Pse gjenocidi në Gaza renditet mes krimeve më të rënda në historinë e njerëzimit

Edhe pse jetojmë në një epokë me ligje dhe norma ndërkombëtare që synojnë të frenojnë mizoritë, Izraeli vepron pa asnjë pengesë — dhe ne detyrohemi t’i shohim krimet e tij në kohë reale.

Nga Hossam Shaker

Një keqkuptim i përhapur është ideja se brutalitetet e sotme janë më të lehta se ato të së kaluarës, si p.sh. krimet e Luftës së Dytë Botërore. Ky gabim buron nga injorimi i kontekstit historik: sot ekzistojnë pengesa morale, ligjore dhe teknologjike që nuk ekzistonin më parë, të ndërtuara pikërisht për të parandaluar përsëritjen e tragjedive të tilla.

Këto pengesa nuk kufizohen vetëm te zhvillimi i ligjeve dhe institucioneve ndërkombëtare, apo te rritja e ndërgjegjes morale globale. Sot, krimet janë shumë më të vështira për t’u fshehur. Mediat transmetojnë drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes, ndryshe nga e kaluara, kur perandoritë dhe ushtritë mund t’i mbanin të fshehta mizoritë e tyre.

Në kohën e nazizmit, shenjat paralajmëruese të programit të shfarosjes ishin të dukshme: retorikë raciste, ligje diskriminuese, deportime masive. Por kampet e përqendrimit dhe shfarosjes u zbuluan plotësisht vetëm pas rënies së regjimit, kur bota pa me sy të vet shkrimin mashtrues mbi portën e Aushvicit: “Arbeit macht frei” (“Puna të çliron”).

Pak dekada më parë, Gjermania kreu një tjetër gjenocid pothuajse të harruar — atë kundër popujve Herero dhe Nama në Namibi, ku dhjetëra mijëra u vranë. Edhe pse sot ekziston një njohje zyrtare, këto krime mbeten pak të njohura.

Sot, ndryshe nga e kaluara, masakra e Izraelit në Rripin e Gazës po transmetohet drejtpërdrejt, pavarësisht ndalimit që ai ka vendosur ndaj mediave ndërkombëtare.

Dhunë e zhveshur nga çdo kufi moral

Në këtë copë toke të vogël, jeta dhe dinjiteti njerëzor po shkelen në mënyrën më brutale — në një kohë kur ligji ndërkombëtar dhe parimet e të drejtave të njeriut janë ngritur mbi themelet e pasluftës, dhe kur ekzistojnë mekanizma si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Nëse krimet e së kaluarës do të përsëriteshin sot, zor se do të gjenin një metodë më të sofistikuar dhe më çnjerëzore se ajo që Izraeli po përdor në Gaza. Politikat dhe praktikat e tij ofrojnë një “manual” operativ për çdo regjim që kërkon të kryejë krime masive duke përdorur justifikime të ndërtuara me kujdes propagandistik.

Në të njëjtën mënyrë, nëse ajo që po ndodh sot në Gaza do të kishte ndodhur dekada më parë, pa kufijtë e epokës moderne, shkalla e mizorisë do të ishte edhe më e frikshme.

Çdo krim i kryer sistematikisht nga një shtet modern, si programi i pushtimit dhe shfarosjes së ushtrisë izraelite kundër popullit palestinez, duhet të renditet mes krimeve më të rënda të historisë. Sepse këto bëhen duke e ditur që ekzistojnë pengesa ligjore e morale — dhe duke i shkelur ato hapur.

Krime në ngjyra, live

E rrezikshme është edhe tendenca për të harruar se krimet e shekullit të kaluar u kryen në kontekstin e dy luftërave botërore, ku qytete të tëra u kthyen në hi e tym dhe dhjetëra milionë njerëz u vranë. Gjenocidi në Gaza po ndodh në një epokë ku retorika e luftës moderne pretendon se përdorimi i forcës duhet të minimizojë viktimat civile.

Për ta kuptuar plotësisht shkallën e krimeve të Izraelit — të kryera me armë dhe teknologji të furnizuara nga Perëndimi — mjafton të krahasojmë: në një territor me rreth dy milionë banorë, në gati dy vjet masakra janë vrarë ose plagosur qindra mijëra njerëz. OKB-ja paralajmëron se çdo ditë në Gaza vritet një klasë e tërë fëmijësh.

Mbi 61 mijë civilë janë vrarë drejtpërdrejt — gjysma fëmijë e gra — pa llogaritur ata që po vdesin nga uria, mungesa e ilaçeve dhe mjedisi toksik.

Izraeli e di mirë se po i kryen këto mizori nën sytë e institucioneve ndërkombëtare. Ai po përpiqet të përmbyllë sa më shpejt planin e tij në Gaza dhe në Bregun Perëndimor, duke shfrytëzuar idenë e “përjashtimit izraelit” — një status që i lejon të shpërfillë të gjitha rregullat e rendit ndërkombëtar.

Për ta arsyetuar, ai ushqen një identitet të dyfishtë të rremë: viktimë “të jashtëzakonshme” që, sipas tij, ka të drejtë të kryejë krime që të tjerët nuk guxojnë t’i bëjnë; dhe përdor interpretime të shtrembëruara të teksteve të shenjta për t’i dhënë krimeve të tij një mbulesë “fetare” të paprekshme nga traktatet moderne.

Për më tepër, udhëheqësit izraelitë u kujtojnë amerikanëve dhe evropianëve krimet që vetë vendet e tyre kanë kryer në të kaluarën — një manovër e lirë për të mbyllur gojët e kritikëve dhe për të mbajtur të gjallë lidhjen mes kolonializmit të vjetër dhe projektit kolonial në Palestinë.

Përktheu dhe përshtati në shqip Observer.al


Hossam Shaker është gazetar dhe autor i cili ka trajtuar gjerësisht temën e migracionit në Evropë.

Të ngjashme
Related

Si u shndërrua një dokument i rremë serb “Top Secret” në propagandë anti-muslimane në Kosovë

Idetë që përmban ai dokument tashmë qarkullonin mes figurave islamofobe shqiptare vite përpara. Kjo ngre një pyetje më të rëndësishme: çfarë qëllimi i shërben kjo narrativë?

25 vjet luftë kundër terrorit: si u bë Islamofobia politikë zyrtare

Një çerek shekulli pas 11 shtatorit, "Lufta kundër Terrorit" nuk ka marrë fund. Ajo thjesht ka evoluar. Ajo që nisi si përgjigje ndaj një sulmi u kthye në një arkitekturë të qëndrueshme dyshimi, e cila e shpalli kërcënim sigurie vetë identitetin musliman.

Islamofobia është kthyer në Kalin e Trojës të Izraelit për të bërë për vete perëndimorët

Netanyahu dhe ministrat e tij tashmë punojnë për ta kthyer frikën evropiane ndaj muslimanëve në kapital politik

Çmimi i injorancës: A e njeh Perëndimi Islamin, apo e shtrembëron?

Islamofobia lind shpesh nga padija; ndërsa dija dhe dialogu mund ta zëvendësojnë frikën me mirëkuptim.