Nga Arthemis Snijders
Trembëdhjetë studentë dhe studiues palestinezë, që ndodhen në Gaza, kanë fituar bursa ose janë pranuar për të vazhduar studimet në universitetet belge. Disa prej tyre i kanë marrë tashmë vizat, ndërsa të tjerët nuk mund të aplikojnë për to, pasi procedurat e zakonshme kërkojnë paraqitjen pranë përfaqësive diplomatike belge jashtë vendit. Ata i përmbushin kriteret akademike, kanë mbështetjen e universiteteve dhe fondet e nevojshme për të nisur studimet. Megjithatë, nuk kanë asnjë mundësi për t’u larguar nga Gaza.
Rektorët e universiteteve belge, avokatët që përfaqësojnë studentët në çështjet e imigracionit dhe organizatat humanitare i kanë bërë thirrje qeverisë të mundësojë evakuimin e tyre. Por studentët vazhdojnë të mbeten të bllokuar në Gaza, ndonëse viti i ri akademik ka nisur. Ndërkohë, debati politik në Belgjikë vazhdon të përqendrohet te pyetja nëse duhet bërë një përjashtim për palestinezët.
Ministrja belge e Azilit dhe Migracionit, Anneleen Van Bossuyt, e ka arsyetuar kundërshtimin e saj ndaj evakuimit me rrezikun e një “efekti domino”. Nëse Belgjika mundëson evakuimin e këtyre studentëve, ka pyetur ajo, përse të mos bëhet një përjashtim i ngjashëm edhe për njerëzit nga Jemeni apo Sudani, ose për vajzat afgane që dëshirojnë të studiojnë në Belgjikë?
Në pamje të parë, duket se kemi të bëjmë thjesht me një çështje të politikave të migracionit. Por ky krahasim zbulon shumëçka. Këto vende nuk mund të futen në të njëjtën kategori, pasi rrethanat e tyre politike ndryshojnë ndjeshëm. Megjithatë, ato përmenden së bashku përmes një gjuhe politike që i lidh njerëzit nga vendet me shumicë muslimane me paqëndrueshmërinë, migracionin dhe frikën nga lëvizjet masive të popullsisë. Kështu, trembëdhjetë të rinjtë nuk shihen më, para së gjithash, si studentë, por si paralajmërim për një fluks të mundshëm migrator.
Ky rast na tregon një nga mënyrat se si vepron Islamofobia bashkëkohore në Evropë. Ajo nuk shprehet domosdoshmërisht përmes deklaratave të hapura kundër muslimanëve. Gjithnjë e më shpesh, ajo merr formë përmes kategorive në dukje neutrale, si migracioni, siguria, integrimi, rendi publik dhe neutraliteti institucional. Belgjika është një shembull veçanërisht domethënës, sepse këto kategori shfaqen vazhdimisht në debate politike që, në vështrim të parë, duket sikur nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Nga kontrolli i migracionit te politika e përkatësisë
Çështja nuk është vetëm nëse Belgjika mund t’i evakuojë trembëdhjetë studentët. Mundësia ekziston, siç e kanë dëshmuar edhe vende të tjera evropiane, veçanërisht Italia, e cila ka evakuuar studentë palestinezë përmes programeve të posaçme që u mundësojnë largimin nga zonat e konfliktit për të ndjekur studimet universitare.
Pyetja më e rëndësishme është se çfarë simbolizon prania e tyre në diskursin politik.
Studimet akademike në Belgjikë e kanë dokumentuar prej kohësh ndërthurjen e Islamit, identitetit kombëtar dhe ndërhyrjes së shtetit në jetën shoqërore, ashtu siç pasqyrohet në diskursin publik. Zemni, për shembull, ka treguar se si dallimet kulturore dhe fetare përdoren shpesh për të shprehur tensione më të gjera shoqërore, ekonomike dhe politike.
Por çfarë ndodh kur studentët nga Gaza nuk shihen më si të rinj që kanë fituar të drejtën të studiojnë në universitete, por si fillimi i një zinxhiri migracioni që mund të dalë jashtë kontrollit? Çfarë ndodh kur mundësia që një ditë atyre t’u bashkohen edhe familjarët përdoret si argument për t’u mohuar ndihmën?
Pikërisht këtu merr rëndësi shprehja “efekti domino”. Ajo e zhvendos debatin nga të drejtat e individit te frika kolektive nga ndryshimet demografike.
Kjo mënyrë të menduari ka ndikuar prej kohësh në politikën evropiane. Migracioni musliman shpesh nuk është trajtuar duke u nisur nga njerëzit dhe rrethanat e tyre individuale, por nga numri i migrantëve, kohezioni kulturor dhe ndryshimet në përbërjen e popullsisë. Shqetësimi nuk lidhet vetëm me pyetjen se kush po vjen, por edhe me atë se çfarë supozohet se do të thotë ardhja e tyre për të ardhmen e shoqërive evropiane.
Pikërisht në këtë klimë janë përhapur në diskursin politik terma si “islamizimi”, “Eurabia” dhe “zëvendësimi demografik”.
Qeveria belge nuk ka nevojë ta përqafojë hapur idenë se muslimanët po i “zëvendësojnë” evropianët, që frikëra të mbështetura në të njëjtën logjikë të ndikojnë në diskursin politik. Ato mund të shfaqen edhe në forma më të pranueshme për shoqërinë: si shqetësim për ndryshimet demografike, si paralajmërim për shtimin e popullsisë muslimane, si pretendim se vlerat evropiane po kërcënohen, apo si thirrje që shteti të mbrojë një identitet kombëtar ose evropian që paraqitet si i rrezikuar.
E djathta ekstreme ka qenë ndër përfaqësueset më të zëshme të këtyre ideve. Por pyetja që shtrohet sot është më e gjerë: çfarë ndodh kur elemente të këtij botëkuptimi dalin përtej retorikës së të djathtës ekstreme dhe bëhen pjesë e debateve të zakonshme mbi politikat shtetërore?
Gruaja muslimane si simbol i ndryshimeve demografike
Kjo prirje bëhet veçanërisht e dukshme në debatet për veshjen e grave muslimane.
Në provincën belge të Flandrës Lindore, Hadija Amajoud, mësuese në arsimin special provincial, u pushua nga puna në shtator 2026, pasi refuzoi të hiqte shaminë gjatë mësimdhënies. Ajo punonte në atë shkollë që nga viti 2022 dhe e kishte mbajtur shaminë që në fillim.
Sipas Amajoud, gjithçka ndryshoi pasi zëvendësguvernatori provincial Kurt Moens, përfaqësues i partisë N-VA, e pa me shami gjatë një takimi informues në shtator 2023.
Më pas, shkolla i paraqiti tri “zgjedhje”: ta hiqte shaminë dhe të vazhdonte të jepte mësim; të jepte vetëm lëndën e fesë islame, e vetmja lëndë që, sipas këtij kushti, mund ta jepte duke mbajtur shaminë; ose të largohej nga puna.
Ajo vendosi të qëndronte dhe ta kundërshtonte këtë trajtim. Megjithatë, në qershor 2024, autoritetet provinciale miratuan një rregullore që ndalonte mbajtjen e simboleve të dukshme fetare nga personeli, duke filluar nga 1 shtatori 2024.
Më vonë, Dhoma për Shqyrtimin e Mosmarrëveshjeve pranë Institutit Flamand për të Drejtat e Njeriut konstatoi se Amajoud ishte përballur me diskriminim të drejtpërdrejtë, diskriminim të tërthortë për shkak të ndërthurjes së disa karakteristikave të saj, si dhe me ngacmim. Instituti rekomandoi rikthimin e saj në detyrën e mësueses dhe shfuqizimin e ndalimit, megjithëse vendimi i tij nuk kishte fuqi detyruese.
Në qendër të debatit ishte parimi i neutralitetit institucional.
Rregullat e neutralitetit zakonisht paraqiten si rregulla të përgjithshme, që vlejnë njësoj për të gjithë. Por pasojat e tyre shoqërore nuk janë domosdoshmërisht të barabarta, sidomos kur kufizojnë praktika që lidhen veçanërisht me gratë muslimane, besimi i të cilave është i dukshëm përmes veshjes.
Në Flandër, Van Raemdonck ka treguar se kufizimet në arsim dhe punësim ndikojnë drejtpërdrejt në zgjedhjet dhe mundësitë jetësore të individëve. Ndërkohë, hulumtimi im tregon se gratë që identifikohen dukshëm si muslimane përballen në mjediset profesionale me mikroagresione islamofobe, të cilat lidhen njëkohësisht me gjininë dhe përkatësinë e tyre fetare.
Në këtë mënyrë, shamia shndërrohet në një simbol të ngarkuar politikisht, rreth të cilit zhvillohen debatet për laicitetin, emancipimin e grave, identitetin kombëtar dhe përkatësinë në shoqëri.
Shamia rrallë shihet thjesht si një pjesë e veshjes. Ajo është kthyer në simbol të “islamizimit”, të integrimit të dështuar ose të një transformimi të pretenduar të identitetit evropian.
Për pasojë, gruaja muslimane nuk trajtohet më si individ me zgjedhjet, bindjet dhe përvojat e veta, por shndërrohet në përfaqësuese të frikërave më të gjera demografike dhe kulturore.
Kjo tregon se gjinia zë një vend qendror në mënyrën se si duhet kuptuar Islamofobia bashkëkohore. Gratë muslimane shpesh gjenden në pikëprerjen e dy shqetësimeve politike: rritjes së perceptuar të popullsisë muslimane dhe ndryshimit të supozuar të normave gjinore e të vlerave laike evropiane.
Palestina i ka nxjerrë në pah kundërthëniet
Këto dukuri nuk lindën me gjenocidin aktual në Gaza. Islamofobia në Evropë ka një histori shumë më të gjatë, të formësuar nga kolonializmi, “lufta kundër terrorizmit”, politikat e migracionit, trajtimi i çështjeve shoqërore si probleme sigurie dhe debatet evropiane mbi laicitetin e identitetin kombëtar.
Megjithatë, gjenocidi në Gaza i ka bërë disa prej këtyre kundërthënieve shumë më të dukshme.
Në debatet politike evropiane, palestinezët shpesh trajtohen përmes kategorive të sigurisë, ekstremizmit, migracionit dhe rendit publik. Shprehja e qëndrimeve politike palestineze mund të ndërthuret me frikën më të gjerë evropiane nga mobilizimi politik i muslimanëve.
Kjo krijon një kundërthënie të thellë: Evropa, nga njëra anë, mund t’i njohë palestinezët si viktima të luftës dhe të një katastrofe humanitare, ndërsa, nga ana tjetër, ta trajtojë praninë e tyre politike, lirinë e tyre të lëvizjes apo solidaritetin me ta si një problem të mundshëm sigurie.
Rasti i trembëdhjetë studentëve të bllokuar në Gaza e nxjerr veçanërisht qartë në pah këtë kundërthënie.
Pikërisht për këtë arsye, për të kuptuar Islamofobinë në Belgjikë nuk mjafton të analizohen vetëm partitë e së djathtës ekstreme.
Këto parti kanë luajtur një rol të rëndësishëm në vendosjen e “islamizimit” dhe “zëvendësimit demografik” në qendër të diskursit politik. Megjithatë, përjashtimi mund të marrë karakter institucional edhe pa përdorur të gjitha partitë të njëjtën gjuhë.
Politikat kufizuese mund t’i kapërcejnë kufijtë ideologjikë.
Në Flandrën Lindore, partia N-VA drejton ekzekutivin provincial në koalicion me CD&V dhe Vooruit. Qëndrimet e këtyre partive ndaj ndalimit të shamisë për nxënëset nuk kanë qenë të njëjta.
Në votimin e prillit 2025, partia Vooruit abstenoi. Por, kur ndalimi u miratua sërish në dhjetor 2025, pasi një version i mëparshëm ishte shfuqizuar për arsye procedurale, ajo votoi në favor të tij.
Ky ndryshim qëndrimesh tregon se masat kufizuese mund të miratohen edhe përmes institucioneve politike tradicionale, pa pasur nevojë për një konsensus të qëndrueshëm mes partive.
Një kufizim i vendosur në emër të neutralitetit nuk ka pse të cilësohet shprehimisht si masë kundër muslimanëve që të ketë pasoja më të rënda për qytetarët muslimanë.
Po kështu, një politikë kufizuese e migracionit nuk ka nevojë ta përmendë islamin për të vepruar në një mjedis politik ku migrantët nga vendet me shumicë muslimane shihen si një shqetësim i veçantë demografik.
Kështu, Islamofobia mund të rrënjoset në institucione pa u shprehur hapur si e tillë. Ajo bëhet pjesë e kategorive dhe kritereve përmes të cilave institucionet vendosin se kush përbën rrezik, kush duhet t’u nënshtrohet kufizimeve dhe kush duhet ta justifikojë praninë e vet në shoqëri.
Kur vetë studiuesja bëhet objekt i paragjykimit
Edhe reagimet politike ndaj hulumtimit tim e ilustrojnë këtë dukuri.
Pasi botova një artikull mbi këto çështje në një gazetë flamande, deputeti i partisë së djathtë ekstreme Vlaams Belang, Sam van Rooy, reagoi publikisht në platformën X.
Ai përshëndeti atë që e cilësoi si hapa modestë të qeverisë drejt “çislamizimit”, ndërsa njëkohësisht u përpoq të vinte në dyshim besueshmërinë time si studiuese, duke theksuar faktin se mbaj shami.
Kjo ka rëndësi, sepse kërkimi shkencor nuk duhet të jetë i paprekshëm nga kritika. Përkundrazi, puna e studiuesve duhet të vlerësohet mbi bazën e provave, metodave dhe argumenteve që paraqesin.
Ajo që bie në sy në këtë rast është zhvendosja e vëmendjes nga kundërshtimi i hulumtimit te vënia në pikëpyetje e identitetit të studiueses.
Në punën time shkencore, unë studioj Islamofobinë me bazë gjinore, duke u mbështetur në të dhëna empirike dhe në një literaturë të gjerë akademike. Megjithatë, shamia ime përdoret si arsye për të vënë në dyshim besueshmërinë e kërkimit tim.
Nënkuptimi është i njohur: një grua muslimane që studion Islamofobinë supozohet se nuk është e aftë të prodhojë dije shkencore mbi këtë dukuri, pikërisht sepse identifikohet dukshëm si muslimane.
Kjo është një formë e veçantë e asaj që në filozofi dhe në studimet shoqërore njihet si “padrejtësi epistemike”, pra padrejtësia që lind kur identiteti apo paragjykimet ndaj një personi përdoren për t’ia zhvlerësuar besueshmërinë si njohës dhe prodhues i dijes.
Gratë muslimane nuk përballen vetëm me politika që kufizojnë mënyrën si vishen, si e shprehin besimin apo si lëvizin në hapësirën publike. Edhe e drejta dhe autoriteti i tyre për të prodhuar njohuri mbi këto përvoja mund të vihen në dyshim për shkak të identitetit të tyre.
Shamia ime trajtohet si provë e paragjykimit tim, në vend që të shqyrtohet nëse ajo ka ndonjë ndikim real në vlefshmërinë empirike të hulumtimit që kryej.
Ky dallim është thelbësor, sepse riprodhon një model që haset gjerësisht në diskursin politik: gruas muslimane nuk i njihet mundësia të shihet thjesht si individ, profesioniste, studiuese apo qytetare.
Në vend të kësaj, ajo shndërrohet vazhdimisht në një simbol të islamit.
E ardhmja e muslimanëve në Belgjikë
Këto raste na ftojnë të rishikojmë mënyrën se si e kuptojmë Islamofobinë.
Në diskursin publik, Islamofobia shpesh reduktohet në shprehjen e urrejtjes së një individi ndaj muslimanëve. Por Islamofobia institucionale mund të veprojë në mënyra shumë më pak të dukshme.
Ajo ndikon në mënyrën se si shihet një student palestinez: si student apo si migrant i mundshëm. Ajo përcakton nëse një mësuese muslimane trajtohet si mësuese apo si kërcënim ndaj neutralitetit institucional. Po kështu, ajo ndikon nëse një studiuese muslimane vlerësohet për punën e saj shkencore apo shihet thjesht si përfaqësuese e identitetit fetar dhe politik që studion.
Belgjika nuk është i vetmi vend që përballet me këto tensione. Në të gjithë Evropën, qeveritë po përpiqen të përcaktojnë kufijtë mes laicitetit, lirisë fetare, migracionit dhe identitetit kombëtar.
Megjithatë, Belgjika ofron një pasqyrë veçanërisht të qartë të këtij procesi, sepse këto debate po ndërthuren gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin.
Ajo që mund të duket si një varg polemikash politike të veçuara, në të vërtetë mund të kuptohet si pjesë e një përplasjeje më të gjerë mbi vendin që u njihet muslimanëve në shoqëri.
Çështja kryesore nuk është nëse muslimanët do të kenë një vend në të ardhmen e Belgjikës. Ata janë tashmë pjesë e pandashme e shoqërisë belge: si studentë, mësues, studiues, mjekë, prindër, artistë, politikanë dhe qytetarë.
Pyetja e vërtetë është se në çfarë kushtesh prania e tyre konsiderohet e ligjshme dhe e pranueshme.
Kur prania e muslimanëve trajtohet vazhdimisht përmes numrave, sigurisë, integrimit apo neutralitetit, edhe përkatësia e tyre në shoqëri fillon të shihet si diçka e kushtëzuar.
Gaza i ka bërë këta kufij gjithnjë e më të vështirë për t’u shpërfillur.
Trembëdhjetë studentët që presin të lejohen të largohen nga Gaza dhe mësuesja së cilës iu kërkua të hiqte shaminë mund të duken si dy raste krejt të ndryshme.
I pari lidhet me luftën dhe kufijtë shtetërorë, ndërsa i dyti me arsimin dhe lirinë e shprehjes së besimit fetar.
Megjithatë, të dyja rastet zbulojnë të njëjtën përplasje të thellë: kush mund të jetojë e të marrë pjesë në shoqërinë belge thjesht si individ dhe kush detyrohet të mbajë mbi vete peshën e një kërcënimi të supozuar kolektiv.
Islamofobia merr karakter institucional jo vetëm kur shteti i shpall hapur muslimanët të padëshiruar, por edhe kur institucionet marrin vendime brenda një mënyre të menduari që e paraqet vazhdimisht praninë muslimane si diçka që duhet mbajtur nën kontroll, kufizuar ose justifikuar.
Kjo është gramatika e re e Islamofobisë në Belgjikë.

Arthemis Snijders është studiuese doktorale në Universitetin e Gentit, Belgjikë. Puna e saj kërkimore përqendrohet te Islamofobia me bazë gjinore dhe racializimi i muslimanëve në Belgjikë. Ajo studion veçanërisht mënyrën se si Islamofobia me bazë gjinore shfaqet në institucionet dhe në jetën e përditshme, si dhe ndërthurjen e saj me laicitetin, identitetin e bardhë si kategori shoqërore dhe kapitalizmin racial.
