Kush ishte John L. Esposito, dijetari i krishterë që luftimin e Islamofobisë e bëri mision të jetës?

Studiuesi i shquar i Universitetit Georgetown, Dr. John L. Esposito, kaloi dekada të tëra duke ndërtuar ura dialogu mes botës islame dhe asaj perëndimore. Përmes dhjetëra librave dhe një jete të tërë në auditorët universitarë, ai iu përkushtua misionit për të korrigjuar keqkuptimet perëndimore për Islamin.

Nga Heba Habib, Al Jazeera

Profesor John L. Esposito, i njohur gjerësisht si një nga studiuesit më me ndikim të brezit të tij në studimet islame, është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare.

Esposito u nda nga jeta më 15 korrik, duke lënë pas një karrierë pesëdekadëshe. Përmes dhjetëra librave dhe një jete të tërë në auditorët universitarë, ai iu përkushtua misionit për të korrigjuar keqkuptimet perëndimore për Islamin dhe për të mbajtur gjallë një dialog të vërtetë mes myslimanëve dhe shoqërive ku ata jetojnë.

I lindur në Bruklin të Nju-Jorkut në vitin 1940, Esposito u formua intelektualisht nën mbikëqyrjen e studiuesit të njohur palestinezo-amerikan, Isma’il Raji al-Faruqi. Kjo eksperiencë ndikoi thellësisht në vendimin e tij për ta paraqitur Islamin në thelbin dhe termat e tij origjinalë, duke shmangur kornizat e ngushta të paragjykimeve perëndimore.

Pas dy dekadash mësimdhënieje në Kolegjin Holy Cross në Masaçusets, ku drejtoi Departamentin e Studimeve Fetare, ai u zhvendos në Universitetin Georgetown, i cili do të mbetet shtëpia e tij akademike deri në fund të karrierës.

Në Georgetown, Esposito u bë një figurë qendrore në fushën e fesë, çështjeve ndërkombëtare dhe studimeve islame. Në vitin 1993, ai themeloi Qendrën për Mirëkuptimin Muslimano-të Krishterë, e cila më vonë mori emrin Qendra “Prince Alwaleed bin Talal”. Nën drejtimin e tij, ajo u shndërrua në një prej institucioneve më të rëndësishme në botë për dialogun ndërfetar. Më vonë, ai themeloi The Bridge Initiative, një projekt kërkimor që synon monitorimin dhe luftimin e Islamofobisë.

Kontributi i tij shkencor ishte mbresëlënës: ai shkroi, bashkëshkroi ose redaktoi më shumë se 50 libra, të përkthyer në 35 gjuhë.

Veprat e tij, si Islami: Rruga e Drejtë, Kërcënimi Islam: Mit apo Realitet? dhe E ardhmja e Islamit, janë bërë referenca kryesore për këdo që dëshiron të kuptojë më thellë këto tema. Libri i tij i vitit 2007, Kush flet në emër të Islamit?, i shkruar në bashkëpunim me Dalia Mogahed, është një ndër studimet më të cituara mbi opinionin publik në botën muslimane, duke ofruar një dëshmi të fortë empirike kundër përgjithësimeve të shpejta dhe të pasakta.

Gjithashtu, ai mbikëqyri si kryeredaktor vepra monumentale, si Fjalori i Oksfordit për Islamin dhe Enciklopedia e Oksfordit për Botën Islame.

Si një katolik praktikant, Esposito theksonte shpesh se pikërisht besimi i tij ishte nxitja kryesore për kërkimet ndërfetare, duke mbrojtur bindjen se besimi i thellë te tradita jote nuk është në kundërshtim me respektin për besimin e tjetrit.

Gjatë karrierës së tij, ai ka drejtuar institucionet më të larta akademike në këtë fushë, si Shoqatën e Studimeve të Lindjes së Mesme të Amerikës së Veriut dhe Akademinë Amerikane të Fesë, ndërsa është nderuar me çmime të shumta ndërkombëtare.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta shkaktoi një valë ngushëllimesh nga mbarë bota. Kryeministri malajzian, Anwar Ibrahim, e përshkroi atë si një “mik të vërtetë të botës islame”, duke kujtuar miqësinë e tyre që nga vitet ’70 dhe rolin kyç të Esposito-s në ndërtimin e themeleve intelektuale për mirëkuptimin e Islamit pas sulmeve të 11 shtatorit.

Sami Al-Arian, akademik dhe drejtues i Qendrës për Islamin dhe Çështjet Globale në Stamboll, ndau kujtime prekëse për mbështetjen e pakursyer të Esposito-s gjatë viteve të vështira të arrestimit të tij, duke shkruar se Esposito “ndërtoi ura në një kohë kur të tjerët ngrinin mure”.

Edhe CAIR, organizata më e madhe e të drejtave civile muslimane në SHBA, vlerësoi përkushtimin e tij të palëkundur për të avancuar të vërtetën në një kohë kur paragjykimet shpesh dominonin diskursin publik.

John Esposito lë pas bashkëshorten e tij, Dr. Jeanette P. Esposito.

Të ngjashme
Related

Gratë muslimane nuk kanë nevojë që bota “t’i shpetojë”

Në diskursin politik bashkëkohor, asnjë grua nuk është “shpëtuar” aq pa reshtur sa gruaja muslimane. Ajo paraqitet si viktimë pasive që pret dikë ta çlirojë, ndërsa zgjedhjet e saj lexohen si simptoma shtypjeje. Siç argumenton Soumaya Ghannoushi, kjo grua nuk ekziston: është figurë imagjinare.

Si u shndërrua një dokument i rremë serb “Top Secret” në propagandë anti-muslimane në Kosovë

Idetë që përmban ai dokument tashmë qarkullonin mes figurave islamofobe shqiptare vite përpara. Kjo ngre një pyetje më të rëndësishme: çfarë qëllimi i shërben kjo narrativë?

25 vjet luftë kundër terrorit: si u bë Islamofobia politikë zyrtare

Një çerek shekulli pas 11 shtatorit, "Lufta kundër Terrorit" nuk ka marrë fund. Ajo thjesht ka evoluar. Ajo që nisi si përgjigje ndaj një sulmi u kthye në një arkitekturë të qëndrueshme dyshimi, e cila e shpalli kërcënim sigurie vetë identitetin musliman.

Islamofobia është kthyer në Kalin e Trojës të Izraelit për të bërë për vete perëndimorët

Netanyahu dhe ministrat e tij tashmë punojnë për ta kthyer frikën evropiane ndaj muslimanëve në kapital politik