Thursday, June 19, 2025

Islamokracia dhe Islamofobia si dëmtues të fesë islame në kosovë

Në këtë shkrim, Prof. Milazim Krasniqi trajton ndikimin e të ashtuquajturit "Islam politik" (Islamokracisë) dhe "Islamofobisë" në praktikën dhe perceptimin e fesë islame në Kosovën e pasluftës. Ai argumenton se këto dukuri, të nxitura nga keqkuptimet, paragjykimet dhe interesa të caktuara, çojnë në deformimin e vlerave të vërteta islame dhe minojnë të drejtat e shumicës muslimane.

Në Kosovën e pasluftës dhe veçmas në Kosovën e pavarur, (2008 e këndej) feja është bërë tema më e keqkuptuar (për shkak të naivitetit të shumë njerëzve) dhe më e keqinterpretuara, (për shkak të keqdashjes së shumë të tjerëve.)

Disa nga debatet më idiote që janë zhvilluar ndonjëherë në këtë vend, kanë pasur të bëjnë veçmas me fenë islame, përkatësisht me “rrezikun islamik”, i cili prej injorantëve është shëndërruar në një gogol, me të cilin ata trembin veten e tyre.

Këto debate idiote kanë prodhuar “njohës” të çështjeve fetare, që në të vërtetë janë batakçinj, që nuk kanë as formimin elementar fetar e as intelektual, ndërsa kanë marrë përsipër të interpretojnë çështjet fetare dhe të propozojnë, me një lehtësi tipike që buron nga formimi stalinist, masa represive ndaj muslimanëve e masa restriktive ndaj fesë islame, në një vend ku është në funksion e në zhvillim të sforcuar demokracia liberale, ndërsa në censusin e vitit 2012, mbi 95 për qind e popullsisë janë deklaruar muslimanë!

Opinionet e lexuesve që zakonisht shoqërojnë me shumicë këso debatesh e tekstesh dhe që sipas gjasash janë të dirigjuara nga qendra të caktuara, përbëhen nga fyerjet më barbare ndaj fesë islame e ndaj ndjenjave të besimtarëve muslimanë. Egërsi të tillë të fyerjeve nuk bën vaki të hasen për asnjë fushë tjetër të debatit, që do të thotë se Islamofobia është në tensione të larta në këtë vend dhe që ajo sponsorizohet nga qarqe të ndryshme. Nuk dihet saktësisht se a janë po ato qendra që e sforcojnë demokracinë liberale, apo janë ato që janë kundër saj. Por, basti më shumë bie në të parat, pra që sponsorizuesit e demokracisë liberale janë porositësit/urdhërdhënësit e kufizimeve ndaj lirive fetare. Kjo gjë paraqet një absurd të llojit të vet, sepse të stimulosh demokracinë liberale dhe në të njëjtën kohë të cënosh të drejtat elementare fetare të shumicës absolute të popullsisë, është një situatë shumë absurde dhe që në instancë të fundit e kërcënon edhe vetë demokracinë.  

Kosova si shtet fetar – ordodoks!

Askush nuk e di saktësisht se si shpërtheu gjithë kjo Islamofobi në Kosovë, veçmas pas pavarësimit të vendit, kur shpresohej se të gjithë banorët e tij do të gjenin mirëkuptimin dhe paqen e nevojshme, pas vuajtjeve të jashtëzakonshme nën pushtimin sermomadh. Por, ai mirëkuptim dhe ajo paqe nuk janë arritur ende dhe as që shihen kund në horizont, as në rrethanat e avancimit të demokracisë liberale. 

Shpërthimi i Islamofobisë menjëherë pas pavarësimit të vendit, ishte si shpërthimi i një abscesi që ka mbledhur qelb për një kohë të gjatë dhe që ka akumuluar një virulencë të lartë. Ka disa supozime lidhur me shkaqet që sollën këtë virulencë e të cilat e kanë brenda vetes farën e rezonit logjik. 

E para, ka të bëjë me bisedimet e Vjenës dhe me mënyrën se si i dizajnua shteti i ri nga aktorët ndërkombëtar, të cilët duke e propozuar që Kosova të bëhej e pavarur, e futën brenda një mbikëqyrjeje afatgjatë ndërkombëtare, ushtarake dhe civile në të njëjtën kohë! Pra, formuan njëfarë kreature kuazi shtetërore, e cila më parë do të mund të quhej Ahtisaristan, se sa Kosovë. Në bisedimet e Vjenës, përkatësisht me Planin Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit, Ahtisaristani (Kosova)  u konceptua si shtet fetar, me fenë ortodokse serbe si fe shterërore, ose më saktë, me Kishën Ortodokse Serbe, si shtet brenda shtetit. Krijimi i zonave të mbrojtura të kishave dhe manastireve serbe, dhënia e lehtësirave doganore për këtë Kishë dhe një numër i madh i koncesioneve të bëra nga shteti i ri, e kanë bërë Kishën Ortodokse Serbe që të jetë tërësisht jashtë juridiksionit të Kosovës. Në këto koncesione bie edhe lejimi i mësim-besimit në shkollat në gjuhën serbe, ndërkohë që është në fuqi ndalimi i mësim-besimit në shkollat në gjuhën shqipe! 

Për të evituar çfarëdo kërkese të Bashkësisë Islame të Kosovës për një status më të përparuar në kuadër të shtetit të ri dhe për më shumë liri e të drejta të muslimanëve në këtë shtet, është orkestruar presioni mbi muslimanët, që të minimizohen kërkesat e tyre dhe madje që të mos realizohen as kërkesat minimale. Kështu, nga presioni i madh dhe permanent, është dashur të harrohej statusi i privilegjuar i Kishës Ortodokse Serbe dhe i bashkësisë ortodokse në Kosovë, gjë që tashmë edhe ka ndodhur. Kisha që thërret besimtarët e vet për hakmarrje, (parulla e famshme “Osvetiti Kosovo!”)  bën çfarë të dojë, madje u uzurpon edhe pronat fshatarëve, por as shteti e as qytetarët, nuk guxojnë të bëjnë as edhe një deklaratë tamam. 

Nga ana tjetër, edhe Kisha Katolike i ka realizuar disa favore për veten e saj, gjë që poashtu është parë si diçka “e vetëkuptueshme” në një shtet kukull, ku nuk vendos vullneti i shumicës së popullsisë. Mirëpo, nuk duhet të shmanget nga vëmendja fakti që edhe Kisha Katolike administrohet direkt nga një shtet tjetër, nga Vatikani. Prandaj as ajo nuk varet nga humori i institucioneve shtetërore të Kosovës. Meqë katolicizmi nga ana e kuazi-intelektualëve islamofobë është patentuar si “tharmi i shqiptarizmit”, kjo ka bërë që kjo kishë të marrë njëfarë statusi të privilegjuar edhe në sytë e institucioneve të shtetit të ri, gjë që e dëshmon më së miri ndërtimi i katedrales në qendër të Prishtinës dhe uzurpimi prej saj edhe i një pjese të territorit, bile pa ua varur fare vendimeve të komunës së Prishtinës. Pra, realisht vetëm Bashkësia Islame e Kosovës dhe fatet e muslimanëve varen nga ligjet e shtetit të ri, prandaj ndaj tyre edhe janë u aplikuar masat restriktive të këtij shteti, i cili vetë është i mbikëqyrur nga të tjerët!.   

Aktorët që provokojnë tjetërsimin e muslimanëve  

E dyta, adresa e aktorëve që ushtrojnë presionin mbi muslimanët në Kosovë, duket si enigmë, meqë luhet si me top të ping pongut ndërmjet institucioneve vendase dhe atyre ndërkombëtare. Kur institucioneve të vendit u duhet të fshehin veprimet e veta islamofobike, lëshojnë fjalë se këto masa po i kërkuakan “miqtë tanë”, kryesisht amerikanët. Dhe ashtu e fshehin dorën e vet, edhe nëse me të e kanë hedhur gurin. 

E treta, segmente me ndikim të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, duket se ushtrojnë vërtet presion mbi institucionet e vendit, për të mbajtur nën presion fenë islame, nga paranoja që kanë se gjoja liria më e madhe e besimtarëve muslimanë mund të prodhojë ekstremizëm. Në një rast të tillë ata konsumojnë përvoja nga vende e kultura të tjera, kryesisht të Azisë e të Afrikës, por që realisht nuk kanë asnjë bazë në zhvillimet në vendin tonë. 

E katërta, vetë organizimi dhe funksionimi i Bashkësisë Islame të Kosovës nuk ka krijuar kapacitetet e nevojshme që të shihet e të pranohet si partner i besueshëm nga ana e institucioneve shtetërore dhe atyre ndërkombëtare. Modeli i organizimit të saj vazhdon të jetë ai që ka qenë edhe në ish-Jugosllavinë komuniste dhe në kohën e okupimit të vendit, pa aplikuar asnjë reformë në rrethanat e reja të lirisë së tij. Edhe zhvillimet e fundit në këtë bashkësi, lidhur me ndërrimin e termave të dokumentit bazë të organizimit, për ta cimentuar mosndryshimin, janë një zhvillim që e rritë dyshimin dhe mosbesimin në qëllimet e krerëve të saj.

Prandaj, në këtë sfond të muzgët, ku statusi i prvilegjuar i ortodoksëve serbë duhet të maskohet, i katolikëve afirmohet si “patriotik”, ndërsa organizimi i institucionit përfaqësues të muslimanëve është shndërruar në një front të luftës për pushtet, ku përdoren edhe elementë ekstremistë, liritë dhe të drejtat fetare të shumicës së besimtarëve, duken potencialisht të cënuara. 

Në këtë ambient psikologjikisht represiv, është lancuar ideja se kjo shkallë e lirive dhe e të drejtave fetare që i gëzojnë muslimanët në këtë shtet, është dhuratë nga zemërgjerësia e jomuslimanëve, e nuk janë liri dhe të drejta që atyre u takojnë në mënyrë të patjertërsueshme nga Kushtetuta e vendit dhe ligjet e tjera të këtij shteti. Kjo është mënyra e menduar nga strategët islamofobë, për ta imponuar tjetërsimin e muslimanëve, për t’ua imponuar kompleksin e inferioritetit dhe prej andej për ta hapur ndonjë kapitull të ri të konvertimit të tyre.   

“Islami politik”- një sfidë e panevojshme  

Injorimi institucional i statusit dhe i nevojave të shumicës së besimtarëve, në këtë rast të besimtarëve muslimanë, pati filluar të prodhojë frustrimet e para lidhur me ndërtimin e Katedrales në oborrin e gjimnazit “ Xhevdet Doda”, por u bë më dramatik për shkak të mosdhënies së një trualli për një xhami në qendër të kryeqytetit dhe lidhur me bartjen e shamisë nga nxënëset në shkollat e mesme. Protestat për shaminë dhe për truallin e xhamisë, hodhën edhe farën për daljen në skenë të të ashtuquajturit “Islam politik”. Kësisoj, injorimi i disa kërkesave elementare të besimtarëve, prodhoi një konflikt nga i cili tashmë ka lindur edhe ideja e përdorimit të fesë islame në terrenin politik. 

Nëse çështja e shamisë, edukimi fetar në shkollat publike dhe trualli për xhaminë e re në Prishtinë do të ishin zgjidhur me kohë dhe në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës, vendi ynë nuk do të kishte asnjë agjendë të ashtuquajtur “Islam politik”. Por, ai tashmë ka lindur, padyshim edhe për shkak të ambicieve politike e pushtetore të individëve të caktuar. Megjithatë, këto ambicie janë legjitimuar në sytë e një pjese të publikut falë injorimit të kërkesave bazike dhe minimale të besimtarëve muslimanë në vend. Tani ndodhemi në këtë pikë, ku do të testohet edhe forca e të ashtuquajturit Islam politik. E gjithë kjo sfidë ka qenë dhe mbetet e panevojshme.

Mund të jetë krejt e parëndësishme se çfarë mendoj unë për këtë punë, por gjej rastin të konfirmoj se personalisht, jam kundër përdorimit të fesë Islame në sferën partiake, pra, jam kundër të ashtuquajturit “Islam politik.” (Arsyet besimore dhe teorike të këtij qëndrimi shpresoj t’i shpjegoj në ndonjë rast tjetër.)  Por, këtu dëshiroj të bëj një shpjegim të shpejtë lidhur me keqpërdorimin e këtyre zhvillimeve nga injorantët e shumtë të cilët këto zhvillime i paraqesin, qoftë nga naiviteti, qoftë nga keqdashja, si zhvillime të vetë fesë islame.

Megjithatë, e vërteta është se këto zhvillime – që nga manipulimet me truallin e xhamisë së re, çështja e shamisë së vajzave adoleshente në shkolla e deri te formimi i partive me emërtim “islame” – nuk lidhen në thelb me vetë fenë islame. Ato janë lojëra dhe politika të aktorëve konkretë, individëve të caktuar (qofshin këta me pelerina e çallma, apo me kollare), të cilët e përdorin fenë për të realizuar qëllimet e tyre profesionale, materiale ose politike. Disa politikanë, me profil të dobët moral, intelektual e politik, synojnë të ngrihen duke sulmuar aspekte të jetës fetare islame. Nga ana tjetër, disa hoxhallarë me profil modest intelektual e politik, gjithashtu kërkojnë të përfitojnë duke luajtur rolin e viktimës ose duke kërcënuar me të ashtuquajturin “Islam politik”. Këtyre u bashkohet në mënyrë banale edhe një grup analistësh të vetëshpallur, të cilët synojnë të fitojnë poena politikë ose grante duke u angazhuar kundër “gogolit islamik”.      

Çka është thelbësore në mësimet e fesë islame?

Shtrohet pyetja më e thjeshtë: çfarë mbrojnë në të vërtetë këta hoxhallarë “trima” dhe çfarë sulmojnë këta politikanë e analistë po ashtu “trimat”? Sipas kuptimit tim, të parët mbrojnë interesat e tyre materiale dhe vendet e punës, përfshirë të ardhurat nga këndimi i mevludeve, përgatitja e xhenazeve, qelimet dhe aktivitetet komerciale me kaseta, disketa, si dhe postimet në Facebook e YouTube. 

Brenda këtij spektri të angazhimeve, bien edhe lokacionet për xhamia (ndodhë që i nisin pa leje, ose rrënojnë edhe objekte të trashëgimisë kulturore) për të ngritur xhami me dugaja! Dhe flasin me zë të lartë se si ata janë mbrojtës të fesë islame, se si janë mbrojtës të paepur të lirive të muslimanëve në këtë vend. Por, ata mbrojnë ato liri, të cilat realisht nuk janë të cënuara fare.

Të cënuara realisht dhe tragjikisht në këtë vend nuk janë adetet që paketohen si “fe islame”. Bëj Ajo që është realisht dhe tragjikisht e cenuar në këtë vend nuk janë zakonet e prezantuara si ‘fe islame’. Mund të organizosh mevlude e qelime sa të duash, dhe askush nuk do t’i ndalojë ato. Por, në këtë vend janë në rrezik serioz dhe të cenuara vlerat themelore njerëzore, të cilat feja islame mund t’i mbronte. Morali është i cenuar, madje shpesh i shkatërruar. Vlerat familjare po rrënohen, drejtësia shoqërore mungon, njerëzit kanë humbur paqen shpirtërore dhe shpresën, duke mos arritur të kuptojnë lidhjen mes kësaj jete dhe tjetrës (për shkak të ndërprerjes së mësimeve të vërteta islame që nga pushtimi sllav në fillim të shekullit dhe veçanërisht gjatë periudhës së sundimit komunist). 

Me një fjalë, mungojnë mësimet e vërteta, me stil e me metoda moderne të prezentimit për fenë islame si fe e shpëtimit të njeriut nga vuajtja në këtë botë dhe në botën tjetër, si fe e lartësimit moral dhe si fe e paqes. Mungon mësimi esencial që feja islame është fe universale, që integron brenda vetes edhe Judaizmin e Krishterimin (si shpallja e fundit që është) se këto tri fe e kanë të njëjtin burim, e prandaj quhen fe abrahamike dhe se e ardhmja është në përafrim, bashkëpunim, mirëkuptim e paqe universale. 

Mungon mësimi esencial që do t’u shpjegonte njerëzve të këtij vendi se feja islame nuk ka asgjë të bëjë me terrorizmin, me ekstremizmin ose me çfarëdo forme të intolerancës dhe të dhunës. Zoti ka shpallur qartë në Kur’an se në Fe nuk ka dhunë. Kjo është një aksiomë që do të duhej t’u mësohej edhe fëmijëve. Mungon mësimi i vërtetë i fesë islame, në kontekstin tonë kohor, të shekullit XXI dhe të kontekstit gjeografik, në zemër të Evropës. Mungon mësimi esencial që feja islame i ofron besimtarit mundësinë e çlirimit nga frika, për faktin se ai është nën mbrojtjen e Krijuesit të vet. Pra, mungon mësimi aq i nevojshëm islam sipas të cilit feja nuk e mban besimtarin në ankth permanent, në frikë permanente, po e mban më stabilitet e shpresë permanente. Njeriu i kohës sonë ka nevojë për këto mësime e udhëzime.    

Lartësimi moral, paqja shpirtërore dhe shpëtimi i njeriut

Ndërsa, interpretimet e bazuara në dije të tejkaluara, në konkludime të dijetarëve të para shumë shekujve, të sjella nga zona që përjetojnë dekadencë të gjatë kulturore, si Jemeni, Sudani, Arabia Saudite, Egjipti ose cilido vend tjetër arab, krijojnë huti, prodhojnë frustrime e potencialisht edhe konflikte, fillimisht brenda vetë komunitetit musliman. Por, hierarkët e institucioneve fetare rrezikun nga dija e tejkaluar dhe që vjen nga vende kulturalisht të prapambetura, nuk e vërejnë, sepse formimi i shumicës prej tyre është i kufizuar.           

Përderisa të parët, në fakt shumica e hoxhallarëve, mbrojnë interesat e veta të profesionit e të punës, sulmuesit e fesë islame, një dorë politikanësh e një dorë analisësh dhe një mizëri “opinionistësh të portaleve”, sulmojnë këto veprime e bëma, por duke mos pasur njohuri të duhura, i identifikojnë me fenë islame. Vërtet, duhet të jetë njeriu fort injorant, nëse një veprim të një hoxhe ose nëse doni edhe të një bashkësie fetare të tërë, e paraqet si “fe islame.” Sjelljet dhe veprimet e njerëzve, pra edhe të njerëzve të fesë, janë vepër e vetë atyre, e jo elementë i Shpalljes Hyjnore, (edhe nëse ata duan ta maskojnë si të tillë, gjë që e bëjnë shpesh.) Por, Shpallja Hyjnore, fjala e Zotit, mbetet përjetësisht e pacënuar nga veprimet njerëzve, kushdoqofshin ata. Fjala vjen, kur terroristët ulërijnë “Allahu Ekber” (Allahu është më i Madhi), ata keqpërdorin një formulë besimi, lutjeje, meditimi, ndërsa vetë formula mbetet e pacënuar nga krimi i tyre, ajo mbetet e pastër, mbetet gjithmonë një thirrje e besimit dhe e meditimit të besimtarit paqësor. Ulërima e askujt që bën krim nuk mund të fshihet pas kësaj formule ose të amnestohet prej saj dhe të asnjë tjetre.

Për këtë arsye, politikanë, analistë e opinionistë islamofobë do të bënin mirë të çliroheshjin nga ankthi se feja islame paraqet rrezik për stabilitetin e  shoqërisë. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Nëse ndodhin probleme, trazira, ose çkadoqoftë, ato mund të jenë vepra të njerëzve që duan ta përdorin fenë për qëllimet e veta materiale, politike ose çfarëdoqofshin ato. Por, feja islame si Shpallje Hyjnore nuk do të ketë të bëjë aspak me ta. Ajo do të vazhdojë të ofrojë shpresë, siguri e paqe për njeriun në këtë botë dhe shpëtim për botën tjetër. Lartësimi moral, paqja shpirtërore dhe shpëtimi i njeriut, janë produktet e vërteta të fesë islame. Njerëzit duhet të rikthehen në këto mësime e të gjejnë në to kuptimin e jetës së vet. Duhet të rikthehen vetë e të mos presin se dikush me çallmë në kokë t’ua tregojë rrugën, meqë secili individ është përgjegjës për veten e vet. Por, as nuk duhet të stepen nga ebulehebët e sotëm, që duan t’u vënë ferra në rrugë. 

Ndërsa, shumësia e individëve- besimtarëve të ndriçuar nga besimi esencial, pra, të shkëputur nga adetet që shiten si “fe islame” dhe nga lojërat politikaneske që paketohen si “mbrojtje nga gogoli islamik”do të çarmatosnin edhe islamokratët e edhe islamofobët. Nëse nuk ndodhë kjo përtëritje, që na distancon nga klerokracia dhe nga Islamofobia, ekziston rreziku që Islamokratët dhe Islamofobët të luftojnë kundër njëri-tjetrit deri në muslimanin e fundit të këtij vendi. Ky edhe mund të jetë objektivi i strategëve të vërtetë të Islamofobisë. Për fatkeqësinë e tyre e për fatin e mirë tonin e të njerëzimit mbarë, ky objektiv është i parealizueshëm, as në Kosovë e as në botë. Por, dëmet mund të jenë të konsiderueshme, nëse nuk kuptohet me kohë dhe drejt hileja e hileqarëve, që luajnë lojën me hile në të dyja anët. Kosova pas vitit 1999 e veçmas pas vitit 2008, kur u bë e pavarur, (ndonëse mbeti e mbikëqyrur, ndoshta pikërisht për këtë shkak) është poligon i kësaj loje. Na pëlqen a s’na pëlqen, kështu del rezultati. Pikë muhabeti.  

Ky artikull është publikuar për herë të parë në numrin 30 të revistës Shenja, Tetor 2013. Një version i shkurtuar është publikuar më herët në Observer.al në vitin 2016 me titull: “Kosova si shtet fetar ortodoks!“.

Shënim: Opinionet e shprehura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Observer.al
Milazim Krasniqi
Milazim Krasniqi
Profesor i asocuar i gazetarisë dhe letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi udhëheq Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, aty ku në vitin 2004 ka fituar titullin e doktorit të shkencave filologjike. Themelues i Institutit të Medies, redaktori i parë i zhurnalit “Media”, Krasniqi ka shërbyer edhe si anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (2001-2009) dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2008-2010.)

Të ngjashme
Related

Tuneli i errët narrativ i Ben (Gvir) Blushit për Izraelin si viktimë, e Gazën si fajtore

Në narrativën e Blushit audienca mbetet e bllokuar dhe e përhumbur në brendinë e një labirinti narrativ ku viktimizimi i njërës palë shërben për të fshehur, dhe madje për të legjitimuar, harresën e “tjetrit”. 

Nakba ishte vetëm fillimi; lufta e Izraelit kundër Palestinës e tejkalon çdo dhunë të së kaluarës

Gjenocidi aktual i Izraelit ndaj Palestinës shënon një fazë të re, të paprecedentë, të dhunës masive, shkatërrimit dhe aneksimit të paligjshëm.

Dëshira e flaktë e shqiptarëve për të qenë “evropian”

Islamofobia e përbrendësuar e shqiptarëve është normalizuar aq shumë saqë kalon pa u vërejtur.

Nën hijen e kolonializmit: një diskurs mbi subjektin musliman të kolonizuar

Bazian argumenton se bota muslimane vuan nga një "e tashme koloniale" mendore dhe epistemike.
Verified by MonsterInsights