franceze bastisën shtëpitë e disa anëtarëve themelues të Kolektivit Kundër Islamofobisë në Evropë (CCIE), me bazë në Bruksel, të cilët jetojnë në Francë.
Islamofobia e nxitur nga shteti
Me rritjen e sulmeve dhe diskriminimit anti-musliman në Francë, është gjithnjë e më e vështirë të besohet se fiksimi i shtetit dhe i qeverisë franceze me atë që ata e quajnë “separatizëm islamist” nuk po nxit, në fakt, dhunën kundër popullsisë muslimane franceze.
Ideja se muslimanët francezë po kërcënojnë disi shtetin francez përmes shprehjes së identitetit të tyre, është përkrahur nga e djathta ekstreme franceze prej dekadash. Por ishte në fund të viteve 2010 që kjo ide hyri në diskursin kryesor, duke u përqafuar nga politikanët e qendrës dhe nga mediat.
Në vitin 2018, Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili gjithashtu përqafoi termin “separatizëm”, bëri thirrje për krijimin e një “Islami francez”, një eufemizëm për të kontrolluar institucionet muslimane dhe për t’i bërë ato t’i shërbejnë interesit të shtetit francez. Në thelb të këtij projekti qëndronte ideja e ruajtjes së “kohezionit social”, që nënkuptonte në mënyrë efektive shtypjen e mospajtimit.
Në vitet në vijim, shteti francez filloi të vepronte bazuar mbi obsesionin e tij për kontrollin e muslimanëve me politika më të ashpra. Midis viteve 2018 dhe 2020, ai mbylli 672 entitete të drejtuara nga muslimanët, përfshirë shkolla dhe xhami.
Në nëntor 2020, autoritetet franceze detyruan Kolektivin Kundër Islamofobisë në Francë (CCIF), një organizatë jofitimprurëse që dokumentonte Islamofobinë, të shpërbëhej; organizata më pas u rinisi punën e saj në Bruksel. Në dhjetor të atij viti, ata shënjestruan 76 xhami, duke i akuzuar ato për “separatizëm islamist” dhe duke i kërcënuar me mbyllje.
Në vitin 2021, Parlamenti francez miratoi të ashtuquajturin ligj anti-separatizëm, i cili përfshinte një sërë masash për të luftuar gjoja “separatizmin islamist”. Midis tyre ishte një zgjerim i ndalimit të simboleve fetare në sektorin publik, kufizime në shkollimin në shtëpi dhe shoqatat sportive, rregulla të reja për organizatat që marrin subvencione shtetërore, më shumë mbikëqyrje të vendeve të adhurimit, etj.
Deri në janar 2022, qeveria franceze raportoi se kishte inspektuar më shumë se 24,000 organizata dhe biznese muslimane, kishte mbyllur më shumë se 700 dhe kishte konfiskuar 46 milionë euro në asete.
Përdorimi i “Vëllazërisë Muslimane” si gogol
Raporti i publikuar në maj, si shumë deklarata dhe iniciativa zyrtare, nuk kishte për qëllim të sqaronte politikën apo të siguronte saktësi ligjore. Ai ishte menduar për të politizuar identitetin musliman, për të delegjitimuar mospajtimin politik dhe për të lehtësuar një valë të re sulmesh shtetërore mbi shoqërinë civile muslimane.
Raporti emëron organizata të ndryshme muslimane, duke i akuzuar ato se kanë lidhje me Vëllazërinë Muslimane. Ai gjithashtu pohon se fushata kundër Islamofobisë është një mjet i organizatës. Sipas raportit, Vëllazëria Muslimane përdor aktivizmin kundër Islamofobisë për të diskredituar politikat laike dhe për ta portretizuar shtetin si racist.
Kjo mënyrë kornizimi synon të zhvlerësojë kritikat legjitime ndaj ligjeve dhe praktikave diskriminuese, dhe e paraqet çdo njohje publike të racizmit anti-musliman si një agjendë të fshehtë islamiste. Nënkuptimi është i qartë: dukshmëria muslimane dhe mospajtimi nuk janë thjesht të dyshimta, ato janë të rrezikshme.
Raporti gjithashtu analizon teoritë e konspiracionit të islamo-gauchisme ose islamo-majtizmit – ideja se “islamistët” dhe të majtët kanë një aleancë strategjike. Ai pretendon se lëvizja dekoloniale po sfidon islamizmin dhe i referohet Marshit Kundër Islamofobisë të 10 nëntorit 2019, një mobilizim masiv që tërhoqi pjesëmarrës nga i gjithë spektri politik, përfshirë të majtën.
Raporti u porosit nën ish-Ministrin e Brendshëm dhe tani Ministrin e Drejtësisë, Gerald Darmanin, i cili në vitin 2021 akuzoi lideren e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, se ishte “shumë e butë” ndaj Islamit.
Të gjitha këto – raporti, legjislacioni, bastisjet e policisë dhe sulmet retorike kundër komunitetit musliman francez – ndjekin traditën e gjatë koloniale franceze të përpjekjes për të sunduar dhe kontrolluar popullsinë muslimane. Qendra politike franceze është detyruar të përqafojë Islamofobinë për të frenuar rënien e popullaritetit të saj. Kjo mund të ndihmojë me fitore të ngushta elektorale kundër të djathtës ekstreme në rritje, por ato do të jenë jetëshkurtra. Ndikimi më i qëndrueshëm do të jetë një komunitet musliman i stigmatizuar dhe i alienuar, i cili do të përballet gjithnjë e më shumë me dhunë dhe urrejtje të nxitur nga shteti.
