Nga Soumaya Ghannoushi
Në diskursin politik bashkëkohor ndoshta nuk ka grua që të jetë shpëtuar aq pa reshtur sa gruaja muslimane.
Imazhi është i njohur. Gruaja muslimane, sidomos ajo me hixhab, shfaqet si viktimë pasive e fesë, e traditës, e familjes dhe e patriarkatit. Veshja e saj trajtohet si provë e një rrëfimi të dukshëm të nënshtrimit, e jo si zgjedhje fetare apo personale.
Një grua me minifund mund të jetë duke bërë një zgjedhje. Një grua me bikini mund të jetë duke shprehur veten. Një grua që ia ndryshon fytyrës trajtën me kirurgji apo e mbulon trupin me tatuazhe po ushtron autonominë e saj mbi trupin e vet.
Por vëri një shami mbi flokë një gruaje dhe ndodh një shndërrim i jashtëzakonshëm: me sa duket, ajo nuk ka më vullnet të vetin. Dikush duhet ta ketë detyruar.
Kjo është një nga kontradiktat e çuditshme që qëndrojnë në thelb të disa ideve bashkëkohore perëndimore mbi çlirimin e gruas. Gruaja është sovrane mbi trupin e saj, derisa ta përdorë këtë sovranitet në mënyra që shoqëria liberale i sheh si jo mjaftueshëm “të çliruara”. Atëherë ndërhyrja bëhet e domosdoshme.
Askund kjo kontradiktë nuk është shfaqur më dramatikisht se në Francë, ku kufizimet ndaj veshjes së grave muslimane janë paraqitur vazhdimisht si akte emancipimi.
Laiciteti francez zakonisht kuptohet si parim që rregullon marrëdhënien mes fesë dhe shtetit. Megjithatë, në formën e tij më militante bashkëkohore, neutraliteti ka nisur gjithnjë e më shumë t’i ngjajë mbikëqyrjes së dukshmërisë fetare. Dhe një pjesë të konsiderueshme të pasojave e mbajnë gratë muslimane.
Kështu arrijmë te spektakli i çuditshëm i qeverive që i çlirojnë gratë duke u thënë se çfarë nuk mund të veshin.
Një figurë imagjinare
Për shekuj me radhë, shoqëritë patriarkale ia kanë dhënë vetes autoritetin për të rregulluar trupin e gruas në emër të moralit. Sot, shtetet rregullojnë trupin e grave muslimane në emër të lirisë. Fjalori ka ndryshuar, por e drejta e që i japin vete ka mbijetuar.
Problemi më i madh është se i gjithë diskutimi mbështetet mbi një figurë imagjinare: gruaja muslimane. Ajo nuk ekziston.
Ekzistojnë gra muslimane, qindra miliona syresh, që jetojnë në shoqëri, klasa, sisteme politike dhe përvoja historike rrënjësisht të ndryshme. Një grua në Kabul nuk është si një grua në Xhakartë. Një grua në Teheran nuk është si një grua në Stamboll. Një fermere në zonat rurale të Marokut nuk është si një avokate në Londër.
Megjithatë, këto jetë kaq të ndryshme ngjeshen vazhdimisht në një formulë të vetme shpjeguese: grua muslimane, hixhab, shtypje. Realiteti është dukshëm më pak i volitshëm.
Ka pasur shoqëri muslimane ku qeveritë i kanë detyruar gratë të mbulohen, dhe të tjera ku qeveritë i kanë detyruar të zbulohen. Ka pasur shtete që i kanë përjashtuar gratë nga arsimi dhe nga jeta publike në emër të fesë, dhe shtete që i kanë përjashtuar nga universitetet dhe nga punësimi sepse ato këmbëngulnin të mbanin veshje fetare.
Historia i krijon telashe të veçanta narrativës së thjeshtë të shtypjes.
Merrni Iranin. Hixhabi i detyrueshëm i Republikës Islamike është i njohur dhe kritikohet me të drejtë si shtrëngues. Më rrallë kujtohet historia e mëparshme e zbulimit të detyruar nga shteti nën Reza Shahun. Politika e tij Kashf-e hixhab e vitit 1936 e ndaloi mbulesën tradicionale dhe i nënshtroi shtrëngimit shtetëror gratë që donin të mbeteshin të mbuluara.
Turqia vendosi kufizime të gjera ndaj grave që mbanin shami, sidomos pas vitit 1997, kur ndalimi u zbatua shumë më agresivisht. Mijëra gra u privuan nga arsimi i lartë. Studenteve me shami u ndalohej hyrja në kampuset universitare dhe në provime, ndërsa gratë në mësuesi dhe në profesione të tjera të sektorit publik u përballën me pezullime apo shkarkime.
Tunizia shkoi edhe më tej. Nën presidentin Habib Burgiba dhe më pas nën Zine el Abidine Ben Aliun, hixhabi u përçmua zyrtarisht si “veshje sektare”. Qarkorja 108 dhe masa të ngjashme u përdorën për t’i përjashtuar gratë me hixhab nga shkollat, universitetet dhe punësimi publik.
Nën Ben Aliun fushata u ashpërsua. Gratë ngacmoheshin në rrugë, thirreshin në komisariate policie, merreshin në pyetje dhe u bëhej presion të hiqnin mbulesën. E gjitha kjo në emër të sekularizmit, të modernitetit dhe të emancipimit të gruas.
Stereotipet perëndimore
Për gratë që e përjetuan këtë realitet, hixhabi mund të merrte një kuptim pothuajse krejt të kundërt me atë që i veshin stereotipet perëndimore: një akt sfide, diçka që gruaja e merr si të vetën e jo që i imponohet, një refuzim për ta lënë shtetin të diktojë kushtet me të cilat një grua mund të studiojë, të punojë apo të marrë pjesë në jetën publike.
Ta quash një grua të tillë të burgosur pasive të traditës nuk do të thotë vetëm ta përshkruash gabim. Do të thotë t’ia përmbysësh historinë.
Po të ishte e saktë historia standarde e modernizimit, arsimi, urbanizimi dhe zhvillimi ekonomik do ta kishin fshirë gradualisht hixhabin. Megjithatë, shoqëritë muslimane moderne kanë prodhuar diçka shumë më të ndërlikuar.
Ecni nëpër Kajro, Stamboll, Algjer, Aman, Kuala Lumpur apo nëpër shumë qytete të tjera të mëdha muslimane dhe do të ndeshni gra që i trazojnë kategoritë e rregullta të trashëguara nga një imagjinatë e vjetër orientaliste: studentja e mjekësisë me hixhab, arkitektja, gazetarja, inxhinierja, akademikja, sipërmarrësja.
Mund të shihni madje nënë e bijë që ecin krah për krah. Nëna e veshur tradicionalisht, me kokë të zbuluar. E bija, me arsim universitar, me hixhab. Cila prej tyre është moderne?
Pyetja fillon të duket mjaft qesharake. Moderniteti, siç duket, është i rrëmujshëm.
Arsimi nuk e shpërbën domosdoshmërisht identitetin fetar. Urbanizimi nuk sjell automatikisht sekularizim. Pavarësia ekonomike nuk garanton që gratë do të vishen sipas pritshmërive të liberalizmit evropian.
Në të vërtetë, për disa gra, arsimi më i gjerë dhe pavarësia më e madhe mund t’u japin më shumë liri, jo më pak, për t’i përqafuar me vetëdije praktikat fetare.
Asgjë nga këto nuk kërkon romantizimin e hixhabit. Disa gra e mbajnë sepse këtë e presin familjet apo shoqëritë e tyre. Të tjera e mbajnë nga një bindje e thellë fetare, si pasqyrim të modestisë, të identitetit apo të privatësisë, ose si akt personal besimi. Për disa, është thjesht ajo që zgjedhin të veshin, pa pasur nevojë për teori politike, për shpjegim sociologjik apo për mbrojtje të çfarëdoshme.
Në fund të fundit, kjo është punë e gruas. Ajo nuk ka pse t’i paraqesë botës një memorandum shpjegues.
Strukturat e pushtetit
Qëndrimi intelektualisht serioz, pra, nuk është as ta shpallësh hixhabin në thelb çlirues, as ta quash në thelb shtypës. Kuptimi i tij varet nga gruaja, nga rrethanat dhe nga strukturat e pushtetit që e rrethojnë.
E njëjta copë pëlhure mund t’i imponohet një gruaje dhe t’i ndalohet një tjetre. Njëra mund ta trashëgojë pa e vënë në pikëpyetje, tjetra mund ta përqafojë pas një reflektimi të thellë.
Të ngulmosh se të gjitha këto përvoja kanë të njëjtin kuptim nuk është analizë. Është tirania e kategorisë. Dhe sapo gruaja muslimane futet në kutinë konceptuale me etiketën “e shtypur”, vetë realiteti fillon të humbasë fuqinë për ta hedhur poshtë teorinë. Zgjedhjet e saj nuk shihen më si dëshmi e asaj që ajo dëshiron, por si simptoma të asaj që gjoja i është bërë.
Stereotipi bëhet i pafalsifikueshëm: një burg i ngritur për të nga imagjinata e dikujt tjetër. Dhe askund ky stereotip nuk sforcohet më shumë sesa kur përballet me gratë muslimane që jetojnë në demokracitë perëndimore.
Universitetet në Britani, në Francë, në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë janë plot me gra muslimane me hixhab. Ato bëhen mjeke, studiuese, mësuese, inxhiniere, gazetare, avokate, akademike, sipërmarrëse, madje edhe politikane.
Ato flasin gjuhët e vendeve ku kanë lindur, dinë t’ia dalin në institucionet e tyre, i njohin të drejtat ligjore, debatojnë për politikë, marrin diploma dhe zgjedhin karriera. Megjithatë, herë pas here na ftojnë ende të përfytyrojmë se një shami mbi kokë ua ka pezulluar disi funksionimin e intelektit.
Disa, pa dyshim, përballen me presion familjar. Familjet muslimane, si çdo lloj tjetër familjeje, janë të afta për kontroll dhe shtrëngim.
Por supozimi se një grua e rritur dhe e arsimuar duhet të veprojë fshehurazi nën urdhrat e një burri, thjesht sepse zgjedhjet e saj fetare e hutojnë një vëzhgues laik, nuk është feminizëm. Është paternalizëm i veshur me rroba feministe. Dhe ndonjëherë realiteti shkon pothuajse saktësisht në drejtimin e kundërt.
Disa vajza të reja muslimane e vendosin hixhabin pavarësisht kundërshtimit të prindërve, të cilët shqetësohen se ai do t’i ekspozojë bijat e tyre ndaj diskriminimit, ose do t’i bëjë tepër dukshëm muslimane.
Mendoni vështirësinë që kjo grua i krijon narrativës konvencionale të çlirimit. I ati do të preferonte që ajo të mos e mbante. Ajo këmbëngul ta mbajë. Shoqëria përreth i bën presion ta heqë. Dhe pastaj po kjo shoqëri shpjegon se ajo e mban sepse i ati e ka detyruar.
Në një pikë të caktuar, kontradikta bëhet gati komike.
Sundimi kolonial
Fantazia e shpëtimit të grave muslimane ka një histori të gjatë. Pushteti kolonial shpesh e justifikonte veten me gjuhën e qytetërimit: shoqëritë e kolonizuara ishin të prapambetura, burrat e tyre barbarë, gratë e tyre të shtypura. Për rrjedhojë, ndërhyrja perandorake mund të paraqitej si shpëtim moral e jo thjesht si sundim.
Kolonizatori të pushtonte për të mirën tënde dhe, krejt me leverdi për të, ishte veçanërisht i shqetësuar për gratë e tua.
Kjo strukturë mendimi nuk u zhduk me rënien e perandorisë. Ajo mbijeton sa herë që gratë muslimane shndërrohen nga subjekte politike në objekte mbi të cilat dikush tjetër duhet të zbatojë vlerat e veta “të ndriçuara”.
Administratori i dikurshëm kolonial shpallte se gratë vendase kishin nevojë për qytetërim. Politikani modern shpall se gratë muslimane kanë nevojë për çlirim. Të dy janë jashtëzakonisht të sigurt se e dinë si duhet të duket liria, dhe të dy bëhen çuditërisht të paduruar kur gratë që duan t’i emancipojnë ua kthejnë fjalën.
Kjo është arsyeja pse retorika rreth veshjes së grave muslimane shpesh mbart një nëntekst përbuzjeje nga lart.
Nëse ajo thotë se është e shtypur, ka zbuluar zërin e saj autentik. Nëse thotë se nuk është e shtypur, e ka përbrendësuar shtypjen.
Nëse e heq hixhabin, është çliruar. Nëse e zgjedh, është indoktrinuar.
Gruaja muslimane është e lirë të zgjedhë çfarëdo që do, me kusht që të zgjedhë drejt.
Kontradikta e brendshme
Asgjë nga këto nuk do të thotë të mohohen padrejtësitë shumë reale që vuajnë gratë në shumë shoqëri muslimane. Ato ekzistojnë, ndonjëherë në forma brutale.
Por konteksti ka rëndësi. Shumë shoqëri në botën muslimane kanë përjetuar luftë, pushtim, autoritarizëm, konflikte civile, kolaps ekonomik, varfëri dhe paqëndrueshmëri politike. Popullsi të tëra vuajnë, edhe pse gratë dhe fëmijët shpesh mbajnë një barrë veçanërisht të rëndë.
T’i shkëputësh gratë nga këto realitete më të gjera politike, ekonomike dhe historike, dhe të shpjegosh gjithçka që u ndodh atyre përmes Islamit, patriarkatit apo mbulesës, nuk është sofistikim. Është reduksionizëm.
Dhe nga ky reduksionizëm lind po ajo figurë imagjinare me të cilën nisëm: gruaja muslimane.
Një grua e tillë nuk ekziston. Ekzistojnë gra muslimane.
Megjithatë, diskursi që pretendon t’i çlirojë nis duke i privuar nga individualiteti. Një diskurs gjoja i shqetësuar për zërin e tyre nis duke folur mbi to. Një diskurs që shpall agjencinë e tyre refuzon t’u besojë kur e ushtrojnë atë në mënyra të pamiratuara.
Kjo është kontradikta në thelb të narrativës së shpëtimit. Gruaja muslimane nuk është fëmijë, as e mitur që ka nevojë për ndonjë kujdestar të ndriçuar që ta udhëheqë drejt parajsës së premtuar të çlirimit.
Masa e lirisë së grave muslimane nuk është se sa u ngjajnë ato imazhit që dikush tjetër ka për çlirimin. Është nëse njihen si qenie njerëzore të plota: të larmishme, të ndërlikuara, subjekte që mendojnë, të afta për besim dhe për dyshim, për konformizëm dhe për rebelim, dhe mbi të gjitha, për të bërë zgjedhjet e tyre.
Ndoshta, pas shekujsh duke ia shpjeguar gruas muslimane veten e saj, ata që mëtojnë ta shpëtojnë mund të provonin diçka vërtet radikale: ta dëgjonin.
Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull i përkasin autores dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Observer.al.

Soumaya Ghannoushi është shkrimtare britaniko-tuniziane dhe eksperte e politikës së Lindjes së Mesme. Shkrimet e saj gazetareske janë botuar në The Guardian, The Independent, Corriere della Sera, Al-Jazeera, dhe Al Quds.
