Kemi kënaqësinë të prezantojmë edicionin e dhjetë të Raportit Evropian të Islamofobisë (EIR 2024), duke shënuar një dekadë kërkimesh sistematike dhe të pavarura mbi racizmin anti-musliman në mbarë Evropën. Që nga botimi i parë në vitin 2015, EIR është bërë një nga veprat referuese më autoritare për të kuptuar se si funksionon Islamofobia si një fenomen strukturor dhe politik, duke formësuar ligjërimin publik, kornizat e politikave dhe praktikat institucionale në të gjithë kontinentin. Gjatë dhjetë viteve të fundit, raporti ka dokumentuar modele që dikur mohoheshin ose shpërfilleshin—duke zbuluar Islamofobinë jo si një problem episodik, por si një formë e qëndrueshme dhe evoluuese e racizmit, e ngulitur në shoqëritë evropiane.
Ky përvjetor i dhjetë është njëkohësisht një moment historik dhe një paralajmërim. Ndërsa vazhdimësia e raportit pasqyron një angazhim të qëndrueshëm akademik, gjetjet e EIR 2024 paraqesin një tablo thellësisht alarmante. Racizmi anti-musliman nuk është zbehur; përkundrazi, ai është intensifikuar dhe normalizuar në pothuajse të gjitha sferat e jetës publike. Ajo që bie veçanërisht në sy në vitin 2024, është shkalla në të cilën narrativat e Islamofobisë informojnë tani politikëbërjen, legjitimojnë masat e jashtëzakonshme të sigurisë, formësojnë inkuadrimin mediatik dhe gërryejnë normat demokratike. Qytetarët muslimanë po qeverisen gjithnjë e më shumë përmes dyshimit, sekuritizimit dhe përjashtimit, me pasoja të gjera për të drejtat themelore.
Lufta në Gaza përbënte kontekstin qendror politik dhe diskursiv që formësoi Islamofobinë gjatë vitit 2024. Në të gjithë Evropën, qeveritë kryesisht dështuan në respektimin e parimeve ligjore ndërkombëtare ose në dënimin vrasjes së viktimave masive civile. Në vend të kësaj, shumë shtete kriminalizuan demonstratat pro-palestineze, vendosën ndalime protestash dhe aktivistët iu nënshtruan – në mënyrë disproporcionale muslimanë – mbikëqyrjes, frikësimit dhe ndjekjes penale. Debati publik u polarizua skajshmërisht, ku zërat muslimanë shpesh delegjitimoheshin ose inkuadroheshin si të dyshimtë. Ngjarjet si trazirat e Amsterdamit ilustruan se si narrativat politike mashtruese u amplifikuan nga media kryesore (mainstream) dhe u instrumentalizuan për të njësuar solidaritetin pro-palestinez me ekstremizmin, duke përforcuar një klimë frike dhe represioni.
Institucionet shtetërore luajtën një rol vendimtar në rrënjosjen e Islamofobisë. Në Francë, masat e kontrollit administrativ nën kornizën MICAS u zgjeruan në mënyrë dramatike, duke shënjestruar në mënyrë disproporcionale familjet muslimane dhe liderët fetarë. Gjermania kombinoi mbështetjen e palëkundur politike për Izraelin me regjime gjithnjë e më kufizuese të migracionit dhe policimit. Danimarka përdori si armë konceptin e “vëllazërisë” (brotherism) për të justifikuar monitorimin ndërhyrës ndaj shoqërisë civile muslimane, ndërsa “Ligji i Getos” i diskutueshëm, aktualisht në shqyrtim nga Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, ekspozoi se si kategoritë e racializuara si “jo-perëndimore” funksionojnë si pretekste për të shënjestruar qytetarët muslimanë.
Gjetjet kryesore të Raportit Evropian të Islamofobisë 2024 përfshijnë:
- Rritja e diskriminimit: Sipas Agjencisë së BE-së për të Drejtat Themelore (FRA), 47% e qytetarëve muslimanë kanë përjetuar diskriminim në pesë vitet e fundit, një rritje nga 39% në vitin 2016. Gratë muslimane, veçanërisht ato që mbajnë veshje fetare, përballen me nivelet më të larta të përjashtimit.
- Rritje e krimeve të urrejtjes: Organizata monitoruese e Mbretërisë së Bashkuar, Tell MAMA, regjistroi numrin më të lartë të incidenteve anti-muslimane që nga fillimi i monitorimit. Rritje të ngjashme u raportuan në shumë shtete evropiane.
- Normalizimi i narrativave të ekstremit të djathtë: Partitë e ekstremit të djathtë forcuan ndikimin e tyre politik në vende si Austria dhe Holanda, ndërsa aktorët kryesorë politikë përqafuan gjithnjë e më shumë retorikë përjashtuese mbi migracionin, sigurinë dhe identitetin kombëtar.
- Stigmatizimi i nxitur nga media: Portretizimet sistematike negative të qytetarëve muslimanë në mediat kryesore evropiane përforcuan frikën publike dhe legjitimuan politikat diskriminuese.
- Arsimi nën presion: Ndalimet e hixhabit dhe abajas u zgjeruan në Francë, Itali, Danimarkë dhe pjesë të Rusisë, ndërsa studentët muslimanë raportuan ngacmime në rritje dhe kufizime të lirisë akademike, veçanërisht në lidhje me fjalimin rreth Palestinës.
EIR 2024 përmbyllet me rekomandime urgjente: Qeveritë evropiane duhet të njohin zyrtarisht racizmin anti-musliman në Planet Kombëtare të Veprimit kundër Racizmit, të rishikojnë kornizat kundër terrorizmit që shënjestrojnë në mënyrë disproporcionale qytetarët muslimanë, të mbrojnë lirinë e shprehjes dhe tubimit, të zbatojnë plotësisht Rekomandimin nr. 5 të Politikës së Përgjithshme të ECRI-t dhe të forcojnë koalicionet e shoqërisë civile përmes financimit dhe bashkëpunimit.
Pas dhjetë vitesh dokumentimi, mesazhi i Raportit Evropian të Islamofobisë është i qartë: pa veprime të qëndrueshme, të koordinuara dhe të bazuara në të drejta, racizmi anti-musliman do të vazhdojë të minojë demokracinë, barazinë dhe kohezionin social në të gjithë Evropën.
Për më shumë informacion ose për të pasur qasje në raportin e plotë, ju lutemi vizitoni:
Redaktorët:
Prof. Enes Bayraklı (Universiteti Turko-Gjerman)
Prof. Farid Hafez (Universiteti Georgetown)
