“Lëvizja e Deçanit” po mashtron, katolicizmi nuk është shqiptarizëm 

Në këtë analizë të thuktë, Prof. Milazim Krasniqi demaskon "Lëvizjen e Deçanit" si një kurth që i shërben agjendave serbe për përçarje, duke argumentuar se katolicizmi është besim universal dhe jo një mjet politik që garanton automatikisht shqiptarizmin.

Lëvizja e Deçanit dhe grupe të tjera hibride antishqiptare e kanë shndërruar në kalë beteje donkishoteske të vet tezën se gjoja kalimi në katolicizëm siguron forcim në shqiptarizëm. Barazimin e katolicizmit me shqiptarizmin tentojnë ta paketojnë si të vërtetë përfundimtare, edhe pse asnjë shenjë barazie nuk mund të ekzistojë ndërmjet katolicizmit si një religjion botëror dhe shqiptarizmit, si një identitet kombëtar i një kombi të vogël ballkanik. Prandaj, do ta analizoj këtu shkurt, por mjaftueshëm saktë, se çka është katolicizmi dhe cila është lidhja e tij e mundshme me shqiptarizmin. 

Pse? Publiku ynë i gjerë, sidomos shumica muslimane ka nevojë për këtë shpjegim, sidomos brezat e rinj, të cilët ndeshen me ide për konvertim jo vetëm në Kosovë po edhe nëpër Europë. Prandaj, publiku ynë i ekspozuar ndaj sulmeve brutale të këtyre kryqtarëve të sotëm donkishoteskë në Kosovë e në diasporë, do të duhej të dinte disa të vërteta themelore mbi katolicizmin si besim fetar. 

E para, katolicizmi është pjesë përbërëse e Krishterimit, si religjion botëror. Pra, katolicizmi është pjesë e religjionit botëror e jo e ndonjë ideologjie kombëtare. Nga ndarja (shizma) e kishave e vitit 1054 janë krijuar ndasi e dallime doktrinare brenda Krishterimit, por katolicizmi ka qenë dhe ka mbetur pjesë thelbësore e tij, ndërsa Kisha Katolike është një strukturë mbinacionale. Thënë thjeshtë, katolicizmi nuk mund të kthehet në dekor nacional të asnjë kombi, as në dekor nacional italian, as gjerman, as brazilian, as spanjoll, më së paku në dekor nacional shqiptar. Ndërsa Kisha katolike me përbërjen e saj heterogjene dhe me shtrirjen e saj globale, assesi nuk mund të ketë tipare të ndonjë kishe kombëtare, siç i kanë kishat ortodokse, ruse, greke, rumune, bullgare, serbe. 

Sa i përket dokrinës së katolicizmit, ajo mbështetet në librat e shenjtë (Biblën), në traditat dhe në koncilet e Kishës. Kisha katolike e mban si themelues të vetin Jezu Krishtin (Isa, a.s.) Rrjedhimisht, nuk mund të ketë ndonjë identitet nacional shqiptar, që do të mund të buronte nga katolicizmi e nga Kisha Katolike. Meqë brenda katolicizmit sot në botë aderojnë rreth një miliard e pesëqind milionë njerëz, është naive të mendohet se shqiptarët mund të kenë ndonjë ndikim ose ndonjë vend të spikatur brenda tij a brenda Kishës Katolike. 

Sa u përket festave fetare katolike, natyrisht që edhe ato janë brenda historisë dhe dokrinës së Kishës e aspak të lidhura me ndonjë histori a traditë shqiptare. Pandaj është naivitet pretendimi se përmes tyre forcohet kujtesa e identiteti kombëtar. Në çdo religjion, festat fetare janë festa fetare, nuk bëhen kurrë festa kombëtare. 

Sa i përket gjuhës së liturgjisë, gjuha latine ka qenë gjuha zyrtare, deri në Koncilin e Dytë të Vatikanit (1962-1965.) Pra, edhe gjenerata të tëra të shqiptarëve katolikë kanë jetuar e kanë dëgjuar liturgjitë latinisht, por ajo nuk i ka bërë më pak shqiptarë. Kisha Katolike, nga ana e saj, ka proklamuar ekumenizmin si qëllim final të sajin në raport me kishat e tjera të shumta. Ndërsa në raport me religjionet e tjera, përfshirë edhe Islamin, ka proklamuar dialogun ndërfetar dhe tolerancën. Pra, Kisha Katolike ka proklamuar pajtim dhe tolerancë, duke u shkëputur nga praktikat e së kaluarës. 

Duke pasur parasysh këtë histori, këtë përbërje dhe këto zhvillime brenda katolicizmit e Kishës Katolike, mund të nxirren këto përfundime: 

  1. Katolicizmi është pjesë thelbësore e krishterimit si religjion botëror e nuk mund të bëhet kurrsesi religjion kombëtar i ndokujt. Pra, as i shqiptarëve, për çka përhapin mjegull militantët e “Lëvizjes së Deçanit.” 
  2. “Kisha katolike është mbinacionale dhe e centralizuar”, siç thuhet qartë edhe në Enciklopedinë Kroate. Si e tillë ajo nuk mund të fragmentohet në “kishë katolike shqiptare.” 
  3. Doktrina e katolicizmit buron nga Bibla, nga traditat dhe nga koncilet e Kishës, jo nga praktika a histori kombëtare shqiptare. Këtë doktrinë nuk mund ta ndryshojnë konvertitët e organizimeve të sotme hibride, si “Lëvizja e Deçanit.”  
  4. Një pjesë e kombit shqiptar i përkasin këtij besimi, por numri i tyre është pothuajse simbolik në kuadër të një miliardë e gjysmë katolikëve anekënd planetit. Kontributi atdhetar i klerikëve dhe besimtarëve katolikë shqiptarë brenda kombit tonë shqiptar është pjesë përbërëse e lëvizjeve tona kombëtare, kulturore e politike. Por si në rastin e komuniteteve të tjera fetare, ajo e ka burimin te ndjenjat kombëtare, te ideologjia kombëtare, te zhvillimet historike, jo te doktrina katolike, si e atillë. 
  5. Kisha Katolike ka hequr dorë nga konvertimet me dhunë dhe ka shpall ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar e tolerancën me besimet e tjera fetare. Prandaj, askush nuk ka të drejtë që në emër të saj të kërkojë konvertime me dhunë në Kosovë. 

Në këtë kontekst, është koha e fundit që vetë Selia e Shenjtë ta shprehë një qëndrim të qartë ndaj organizimeve hibride si “Lëvizja e Deçanit”, e cila fton në konvertim me dhunë në emër të katolicizmit. Dhe është koha që shteti i Vatikanit ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, me çka do të qartësohej plotësisht se kush flet në emër të katolicizmit lidhur me Kosovën dhe banorët e saj.  Sidoqoftë,  edhe pa atë njohje  zyrtare,  mund të thuhet se kërkesat e “Lëvizjes së Deçanit” për kthim nga Islami në katolicizëm, janë në kundërshtim me strategjinë e Vatikanit për dialog e tolerancë me Islamin. Tendencat e “Lëvizjes së Deçanit” janë më shumë të lidhur me kohën e Rekonkuistës, kur Kisha bënte kthimin me dhunë në katolicizëm.

E dyta, theksimi i aspektit nacional nga “Lëvizja e Deçanit”, ka afri me doktrinën e Kishës Ortodokse Serbe, e cila e thekson identitetin nacional. Prandaj, gjasat janë se kjo lëvizje është më shumë brenda konceptit të Kishës Ortodokse Serbe, ndërsa katolicizmin e përdorë si maskë për të mashtruar. 

E fundit në këtë shënim: besimtarët katolikët shqiptarë janë pjesëtarë të nderuar të kombit tonë shqiptar dhe janë jashtë kësaj lëvizjeje të çoroditur. Deri sot nuk është asnjë rast që ndonjë katolik tradicional të jetë përfshirë në këtë lëvizje (përveç personelit në dy-tre kisha.) Rrjedhimisht “Lëvizja e Deçanit” nuk ka të bëjë me kthim në katolicizëm, aq më pak me forcimin e shqiptarizmit. Ideja e tyre qendrore është pikërisht dobësimi i shqiptarizmit në Kosovë, sepse pa dobësimin e shqiptarizmit në Kosovë, nuk mund të kthehet ndikimi i Serbisë në Kosovë. Ndërsa dobësimi i shqiptarizmit në Kosovë nuk mund të ndodhë pa u dobësuar identiteti islam i shumicës së shqiptarëve të Kosovës. Identiteti ynë islam ka qenë dhe është në konflikt me ortodoksinë serbe, që nga koha kur edhe kalimi masiv i shqiptarëve në Islam ka qenë në të vërtetë ikje nga gllabërimi nga pretendimet gllabëruese të Kishës Ortodokse Serbe, për t’i kthyer shqiptarët ortodoks në serbë. Kjo është edhe sot fusha e betejës ndërmjet shqiptarëve e serbëve në Kosovë. 

Milazim Krasniqi
Milazim Krasniqi
Profesor i asocuar i gazetarisë dhe letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi udhëheq Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, aty ku në vitin 2004 ka fituar titullin e doktorit të shkencave filologjike. Themelues i Institutit të Medies, redaktori i parë i zhurnalit “Media”, Krasniqi ka shërbyer edhe si anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (2001-2009) dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2008-2010.)

Të ngjashme
Related

Si u shndërrua një dokument i rremë serb “Top Secret” në propagandë anti-muslimane në Kosovë

Idetë që përmban ai dokument tashmë qarkullonin mes figurave islamofobe shqiptare vite përpara. Kjo ngre një pyetje më të rëndësishme: çfarë qëllimi i shërben kjo narrativë?

25 vjet luftë kundër terrorit: si u bë Islamofobia politikë zyrtare

Një çerek shekulli pas 11 shtatorit, "Lufta kundër Terrorit" nuk ka marrë fund. Ajo thjesht ka evoluar. Ajo që nisi si përgjigje ndaj një sulmi u kthye në një arkitekturë të qëndrueshme dyshimi, e cila e shpalli kërcënim sigurie vetë identitetin musliman.

Islamofobia është kthyer në Kalin e Trojës të Izraelit për të bërë për vete perëndimorët

Netanyahu dhe ministrat e tij tashmë punojnë për ta kthyer frikën evropiane ndaj muslimanëve në kapital politik

Çmimi i injorancës: A e njeh Perëndimi Islamin, apo e shtrembëron?

Islamofobia lind shpesh nga padija; ndërsa dija dhe dialogu mund ta zëvendësojnë frikën me mirëkuptim.