Në Shtetet e Bashkuara është e vështirë të theksohet sa duhet shkalla ku ka rënë Islami në axhendën e politikës së brendshme dhe të jashtme amerikane. Nga shumë aspekte, ky është një përmirësim i mirëpritur ndaj angazihimit pothuajse të vazhdueshëm me muslimanët amerikanë dhe muslimanët jashtë vendit si objekte shqetësimi që pas 11 shtatorit. Me “ndalimin e muslimanëve” nga administrata Trump, dukej sikur kjo nuk do të merrte fund asnjëherë, sidomos duke marrë parasysh se secili president kishte qasjen e vet të veçantë ndaj “problemit” të Islamit.
Kjo duket se ka marrë fund me Presidentin amerikan Joe Biden. Me përfundimin e luftës kundër terrorit, qasja ndaj identitetit musliman i parë nga kënvështrimi i sigurisë është pothuajse një gjë e së kaluarës. Muslimanët amerikanë janë gjithnjë e më shumë pjesë e rrjedhës kulturore, të pranuar dhe të normalizuar në atë masë saqë nganjëherë duket sikur janë harruar fare.
Thënë kjo, duhet përmendur se humbja e interesit të Amerikës ndaj Islamit dhe muslimanëve ka një anë të errët, sidomos për faktin se kjo indiferencë është e lidhur me një apati më të gjerë ndaj Lindjes së Mesme. Politika e administratës Biden për Lindjen e Mesme, siç pasqyrohet në Strategjinë e fundit të Sigurisë Kombëtare, praktikisht u thotë aktorëve rajonalë që të “rrinë të qetë dhe të shohin përpara”. Prioriteti është parandalimi i problemeve në Lindjen e Mesme, në mënyrë që ato të mos tërheqin vëmendjen nga problemet më gjithëpërfshirëse, siç janë kërcënimet e paraqitura nga aventurizmi kinez dhe rus. (Nëse politikat ndaj rajoneve të caktuara mund të anashkalohen në këtë mënyrë kjo është çështje tjetër).
Të jesh i painteresuar për Lindjen e Mesme, në vetvete do të thotë të jesh i painteresuar për të drejtat e njeriut, reformat politike dhe procesin e demokratizimit në rajon. Politika e ruajtjes së status quo-së vetëm me rregullime të lehta është pashmangshmërisht politikë e mbylljes së syve ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në interes të “stabilitetit”. Për të zemëruar partnerët rajonalë me diskutimet për marrëveshjet e tyre politike të brendshme do të duhej t’i kushtohej më shumë vëmendje zbutjes së këtij zemërimi, çka do t’i shpërqendronte zyrtarët amerikanë nga kundërshtimi i Kinës dhe Rusisë.
Merrni rastin e Arabisë Saudite. Në korrik 2022, Biden bëri një vizitë të profilit të lartë te Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman në përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet, të cilat ishin tensionuar që nga vrasja e shkrimtarit dhe kritikut Jamal Khashoggi në vitin 2018. Që nga ajo vizitë, goditja e bin Salmanit ndaj disidentëve vetëm është shtuar.
Vitet e fundit, dobësimi i grupeve të mëdha terroriste si Al-Kaida dhe Shtetit Islamik pa dyshim e ka lehtësuar presionin ndaj politikëbërësve amerikanë. Por indiferenca e administratës Biden ndaj konsolidimit të autoritarizmit në rajon është një faktor shtesë i rëndësishëm që ia mundëson atij të shfaqë një shpërfillje të mirëpritur ndaj Islamit.
Perspektivat për demokraci në Lindjen e Mesme kanë qenë prej kohësh të lidhura me pyetjet rreth rolit të Islamit në jetën publike. Në fund të fundit, në çdo proces demokratizimi do të ishte e nevojshme që autoritetet shtetërore të hiqnin dorë nga kontrolli i prodhimit të dijeve fetare – një fushë që ata e kanë ruajtur me xhelozi për dekada. Në shoqëritë fetarisht konservatore, diçka aq domethënëse dhe e fuqishme sa Islami nuk mund t’u lihej masave, ose të paktën kështu mendonin autokratët arabë. Nëse njerëzit mund të zgjidhnin liderët e tyre, partitë me orientim fetar – partitë islamike – do të kishin një rol më të madh në politikë dhe qeverisje dhe ndoshta do t’i fitonin zgjedhjet. Dështimet e Pranverës Arabe dhe rikthimi i shtypjes i kanë lënë pyetje të tilla në plan të dytë. Shtetet autoritare janë edhe më autoritare sot. Por siç kam argumentuar në numrin e fundit Tendencat Aktuale në Ideologjinë Islamike, “problemi” i Islamit thjesht është shtyrë; nuk është zgjidhur.
Nuk është rastësi që dy administratat që i dhanë një vëmendje të konsiderueshme demokracisë në Lindjen e Mesme (ose mungesës së saj) ishin po ato që u ndjenë të detyruara të bënin deklarata në lidhje me Islamin. Ndonëse administrata e Bushit përfundimisht dështoi ta përkthente retorikën e saj gjithëpërfshirëse pro-demokracisë në politikë, ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice është ajo të cilës duhet t’i njihet njëfarë merite për shkak se kuptoi lidhjen e ngushtë midis problemeve “politike” dhe problemeve “fetare” në rajon. Ta trajtoje të parën do të thoshte ta merrje seriozisht këtë të fundit. Për shembull, ajo vëren se “feja dhe politika nuk përzihen lehtë – por përjashtimi i njerëzve fetarë nga politika nuk funksionon” dhe se bota arabe “ka dëshpërimisht nevojë për një zgjidhje për [këtë] sfidë”.
Ndonëse Presidenti Barack Obama ishte më pak entuziast për promovimin e demokracisë (pjesërisht për shkak të dëshirës për t’u distancuar nga aventurizmi i administratës Bush), ai u detyrua ta merrte atë më seriozisht gjatë kryengritjeve arabe të vitit 2011. Edhe ai gjithashtu e kuptoi se, që të kishte një politikë të promovimit të reformës politike dhe përfshirjes donte të thoshte se duhej të mendohej me kujdes për “dilemën islamiste” të Amerikës. Ashtu siç ma përshkroi një ndihmës i lartë i Obamës:
“Obama u nis me pikëpamjen se ne duhet ta pranojmë se islamistët do të kenë një rol në qeveri. Unë mendoj se ai filloi ta besonte vërtetë këtë dhe donte të ishte presidenti që do të kishte një mendje të hapur ndaj islamistëve.”
Kjo “mendje e hapur” nuk ishte e thënë të zgjaste domosdoshmërisht, por është tregues se administrata e Obamës e ndjeu se duhej të mendonte për islamizmin në mënyrë që të mendonte për demokracinë. E kundërta ishte e vërtetë për Presidentin Donald Trump. Armiqësia e tij aktive ndaj promovimit të demokracisë dhe entuziazmi i tij për diktatorët arabë u përkthye në një dëshirë për të përjashtuar dhe ndëshkuar grupet islamike si Vëllazëria Muslimane.
Do të ishte e vështirë të shmangej ky përfundim. Në varësi të nivelit të demokratizimit të shoqërive arabe, votuesit do të kishin më shumë gjëra për të cilat nuk do të pajtoheshin kur të bëhej fjalë për vendin e Islamit në politikë dhe marrëdhëniet e tij me shtetin. Nën konkurrencën e kufizuar elektorale që autokratët arabë kishin lejuar duke filluar nga vitet 1980, “politika e identitetit” rreth fesë eklipsoi gradualisht politikën tradicionale të klasës majtas-djathtas si ndarje kryesore elektorale. Dhe kështu u shfaq ajo që shkencëtari politik Hesham Sallam e quan “Politikë pa klasa.”
Partitë islamike ishin përfituesit kryesorë të këtij ndryshimi. Por, meqenëse nuk kishte rrezik real që ato të lejoheshin të merrnin pushtetin, implikimet praktike të preferencave të tyre ideologjike mbeten disi teorike, të projektuara shumë larg në të ardhmen. Megjithatë, me hapjet demokratike të Pranverës Arabe, gjithçka ndryshoi. Tani që partitë islamiste kishin një mundësi reale për të fituar pushtetin, pyetja se si – apo nëse – të akomodohej një rol më i theksuar i Islamit u ngrit në ballë të politikës arabe si kurrë më parë. Për më tepër, kushtetutat duhej të hartoheshin dhe ta trajtonin (ose të paktën të zgjidhnin të mos e adresonin) çështjen polarizuese të Islamit si burim i identitetit shtetëror dhe të ligjit islam si burim legjislacioni. Një zgjidhje politike dhe fetare mbeti e pakapshme në Egjipt, duke i hapur rrugën vendosjes së një diktature të re ushtarake nën presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sisi. Edhe në Tunizi – e cila deri vonë ishte historia e vetme (relative) e suksesit të Pranverës Arabe – forcat politike islamiste, laike dhe të majta duket se arritën një zgjidhje të tillë vetëm për ta parë atë të shembej. Sot, pas një grusht-shteti me lëvizje të ngadaltë, Tunizia e gjen veten duke lënguar nën sundimin e një njeriu autoritar.
Me një normalitet të ri autoritar që po afirmohet në të gjithë rajonin, përpjekja e vazhdueshme për të kërkuar një zgjidhje demokratike për çështjen e rolit të duhur të Islamit në politikë dhe jetën publike është në mbështetje të jetës. Të paktën tani për tani, kjo i ka dhënë administratës Biden lejen, e ndoshta edhe lirinë, për të shpërfillur dilemat demokratike me të cilat paraardhësit e tij nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të përballeshin. Administratat e ardhshme mbase mund të mos jenë aq me fat. Në fund të fundit, dilemat nuk janë larguar.
Solli në shqip Observer.al. Publikuar në anglisht në brookings.edu.