Si lindi bashkë Islamofobia dhe racizmi anti-palestinez

Dy ideologjitë u shfaqën gjatë Kryqëzatave dhe sot vazhdojnë të justifikojnë pushtimin, gjenocidin dhe kolonializmin izraelit të mbështetur nga Perëndimi.

Nga Joseph Massad

Islamofobia  dhe anti-palestinizmi lindën bashkë, të pandarë, një mijë vjet më parë.

Shumë kohë përpara se këto ideologji të merrnin emrat e tyre bashkëkohorë si maska për pushtimin, palestinezët ishin kthyer në një objektiv. Në shekullin e 11-të, ashtu si sot, ata u shënjestruan me synimin për t’u eliminuar sepse ishin banorët vendas të Palestinës, dhe shumica e tyre muslimanë.

Palestina ka pasur fatkeqësinë të jetë vendi i ku u ngrit kolonia e parë evropiane me vendbanime, por ashtu edhe vendi ku do të ngrihej kolonia e fundit. Një fatkeqësi nga e cila populli palestinez vazhdon të vuajë dhe kundër së cilës nuk pushon së rezistuari.

Palestinezët sigurisht nuk ishin muslimanët apo të krishterët e parë arabë që u sulmuan nga ushtritë evropiane. Të parët ishin muslimanët arabë të Spanjës, Siçilisë dhe Italisë jugore. Këto territore u pushtuan nga Normanët për të zgjeruar kufijtë e Krishterimit Latin dhe për t’i shkëputur nga sundimi musliman arab.

Por, ndryshe nga pushtimi i Siçilisë dhe Italisë jugore muslimane arabe, muslimanët dhe të krishterët lindorë të Palestinës ishin të parët që u vunë në shënjestër nga Krishterimi Latin në një “luftë të shenjtë”, e njohur më vonë si Kryqëzata e Parë.

Kryqëzata frymëzoi gjithashtu zjarrin fetar të të ashtuquajturës Reconquista në Iberi, e cila filloi të shihej si një “marshim i dytë drejt Jerusalemit”. Megjithatë, ndryshe nga Italia dhe Spanja muslimane arabe, Palestina nuk kufizohej me Krishterimin Latin, edhe pse ishte toka ku kishin origjinën ngjarjet e fesë në të cilën ishin konvertuar paganët evropianë.

Mëkati i popullit të Palestinës, në sytë e kryqtarëve, ishte pikërisht se ata nuk ishin të krishterë latinë. Në mënyrë të ngjashme, që kur nisi projekti sionist për pushtimin e Palestinës, mëkati i popullit palestinez, në sytë e kryqtarëve të fundit, është se ata nuk janë hebrenj.

Në të dyja rastet, Palestina u identifikua si një tokë që Zoti ia kishte trashëguar – fillimisht të krishterëve latinë dhe, që nga fillimi i shekullit të 20-të, hebrenjve ashkenazë, të dyja grupe me origjinë evropiane.

“Lufta kundër muslimanëve”

Ndërsa ideologjia anti-Islame strukturoi luftërat latine të Kryqëzatave nga shekulli i 11-të e më tej, nga shekulli i 19-të, rolin kryesor e morën supremacia e bardhë e krishterë evropiane dhe orientalizmi.

Islami mbeti një faktor thelbësor, por tani ishte i ndërthurur me disa çështje që Evropa kishte artikuluar në shekullin e 18-të – atë që britanikët e quanin “Çështja Hebraike” dhe “Çështja Lindore”. Megjithatë, lufta kundër muslimanëve midis fundit të shekullit të 18-të dhe fundit të Luftës së Parë Botërore nuk u qetësua. Vlerësimet sugjerojnë se rreth pesë milionë muslimanë otomanë u vranë midis viteve 1820 dhe 1914, dhe gjashtë milionë të tjerë u bënë refugjatë.

Populli palestinez u kursye nga disa prej këtyre fushatave vrasëse dhe, nga shekulli i 20-të, u konceptuan nga Perëndimi i Krishterë kryesisht si arabë – një identitet më i afërt me atë musliman.

Ky emërtim si arab mbeti i rëndësishëm deri më 11 shtator, kur Islamofobia  më e fundit e Evropës, e cila kishte pasur manifestimet e saj të hershme pas triumfit të Revolucionit Iranian, filloi të artikulohej siç e tha Presidenti George W. Bush në vitin 2001: një “Kryqëzatë” e re që “do të zgjasë pak”.

Ishte atëherë që Izraeli dhe Perëndimi i ri-identifikuan palestinezët si muslimanë të papëlqyeshëm që duheshin mposhtur.

Siç nënkuptoi Bush-i, Kryqëzata vërtet ka zgjatur ca dhe vazhdon akoma. Planet e fundit të Presidentit Donald Trump për palestinezët e Gazës janë të ngjashme me historinë e Kryqëzatave, në mos drejtpërdrejt të frymëzuara prej tyre.

Në nëntor të vitit 1095, Papa Urbani II shpalli domosdoshmërinë e rikthimit të tokës ku lindi Krishtërimi. Duke iu drejtuar evropianëve të konvertuar në fenë palestineze të Krishtërimit, Papa tha:

“Hyni në rrugën drejt Varrit të Shenjtë; shkëputeni atë tokë nga raca e ligë dhe nënshtrojeni veten tuaj. Ajo tokë, e cila siç thotë Shkrimi ‘rrjedh me qumësht dhe mjaltë’, iu dha nga Zoti në zotërim fëmijëve të Izraelit. Jerusalemi është qendra e botës; toka është pjellore mbi të tjerat, si një tjetër parajsë kënaqësish… Ky qytet mbretëror, pra, i vendosur në qendër të botës, tani po mbahet peng nga armiqtë e Tij, dhe është nën pushtetin e atyre që nuk e njohin Zotin, në adhurimin e paganëve. Prandaj, ajo kërkon dhe dëshiron të çlirohet dhe nuk pushon së ju luturi që të vini në ndihmë. Prej jush, veçanërisht, ajo kërkon ndihmë.”

Në atë kohë, shumica e banorëve vendas të Jerusalemit ishin të krishterë arabishtfolës, ose siç i quanin kryqtarët “Suryani”. Një nga motivet e deklaruara të Kryqëzatës ishte shpëtimi i tyre dhe i kishave lindore nga muslimanët, edhe pse asnjë i krishterë lindor nuk ishte ankuar apo të kishte kërkuar ndihmë nga latinët. Në të vërtetë, të krishterët lindorë, veçanërisht ata të Palestinës, bashkë me muslimanët, do të ishin, siç e kanë theksuar historianët, “viktimat më të pavullnetshme” dhe “të palumtura” të Kryqëzatave.

Krimi i muslimanëve arabë të Palestinës – këta “armiq” të Zotit, kjo “racë e ligë” e “paganëve” – ishte “zotërimi i paligjshëm” i vendeve “të shenjta” që Krishterimi Latin i dëshironte.

Kornizat e pushtimit

Ishte gjatë Kryqëzatës së Parë që të krishterët latinë fanatikë e quajtën për herë të parë Palestinën “Tokë e Shenjtë”, duke zëvendësuar pseudonimin e saj biblik të Dhiatës së Vjetër si “Toka e Premtuar”.

Ata refuzuan gjithashtu të përdornin emrin e vërtetë të Jerusalemit, al-Kuds, i cili kishte zëvendësuar emrin e tij aramaik në shekullin e nëntë.

Populli i Palestinës shërbeu si një kokë turku e përshtatshme për papatin, pasi luftërat ndërfisnore midis të krishterëve latinë konsideroheshin mëkat nga Kisha dhe pengonin shërbimin e tyre ndaj Zotit.

Bashkimi i latinëve dhe zgjerimi territorial i Krishterimit u konsideruan po aq thelbësorë sa ridrejtimi i armiqësisë latine drejt muslimanëve. Meqenëse të krishterët latinë i shihnin muslimanët si të pakonvertueshëm, dhe Kisha ndalonte bërjen paqe me ta, duke i konsideruar paganë, ata duheshin vrarë, ndërsa çdo i mbijetuar duhej dëbuar nga “Toka e Shenjtë”.

Sa për të krishterët arabë, kryqtarët u përpoqën t’i latinizojnë me forcë, por në fund dështuan. Rrjedhimisht, anëtarët e mbijetuar të popullatës së madhe muslimane dhe të krishterë arabe, së bashku me komunitetin e vogël hebre arab të Jerusalemit, u dëbuan për t’u bërë vend kolonëve frankë.

Kur kryqtarët fanatikë masakruan midis 20,000 dhe 40,000 prej këtyre “Saraçenëve”, siç quheshin edhe muslimanët arabë, në Jerusalem dhe brenda Xhamisë al-Aksa në një masakër të tmerrshme më 15 dhe 16 korrik 1099, ata u inatosën që viktimat e tyre luftuan për vetëmbrojtje.

Përmes Biblës dhe shpatës, Kryqëzatat themeluan koloninë e parë evropiane me vednbanime në Jerusalem pas shfarosjes gjenocidale të popullsisë së saj. Ata e quajtën koloninë e tyre të vendbanimeve “Mbretëria Latine”.

Pas dëbimit të të gjithë popullsisë, ata sollën 120,000 kolonë të krishterë latinë, të cilët përbënin 15 deri në 25 për qind të popullsisë së kolonisë franke të vendbanimeve, e cila shtrihej nëpër Palestinë dhe më gjerë.

Në koloninë e tyre të vendbanimeve, Kryqtarët vendosën një sistem ligjor “aparteidi”, siç e përshkruan historiani izraelit i Kryqëzatave, Joshua Prawer.

Ideologjitë e ndërthurura

Ndryshe nga Sionizmi, i cili ka qenë gjithmonë një ideologji që kombinonte fenë dhe nacionalizmin kolonial, rezistenca palestineze ka mbetur gjerësisht anti-koloniale dhe nacionaliste, më tepër sesa fetare.

Megjithatë, duke ndjekur traditën e kryqtarëve, sionistët kanë përdorur përshkrime të ngjashme për palestinezët që nga vitet 1880 – duke i portretizuar ata si arabë barbarë “të ndyrë”, antisemitë, madje edhe nazistë. Pas themelimit të Hamasit në 1987, qeveria izraelite filloi t’i referohej atyre si muslimanë xhihadistë antisemitë që duheshin shtypur.

Menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit, spekulimet e hershme të mediave perëndimore shpesh sugjeronin se Hamasi mund të ishte përgjegjës, pavarësisht faktit se kurrë nuk kishte kryer ndonjë akt rezistence jashtë Palestinës historike. Ndërthurja e Islamofobisë dhe racizmit anti-palestinez është thelluar gjithnjë e më shumë që atëherë.

Në qershor 2009, Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, iu drejtua jo vetëm një audience lokale egjiptiane, por edhe të gjithë “Botës muslimane” nga Universiteti i Kajros. Ai theksoi rëndësinë e tolerancës fetare midis muslimanëve ndaj të krishterëve egjiptianë dhe libanezë dhe premtoi të ndërpriste diskriminimin e institucionalizuar kundër muslimanëve amerikanë që pasoi 11 Shtatorin.

Megjithatë, ai justifikoi fushatat ushtarake amerikane vrasëse në Afganistan dhe Pakistan – mund të kishte shtuar Jemenin, por nuk e bëri – si të nevojshme. Administrata e tij jo vetëm që vriste muslimanë jo-amerikanë në këto vende, por gjithashtu shënjestronte qytetarë muslimanë amerikanë jo-të bardhë për t’u vrarë.

Në të njëjtën frymë, Obama kërkoi të ofronte një justifikim teologjik për një politikë të sponsorizuar nga Amerika: imponimin e një “paqeje” midis palestinezëve dhe izraelitëve që ruan kolonializmin dhe pushtimin hebre në kurriz të të drejtave palestineze. Për ta arritur këtë, ai deklaroi se “Toka e Shenjtë e tre besimeve të mëdha është vendi i paqes që Zoti e kishte caktuar; kur Jerusalemi është një shtëpi e sigurt dhe e qëndrueshme për hebrenjtë, të krishterët dhe muslimanët, dhe një vend ku të gjithë fëmijët e Abrahamit mund të bashkohen paqësisht, si në tregimin e Israsë [sic] në Kuran, kur Moisiu, Jezusi dhe Muhamedi (paqja qoftë mbi të) u bashkuan në lutje.”

Duke bërë këtë, Obama qartësisht pohonte – në një mënyrë thellësisht sioniste – se kolonizatorët hebrenj të Palestinës janë të përjashtuar nga detyrimi për të qenë tolerantë. Ai argumentoi se ata kundërshtohen jo sepse janë kolonistë, por vetëm sepse janë hebrenj – pra thirrja e tij për tolerancë muslimane dhe paqe ekumenike, në vend që të bënte thirrje për t’i dhënë fund kolonializmit hebre.

Sigurisht, që nga Revolucioni Iranian, Islamofobia  ka filluar të përfshijë të gjithë muslimanët në mbarë botën.

Megjithatë, ashtu si Islamofobia  e Kryqëzatave, e cila shënjestronte të gjithë muslimanët – turqit dhe arabët njësoj – duke rezervuar një urrejtje të veçantë për palestinezët, Islamofobia  e sotme ndjek një model të ngjashëm.

Palestinezët, të portretizuar si më të këqijtë midis muslimanëve, zënë një vend qendror brenda saj.

Kryqëzata aktuale

Që nga 7 tetori 2023, kur forcat e rezistencës palestineze sulmuan Izraelin, Islamofobia  është rritur ndjeshëm në SHBA dhe Evropën Perëndimore, duke shënjestruar të gjithë muslimanët dhe këdo që duket si ata.

Nëse Islamofobia  dikur nxiste anti-palestinizmin si një pretekst për pushtim gjatë Kryqëzatave, sot, është anti-palestinizmi ai që nxit Islamofobinë në Evropë dhe SHBA.

Prandaj, nuk është aspak befasuese që kur palestinezët ngrihen dhe u rezistojnë kolonizatorëve të tyre të bardhë të krishterë dhe hebrenj sot, ata kërcënojnë të gjithë strukturën ideologjike të botës perëndimore – një strukturë e ndërtuar mbi momentin fillestar të Kryqëzatave.

Kjo është arsyeja pse çdo armë në dispozicion të botës “kristiane”, duke përfshirë Islamofobinë, është dhe duhet të përdoret kundër palestinezëve në një përpjekje për t’i mposhtur ata.

Megjithatë, një mijëvjeçar më vonë, palestinezët vazhdojnë të rezistojnë, dhe kryqtarët e rinj vazhdojnë në përpjekjet e tyre për t’i shtypur.

Nuk është rastësi që Kryqëzata aktuale e Trumpit për Gazën dhe thirrja e tij për dëbimin e popullsisë palestineze të mbijetuar pas fushatës gjenocidale të shfarosjes nga Izraeli i bëjnë jehonë Kryqëzatës së Parë dhe gjenocidit të udhëhequr nga kryqtarët dhe dëbimit të të mbijetuarve në al-Kuds.

Është mjaft e qartë që të dyja projektet janë të rrënjosura në kolonializmin e vendbanimeve të të bardhëve në tokën e palestinezëve.

Ashtu si humbja e kryqtarëve në shekujt 12 dhe 13 dhe çmontimi i kolonisë së tyre të vendosur në Palestinë i dhanë fund sundimit të tyre, në këndvështrimin e rezistencës së vazhdueshme dhe të palëkundur të popullit palestinez, perspektivat për suksesin e kësaj Kryqëzate të fundit janë të dobëta në rastin më të mirë.


Joseph Massad është profesor i politikës arabe moderne dhe historisë intelektuale në Universitetin Columbia, Nju Jork. Ai është autor i shumë librave dhe artikujve akademikë dhe publicistikë të përkthyer në dhjetëra gjuhë.

Të ngjashme
Related

Gramatika e re e Islamofobisë në Belgjikë

Rasti i Belgjikës tregon se si Islamofobia po shprehet gjithnjë e më shumë përmes gjuhës së sigurisë, neutralitetit dhe frikës nga ndryshimet demografike.

Gratë muslimane nuk kanë nevojë që bota “t’i shpetojë”

Në diskursin politik bashkëkohor, asnjë grua nuk është “shpëtuar” aq pa reshtur sa gruaja muslimane. Ajo paraqitet si viktimë pasive që pret dikë ta çlirojë, ndërsa zgjedhjet e saj lexohen si simptoma shtypjeje. Siç argumenton Soumaya Ghannoushi, kjo grua nuk ekziston: është figurë imagjinare.

Si u shndërrua një dokument i rremë serb “Top Secret” në propagandë anti-muslimane në Kosovë

Idetë që përmban ai dokument tashmë qarkullonin mes figurave islamofobe shqiptare vite përpara. Kjo ngre një pyetje më të rëndësishme: çfarë qëllimi i shërben kjo narrativë?

25 vjet luftë kundër terrorit: si u bë Islamofobia politikë zyrtare

Një çerek shekulli pas 11 shtatorit, "Lufta kundër Terrorit" nuk ka marrë fund. Ajo thjesht ka evoluar. Ajo që nisi si përgjigje ndaj një sulmi u kthye në një arkitekturë të qëndrueshme dyshimi, e cila e shpalli kërcënim sigurie vetë identitetin musliman.