“Islamizmi”, kjo teori konspirative që mban peng politikën dhe mediat britanike

Politika dhe media britanike janë mbërthyer nga një 'teori konspirative mbi islamizmin': ideja se muslimanët janë një bllok monolit i betuar për të minuar qytetërimin perëndimor – retorikë kjo që ndeshet shpesh edhe te grupet anti-islame në Kosovë. Në këtë botëkuptim, muslimanët pranohen si entitete kulturore, por jo si faktorë politikë. Sapo ata organizohen, ata etiketohen si “islamist”. Kështu, veprimtaria e tyre politike nuk trajtohet më si e drejtë demokratike, por si një kërcënim që duhet mbajtur nën fre.

Nga Faisal Hanif

Nga klasat e shkollave të Birminghamit e deri te faqet e gazetave më me ndikim në Britani, një etiketim ka marrë një peshë të jashtëzakonshme politike: Islamist.

Zakonisht ky etiktim na shitet si një përshkrim neutral; si një term teknik që supozohet të ndajë besimin fetar nga veprimtaria politike. Por në praktikë, ai nuk shërben si analizë, por si akuzë. Sapo përdoret, ai e bën angazhimin politik të muslimanëve vetiu të dyshimtë, irracional apo edhe të rrezikshëm. Ky term nuk është thjeshtë një përshkrimin; ai shërben për të dënuar.

Gazetaria britanike tashmë është mbërthyer nga ajo që mund të quhet pa frikë një “teori konspirative mbi islamizmin”: ideja se muslimanët, të parë si një bllok monolit, janë të vendosur të minojnë shtetin dhe vetë “qytetërimin perëndimor”.

Në raportimet e brendshme, në analizat e politikës së jashtme dhe në diskursin politik, “islamizmi” është kthyer në një akuzë për të goditur këdo, e që përdoret për të heshtur zërat kritikë dhe për të shmangur llogaridhënien e pushtetit.

Në Britani, kjo logjikë ka ushqyer prej kohësh panikun moral ndaj komuniteteve muslimane. Ngjarja e “Kalit të Trojës” në Birmingham në 2014 mbetet emblematike. Një letër, që më vonë u demaskua si një mashtrim i mundshëm, u përdor si pretekst për të justifikuar ndërhyrjet drastike të shtetit në shkollat me shumicë muslimane. Karriera të tëra u shkatërruan, shumë institucione u shpërbënë dhe një qytet i tërë u vendos nën dyshim kolektiv.

Akuzat nuk kishin të bënin me keqmenaxhimin apo vlerat konservatore, por me një “komplot” islamist – një frazë aq e mjegullt sa mund të nënkuptojë çdo gjë, por mjaftueshëm e fuqishme sa për të pezulluar çdo proces të rregullt ligjor. Sapo vendosej etiketa, provat bëheshin dytësore. Prindërit dhe mësuesit muslimanë nuk trajtoheshin më si qytetarë me mendime të ndryshme mbi arsimin, por si kërcënime ideologjike.

Insinuata të njohura

E njejta mendësi sot është në themel të Programit Prevent, ku kundërshtimi i politikës së jashtme britanike, revolta për Gazën, apo edhe shfaqja e qartë e identitetit musliman, etiketohen rregullisht si tregues të “islamizmit”. Vetë ndërgjegjësimi politik i muslimanëve shihet si rrezik.

Kjo insinuatë u duk qartë edhe në zhurmën politike rreth ndalimit të tifozëve të Maccabi Tel Aviv në një ndeshje futbolli në Birmingham, pas shqetësimeve të dokumentuara për thirrje raciste dhe trazira. Ajo që duhej të ishte një vendim policor rutinë, u shndërrua shumë shpejt në skandal kombëtar.

Politikanë të lartë – pothuajse të gjithë pjesë e grupeve “Miqtë e Izraelit”, si nga Laburistët ashtu edhe nga Konservatorët – ushtruan presion jo për të mbrojtur pavarësinë e policisë, por kundër saj. Thirrjet për dorëheqje dhe hetime vazhdojnë, të paketuara si përgjigje ndaj një “anshmërie” të pretenduar, e jo si gjykim operacional i forcave të rendit. Ajo që nuk u analizua ishte se pse një komitet i thirrur për të shqyrtuar këtë vendim dukej kaq hapur partiak.

Në vend që të merrnin në llogari pushtetin, një pjesë e madhe e mediave britanike zgjodhën rrugën më të shkurtër: insinuatat për Birminghamin, duke e ricikluar atë sërish si një “qytet islamist”. Ishte më e lehtë të demonizoje një vend sesa të pyesje pse politikanët ishin të gatshëm të minonin udhëheqjen e policisë për t’u bërë qejfin grupeve të lidhura me sjellje raciste.

Ky mjedis mediatik ka përgatitur terrenin për politikanët që duan ta kthejnë insinuatën në ideologji. Robert Jenrick, ministri hije për drejtësinë, ka qenë ndër më të drejtpërdrejtët, duke paralajmëruar se Britania përballet me “betejën e gjeneratës sonë” kundër “islamizmit” dhe se policia po kapitullon para “islamistëve”.

Kjo retorikë është domethënëse. Vendimet rutinë të policisë, protestat qytetare dhe jeta publike e muslimanëve shkrihen në një kërcënim të vetëm “civilizues”. Gjuha e Jenrick shkon shumë përtej kritikës ndaj një politike; ajo shpërfaq një botëkuptim ku muslimanët, besimet dhe stili i tyre i jetesës shihen si të papajtueshëm me institucionet britanike. Kështu, masat si ndalimi i veshjes fetare apo kufizimi i protestave nuk shiten më si zgjedhje politike, por si domosdoshmëri për mbrojtjen e shtetit.

Kjo është rruga se si “islamizmi” kalon nga një klishe mediatike në një logjikë qeverisëse.

Dëmi i pashmangshëm

Shembulli më flagrant i kësaj dinamike është kur etiketa përdoret edhe aty ku nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën. Më 1 janar, The Telegraph publikoi një artikull me titull: “Vrasësi islamist fiton betejën për të drejtat e njeriut sepse burgu i shaktoi ‘depresion’”. Mesazhi ishte i qartë: ligji për të drejtat e njeriut po mbronte sërish një ekstremist fetar.

Vetëm se ky ishte një mashtrim.

Gazeta u detyrua më vonë të nxirrte një korrigjim zyrtar, duke pranuar se përshkrimi i vrasësit si “islamist” ishte i pasaktë dhe se krimet nuk kishin asnjë motiv fetar. Ky nuk ishte thjesht një debat rreth interpretimit, por një gabim faktik elementar. Megjithatë, titulli – ajo pjesë që lexuesit mbajnë mend – e kishte kryer misionin e tij: ishte i rremë.

Nevoja për një korrigjim të tillë duhet të ishte një turp i madh për një gazetë kombëtare. Por dëmi ishte bërë. Titulli mashtrues u shpërnda kudo, duke helmuar mendimin publik shumë kohë përpara se të dilte sqarimi i vogël. Më keq akoma, kjo kornizë e rreme u amplifikua nga politikanë si Jenrick dhe media si The Sun apo GB News. Asnjë prej tyre nuk ndjeu nevojën të tërhiqte akuzat.

Kështu ngurtësohet dezinformimi në ideologji. Një lidhje e rreme mes Islamit, dhunës dhe të drejtave të njeriut publikohet bujshëm, korrigjohet me zë të ulët, por nuk zhbëhet kurrë në mendjen e njerëzve. Fjala “islamist” e kreu funksionin e saj.

Elementet mashtruese pothuajse gjithmonë vendosen në krye të lajmit. Edhe nëse sqarimet apo prapësimet shfaqen më vonë, dëmi tashmë është shkaktuar përmes titullit dhe paragrafëve hyrës. Deri në momentin kur publikohet një korrigjim, lajmi i rremë është përpirë dhe është bërë pjesë e asaj teorie të gjerë konspirative mbi islamizmin që dominon diskursin britanik.

Shtrirja e kornizës së “islamizmit” i kalon kufijtë e politikës së brendshme britanike, duke depërtuar deri në sferat e politikës ndërkombëtare. Kjo sjell pasoja konkrete e të rënda, si për lirinë akademike, ashtu edhe për lëvizshmërinë globale të njerëzve.

Emiratet e Bashkuara Arabe së fundmi ndërprenë bursat për studentët e tyre në universitetet britanike, duke pretenduar se kishin frikë nga “radikalizimi islamist” – një lëvizje që tregon se si kjo paranojë po përdoret tashmë edhe nga shtetet e huaja si mjet presioni diplomatik.

Ky ndryshim kursi dëshmon se si ankthet mbi “islamizmin” nuk mbeten vetëm brenda flluskës së medias dhe politikës britanike; ato tashmë po përdoren si levë nga shtetet e huaja për të diktuar marrëdhëniet diplomatike dhe arsimore. Si rrjedhojë, kampuset universitare në Britani nuk shihen më si qendra të shkëmbimit intelektual,

E njëjta logjikë “përtace” dominon edhe raportimet nga bota. Presidenti turk Erdogan, i zgjedhur në mënyrë demokratike, etiketohet rregullisht si President islamist, ndërkohë që asnjë etiketë e tillë nuk u vendoset liderëve perëndimorë që bëjnë aleanca me fanatikë fetarë apo që përdorin citime biblike për të justifikuar pushtimet apo luftën.

Në Izrael dhe SHBA, zelli fetar ushqen dhunën shtetërore dhe politikat koloniale. Mbijetesa e Netanyahut varet nga lëvizjet mesianike të kolonëve, ndërsa ngritja e Trump-it u mbështet nga evangjelistët që e shihnin atë si “të përzgjedhurin e Zotit”. Megjithatë, këto trajtohen si lëvizje politike normale, jo si kërcënime ndaj qytetërimit.

Ky nuk është thjesht një dështim në përzgjedhjen e fjalëve. Është një strategji. “Islamist” është shndërruar në një mjet për të delegjitimuar tjetrin, duke u dhënë gazetarëve dhe politikanëve mundësinë të justifikojnë kontrollin dhe represionin nën petkun e “neutralitetit”.

Muslimanët lejohen të ekzistojnë si entitete kulturore apo private, por jo si faktorë politikë. Në momentin që ata organizohen apo ngrenë zërin, etiketa i pret gati. 

Nga Birminghami në Westminster, nga stadiumet te titujt e gazetave, ky term është bërë ai që ishte planifikuar të ishte: jo një përshkrim, por një armë. Derisa kjo të adresohet hapur, veprimtaria politike e muslimanëve do të vazhdojë të trajtohet jo si një e drejtë demokratike, por si një kërcënim që duhet mbajtur nën fre.

Solli në shqip Observer.al. Publikuar në anglisht në Middle East Eye.


Faisal Hanif është analist mediash në Qendrën për Monitorimin e Mediave (CfMM). Më parë ai ka punuar si raportues dhe studiues për “The Times” dhe BBC. Raporti i tij i fundit analizon mënyrën se si mediat britanike raportojnë mbi terrorizmin.

Të ngjashme
Related

Gratë muslimane nuk kanë nevojë që bota “t’i shpetojë”

Në diskursin politik bashkëkohor, asnjë grua nuk është “shpëtuar” aq pa reshtur sa gruaja muslimane. Ajo paraqitet si viktimë pasive që pret dikë ta çlirojë, ndërsa zgjedhjet e saj lexohen si simptoma shtypjeje. Siç argumenton Soumaya Ghannoushi, kjo grua nuk ekziston: është figurë imagjinare.

Si u shndërrua një dokument i rremë serb “Top Secret” në propagandë anti-muslimane në Kosovë

Idetë që përmban ai dokument tashmë qarkullonin mes figurave islamofobe shqiptare vite përpara. Kjo ngre një pyetje më të rëndësishme: çfarë qëllimi i shërben kjo narrativë?

25 vjet luftë kundër terrorit: si u bë Islamofobia politikë zyrtare

Një çerek shekulli pas 11 shtatorit, "Lufta kundër Terrorit" nuk ka marrë fund. Ajo thjesht ka evoluar. Ajo që nisi si përgjigje ndaj një sulmi u kthye në një arkitekturë të qëndrueshme dyshimi, e cila e shpalli kërcënim sigurie vetë identitetin musliman.

Islamofobia është kthyer në Kalin e Trojës të Izraelit për të bërë për vete perëndimorët

Netanyahu dhe ministrat e tij tashmë punojnë për ta kthyer frikën evropiane ndaj muslimanëve në kapital politik